Familja e Dëshmorit Shefki Miftar Muço është model për shoqërinë sepse na mëson si të jetojmë me nder, si të duam atdheun më shumë se veten

• Dëshmori Shefki Muço la studimet ushtarake për artileri në Itali dhe u kthye në Atdhe për të sakrifikuar jetën për një kauzë të madhe, për lirinë e popullit të vet, për tokën, për identitetin dhe për të ardhmen e brezave…

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj
Mjeshtër i Madh

Familja e Dëshmorit të Atdheut Shefki Miftar Muço në Trebinjë të Pogradecit është simbol i qëndresës, sakrificës dhe atdhedashurisë së pastër. Në këtë vend ku është bërë luftë për liri, pavarësi dhe drejtësi, kjo familje dëshmori ka qenë mbështetja morale e fshatit, sepse përmes dhimbjes së tyre, ruan kujtesën e gjallë të bijve që dhanë jetën për një të ardhme më të mirë.
Dëshmori Shefki Muço la studimet ushtarake për artileri në Itali dhe u kthye në Atdhe për sakrifikuar jetën për një kauzë të madhe, për lirinë e popullit të vet, për tokën, për identitetin dhe për të ardhmen e brezave.
Kjo Familje Dëshmori e mban me krenari këtë emër, por edhe me dhimbje të përjetshme. Vazhduesi i saj është Metjan Muço, një djalë i ri dhe energjik, me kulturë dhe vizion të qartë për kohën. Ai thekson se Familja Muço ka humbur një anëtar të familjes, një zemër, një prind, një vëlla, një bir që nuk do të kthehet më. Megjithatë, kjo familje ka qëndruar stoike, me kokën lart, sepse e di mirë se rënia dëshmor është një çmim për një të mirë të madhe.
Kjo Familje Dëshmori është model për shoqërinë sepse na mëso si të jetojmë me nder, si të duam atdheun më shumë se veten dhe si të sakrifikojmë për të drejtën. Kjo familje dëshmori nuk kërkon mëshirë, por dinjitet. Lapidarin simbol të përkujtimit të rënies së dëshmorit, të prishur e rikonstruktoi, duke u bërë frymëzim për të rinjtë, për t’i edukuar me ndjenjën e përgjegjësisë dhe përkushtimit ndaj vendit.
Shoqëria dhe shteti kanë një detyrë të madhe morale dhe ligjore ndaj Familjeve të Dëshmorëve, për t’i nderuar, t’i mbështesi dhe t’i përfshijnë në jetën publike si shembuj të vërtetë të qytetarisë.
Kujtimi i dëshmorit jeton përmes familjes dhe nëpërmjet respektit që kjo familje tregon ndaj familjarit të vet të rënë për Atdhe. Model i kësaj Familje Dëshmori është dhe një thirrje për të mos harruar, për të qëndruar të bashkuar dhe për të ndërtuar një shoqëri që e vlerëson sakrificën dhe jeton me ndjenjën e përbashkët të përkatësisë dhe detyrimit ndaj atdheut.
Me këtë ndjenjë përgjegjësie i riu Metjan Muço me arsimi në vitet 2007-2010, Bachelor, pranë Universitetit “Medikadent”, Fakulteti “Infermieri”, dega “Infermieri e Përgjithshme”, Tiranë 2016-2019, Master Profesional, pranë Universitetit “Fan S. Noli”, Fakulteti “Infermieri e Përgjithshme” dega “Infermieristikë” Korçë, është zgjedhur në krye të Organizatës së Dëshmorëve të Njësisë Administrative Trebinjë.

Dëshmori i Atdheut Shefki Miftar Muço
Lindi në Trebinjë nga babai Myftar dhe nëna Zybe në vitin 1918. Në familjen u edukua që fëmijë, së bashku me vëllain Mehmet dhe motrën Xhemiko, u mbrujtën me dashurinë për atdheun e lirinë, me traditat e larta patriotike të krahinës së Mokrës. Në 1891 at Jovan Vako u mësonte nxënësve të Mokrës së Sipërme gjuhën shqipe me alfabetin e Sami Frashërit. Pavarësia e Shqipërisë i gjeti mokrarët me shkollën e djemtë që mësonin në gjuhën shqipe. Ishin vitet e para të shtetit shqiptar të sapokrijuar. Në familjen Muço ishte kuptuar shumë mirë, se trimëria e dituria ishin krahët e fortë të lirisë e përparimit. Prandaj shkollimi i fëmijëve ishte detyrë dhe krenari për familjen. Në rrugën e arsimimit Shefkiu tregoi që i vogël dëshirë, vullnet e shumë zgjuarsi duke mbaruar me rezultate shumë të mira shkollën fillore e atë plotore. Duke vlerësuar formimin e tij e regjistruan në kursin për oficer të ushtrisë mbretërore në Tiranë. Për aftësitë e spikatura në drejtim e komandim, në vitin 1937 ai filloi studimet me bursë në Akademinë Ushtarake të Romës. Në dy vjet studime të larta ai tregoi zotësi profesionale duke qenë një nga studentët e perspektivës në rrugën e karrierës e të gradave ushtarake.
Prilli i vitit 1939 kur Italia fashiste sulmoi dhe pushtoi Shqipërinë ishte një peshë e rëndë në zemrën e Shefkiut dhe studentëve të tjerë ushtarakë shqiptarë, të cilët u detyruan të “inkuadrohen në radhët e pushtuesve”. Me mbritjen në Shqipëri Shefkiu gjeti momentin për tu arratisur duke “dezertuar” nga ushtria pushtuese fashiste italiane.
I maskuar u vendos tek të afërmit e familjes në Grabovë. Fashistët kishin shpallur kërkim për “dezertorët”, por Shefkiut i ishte ndezur urrejtja dhe dëshira për hakmarje ndaj pushtuesve të pabesë. Prej Grabovës ai i shkruan letër të vëllait, Mehmetit. Jam i fshehur në Grabovë. Në momentin më të parë që do mundem, do të shkoj në Gribë tek tezja. Dhe ashtu bëri. Shkoi në Gribë ku u inkuadrua në çetën e krijuar nga Reshit Çollaku. Së bashku punuan me njerzit në gjithë krahinën, për të ngjallur dhe organizuar luftën antifashiste. Nga çetat, kur numri i luftëtarëve u rrit mbi 300 vetë, u formua më 17.5.1943 në fshatin Pleshisht të Mokrës batalioni i Mokrës.
Reshiti duke ia njohur Shefkiut aftësitë luftarake dhe sidomos njohuritë për armët e rënda e emëroi komandant të kompanisë së armëve të rënda. Batalioni partizan i Mokrës, kishte bazat e tij në krahinë, si shtëpia e Liko Gjona në Laktesh, te Maro Mokra në Potgozhan, në Pleshishtë te Thanas Maçolli, te Lia Tona në Kalivaç, te Myftar Muço në Trebinjë etj.
Batalioni kreu luftime të ashpra me armikun e tradhëtarët në krahinë, si në Dunicë, në pritën e Pojskës në 16 korrik 1943 etj. Në Pojskë u vra komandanti Reshit Çollaku dhe Ptoleme Aleksandër Xhuvani, Siri Hysen Kodra, Spiro Theotaq Gjiknuri, Ali Hysen Arapi, Petrit Shaban Blloshmi, Koli Gjokë Gusho, Isuf Dilaver Leka, Dilo Sulejman Nezha dhe Arif Maksut Kuka.
Pas kapitullimit të Italisë fashiste Shefkiu me trimëri vazhdoi luftimet edhe kundër nazistëve gjermanë. Ishte vetëm 26 vjeç, në lulen e rinisë, kur në 11 korrik të vitit 1944 u vra heroikisht në luftimet për çlirimin e qytetit të Pogradecit.
Në nderim të dëshmorëve të LANÇ shkolla e fshatit Trebinjë në Mokër mban emrin “3 dëshmorët”. Në pllakën përkujtimore tek lapidari i dëshmorëve janë të shkruar emrat: Shefki Muço, Nikolla Marolli dhe Bendo Buzo
Grupi polifonik i Mokrës ka kënduar këngën e dëshmorit Shefki Muço dhe në vendin ku ra pranë qytetit të Pogradecit ngrihej dhe lapidari që përjetësonte dëshmorët e rënë në korrik 1944, midis tyre dhe Shefki Muço.