FSHVLPLPPSH BOTON DHE PROMOVON VEPRËN STUDIMORE SHKENCORE TË
POLITOLOGUT, DIPLOMATIT DHE PUBLICISTIT KOSOVAR BASHKIM HISARI

Halil RAMA – Mjeshtër i Madh

Vepra studimore shkencore “DEKODIMI I KRIMEVE” e politologut, diplomatit dhe publicistit të mirënjohur kosovar Bashkim Hisari është një përmbledhje e detajuar shkencore dhe morale që analizon marrëdhëniet shqiptaro-serbe në dritën e së vërtetës historike, duke hedhur dritë mbi krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Si redaktor i kësaj vepre dhe moderator i promovimit të saj ditën e tretë të Panairit të 28-të (Tiranë 2025), e pata më të lehtë pas reçenesave kompetitive e profesionale të dy recenzentëve të saj: akademik Jusuf Bajraktari dhe Prof. Asc. dr. Shkelqim Xeka, të cilët edhe në këtë takim promovues mbresëlënës të organizuar nga Federata Shqiptare e Veteranëve të luftrave për liri e pavarësisë të popullit shqiptar dhe Shtëpia botuese prestigjioze “PENA” e Prizrenit, bënë vlerësimet e tyre maksimale. Që në nisje të promovimit me pjesëmarrjen e dhjetra personaliteteve akademike, shkencore e të letrave, vura në dukje se veçoria e kësaj vepre, qëndron në faktin se ajo shkon përtej përshkrimit kronologjik të ngjarjeve, dhe i nënshtrohet analizës së natyrës së planifikuar dhe të organizuar të dhunës, e cila, sipas standardeve të së drejtës ndërkombëtare, përmbush kriteret e gjenocidit të përcaktuara në Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit (1948).

KËNDVËSHTRIMI ANALITIK I AKADEMIKËVE
Vepra “Dekodimi i krimeve” është një përmbledhje e detajuar shkencore dhe morale për të analizuar marrëdhëniet shqiptaro-serbe, në dritën e së vërtetës historike, duke hedhur dritë mbi krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Objektivi i saj është të kontribuojë në ndërtimin e një narrative, që ofron referencë të saktë, të besueshme dhe i reziston manipulimeve, mohimeve dhe keqinterpretimeve, që ende janë të pranishme në diskursin politik e akademik serb.
Parë nga ky këndvështrim, akademiku i mirënjohur kosovar, Prof. Dr. Jusuf Bajraktari, ndër të tjera vlerëson se libri i Z.Hisari është një studim serioz publicistiko-shkencor, i cili është punuar me barometrat e metodologjisë së punës shkencore. Kjo për faktin se “vlerësimet e tij kanë një peshë të veçantë, sepse ai përveç përgatitjes teorike që e ka, konkluzionet e tij i nxjerr në mbështetje të praktikës dhe përvojës si kuadër i terrenit në të dyja fushat, të cilat e kondicionojnë njëra tjetrën. Në këtë kontekst ai i trajton ngjarjet dhe proceset nga aspekti i një analisti të ngjarjeve socio-politike, duke qenë i pajisur edhe me njohuritë e grumbullimit të fakteve nëpërmjet emisioneve televizive ndërkombëtare, me ç ‘rast ai i ka vizituar zonat më të dëmtuara nga çmenduria e ofensivave më të përgjakshme të soldateskës shoviniste millosheviqiane”.
Të gjitha këto autori i ka parë me sytë e vetë si dëshmitar okular dhe si të tilla i ka regjistruar edhe në shiritin filmik, e që për fat janë emituar nga qendra të ndryshme televizive botërore. Këto dëshmi tronditëse, Hisari jo vetëm që i disponon, por ia prezanton lexuesit në këtë botim shumë të veçantë për nga gama e vështrimit dhe për nga nevoja imediate me të cilën sot Kosova ka për ta bërë të njohur të vërtetën e saj të hidhur.. Ndërsa recenzenti tjetër, Prof. asc. dr. Shkëlqim Xeka, ndër të tjera evidenton faktin se vepra ‘DEKODIMI I KRIMEVE’ e politologut, diplomatit dhe publicistit Bashkim Hisari, pasqyron realitetin historik të marrëdhënieve shqiptaro-serbe të cilat përbëjnë një ndër kapitujt më të ndërlikuar të historisë së Ballkanit. Kjo sipas tij për faktin se duke qenë njohës i thellë i historisë dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare, veçanërisht atyre shqiptaro-serbe, dhe duke u mbështetur në përvojën e fituar gjatë punës shumëvjeçare në fushën e mediave, të drejtave të njeriut, posaçërisht në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës, Bashkim Hisari në këtë vepër ka
Nga ky këndvështrim e vlerëson këtë libër edhe Znj.TatjanaParllaku Çarkaxhiu-kryetare e OBVLP, poetja dhe prozatorja e njohur Bujana Malaj, Drejtori i Shtëpisë Botuese “Pena” Mensur Bytyqi, Prof.asc. dr. Keida Ushtelenca dhe nënkryetari i OBVLP kolonel Trifon Llupo.

FAKTE RRËQETHËSE E TEJET TRISHTUESE TË GENOCIDIT TË PASHEMBULLT SERB NË KOSOVË
Vetë autori Hisari, në promovimin e veprës së tij studimore shkencore solli fakte rrëqethëse e tejet trishtuese të gjenocidit të pashembullt serb ndaj popullsisë së pafajshme kosovare.
Gjatë luftës 1998-1999 të zhvilluar të në Kosovë, forcat serbe kanë vrarë 13.535 persona, përfshirë 1.688 fëmijë. Janë zhdukur 1.640 banorë, ndërsa 20.499 gra e vajza shqiptare janë dhunuar dhe rreth një milion shqiptarë janë dëbuar me dhunë nga trojet e tyre. Po ashtu, janë shkatërruar ose dëmtuar 100.589 shtëpi të popullsisë shqiptare, 358 shkolla, 30 shtëpi kulture, 93 biblioteka publike, si dhe 123 objekte shëndetësore, fetare dhe pasuri kulturore, ndër të tjera. Pikërisht, nisur nga ky bilanc tragjik i genocidit serb në Kosovë, kjo vepër është një thirrje për reflektim për drejtësi, duke nxjerr në pah pasojat tragjike të historisë dhe nevojën për t’i parandaluar ato që të mos përsëriten kurrë. Në fakt në libër, nëpërmjet analizës së dokumentuar të fakteve historike, pasqyrohen ndryshimet historike përgjatë periudhave të ndryshme të zhvillimeve politike e shoqërore, që kanë shënuar marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Kësisoj, “Dekodimi i krimeve” është një përmbledhje e detajuar shkencore dhe morale që analizon marrëdhëniet shqiptaro-serbe, në dritën e së vërtetës historike, duke hedhur dritë mbi krimet e kryera ndaj popullsisë shqiptare në Kosovë. Objektivi i saj është të kontribuojë në ndërtimin e një narrative, që ofron referencë të saktë, të besueshme dhe i reziston manipulimeve, mohimeve dhe keqinterpretimeve, që ende janë të pranishme në diskursin politik e akademik serb. Kësisoj marrëdhëniet shqiptaro-serbe përbënë një ndër kapitujt më komplekse dhe më të tensionuara të histories së Ballkanit. Ato janë karakterizuar historikisht nga konflikte të thella politike, etnike dhe territoriale, të cilat kanë lënë pasoja të mëdha në zhvillimin e dy popujve (shqiptarëve dhe serbëve). Këto tensione u thelluan ndjeshëm, veçmas gjatë luftës së fundit në Kosovë.

STRUKTURA E LIBRIT DHE PAK NGA CV E AUTORIT
Vepra studimore-shkencore me 348 faqe “Dekodimii krimeve” është kompozuar në pesë kapituj: Konteksti historik i marrëdhënieve shqiptaro-serbe; Udhët e vështira dhe të dhimbshme pas Luftës së Dytë Botërore; Ngjarjet që paraprinë intervenimin e NATO-s; Lufta e Kosovës-nga masakrat te aktet e gjenocidit serb kundër civilëve shqiptarë dhe Kosova në fokusin e politikës ndërkombëtare pas intervenimit të NATO-s. Në këtë vepër komplekse shumëpërmasore argumentohen shkencërisht marrëdhëniet shqiptaro-serbe të karakterizuar historikisht nga konflikte të thella politike, etnike dhe territoriale, të cilat kanë lënë pasoja të mëdha në zhvillimin e dy popujve (shqiptarëve dhe serbëve). Këto tensione, – shkruan autori Hisari, u thelluan ndjeshëm, veçmas gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Bashkim Hisari ka një karrierë të gjatë dhe të shumanshme në fushën e gazetarisë, diplomacisë dhe të drejtave të njeriut. Nga viti 1998 është angazhuar në hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të luftës në Kosovë, në kuadër të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.
Më parë ai ka shkruar dhe botuar librin “HISTORI TRAGJIKE NGA LUFTA SHQIPTARO-SERBE “ si dhe shumë studime dhe shkrime publicistike, të botuara në gjuhën shqipe dhe në gjuhë të huaja.
Ka qenë pjesë e Shërbimit Diplomatik të ish-Jugosllavisë, në detyra Konsull në Konsullatën e Përgjithshme në Hamburg dhe Shtutgart-RF e Gjermanisë dhe Sekretar i Parë i Ambasadës në Bern-Zvicër.
Është anëtar i Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve (IFJ), ndërkohë ka qenë shef i Zyrës së Këshillit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Prishtinë…