Nga Agim Golemi

Mëngjesi i largët i 23 nëntorit 1972, gdhiu i ftohtë si lajmëtar se dimri vetëm zyrtarisht nuk kishte hyrë. Qielli dukej i zymtë, në ngjyrë gri të errët. Retë vërtiteshin të harbuara si të ziheshin për lesh të kokës me njëra tjetrën, kush e kush të shfrynte stuhinë. Era të priste brisk. Me pushimin e saj pritej dhe shiu.

 Sikundër koha, nxinim  dhe ne oficerët e rinj që në një ditë të tillë do të zhvillonim alpinizëm. Ishim titulluar oficerë, por stërviteshim për gjashtë muaj në rol të ushtarit në Detashmentin e zbulimit Zall-Herr. Alpinizmi ishte nga disiplinat më të vështira. Nuk e kishim të mësuar në shkollë, por nuk kishim as aftësitë fizike për të përballuar vështirësi si zbritje-ngjitje me litar në lartësi, ngjitje në shkëmbinj pa u lidhur, vetëm me ndihmën e gozhdëve dhe çekiçit, kalim pengesash ujore, hedhje nga kulla e parashutizmit etj. Këtë lëndë na i jepte instruktori Azem. H., alpinist i kategorisë së parë, tepër i edukuar, profesionalisht i pa arritshëm, i respektueshëm  nga të  gjthë ne.

 Ashtu kokëulur, pa fjalë, të fshehur brënda pelerinave nga të ftohtit, të kërrusur prej lodhjes së rrugës, nën peshen e merzitjes por edhe të armatimit dhe paisjeve alpinistike, mbritëm më në fund te vendi i stërvitjes, aty ku ngrihej diga e ujësjellësit të Bovillës, në atë kohë e pa përfunduar tërësisisht dhe ujrat që rridhnin nga mali i Murrizit,( atë mëngjes kishte vënë festen e bardhë) , shkarkoheshin në pjerrësi dhe me shpejtësi si të dilnin prej turbinave.

Instruktor Azemi pas formaliteteve të para të apelit, komunikoi temën: – Kalimi i pengesave nëpërmjet teleferikut. Mbasi dha udhëzimet përkatëse për lidhjet personale, tetëshe, gogël, shaluar, vendosjen e ganxhave etj, mori litarin kolektiv dhe atë ndihmës kolektiv, lidhi njërin krah të litarit në të majtë të digës, te shkembinjt ku sot të apasionuarit mbas natyrës shijojnë bukuritë e liqenit, ndërsa për te lidhur krahun tjetër kapërceu lumin nga shkëmbi në shkëmb me një shkëputje sportive nga vëndi, ku iu ngjit pjerrësisë me maja shkrepi në krahun e djathtë të digës. Lëshimi që na bëri atë ditë ishte se na la mundësinë të zgjidhnim; ose të ngjiteshim me forcën e krahëve nga poshtë – lart, ose të kalonim lumin dhe të realizonim zbritjen nga larte – poshte. Që të dy variantet ishin të vështira. Ngjitja me forcën e krahëve në një pjerrësi 45 gradë dhe në gjatësi 50 m, aq sa ishte gjatësia e litarit kolektiv, ishte e pa mundur. Mund të ngjiteshim me sforco deri në mes të litarit, por do të ngeleshim aty si mish i varur në çengel. Varianti tjetër, zbritja nga lart-poshtë ishte e lehtë, rrëshqisje vet, por vështirësia ishte te kalimi i lumit (lumi i Tërkuzës). Pjesa më e ngushtë e kanionit që mund të kalohej ishte midis dy shkëmbinjve të mëdhenj, të lëmuar prej erozionit. Distanca ishte 3.5 deri 4 metra. Lehtësisht të gjithë mund ta kalonim këtë distancë sikur mos të ishte frika e prurjes së madhe të lumit dhe lartësia më shumë se pesë metra. 

U vumë në mendim. Trupi na dridhej prej të ftohtit por edhe prej frikës. Gjithsecili në mënyrë të heshtur zgjodhi variantin që i dukej pak më i mirë. Shumica zgjodhi ngjitjen me forcën e krahëve nga poshtë – lart. E “dorëzuam” jetën në dorë të instruktor Azemit. Nuk do na linte varur. Do jepte, do jepte dhe do na tërhiqte si rimorkio, me litarin kolektiv ndihmës. Vetëm njëri prej nesh nuk e kishte ndarë mëndjen akoma. Ai ishte shoku jonë Haki U.

 Meqënëse Hakiu është admini i kësaj skice, po i bëj një portretizim të veçantë. Ishim (dhe jemi) shok që prej shkollës së mesme ushtarake; Hakiu, shok i urtë, tip studiues, me njohuri të mira të gjuhës angleze, me trup të gjatë, të hollë si filispanjë, të drejtë si valltarët dibranë prej dhe nga vinte, por me një muskulaturë të dobët siç ishte pjesa më e madhe e jona. Si djal i ri në vakt e mbante veten  sqime. Kishte krijuar një raport  specifik me  flokët e tij dhe një varësi absolute. Kjo  varësi u rrit më shumë sidomos në shkollën e oficerëve ku na lejonin të mbanim flokë, pavarësisht qethjes ballaboks që na bënin dhe që ne e urrenim aq shumë, (ndërsa sot kjo qethje është në modë). Flokët  i kishte disi të rrallë, të krehura në ç’do moment anash, në ngjyrë gështenjë dhe që të linin përshtypjen se me kalimin e viteve do t’i binin para kohe. I ishte bërë refleks që t’i krehte orë e çast, kudo që të ndodhej, në mësim, stërvitje, pushim. Edhe kur shpjegonte pedagogu, nxirrte pasqyrën , krehërin, ulte kokën nën tavolinë dhe rregullonte flokët. Do ta gjente që do ta gjente kohën e duhur. Tani që kishte dalë dhe oficer e kishte kohën pa limit. 

               Siç shpreha më lartë, Hakiu nuk e kishte ndarë mëndjen por, po bëntë prova për të kaluar lumin.  Asnjëri prej nesh nuk i kushtoi vëmëndje. Asnjërit prej nesh nuk i shkoi ndërmënd se do ta kryente këtë veprim. Në një çast që Ai mendoi se mund ta kalonte, mori fuqi, trokiti si në pedanë në pllaken e lëmuar të shkëmbit, u shkëput për të mbritur te pllaka tjetër por…. nuk arriti të shkelte në shkëmbin matanë duke u lëshuar pingul si hedhje prej trampolinës në rrjedhën e zhurmëshme si gjëmim deti të lumit. Nuk  arriti për faktin se rrëshqiti  nga  lagështia  prej  ciklave të ujit që binin mbi pllakat e gurta.

U ngritëm të gjithë për ta shpëtuar duke ndërprerë ç’do veprim tjetër, por nuk e pamë më për asnjë moment. Shkëmbinjt në pjesën fundore të tyre formonin zgavra të thella ku ujët rrotullohej rrathë – rrathë si valë elektromagnetike. Në këto zgavra të ujit luftonte Hakiu me vdekjen, pa u parë nga ne. Nuk po jepte asnjë shënjë që të dilte sadopak mbi ujë. Po ta shikonim do të kapeshim dorëpërdorë siç na kishin mësuar për kalimin e lumenjve dhe do të hidheshim për ta ndihmuar.  Veçanërisht instruktor Azemi që kishte  pregatitjen e duhur për këto veprime, por që kishte dhe përgjegjësinë e  madhe ligjore, do bënte gjithçka dhe me mjetet e alpinizmit që ta shpëtonte. 

Por jetëgjati nuk bëhet jetëshkurtër. Në distancë, më shumë se 100 m. nga ku ishim ne, aty ku rrjedha e lumit normalizohej, ku binte disi në qetësi dhe krijonte një farë vahu, u çfaq në mes të lumit si feniksi nga hiri, shoku jonë Hakiu. Kishte shpëtuar me thonj.(Në vëndet ku uji rrotullohej, si duket i krijonte mundësi që të nxirrte kokën  dhe  të merrte pak ajër). U çua në këmbë. Ujët i arrinte deri në mes të trupit. Hapi krahët anash për të lëshuar ujin nga rrobat që i peshonin sa gjithë shkëmbinjt përballë, hodhi sytë nga shokët, ngriti dorën lart sikundër bëjnë notarët kur mbarojnë garën dhe na përcolli një buzëqeshje të paqtë. 

E ndërsa ne, kush e kush të fliste më shumë që Ai të nxitonte të dilte në anë se nuk i dihej prurjes befasuese të lumit, ndërsa instruktor Azemi lidhi litarët për t’ia hedhur që ta nxirrte, Hakiu e “kishte punën me nge, priste koha për të dalë”. Nxorri nga xhepi i pantallonave  krehërin, pasqyrën dhe filloi të krihte flokët. “S’kishte si të ndodhte ndryshe. Duhej ta sfidonte vdekjen dhe me bukuri”.