Halil RAMA – Mjeshtër i Madh
Kur na ndajnë vetëm dy muaj nga zgjedhjet parlamentare të 11 Majit 2025, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ dhe pasardhësve (OBVLP) konsideron sfidë madhore të institucione shqiptare ligjzbatuese parandalimin e ndikimit të krimit të organizuar dhe luftën pa kompromis kundra krimit zgjedhor. Kjo, për faktin se konkluzionet e raporteve ndërkombëtare mbi zgjedhjet e zhvilluara në periudhën 2021-2023 evidentojnë si probleme kryesore blerjen e votave, keqpërdorimin e burimeve publike dhe presion ndaj votuesve, veçanërisht ndaj punonjësve të administratës shtetërore; cënimin e sekretit të votës dhe paanshmërinë e medias.
Në këtë kuadër, OBVLP mbështet fuqimisht Strategjinë e publikuar nga Prokuroria e Posaçme për të hetuar në kohë reale problemet që lidhen me shit-bleren e votës, përdorimin e burimeve shtetërore si dhe përfshirjen e krimit të organizuar në procesin zgjedhor. Në strategjinë e publikuar nga SPAK evidentohet shqetësimi i vazhdueshëm i organizatave vendase dhe ndërkombëtare, përfshirë OSBE/ODIHR, Komisioni Evropian dhe Misioni Amerikan pranë OSBE-së, lidhur me veprat penale në kuadër të zgjedhjeve në Shqipëri.
Një tjetër problem që pritet të jetë në vëmendjen e SPAK është edhe përfshirja e krimit të organizuar në procesin zgjedhor. Hetimet e kryera së fundmi nga SPAK kanë ekspozuar lidhjet e thella mes krimit të organizuar dhe politikës, si dhe ndikimin e tyre në procesin zgjedhor – duke deformuar sipas ekspertëve votën e lirë dhe sistemin demokratik të vendit.
“Nga ana tjetër, kjo strategji synon të parandalojë ndikimin e krimit të organizuar në integritetin e procesit zgjedhor, përmes masave konkrete dhe përdorimit sa më efektiv të teknikave të posaçme hetimore,” thekson SPAK.
Për të mundësuar zbatimin e strategjisë, është parashikuar që të ngrihet një grup hetimor që do të përbëhet nga një strukturë qendrore dhe grupet hetimore që do të veprojnë në terren për të monitoruar në kohë reale situatat e dyshuara; që të identifikojnë individët dhe anëtarët e krimit të organizuar të përfshirë në korrupsion në zgjedhje; për monitorimin e përdorimit të buxhetit, investimeve dhe infrastrukturës publike, të cilat nuk lejohen të kryhen gjatë periudhës zgjedhore nga subjektet e posaçme, etj.. Po ashtu, parashikohet që të mundësohet komunikimi në kohë reale me publikun dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve; si dhe të ngrihet një platformë në faqen zyrtare të SPAK, për denoncimin e rasteve.
SPAK synon gjithashtu, që të identifikojë zonat ku janë shfaqur më parë raste të veprave penale në kuadër të zgjedhjeve, që të përqëndrojë aty burime hetimore.
Një tjetër flamur i kuq që ngre SPAK lidhet me mundësinë e keqinformimit të opinionit publik nga ana e medias nëpërmjet lajmeve të pavërteta mbi hetimet e krimeve zgjedhore apo edhe denoncimet e rreme që mund të devijojnë fokusin nga rastet reale.
Kjo për faktin se sipas SPAK “Grupet kriminale, për interesat e tyre të paligjshme shpesh ndërhyjnë në procesin zgjedhor përmes kërcënimeve, manipulimeve financiare, korrupsionit të zyrtarëve zgjedhorë, etj”.