• Në luftën për çlirimin e Junikut të Gjakovës të Kosovës, në luftën kundër gjermanëve e tradhëtarëve të vendit, ra heroikisht më 23 tetor 1944, në moshën njëzet e katër vjeçare edhe Arif Abedin Markja…

Nga Skënder MURRJA*

Në fundin e shekullit të XVII-të, në fshatin Zogje, të Njësisë Administrative Shupenzë, Bashkia Bulqizë, jetonte edhe fisi ‘’Markja”.
Si shumë fise të tjera të këtij fshati malor, për arsye veçanërisht ekonomike, edhe familje të fisit “Markja” u shpërngulën drejt fshatit Gjoricë, Bashkia Bulqizë dhe fshatrave Reshan, Bohmovë e Ballancë, Komuna Dibër e Madhe.
Halla Rufie, motra e babait, u martua me Abedin Marken nga Ballanca. Nga kjo martesë lindën tre fëmijë Selimi, Nazja e Arifi.
Arifi lindi më 3 maj 1920 në një familje me gjendje të mirë ekonomike. Gjyshi i tij, Ali Markja, ishte burrë i njohur dhe lëvizte në Shehër të Dibrës e kudo me kalë me shalë.
Rreth vitit 1921, kur Arifi ishte një vjeç, familja e tij lëvizi nga Ballanca për në Gjoricë. Në atë kohë forcat serbe ushtruan dhunë mbi popullsinë vendase duke vrarë civilë të pafajshëm dhe dogjën shumë shtëpi e stalla bagëtish në Shehër të Dibrës e më gjerë. U dogj dhe shtëpia e Arifit. pjesëtarët e familjes ikën vetëm me rrobat e trupit duke lënë gjithçka në tmerrin e flakëve. Arifi shkollën fillore e kreu në Gjoricë.
Rreth vitit 1932, familja e Arifit lëviz për në Tiranë dhe vendoset në “Rrugën e Dibrës”. Aty ku banonte, Arifi punoi si çirak në një dyqan biçikletash dhe bleu një aparat fotografik për të fotografuar. Kështu në moshë fare të re filloi punën. Ishte i shkathët dhe kishte shumë shokë.
Më 1942 organizohet në grupet e rinisë komuniste dhe lidhet me lëvizjen Nacionalçlirimtare. Shtëpia e tij u bë bazë e rëndësishme mbledh-jesh, grumbullimi materialesh propogantistike dhe luftarake. Me mbështetjen e vëllait, Selimit, ai ndihmoi ilegalët për dalje nga qyteti i Tiranës.
Ishte aktiv në demostrata, në shpërndarje komunikatash, në transportim të materialeve propagandistike nga një bazë në tjetrën.
Në verën e vitit 1943 inkuadrohet partizan në grupin e Pezës, më pas vullnetarisht në Batalionin e III-të të Brigadës së III-të Sulmuese, ku merr pjesë në të gjitha luftimet që bëhen në këtë periudhë.
Në fillim të tetorit 1944 Brigada e III-të Sulmuese marshoi në intenerarin Guri i Bardhë – Klos – Bulqizë – Zerqan – Peshkopi – Lumë, me synimin çlirimin e Tropojës dhe Junikun e Kosovës . Një pjesë e intenerarit të marshimit, për arsye sigurie, ishte rruga Zerqan – Boçevë – Kovashicë – Stushaj – Mazhicë – Hotesh–Vau i Drinit të Zi -Peshkopi. Autokolona duke marshuar nëpër Hotesh, kalon nëpër oborrin e shtëpisë së prindërve. Vëllezërit, Selim e Arif Markja, partizan të kësaj Brigade, siç kanë treguar prindërit, ishin shkëputur nga autokolona dhe në mënyrë të beftë futen në shtëpinë e dajave, në katin e dytë, në dhomën e ndenjes. Përqafohen dhe bisedojnë përzemërsisht me të gjithë pjesëtarët e familjes. Prindërit ju ofruan që të hanë mëngjes, por ata nuk pranuan pasi nuk kishin kohë. Konsumuan diçka shpejt e shpejt dhe u ngritën për t’u larguar. Në këtë çast, dajat Ramizi e Dalipi, i kërkojnë Selimit që të mos e marrë Arifin me vete se është i vogël. Por, Arifi ndërhyn duke thënë se unë do të shkoj se kam detyrime si partizan dhe se nuk mund ta lë vëllain vetëm. Pas kësaj, u përshëndetën përzemërsisht dhe u ndanë. Ky qe takimi i fundit i Arifit me dajat.
Në mbrëmjen e 22 tetorit 1944 Shtabi i Brigadës së III-të Sulmuese filloi manovrimin e forcave partizane me qëllim shpartallimin e armikut në sektorin qëndror, Junik të Gjakovës. Për arritjen e pozicioneve të sipërme, lëvizja e batalioneve u krye gjatë natës. Në mëngjesin e datës njëzetetre tetor, kur sapo kishte aguar, në pyllin mbi kodrat e Batushit, ku marshonte batalioni i III-të dhe i IV-t, buçiste zjarri i pushkëve e mitralozave. Armiku ishte i vendosur në pozicionin kodrinor mbi Batush, për të ndërprerë rrugën për në Junik. Batalionet manovrojnë me shpejtësi, vendosen në vijën frontale dhe fillojnë sulmin mbi pozicionet e armikut.Pas katër orë luftimesh të përgjakshme, batalioni i III-të dhe i IV-t e spastruan rrugën për Junik dhe u vendosën mbi kodrat sipër tij. Në ora 17:30, forcat e Brigadës së III-të Sulmuese hyjnë në Junik, armiku u detyrua të tërhiqej me shumë humbje në njerëz e mjete . Në luftën për çlirimin e Junikut të Gjakovës të Kosovës, në tokën e ish Jugosllavisë, në luftën kundër gjermanëve e tradhëtarëve të vendit, ra heroikisht më 23 tetor 1944, në moshën njëzet e katër vjeçare edhe Arif Markja.
Varri i tij ndodhet në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, në Tiranë.
(Marrë nga libri
“Po kthehem në Hotesh”)