Në kuadrin e shkrimit të historisë nga Instituti i Historis dhe Akademi e Shkencave tu kushtohet vendi i duhur disa betejave legjendare të shqiptarëve sikurse është ajo e luftës kundër Hajredin Pashës në tetor 1844 dhe të vendoset pika mbi i për debate të tilla se kur u çlirua Shqipëria, apo nëse shqiptarët gjatë Luftës së II Botërore bënë luftë me njëri tjetrin apo me pushtuesit nazifashistë, ndërkohë që bota na ka renditur në krahun e fitimtarëve.
Ne jemi populli më i lashtë në Europë, me kulturë dhe trashëgimi të trashëguar deri në ditët e sotme, por objekteve historike e kulturore po u vihet kazma nga bosët e ndërtimit për fitime personale me leje ose me indiferentizmin e institucioneve shtetërore.
Mbas viteve 90 pati një sulm neveritës deri edhe duke u vënë kazmën lapidarëve dhe memorialëve të LANÇ dhe të luftrave për liri dhe pavarësi të popullit shqiptar. Sulmi fizik u shoqërua me një fushatë histerike mediatike kundër të kaluarës së shqiptarëve, veçanërisht ndaj luftës antifashiste e antinaziste. Shqipëria u rendit në krahun e fitimtarëve të Luftës së dytë botërore, përkrah anglo-amerikanëve dhe Bashkimit Sovjetik dhe kjo renditje jo vetëm nuk vlerësohet nga disa politikanë e historianë servilë të politikës, por përkundrazi errësohet kjo periudhë.
Disa i mëshojnë fort tezës së luftës civile, a thua se nuk kishte forca pushtuese në Shqipëri gjatë Luftës së II Botërore dhe Shqiptarët nuk luftonin kundër pushtuesit por luftonin kundër njëri tjetrit për pushtet. Lufta civile është nocion i vjetër sa vetë jeta. Çdo pushtues e përdor atë për ta patur më të lehtë pushtimin dhe sundimin. Por të renditesh në formacion me fashistët dhe nazistët kundër atyre që luftojnë për çlirim kombëtar do të thotë të jesh në vendin dhe kohën e gabuar.
Qenia në koalicionin antifashist e antinazist e Bashkimit Sovjetik përkrah ShBA dhe Anglisë nuk duhet të konfondohet me luftë politike, sepse kështu e menduan dhe vendosën angloamerikanët. Lufta ndaj Bolshevizmit u përdor nga e djathta shqiptare, Balli Kombëtar dhe Legaliteti si arsye për të mos bashkëpunuar me Frontin Nacional Çlirimtar (që drejtohej në ilegalitet nga Partia Komuniste Shqiptare) dhe për tu përplasur me njëri tjetrin. Sulmet ndaj LANÇ vazhduan dhe vazhdojnë ndaj dëshmorëve të rënë, pa menduar se sulmojnë shqiptarët që dhanë jetën për lirinë që gëzojmë sot. LANÇ nuk duhet të konfondohet me të pastajmen që ndodhi pas marrjes së pushtetit nga komunistët. Këtu është vija e kuqe ndarëse.
Nuk ishte në dëshirën e shqiptarëve të zgjidhnin me kë të qëndronin, me Lindjen apo me Perëndimin. Atë e vendosën fuqitë fituese të luftës sipas dëshirës së tyre. Goditja e historisë është strategji dhe luftë sistematike e armiqve të shqiptarëve. Ne jemi populli më i lashtë në Europë, me kulturë dhe trashëgimi të trashëguar deri në ditët e sotme, por objekteve historike e kulturore po u vihet kazma nga bosët e ndërtimit për fitime personale me leje ose me indiferentizmin e institucioneve shtetërore.
Shumë studiues dhe historianë kanë braktisur faktet, datat, vendet, pjesëmarrësit e ngjarjeve historike. Historia ka saktësinë e saj. Betejat dhe ngjarjet kanë ditëndodhjen, vendndodhjen, pjesëmarrësit, të rënët dëshmorë. Disa shkruajnë pa përgjegjësi, pa referenca, përdorin togfjalëshin “e të tjerë”, në fillim të muajit, në fillim të vitit, qindra dëshmorë etj. Nuk mund të përmendësh dy apo tre dëshmorë dhe për të tjerët të shkruash e të tjerë sepse gjaku i derdhur është gjak shqiptari, janë bij nënash të gjithë. Nuk mund të shkruash vetëm emrin e komandantit të njësisë dhe të shkruash e të tjerë sepse luftën nuk e bën një komandant i vetëm sado i zoti të jetë, por bashkë me ushtarët.
Do të thotë ndonjëri se ushtarë e komandantë të “vegjël” ka shumë dhe nuk përmenden të gjithë, por kurrësesi të shkruash për Shtabin e Përgjithshëm të LANÇ dhe të mos i përmendësh të 12 anëtarët e tij. Thuhet se në Kongresin e Manastirit morën pjesë 50 delegatë, nga këto 32 me të drejtë vote. 18 delegatëve të tjerë nuk u shkruhet emri a thua se Bajo Topulli është më pak i rëndësishëm se 32 delegatët votues. Shkruhen vetëm 40 firmëtarët e pavarësisë dhe “harrohen” 43 delegatët e tjerë.
Mbledhja zgjati 4 ditë dhe ata që arritën me vonesë në Vlorë përmes plumbave e acarit nuk shikohet e arsyeshme të shkruhen nga “historiani”. Rrjetet sociale po luajnë rol pozitiv dhe negativ në fushën e historisë. Përveç faktit që janë bërë të gjithë historianë mburren e krahasohen midis krahinave, nxisin përçarje e ndasi. E mira qëndron në faktin se janë zbuluar nga pluhuri i harresës njerëz dhe ngjarje që historia e periudhës komuniste i kishte mbuluar.
Kombi ynë, ndonëse relativisht i vogël ka histori të lavdishme.
Por kombet pa histori pushojnë së ekzistuari, prandaj të punojmë fort dhe me vërtetësi për historinë tonë. Ku janë shtatoret e mbretërve ilirë ? Ku janë vendosur për tu vizituar nga të vegjlit dhe të rinjtë, nga të gjithë ? A ndodh kjo në shtetet e tjera fqinje dhe europiane ? Sigurisht që jo. Kohët e fundit është vënë re një dukuri e rivendosjes së memorialëve, por me mangësi të theksuara. Në këto memorialë nuk shkruhet data, emri i pushtuesit, emri i dëshmorëve etj.,sikurse ndodhi në memorialin e Gjoricës ku në vend që të thuhet se këtu në Gjoricë të Dibrës në tetor 1844 malësorët dibranë u ndeshën dhe përzunë me turp forcat osmane të komanduara nga Hajredin Pasha, vendoset formula e betimit të Nandë Maleve të Dibrës në luftë kundër pushtuesit, bile harrohet edhe të shkruhet edhe një mal historik kur dihet se në aspektin historik, Dibra është unitet i nandë maleve dhe krahinave të Topalltisë (Fushës dhe qytetit të Dibrës së Madhe), krahinës së Gollobordës dhe Bajraqeve të Lurës. Kjo ndodh, mendoj unë, për qëllime politike të ditës, për qëllime elektorale dhe për bashkëpunime ndërkombëtare me interesa të paqarta.
Më duhet të sqaroj se me dashje apo për injorancën e tyre konfondohet Perandoria Osmane me Turqinë e sotme, fashizmi me Italinë e sotme, nazizmi me Gjermaninë e sotme dhe në vend të fqinjësisë së mirë, herë-herë ushqehet urrejtje, pa menduar se shqiptarët sot punojnë e jetojnë masivisht në këto vende. Historia nuk mësohet në shkolla megjithëse ekziston si lëndë.
Nuk ka si të shpjegohet ndryshe që pashai pushtues Hajredin Pasha njihet si hero nga shumë shqiptarë deri edhe politikanë ligjvënës. Politika ndërhyn kaq shumë në histori sa që krijon ndasi dhe megjithëse është përcaktuar me ligj dita e çlirimit, të majtët e nderojnë me datën 29 nëntor dhe të djathtët më 28 nëntor.
Pas shkatërrimit të muzeve në vitin 1991, sot kemi shumë pak muzeume, kur do të ishte e nevojshme dhe e mundshme që të kishim në çdo bashki. Së fundi mendoj që në kuadrin e shkrimit të historisë nga Instituti i Historis dhe Akademi e Shkencave tu kushtohet vendi i duhur disa betejave legjendare të shqiptarëve sikurse është ajo e luftës kundër Hajredin Pashës në tetor 1844 dhe të vendoset pika mbi i për debate të tilla se kur u çlirua Shqipëria, apo nëse shqiptarët gjatë Luftës së II Botërore bënë luftë me njëri tjetrin apo me pushtuesit nazifashistë, ndërkohë që bota na ka renditur në krahun e fitimtarëve.