l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Shqipëria, 102 vjet shtet i pavarur


Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i qeverisë së përkohshme, Ismail Qemali, më 29 nëntor 1912, i njofton për aktin historik gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, për këtë vendim, Ismail Qemali njofton edhe shtetet ballkanike: Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar nga ata që të njihnin aktin e pavarësisë si ndryshim i vullnetit politik të kombit shqiptar

Njëqindedy vjet më parë, më 28 nëntor 1912, në Vlorë shpallet pavarësia e Shqipërisë.Vlora, qysh më parë ishte përcaktuar si qendër ku do të mbahej Kuvendi gjithëkombëtar për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Në referatin e vet Ismail Qemali foli shkurt për të kaluarën e Shqipërisë, gjendjen dhe rrethanat momentale politike. Ismail Qemali propozoi që Shqipëria të shpallet “Shtet më vete, e lirë, e pavarur. Të gjithë delegatët këtë propozim e aprovuan duke u ngritur në këmbë dhe duke e përcjellë me duartrokitje aktin e shpalljes së pavarësisë.

Por, kjo pavarësi nuk u shpall vetëm për shtetin e Shqipërisë që ne e njohim sot. Shqipëria më 1912 nënkuptonte një territor shumë më të madh, me shumë më shumë shqiptarë.

Shqiptarët në këtë ditë e gjetën veten të pushtuar, nga të gjitha anët. Vlora ishte i vetmi vend i sigurt, ku mund të shpallej pavarësia për tokat shqiptare të ndara në katër njësi administrative të Perandorisë Osmane, që këtë vit u mund nga fuqitë e Ballkanit. Prandaj, 28 Nëntori 1912 është edhe ditë pikëllimi.

Shqiptarët që jetonin në të ashtuquajturin Vilajeti i Kosovës, Vilajeti i Shkodrës, ai i Janinës dhe i Manastirit, u shkelën dhe u vranë në trojet e tyre. Pjesa më e madhe e tyre u pushtuan; tokat e tyre u bënë pjesë e Greqisë, Serbisë dhe të Malit të Zi. Prandaj, 28 Nëntori 1912 ngjallë ndjenja të dyfishta: të mira e të këqija; të ëmbla e të hidhura; krenare dhe poshtëruese!

Pas shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, kryetari i qeverisë së përkohshme, Ismail Qemali, më 29 nëntor 1912, i njofton për aktin historik gjashtë Fuqitë e Mëdha: Anglinë, Italinë, Austro-Hungarinë, Francën, Gjermaninë dhe Rusinë. Po ashtu, për këtë vendim, Ismail Qemali njofton edhe shtetet ballkanike: Rumaninë, Malin e Zi, Serbinë, Bullgarinë, Greqinë dhe Turqinë, duke kërkuar nga ata që të njihnin aktin e pavarësisë si ndryshim i vullnetit politik të kombit shqiptar.


Nëse ndalemi tek aspekti pozitiv i kësaj date, shteti i sotëm që ne e njohim si Shqipëri, ashtu siç ishte, me të mirat e të këqijat e saj, megjithatë e mbajti gjallë identitetin tonë kombëtar. Kjo Shqipëri e cunguar ishte shpresa jonë se do të vijnë ditët më të mira; ishte forca që na bënte të besojmë se nuk jemi vetëm edhe atëherë kur ishim; ishte ndjenja që na bënte të ngrihemi - edhe atëherë kur nuk mundeshim.

Shqiptarëtvazhdojnë të jetojnë të ndarë. Kosova është pavarësuar, por e cunguar, ndryshe nga ajo që më 1912 perceptohej si Kosovë. Të tjerët shqiptarë vazhdojnë të jetojnë të shpërndarë në Mal të Zi, në Serbi, në Maqedoni e në Greqi, duke e vazhduar prapë luftën e tyre, me metoda më paqësore, për të drejtat që u takojnë - për dinjitetin e tyre.

Pozita e shqiptarëve në Ballkan sot është shumë më e mirë se e paraardhësve tanë më 1912. Por, shqiptarët duhet të punojnë më shumë, që përvjetorët tjera të jenë më të mirë për pasardhësit tanë. Sepse, 28 Nëntori është dita që na kujton idealin për të qenë të lirë e të lumtur - në tokat tona. Politika moderne ndërkombëtare, e ndikuar nga propaganda e fqinjëve, idealin tonë për bashkim e koncepton si agresion ndaj shteteve me të cilat ne kufizohemi.

Por, a duhet ne që ta harrojmë këtë ideal?

Jo! Të gjithë shqiptarët, kudo ku jetojnë, janë shpirtërisht të bashkuar më 28 Nëntor 2012. A nuk është kjo dëshmi se ne jemi një: një komb, me të kaluarën e njëjtë, me heronjtë e njëjtë, me gjakun e njëjtë, pranë njëri-tjetrit, ndonëse në shtete të ndryshme?

Shpallja e pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912, kishte një ideal: Shqipërinë. Atë ideal ne nuk duhet ta harrojmë. Kurrë! Prandaj, për fund, ia vlen ta kujtojmë edhe një herë thënien e luftëtarit të madh të çështjes kombëtare shqiptare, Isa Boletinit: “Unë jam mirë, kur asht’ mirë Shqipnia”.

Shqipëria e tij dhe e jona është toka ku jeton çdo shqiptar në Ballkan. Prandaj, me fat shqiptarë, kudo që jeni, 28 Nëntorin! Gëzofshi e pritshi, më të fortë, më të lumtur e më të bashkuar, çdo 28 Nëntor tjetër.

Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë

Më 28 nëntor 1912, në mbledhjen e parë të Kuvendit Kombëtar të Vlorës, u nënshkrua Deklarata e Pavarësisë së Shqipërisë, pjesa shqip hartuar nga Luigj Gurakuqi, dhe pjesa turqisht nga Ismail Qemali dhe e shkruar nga Shefqet Dajiu. Deklarata është dokument i shkurtër dhe i shkruar me dorë, i nënshkruar nga delegatët e Kuvendit, me këtë përmbajtje:

"Në Vlonë më 15/28 të Vjeshtës së Tretë 1328/1912

Pas fjalëvet që tha z. Kryetar Ismail Kemal beu, me të cilat tregoi rrezikun e math në të cilin ndodhet sot Shqipëria, të gjithë delegatët me një zâ venduan që Shqipëria më sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme".


Delegatët e Asamblesë Kombëtare ishin:

• Kolonia shqiptare Bukureshtit: Dhimitër Zografi, Dhimitër Mborja, Dhimitër Berati, Dhimitër Ilo
• Berati: Sami Bej Vrioni, Ilias Bej Vrioni, Taq Tutulani, Babë Dud Karbunara (Jorgji Karbunara)
• Çamëria: Veli Gërra, Jakup Veseli, Rexhep Demi, Azis Tahir Ajdonati
• Delvina: Avni Bej Delvina
• Durrësi: Abaz Efendi Çelkupa, Mustafa Agë Hanxhiu, Jahja Ballhysa, Dom Nikollë Kaçorri
• Dibra: Myfti Vehbi Dibra, Sherif Langu
• Elbasani: Lef Nosi, Shefqet Dajiu, Qemal Karaosmani, Dervish bej Biçaku
• Gramsh-Tomorricë: Ismail Qemali Gramshi;
• Gjirokastra: Elmaz Boçe, Veli Harxhi, Myfit Bej Libohova, Petro Poga, Jani Papadhopulli
• Janina: Kristo Meksi, Aristidh Ruci
• Kosova, Gjakova, Plava-Gucija: Rexhep Mitrovica, Bedri Pejani, Salih Gjuka, Mit'hat Bej Frashëri, Mehmet Pashë Deralla, Isa Boletini, Riza Bej Gjakova, Hajdin Bej Draga, Dervish Bej Ipeku, Zenel bej Begolli, Qerim Begolli
• Korça: Pandeli Cale, Thanas Floqi, Spiro Ilo
• Kruja: Mustafa Merlika
• Lushnja: Qemal Bej Mullai, Ferit Bej Vokopola, Nebi Efendi Sefa
• Mati: Ahmet Bej Zogolli, Riza Bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu
• Ohri dhe Struga: Zyhdi Bej Ohri, Dr. H. Myrtezai, Nuri Sojlliu, Hamdi Bej Ohri, Mustafa Baruti, Dervish Hima
• Peqin: Mahmud Efendi Kaziu
• Përmet: Veli Bej Këlcyra, Syrja Bej Vlora
• Pogradeci: Hajdar Blloshmi
• Tepelena: Feim Bej Mezhgorani
• Tirana: Abdi Bej Toptani, Murat Bej Toptani, Ymer Sollaku
• Skrapar:Xhelal Bej Koprencka, Hajredin Bej Cakrani
• Shijak: Xhemal Deliallisi, Ymer Bej Deliallisi, Ibrahim Efendiu
• Shkodra: Luigj Gurakuqi
• Vlora: Ismail Qemali, Zihni Abaz Kanina, Aristidh Ruci, Qazim Kokoshi, Jani Minga, Eqrem Bej Vlora

 




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes