Përmbyllet me sukses shtërvitja shumëkombëshe me një ceremoni të veçantë

• Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji:
“Defender Europe – 25’ konfirmoi edhe një herë angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara si aleat strategjik në forcimin e sigurisë rajonale dhe euroatlantike”

09 qershor 2025 – Stërvitja shumëkombëshe “Defender Europe 25” u përmbyll me një ceremoni të veçantë, të organizuar në Ditën e Vizitorëve të Shquar.
Në këtë aktivitet morën pjesë personalitete të larta nga Shqipëria dhe partnerët ndërkombëtarë, mes të cilëve shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, gjenerallejtënant Arben Kingji, e ngarkuara me punë e SHBA, znj. Nancy Van Horn, zëvendësministri i Mbrojtjes z. Enkelejdi Joti, komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, gjeneral brigade LaPoint, gjeneral brigade McKinney si dhe komandantë të forcave e anëtares të komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare.
Të ftuarit ndoqën disa nga demonstrimet e trupave në kuadër të kësaj stërvitjeje, që është një ndër operacionet më të rëndësishme për forcimin e sigurisë kolektive në rajonin euroatlantik.
Në fjalën e tij përshëndetëse, gjenerallejtënant Arben Kingji vlerësoi lart angazhimin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë dhe kontributin e aleatëve në realizimin me sukses të objektivave të përbashkëta. Ai theksoi se pjesëmarrja aktive e FA, me trupa, mjete dhe infrastrukturë, përbën një tregues të qartë të profesionalizmit dhe gatishmërisë së tyre për të përballuar sfidat e mjedisit të sigurisë bashkëkohore.
“Ky bashkëpunim i vazhdueshëm është një dëshmi e qartë e partneritetit strategjik dhe e përkushtimit të ndërsjellë për forcimin e sigurisë rajonale dhe euroatlantike. Stërvitja testoi në kohë reale gatishmërinë, ndërveprueshmërinë dhe kapacitetet reaguese të forcave pjesëmarrëse, si dhe tregoi aftësinë tonë për të mbështetur operacione të përbashkëta në një mjedis kompleks e shumëdimensional”, – u shpreh gjenerallejtënant Kingji.
Stërvitja u zhvillua në disa vende të rajonit, përfshirë Shqipërinë, Kosovën, Kroacinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Në fokus të veçantë ishte zhvillimi i aftësive për operacione të spektrit të plotë, duke përfshirë dislokimin e forcave, mbrojtjen nga sulme konvencionale dhe jokonvencionale, mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe realizimin e operacioneve të përbashkëta në mjedise shumëdimensionale.
Forcat shqiptare luajtën një rol kyç në drejtimin dhe zbatimin e skenarëve stërvitorë nga rajoni i Zall-Herrit, në bashkëpunim të ngushtë me Shtabin e Brigadës Shumëkombëshe dhe oficerë nga SHBA, Kosova dhe Kroacia.
Gjenerallejtënant Kingji falënderoi në mënyrë të veçantë Komandën e Forcave Amerikane për Evropën dhe Afrikën për zgjedhjen për të tretin vit radhazi të rajonit tonë, si vend mikpritës të kësaj stërvitjeje madhore, duke e cilësuar atë si dëshmi të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe SHBA. “Defender Europe – 25’ konfirmoi edhe një herë angazhimin e palëkundur të Shteteve të Bashkuara si aleat strategjik në forcimin e sigurisë rajonale dhe euroatlantike,” – nënvizoi ai, duke shtuar se: “përballë kërcënimeve hibride dhe tensioneve rajonale në rritje, përgjigjja jonë është e qartë: stërvitje të përbashkëta, ndërveprim operacional dhe partneritet afatgjatë”, – theksoi shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA.
Stërvitja shumëkombëse “Defender Europe ‘25”nisi zyrtarisht 27 maj 2025, kur trupat e Forcës Tokësore shqiptare u nisën në orët e para të mëngjesit të kësaj dite, nga garnizoni i Zall-Herrit drejt Qendrës së Stërvitjes në Bizë, duke shënuar fillimin zyrtar të stërvitjes së përbashkët “Defender Europe ‘25”.
Kjo stërvitje ndërkombëtare, një nga më të mëdhatë dhe më komplekset e dekadës së fundit në Evropë dhe Afrikë, u zhvillua nën udhëheqjen e Komandës Evropiane të SHBA (EUCOM), në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate dhe partnere të NATO. Shqipëria, si një nga vendet pritëse kryesore, luajti një rol strategjik në garantimin e suksesit të operacioneve dhe zhvillimeve të planifikuara.
“Defender Europe ‘25” synoi rritjen e ndërveprimit mes forcave të armatosura aleate, forcimin e gatishmërisë ushtarake dhe aftësive për të reaguar shpejt ndaj çdo kërcënimi të mundshëm në hapësirën euroatlantike.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë ua ngazhuan për të siguruar një mjedis operacional të suksesshëm dhe për të kontribuar në mbrojtjen kolektive, stabilitetin rajonal dhe paqen ndërkombëtare.