Në mëyrë solemne në Gjakovë, u shënua Dita e Çlirimit nga okupatori nazi-fashist dhe dita e formimit të Brigadës së Shtatë Sulmuese.

Me këtë rast u mbajt mbledhja e zgjeruar e Kryesisë së Degës së Organizatës së Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare (OVLANÇ), ku morën pjesë pasardhësit e veteranëve të LANÇ, anëtarë të Kryesisë së Veteranëve të LANÇ-it të Kosovës, përfaqësues të veteranëve nga Malësia e Gjakovës, si dhe përfaqësues të Federatës Shqiptare të Luftërave për Liri dhe Pavarësi.
Në shenjë nderimi, pjesëmarrësit vendosën lule dhe kurora në varrin e Heroit të Popullit Fadil Hoxha, në varrin e ish-kryetares së OVLANÇ-it të Kosovës, Vahide Hoxha, si dhe në varrezat e dëshmorëve të UÇK-së.
Duke folur për rëndësinë e këtyre datave historike, kryetari i veteranëve të LANÇ të Gjakovës, Gazmend Hoxha, ndër të tjera tha:
“Përkujtimi i ngjarjeve të rëndësishme si kjo e sotmja, nuk është vetëm një rikthim në të kaluarën tonë historike, por para së gjithash, është një moment reflektimi dhe shprehje e respektit e mirënjohjes për përpjekjet dhe sakrificat e mëdha të popullit tonë. Populli ynë, me luftën e tij çlirimtare, u rreshtua në anën e Koalicionit Antifashist dhe bëri zgjedhjen e duhur – u bë pjesë e fitimtarëve të Luftës së Dytë Botërore.”
Ai theksoi se Dita e Çlirimit të Gjakovës dhe rrethinës nga okupatori nazi-fashist është një datë e veçantë historike, që nuk mund të harrohet:
“Çlirimi i Gjakovës na kujton luftën heroike të popullit shqiptar të kësaj ane dhe të Kosovës në përgjithësi. Ishte një luftë e drejtë për çlirim kombëtar e shoqëror, për të jetuar në një shtet të lirë shqiptar — një ëndërr e kahmotshme e patriotëve tanë. Edhe pse sot Kosova është shtet i pavarur dhe demokratik, aspirata për bashkim shpirtëror e kombëtar mbetet një ideal i gjallë.”
Në vazhdim të fjalës së tij, Hoxha shtoi se kombi shqiptar ka mbijetuar ndër shekuj duke ruajtur vlerat, kulturën dhe virtytet e veta, dhe se “kurdoherë që e ka kërkuar koha, ka derdhur gjak për lirinë dhe tokën amtare.