Rreth librit “Shpifjet e Kadaresë nuk e ndryshojnë të vërtetën”

SHPENDI TOPOLLAJ

Kur u njoha me librin e Kapllan Resulit, (Buroviç, dhe që së fundi, duke iu referuar origjinës së tij, kishte zgjedhur të quhej Resulbegoviç), me titullin “Fytyra e vërtetë e Kadaresë”, dhe pashë se veç mllefeve, aty nuk kishte asgjë të vërtetë, më lindi ideja të shkruaja diçka rreth tij, gjithmonë si një polemikë korrekte. Por duke menduar se Ismaili nuk kishte fare nevojë për apologjinë time, pasi edhe masa e madhe e dinte kush qe, dhe nga ana tjetër, ajo mund të tingëllonte disi si tundje e puplave të freskut, por edhe se dikush që e njihte më tha se autori i atij libri, edhe pse nuk të ka parë ndonjëherë, do të të qepet me bukë në trastë, vendosa të shoh punën time. Nuk vonoi dhe me një inat të pashuar, Resulbegoviçi, shkroi dhe botoi librin tjetër “Shpifjet e Kadaresë nuk e ndryshojnë të vërtetën”, ku inati kishte kaluar në shfrimin e një urrejtjeje të pafre ndaj atij shkrimtari gjenial, me të cilin krenohet e gjithë Shqipëria. Tani që ai nuk është më mes nesh, mendova se është detyrë e kujtdo, të mbrojë nderin e kolosit që me veprën e tij të pavdekshme, u bë përfaqësuesi më dinjitoz i vlerave të popullit tonë, për të mos thënë, etaloni i konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve. Pastaj, edhe i ndjeri Kapllan kishte ndërruar jetë, dhe nuk druhesha se nuk do të më ndahej me atë trastën e tij. E dija se Kapllani ishte një emër i njohur qysh kur doli romani i tij “Tradhtia” në vitin 1962. Por, si shumë të tjerëve, nuk i qe ndarë dhe atij fati i keq, pasi veç burgut në Idrizovë gjatë regjimit të Titos, krejt padrejtësisht qe dënuar edhe te ne, ku kishte ardhur, me nja njëzet vjet. Aso kohe, arsyeja e dënimit nuk ishte shumë e qartë, por fakti është se ishte një i burgosur politik dhe si u mësua më vonë, atje ku e kishin mbyllur në hekura, kishte mbajtur qëndrim burrëror. Si kreu dënimin, dhe pa se këtu ishte fashitur vëmendja dhe nderimi për të, iku dhe u vendos në Zvicër, ku asnjëherë nuk e humbi interesin për Shqipërinë dhe shqiptarët. Me një gjendje të trazuar psikologjike, shpesh manifestonte edhe mllefe ndaj nesh, duke na akuzuar kryesisht si popull mosmirënjohës. Veç më dukej se harronte që fajin për ato vuajtje që hoqi, nuk ja kishin njerëzit e thjeshtë, por Enver Hoxha me sistemin gjakatar që ndërtoi. Kuptohet që e kishte të qartë se komunizmi shqiptar, ashtu si ai jugosllav, kishte devijuar deri atje, sa, sikurse shprehet, edhe vetë Marksin po të vinte këtu, do ta burgoste. Ai e quante veten internacionalist, që e thënë shqip, donte të thosh, komunist i vërtetë. Dhe ky “komunist i vërtetë” kishte zbuluar se bashkëpunëtori më i afërt i Enverit, ishte Ismail Kadareja. Dhe për të arritur në këtë përfundim, kishte mjaftuar një deklaratë e këtij të fundit, në një intervistë televizive, ku paskej thënë: “Vite më parë është botuar një libër… kundër meje.

E njihni një njeri qesharak me emrin Kapllan Resuli?

Them qesharak, sepse ky njeri, pasi harxhoi gjysmën e jetës duke u ankuar se u persekutua prej serbëve nga që është shqiptar, tani po e harxhon gjysmën që i ka mbetur, duke u ankuar për të kundërtën. Domethënë se u persekutua prej shqiptarëve nga që është serb. Ajo që të habit në fatin e këtij shkrimtari është fakti se pas daljes nga burgu i gjatë, nuk pati dëshirë të dëshmojë as për torturat, xhelatët, diktaturën komuniste, në thonjtë e së cilës vuajti kaq kohë, por u ul të shkruajë libër kundër kolegut të tij I. Kadare. Thuajse e keqja e Shqipërisë, paskësh qenë ky shkrimtar. Thuajse kësaj Shqipërie kaq të përsosur, shkrimtari I.K. ia prishte shkëlqimin. Me këtë tregoi se ky I.K. paskish qenë tortura e tij, ferri dhe tirani që e shtypte. Por historia nuk mbaron me kaq. Pasi e pa se nuk e përmbysi dot “diktatorin”, domethënë nuk e nxorri dot nga letërsia shqipe, bëri gjestin e fundit të dëshpëruar: doli vetë nga kjo letërsi, madje doli nga gjuha shqipe, madje edhe më keq, doli edhe nga kombi shqiptar, u vetëshpall serb e nisi të shkruajë serbisht”. Në vazhdim, të gjithë këtë, Kadareja e quan smirë të lemerishme të shkrimtarëve të vegjël në Ballkan. Këtu mund të ketë ndonjë teprim a pasaktësi, revoltë ndaj akuzave të padrejta që Kapllani ka bërë ndaj Kadaresë, por kaq është dashur që hercegnovasi, të shkruajë librin në fjalë. Afërmendësh që në deklaratën e Kadares ndihej një farë pasioni, jo vetëm se ai ishte prekur nga tërbimi i Kapllanit me të, por edhe e pakët ishte shkalla e njohjes që ai kishte. Ai kishte dekada që thuajse ishte harruar; pastaj edhe vetë nuk kishte arritur të sqaronte përkatësinë e tij. Edhe kur ishte i lirë, Kadareja nuk kishte pasur as ndonjë miqësi e as ndonjë njohje me të. Pastaj, çfarë kishte në dorë Kadareja, kur e nuhaste qartazi se edhe vetë ishte i survejuar nga të katër anët, gjë e vërtetuar me dokumente të shumta në dy volume, nga i mirënjohuri gazetar Dashnor Kaloçi (“Denoncimi i Kadaresë” dhe “101 dokumente të sigurimit kundër Kadaresë”). I qenë turrur për romanin “Dimri i Madh”, e më tej, çfarë nuk i punuan, si për “Pashallarët e Kuq”, ashtu dhe në atë Plenumin e famshëm të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve për “Pallatin e Ëndrrave”, ku aludimet i kuptonte edhe një gjimnazist i zakonshëm. Por, le të kthehemi te libri. Shihni se çfarë thotë Kapllan Resulbegoviçi për Kadarenë: “Askush nuk i indokrinoi shqiptarët me enverizëm si dhe sa ai, mbrenda dhe jashta kufijve të Shqipnisë, në vrri e malsi, dijasporë e kudo”. “…bashkëpunoi dhe me Sigurimin… tua provokue njerzit anë e mbanë Shqipnisë dhe jashta kufijve, tue i dërgue Sigurimit raporte me të dhana të vërteta dhe shpifje e intriga ma monstruoze herë kundra këtij e herë kundra atij, të cilat i firmoste me pseudonimin GJENERALI”. “Ismail Kadareja ulurinte në surdinë me E. Hoxhën: Të burgosurit e Burrelit duhen tredhur!”. “…prej Parisit na u mburr se na paska qenë disident dhe kundërshtari Nr.1 i E. Hoxhës”. “…banda e Kadaresë ose i ka detyrue me mi mbyllë dyert e botimit, ose, në qoftë se nuk u janë bindë, i kanë mbyllë e ma nuk dalin ato organe”. “Nuk ka asnji dyshim se në këtë veprimtari kundra meje ka marrë pjesë edhe Kadareja… edhe tashti, mbasi dola pej burgut. Jo vetëm pse nuk don afirmimin tim në botë, por edhe pse e din se me këtë afirmim njikohësisht bahet edhe demaskimi i Enver Hoxhës…”. “Kadareja më ka akuzue dhe vazhdon me më akuzue edhe se gjoja dola nga kombi shqiptar. Ai për këtë gja edhe më ka arrestue. Më ka dënue për agjitacion e propagandë me dhetë vite burg ma monstruoz (mbi ato 30 e kusur që kisha!)”. “…vetë shqiptarët që i kundërvihen, i quen PROSTITUTË INTELEKTUALE”. “Kosovari Nazmi Berisha e ka pranue botnisht, përmes shtypit, se i kam shpëtue jetën nën thundrën e Kadaresë”. “Përmes klarkëve apo dollarëve të trafikantëve shqiptarë të drogës dhe piramidave mashtruese u batë edhe akademik i Akademisë Franceze të Shkencave Amorale dhe Gënjeshtrave Politike!”. “Keni ba dhe po bani përpjekje që as ndërmarrjet botuese (bile as shtypshkronjat që i pagoj unë!), jashta kufijve të Shqipnisë të mos më botojnë gja”. “Deri më sot ju Kadare nuk keni shkrue as nji të qindën e asaj që kam shkrue unë kundër enverizmit, që të mos them se nuk keni shkrue asgja: edhe në qoftë se aty - këtu keni shprehë me aluzione, edhe mbas “arratisjes” në Francë(!), ndonji fjalë, çdo gja e keni ba në bazë të instrukcioneve që keni marrë e merrni nga shtabi enverist, me qëllim që ti paraqiteni botës si antienverist, se mos ua jep Çmimin Nobel”. “Kur shqiptarët e sfilitun nga terrori juej… sulmuan ambasadat e huaja për me gjetë shpëtim atje, ju i quejtët ESKREMENT I KOMBIT”. “…ikët nga populli i revoltuem me terrorin tuej, me krimet e maskarallëqet tueja që nuk kanë të përshkruem. Ikët që të mos ju shklyente”. “Ju Kadare jeni ai që më keni përjashtue nga Lidhja e Shkrimtarëve të Shqipnisë…”. “… po e them se jeni përpjekë me ma pushue edhe gruen nga puna në arsimin sviceran… bile me më përjashtue edhe mue nga Zvicra!”. “E kahmotshme dhe ma e thellë asht urrejtja e Kadaresë kundra kosovarve”. “Më keni rjepë për së gjalli, o bandit, që shtiresh për shkrimtar e akademik!”. “…jeni egoist, meskin, kontravers, i pabesë etj. se qëndrimi juej asht nën nivelin e moralit qytetar, se jeni qesharak dhe patologjik…”. “Po ju Kadare kurrë nuk keni qenë dhe as që keni me qenë njeri. Keni qenë dhe keni mbetë PËRBINDËSH. Ndaj edhe ju kanë urrye dhe ju urrejnë edhe kolegët tuej, populli juej”. “…në qoftë se edhe vetë Kadareja, direkt apo indirekt, nuk asht në lidhje ma të ngushtë me këto piramida mashtruese, plaçkitëse, banditeske?!”. Pra, Kadareja paskej qenë i lidhur edhe me Suden. “Kush u dha rushvet francezëve që ta shpallnin Kadarenë akademik?”. “(I.K.) barabai me ma precedan jo vetëm në historinë e popullit shqiptar, por edhe të njerëzimit”.

E morët vesh o njerëz, se deri ku arrin marria

E morët vesh o njerëz, se deri ku arrin marria: ai burrë që e ka nderuar dhe bërë krenar popullin tonë, ai shkrimtar gjenial që është kandiduar për çmimin Nobel, aq herë sa nuk mbahen mend, ai shqiptari i madh që e kanë nderuar e dekoruar Presidentët e vendeve që i kanë dhënë aq shumë historisë dhe kulturës botërore, ai njeri që do ti përkulemi në jetë të jetëve me veneracion, qenka turpi i njerëzimit. Kushdo që njihet me këto cilësime të këtij autori të pazakontë, pasi vë buzën në gaz, nuk ka sesi të mos i lindë pyetja: Po përse i turret me këtë egërsi Kapllan Resuli, ky lunatik (lat. lunaticus), Kadaresë, përse lëshon gjithë këtë vrer ndaj tij, përse kërkon tek e fundit ta denigrojë atë në sytë e opinionit të gjerë? Dhe po duke e lexuar librin e tij ose më drejtë, paskvilin e tij, del vetiu edhe përgjigja: nuk kemi të bëjmë me një njeri që çrregullimet mendore ia kushtëzon hëna me fazat e saj, por një megaloman, me dëshirë për të zenë vend nderi në letërsi jo natyrshëm, por me imponim. Dhe nuk ka gjetje më interesante dhe të rafinuar, se sa të dalësh mbi ujë, duke “mbytur” tjetrin, e ca më shumë, kur ky tjetri është i madhi Ismail Kadare. Virgjili diku ka thënë (më duket tek “Eneida”): “Furor arma ministrat” që do të thotë se zemërimi ose tërbimi zgjedh armët. Ai e ka fjalën për atë që në dëshpërim e sipër, përdor çfarëdo lloj arme për mbrojtje. Por Kapllan Resuli, nuk ka zgjedhur armën e ndershme për tu mbrojtur. Madje, ai as ka zgjedhur njeriun e duhur, e ca më shumë se ky njeri nuk i detyrohet për asgjë atij dhe nuk ka përse të mbrohet prej tij. Në historinë e letërsisë nuk kanë munguar kurrë polemikat, madje edhe akuzat keqdashëse mes shkrimtarëve. Por ato kanë qenë brenda arsyes dhe edukatës, të cilën Sokrati e quante një zjarr shëndritës. Kapllan Resuli pretendon se është luftuar ngaqë i ka zënë rrugën dhe vazhdon tia zerë, Ismail Kadaresë. Ma do mendja se edhe vetë ai nuk e beson këtë. Dhe për ta bërë bindëse këtë pretendim, nuk vlejnë as broçkullat që thotë për të: “Përse ky frikacak e sahanlëpirës i të gjithve që kanë ardhë në pushtet në Shqipni, ky bandit e kriminel nga më të poshtrit, që i këndon hosana E. Hoxhës dhe qenit të tij, ankohet se qenkam unë (e jo ai), që nuk e demaskon E. Hoxhën e bandën e tij?! Aq shumë i hiqka shpirti këtij hipokriti për demaskimin e asaj bande?! Po ai penën në dorë e ka. Pse nuk e ban vetë atë gja?! A nuk kemi të bajmë me nji maskara që në maskarallëkun e tij nuk din të ndalet?!” Mirëpo, Kapllani me sofizmat e tij, dashje pa dashje kundërshton edhe veten, kur pikërisht prej këtij “maskarai” e “hipokriti” kërkon: “…Kadareja iku nga sytë kambët, iku siç ikin minjtë nga gjemija që mbytet. E la popullin vetëm në momentin ma kritik, kur duhej të sulmonte kështjellën e diktaturës, kur duhej me u kacafytë me sambistat e terrorit…”. Njerëz! Këtu mbajeni të qeshurën; e përfytyroni Ismail Kadarenë duke u kacafytur me sambistat e terrorit? Ai kishte shkruar për marrje kështjellash, por askush nuk priste që edhe vetë Kadareja, i brishtë siç qe, të mund tu qepej mureve të tyre e të ngjitej mbi bedena, për të ngulur flamurin e demokracisë. E çuditshme është se pasi e quan në faqen 50, Kadarenë “bizantin keni qenë dhe keni mbetë! Enver Hoxha asht i pari dhe ju, Kadare, zeni vendin e dytë, menjiherë mbas tij…”, Kapllan Resuli na rrëfen përpjekjet që paska bërë për tu afruar me të. Për rrjedhojë, i bije që gjersa i shtrin dorën bizantinit Nr. 2, pa tjetër që do të synonte edhe pajtimin me bizantinin Nr. 1, pra me vetë Enverin. Ja si shkruan ai: “Sikur ju Kadare… të mos më kishit provokue me nji duzinë shpifjesh e intrigash ma të ndyta përmes shtypit, unë kurrë nuk do ta kisha shkrue atë libër (e ka fjalën për “Fytyra e vërtetë e Kadaresë”, shën. im), ashtu siç nuk do ta kisha shkrue as këtë. Përkundrazi, ju e dini shumë mire se, sapo dola prej burgut, ju shtriva dorën e “pajtimit”, se tue e dijtë që jeni agjent i Sigurimit dhe personalisht i Ramiz Alisë me Nexhmije Hoxhën, mendova me ju inkuadrue në frontin kundra enverizmit”. Por Ismaili nuk paska pranuar. Pra, më thoni tani, si kuptohet e gjithë kjo, veçse si hakmarrje primitive ndaj Kadaresë, por sikurse del në libër, edhe si dredhi për të zënë një vend akoma më nderuar në hierarkinë e letrave shqipe. Kapllani e shpreh hapur këtë: “Asht nji fakt i pamohueshëm se shkrimtarët shqiptarë sot e kësaj dite as nuk e kanë shkrue dhe as që janë të aftë me e shkrue nji roman si TRADHTIJA. Do të duhen dekada (që të mos them shekuj), që ata të arijnë atë zhvillim ideo - shoqnor dhe ta paraqesin realitetin e Shqipnisë në atë mynyrë siç e paraqita unë në romanin tim realitetin e Jugosllavisë”. Me sa duket, ky autor, i larguar nga Shqipëria, nuk e ka idenë se çështë shkruar nga dhjetra autorë për çka hoqën hetuesirave, burgjeve e internimeve, nuk e di se librat e tyre për demaskimin e krimeve të komunizmit, janë të denja për të fituar çdo çmim prestigjioz ndërkombëtar, por nuk është njohur as me librat e botuara nga vetë Kadareja rreth këtyre temave, sikurse mohon pa të drejtë, gjithë çka bërë Kadareja për çështjen e Kosovës dhe të drejtave të popullit kosovar. Vetë ai e ka akuzuar në librin e tij Ismailin si nacionalist, gjë që bije ndesh me akuzën se ai ka qenë kundra kosovarëve, që i paska urryer ata dhe ka kurdisur së bashku me serbët, pogrome ndaj tyre (fq.46). Kjo, mendoj se është e turpshme, sikur ta thonë edhe qarqet më të egra shoveniste serbe. Kapllani pohon se Kadareja e ka quajtur martir të dy burgjeve, atij në Jugosllavi dhe atij të tmerrshmit, në Shqipëri, dhe ky cilësim është plotësisht i merituar për të. Asnjëherë nuk ia ka mohuar as talentin dhe as kontributin e tij letrar. Askush nuk e qorton atë për romanin që i dha emër “Tradhtia”, poemën “Bojana”, tregimin “PLEH” apo sonetin “Do të vij”. Madje do të shtoja se është e padrejtë që në enciklopeditë tona, nuk ka një zë për Kapllan Resulin. Por për këtë, fajin nuk e ka Kadareja i cili kurrë nuk ka bërë pjesë në komisionet për përpilimin e Enciklopedisë tonë. Prandaj duket krejt absurde kur lexon në libër se Kapllani, nuk ngurron tu drejtohet shqiptarëve për Ismail Kadarenë, instruktorit dhe AGENS SPIRITUS: “vazhdoni me e çmue, me e dashtë, nderue e me e ndihmue Kadarenë (dhe shton, shën. im), kurse për mue rezervoni nënvleftësimin dhe injorimin, rezervoni urrejtjen tuej dhe luftën ma të egër dhe ma pa princip, se jam antienverist dhe, me origjinë, jam nga Hercegovina e Boka, pinjoll i të famshmit kont Jozo Buroviq”. Por, edhe kjo bije në kundërshtim me çfarë ka deklaruar në faqen 49, ku shkruan: “Vetë populli shqiptar më quejti hero e Mandela i Shqipnis”. Më tej Kapllani, tregohet dinak dhe duke dashur të intimidojë shqiptarët, si trima e të guximshëm, bën thirrje që t`ia çjerrin maskën “kriminelit” Kadare, pasi ai po i merr nëpër këmbë dinjitetitn, paçka se ai është “Nderi i Kombit” tonë. Kështu që nuk na mbetet tjetër, veçse të themi se asnjë shpifje apo akuzë keqdashëse, nuk mund ta përlyejë figurën e pastër prej atdhetari të shquar të gjeniut Ismail Kadare. Dhe kushdo që kërkon të baltosë me të pavërteta atë, duhet të kujtojë fjalët e arta të Charles Colton – it se “Shpifja dëmton më shumë atë që shpif, se atë ndaj të cilit shpifet”.