Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje

• Ngjarja e 2 gushtit 2025 në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë

Kryesia e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ të popullit shqiptar dhe pasardhësve (OBVLP) dënon ashpër thirrjet e egra antishqiptare që u hodhën në Kumanovë, gjatë ndjeshjes së Basketbollit ndërmjet RMV-së dhe Rumanisë më 2 gusht 2025.
Ajo vlerëson reagimin e shtetit shqiptar nëpërmjet kryetres së Kuvendit Elisa Spiropali, sipas së cilës: Ngjarja e 2 gushtit 2025 në Kumanovë, ku një ndeshje basketbolli u njollos nga thirrje ekstremisht fyese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, është e papranueshme dhe një kujtesë se rruga drejt një shoqërie të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të respektit të ndërsjellë kërkon angazhim të pandërprerë”.
Kryesia e OBVLP i bashkohet këtij reagimi për faktin se “Gjuha e urrejtjes që nxit dhunën, konfliktin etnik dhe racizmin, nuk ka vend në asnjë hapësirë publike, e aq më pak në sport, që në thelb të tij mbart frymën e bashkimit, të bashkëpunimit, të lojës së ndershme dhe të respektit ndaj tjetrit”.
Po ashtu Kryesia e OBVLP vlerëson reagimin e institucioneve të RMV, duke kërkuar njëkohësisht reagim edhe më fortë publik të zyrtarëve më të lartë të vendit mik.
Bashkëjetesa ndëretnike në Maqedoninë e Veriut është një vlerë e përbashkët në rrugën europiane, që duhet ruajtur dhe kultivuar me përgjegjësi nga të gjithë faktorët në rajon, përmes veprimit, qëndrimeve dhe shembullit.
Sjellja korrekte në fusha, në tribuna dhe në institucione flet shumë për vizionin tonë për të ardhmen.
Shqipëria dhe shqiptarët mbeten të palëkundur në promovimin e një bashkëjetese model dhe larg ndasive të dala mode e boje.

NGJARJA….
Sipas mediave shqiptare në RMV, të cilat cila kanë publikuar pamjet, në thirrjet e tifozëve dëgjohet të thuhet: “Le ta kuptojnë shqiptarët e mallkuar, emri maqedonas nuk do të zhduket, Maqedoni e pastër, e pastër, e pastër”.
Koret vazhduan pavarësisht pranisë në sallë të kryeministrit Hristijan Mickoski, kryetarit të Kumanovës Maksim Dimitrievski, ministrit të punëve të jashtme Panço Toshkovski, zëvendëskryeministrit Ivan Stoilkoviç dhe zyrtarëve të tjerë të lartë shtetërorë.
Ky nuk ishte momenti i vetëm provokues gjatë ndeshjes.
Përgjatë zhvillimit të saj, u dëgjuan edhe thirrje të tjera skandaloze dhe nxitëse të urrejtjes etnike, si parulla famëkeqe “Shqiptari i mirë është shqiptari i vdekur”, si dhe “Dhoma të gazit për shqiptarët”, që përkujtojnë retorikën më të errët të historisë evropiane.
Pas përfundimit të ndeshjes, nuk pati asnjë reagim zyrtar, distancim publik apo kërkim falje nga organizatorët apo përfaqësuesit institucionalë për incidentin.
Ndaj këtyre thirrjeve, ka reaguar ashpër Zëvendëskryeministri i parë i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti.
“Dënoj ashpër thirrjet raciste dhe anti-shqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes së basketbollit. Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë”, shkroi Mexhiti në reagimin e tij publik.
Ai shtoi se këto veprime përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës dhe barazisë që, sipas tij, e bëjnë Maqedoninë e Veriut një shtet unik.
Edhe zëvendëskryeministri Arben Fetai, ka reaguar ashpër pas episodeve të ksenofobisë dhe gjuhës së urrejtjes drejtuar shqiptarëve gjatë ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës në Basketboll 2027, e zhvilluar mbrëmjen e djeshme ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetet sociale, Fetai e cilësoi këtë sjellje si një “tradhti të turpshme ndaj vlerave të respektit dhe fair play-it që sporti duhet të përfaqësojë”.
“Ksenofobia dhe gjuha e urrejtjes, pavarësisht se nga cila palë vjen, nuk kanë vend në stadiumet tona, në shoqërinë tonë, as në të ardhmen tonë të përbashkët”, tha ai.
Fetai u bëri thirrje tifozëve, autoriteteve sportive dhe institucioneve përgjegjëse që të marrin masa të vendosura për të ndalur këtë fenomen të rrezikshëm, duke theksuar se heshtja ose mosveprimi vetëm sa e thellojnë urrejtjen.
“Si shtet, ne duhet të promovojmë gjithëpërfshirjen dhe respektin në të gjitha aspektet e jetës, përfshirë sportin. Le të punojmë së bashku për të ndërtuar një Maqedoni të Veriut ku përçarja nuk është opsion dhe ku diversiteti është forca jonë, ndërsa uniteti krenaria jonë”, përfundoi ai.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka shprehur indinjatën dhe revoltën më të thellë për ngjarjen skandaloze që ndodhi mbrëmë në Kumanovë.

Reagimi i politikanëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për skandalin në Kumanovë

Turp për sportin, goditje ndaj qytetarisë

Zëvendëskryeministri shqiptar i Maqedonisë së Veriut, Izet Mexhiti, dënoi gjuhën fyese ndaj shqiptarëve në ndeshjen e basketbollit në Kumanovë.
“Fjalët fyese dhe këngët që nxisin urrejtje, nuk kanë vend në shtetin dhe shoqërinë tonë”, tha ai duke shtuar se këto veprime përbëjnë një sulm të drejtpërdrejtë ndaj bashkëjetesës dhe barazisë në Maqedoninë e Veriut.
Kryetari i Tetovës, Bilall Kasami, po ashtu dënoi gjuhën e urrejtjes.
“Ajo që ndodhi në Kumanovë nuk është vetëm një moment turpi për sportin, por një goditje me grusht ndaj idesë më themelore të qytetarisë: që ne jemi të ndryshëm, por të barabartë. Fyerjet raciste nuk janë “shprehje spontane të pakënaqësisë”, por tërbime primitive që kërkojnë vend në një kohë që nuk u përket”, tha ai.
VMRO-DPMNE-ja i cilësoi thirrjet si të përgatitura nga struktura kriminale që duan të mbulojnë veprimtarinë e tyre me urrejtje dhe përçarje.
“Dënojmë çdo sulm nacionalist dhe gjuhë të urrejtjes, pa marrë parasysh se nga vijnë. Kjo i shkon për shtat vetëm rrymave dhe partive politike që me vite mbjellin politika të urrejtjes ndaj njëri tjetrit”, shtoi Brane Petrushevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.
Veprimet i dënoi edhe opozita.
“Më 2 gusht në Kumanovë, në një ndeshje basketbolli, në prezencë të Kryeministrit Mickovski, përfaqësues të VLEN-it, ministrit të punëve të Brendshme Toshkovski e të tjerë pushtetarë, neve, shqiptarëve na është sharë nëna, familja, origjina, fisi dhe fara në kor nga tifozë maqedonas”, tha Arben Taravari, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.
BDI kërkon dorëheqjen e dy zëvendësministrave nga radhët e VLEN.
“BDI kërkon përgjegjësi politike për skandalin në Kumanovë: Të dorëhiqen Astrit Iseni dhe Safije Sadiki Shaini. Njëkohësisht, kërkojmë që të gjithë përfaqësuesit shqiptarë në Qeveri që janë në pozita kyçe ekzekutive, të distancohen publikisht nga ky akt i papranueshëm dhe ta ngrenë këtë çështje në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë”.

PËRGATITI FAQEN: KIMETE RAMA