LANÇ, NJE NGA FAQET ME TE NDRITURA NE HISTORINE E SHQIPERISE
Populli ynë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo në trojet etnike është krenar se iu bashkua në Luftë Aleancës së Madhe Antifashiste të Popujve. E çliruam Shqipërinë pa ndërhyrjen direkte të forcave aleate por edhe dhamë kontribut të çmuar në këtë Luftë.
Ne shprehim falenderimet tona për ndhmën që dhanë Aleatët e Mëdhenj: Anglia, Bashkimi Sovjetik e SHBA që shkatërruan bishën nazifashiste e u siguruan popujve lirinë.
Ne shqiptarët kemi të drejtë të krenohemi për Luftën e lavdishme, Antifashiste Nacionalçlirimtare që çoi në çlirimin e vendit nga okupatorët nazifashitë. Ne krenohemi sepse me luftën e sakrificat mbinjerëzore, dhe gjakun e dhjetra mijëra dëshmorëve u bëmë pjesë e bllokut antifashist të popujve të botës, të kryesuar nga aleanca anglo-sovjeto-amerikane.
Në momentin historik populli shqiptar, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo që jetonte në trojet e tij etnike u bashkua me forcat e lirisë kundër atyre të errësirës. Në bazë të kësaj lufte e sakrificave që bëmë, ne siguruam jo vetëm pavarësinë e Shqipërisë por të drejtën e shqiptarëve në Kosovë për vetëvendosje e të shqiptarëve kudo që jetojnë, të drejtën për të qëndruar në trojet e tyre etnike. Kjo ishte fitorja e dytë më e madhe në historinë tonë kombëtare, pas shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit në Vlorë.
Në Luftën e Dytë Botërore gjithë populli shqiptar ishte në rrezik. Shqipëria mund të humbiste pavarësinë. Populli shqiptar i Kosovës e ai i shqiptarëve të tjerë në trojet e tyre etnike mund të shpënguleshin nga trojet e tyre e të pësonin fatin e atyre shqiptarëve që u dëbuan me forcën e armëve nga serbët në vitet 1870-1880 nga zonat e Nishit, Vranjës, Prokupjes, Leskocit etj dhe të popullit çam.
Ky rrezik vinte sepse pushtuesit italianë erdhën me parullën e bashkimit të shqiptarëve nën kurorën e Viktor Emanuelit; krijuan qeverinë kuislinge për ti dhënë pamjen e një shteti të pavarur dhe me shkatërrimin e Jugosllavisë dolën me parullën e Shqipërisë së Madhe. Në këtë mënyrë u përpoqën ta lidhin popullin tonë me bllokun fashist.
Të njejtën rrugë ndoqi edhe Gjermania Naziste pas kapitullimit të Italisë duke mbledhur një Asamble Tradhtare që e shpalli Shqipërinë të Pavarur, pasi gjermanët kishin deklaruar se “ne jemi kalimtarë dhe Shqipëria do të jetë e pavarur!”. Vetëkuptohet, pavarësi me nazistët brenda në Shqipëri!.
Me këto parulla ata u përpoqën ta joshnin popullin shqiptar, ta mbanin të lidhur me ta dhe me ndihmën e kuislingëve bashkëpunëtorë të tyre ta vinin në interes të tyre kundër Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Po të mos kishte filluar e zhvillohej Lufta Nacionalçlirimtare, kombi shqiptar do të kishte shkuar në humnerë bashkë me nazifashistët dhe do të ishin plotësuar lakmitë grabitqare sllavo-greke për copëtimin edhe të shtetit shqiptar, për të cilat punonin edhe qeveritë mbretërore greko-serbe në egzil.
Ishte zhvillimi i Luftës Nacionalçlirimtare që përfshiu gjithë Shqipërinë dhe që vetëm brenda vitit 1942 ishin krijuar 22 çeta partizane nga Konispoli në Jug deri në Malësinë e Gjakovës në Veri, jehona e kësaj lufte bëri që ministrat e jashtëm të Anglisë-Iden, i Bashkimit Sovjetik, Mollotov dhe i SHBA-Hell në Dhjetor 1942 të bënin deklaratën “që dëshëronin ta shihnin Shqipërinë të çliruar nga zgjedha italiane dhe të vendoset pavarësia e saj. Forma e regjimit dhe e qeverisë që do të vendoset në Shqipëri do të jetë një çështje që do ta vendosë vetë populli shqiptar në fund të luftës”.
Megjithëse në këtë deklaratë qeveria angleze mbante një rezervë kur shprehej se “e sheh çështjen e kufijve shqiptarë pas Luftës si një çështje që duhet të merret në shqyrtim në Konferencën e Paqes”. Kjo deklaratë ishte mbështetje për qeveritë greko-jugosllave në egzil që përgatisnin plane për copëtimin e Shqipërisë.
Por Lufta Nacionalçlirimtare kishte marrë zhvillime të vrullshme që me krijimin e reparteve sulmuese të Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm me 10 Korrik 1943, ky shtab mori në drejtim dhe çentralizoi veprimet luftarake duke u shtuar goditjet kundër pushtuesve u krijuan zona të lira. Në këto momente aleatët e në radhë të parë anglezët dërguan përfaqësuesit e tyre pranë Shtabit të Përgjithshëm të cilët ndiqnin nga afër Luftën tonë dhe u bindën se e vetmja forcë ushtarake e organizuar në Shqipëri që bënte Luftë të vendosur kundër pushtuesve nazifashistë ishte Ushtria Nacionalçlirimtare. Pas kësaj bindje ata i shtuan misionet e tyre në Shqipëri dhe filluan të na ndihmojnë me armatime e materiale luftarake, megjithëse shumë të kufizuara për shtimin e zgjerimine Ushtrisë sonë gjatë viteve 1943-1944.
Nga ana tjetër, përfaqsuesit e ushtrive aleate bënë të gjitha përpjekjet për ti bashkuar e futur në luftë forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar e Legalitetit, por nuk patën sukses.
LANÇ, lufta e sakrificave të mëdha
Ushtria Nacionalçlirimtare pasi theu me sukses Operacionin më të Madh të Forcave Naziste e bashkëpunëtorëve të tyre në dimrin e egër të viteve 1943-1944 e kish çliruar hapësira të mëdha të vendit, krijoi kushte për mbajtjen e Kongresit Antifashist në qytetin e çliruar të Përmetit. Nga ky Kongres doli komiteti Antifashist me atributet e një qeverie provizore. Pas Kongresit u bënë ndryshime në organizimin e Ushtrisë. Ajo kaloi nga formacionet e Brigadave në ato të Njësive të Mëdha të Divizioneve e Koparmatave, të afta për të kryer operacione operative strategjike në të gjitha hapësirat e vendit.
Me thyerjen e operacionit gjerman të Qershorit ’44, i fundit i ndërmarrë nga nazistët në vendin tonë, në korrik 1944 forcat e Divizionit të Parë kaluan në mësymje për çlirimin e Shqipërisë së Mesme e të Veriut, dhe me çlirimin e Matit, të Dibrës e të Lumës, Brigada e Pestë u shkëput nga varësia e Divizionit të Parë dhe së bashku me Brigadën e Tretë morën urdhër të kalojnë në Kosovë për të ndihmuar në çlirimin e saj.
Detyra kryesore që na ngarkonte Shtabi i Përgjithshëm ishte që në bashkëveprim të ngushtë me forcat e Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës të godisnim pa ndërprerje forcat naziste e të shpejtonim çlirimin e Kosovës; të ndihmonin që rinia kosovare të merrte pjesë masive në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, me qëllim që Kosova të bëhej pjestare e aleancës antifashiste të popujve që luftonin kundër nazistëve dhe në këtë mënyrë të fitonte të drejtën për vetëvendosje; të ndihmonim për ngritjen e Këshillave Nacionalçlirimtare në zonat e çliruara. Për realizimin e këtyre detyrave e drejtimin e veprimeve lufarake u krijua Shtabi i përbashkët Operativ i dy Brigadave dhe Forcave të Kosovës, i përbërë nga Fadil Hoxha-komandant i Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Kosovës, Shefqet Peçi – komandant i Bvrigadës së Pestë dhe Hulusi Spahiu-Komandant i Brigadës së Tretë.
Megjithë rezistencën e ashpër të forcave naziste e të mbeturinave të Divizionit ESS Skënderbeg për të mbajtur qytetet Prizren, Gjakovë e Pejë e për të siguruar tërheqjen e shpejtë e të organizuar të reparteve naziste për në Frontin Perëndimor kundër forcave aleate, forcat tona i mundën e
i shpartalluan nazistët me luftime shumë të ashpra që u zhvilluan në Gjakovë e sidomos në Junik e Deçan. Në këto luftime Brigada e Tretë ka pas humbjet më të rënda në historinë e saj luftarake; 32 të vrarë e shumë të plagosur. Edhe armiku pati humbje të rënda-shumë të vrarë e të plagosur; zumë me sa më kujtohet rreth 30 rob nga forcat e Divizionit Skënderbeg pasi kishin nxjerrë nga rrethimi komandanët e tyre nëpërmjet një çepengu. Mes tyre kishin qenë Rexhep Deva, Demali Pozhari, një oficer gjerman e të tjerë. Partizanët tanë, të zemëruar nga humbjet e shokëve të tyre kërkonin me këmbëngulje pushkatimin e robërve. Me shumë vështirësi i bindëm ti lirojmë, pasi ne nuk kishim shkuar në Kosovë për të vrarë vëllezërit tanë po për çlirimin e tyre. Atyre u morëm armët e i liruam duke i porositur të mos shkonin prapë në shërbim të armikut e të vriteshin vëlla me vëlla siç ndodhi në ato luftime.
Duhet ta pohojmë se prej asaj dite, pushkë kosovari nuk qëlloi më kundër nesh. Luftimet për çlirimin e Deçanit, Pejës e gjithë Rrafshit të Dukagjinit përfunduan me 17 nëntor 1944.
Na vjen keq kur dëgjojmë a shkruhet në ndonjë gazetë se forcat tona kanë vrarë njerëz të pafajshëm në Kosovë. Unë pohoj se kjo nuk ka ndodhur në asnjë rast, përveç kur jemi bdodhur ballë për ballë në luftime. Nuk e di a jeton ndonjë nga të liruarit të jetë dëshmitar i kësaj.
Lufta e Brigadave tona për çlirimin e krahinave të Kosovës dha ndihmesë për pjesëmarrjen e djemve të saj në Luftë
Pjesëmarrja masive në Luftën Nacionalçlirimtare e popullit të Kosovës nën drejtimin e Fadil Hoxhës e shokëve të tij ka qenë vendimtare. Ajo bëri të dështojnë planet e Çubrolloviçit që i kishte servirur komandës së Ushtrisë Jugosllave për spatrtimin etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre.
Arkitekt i mendimit shovinist serb Vasaçubrolloviçi me elaboratorin e tij të dytë të vitit 1944 jepte direktivën politike se paskësh ardh momenti i përshtatshëm për ti larë hesapet me shqiptarët njëherë e përgjithmonë; se për ti dëbuar nga trojet e tyre......”asnjëherë ne nuk kemi pasur kushte më të favorshme”. “Luftrat,-vazhdon më tej ai, janë momenti më i përshtatshëm për zgjidhjen e këtyre problemeve”. Ai shpreh bindjen se “aleatët tanë do të na kuptojnë dhe do të plotësojnë dëshirat tona, veçanërisht një shpresë të madhe kemi tek Bashkimi Sovjetik vëlla”. Dhe në fund ideollogu shovinist serb jepte direktivën për ushtrinë “Ushtria gjatë operacioneve luftarake duhet të spastrojë në mënyrë të planifikuar e pa mëshirë pakicat kombëtare shqiptare”.
Edhe Konferenca e Tre të Mëdhenjve (Çurçill-Stalin-Rustevlt) u jepte të drejtë shteteve fituese në luftë për shpërnguljen e pakicave kombëtare që ishin bashkuar me bllokun fashist. Shembull konkret ishin Rumania që iu shkëput një republikë e tërë-Moldavia nga trojet e veta, pa llogaritur shpërnguljen e më se dhjetë milionë gjermanëve nga Prusia, Krakovia, etj....
Platforma politike dhe ushtarake e Çubrolloviçit, e mbajtur sekret nga Beogradi për çështjen e Kosovës u dogj nga 55 mijë djemtë e saj që morën pjesë në Luftë dhe mijëra dëshmorëve kosovarë që dhanë jetën duke luftuar përkrah forcave antifashiste të botës.
Lufta e Brigadave tona për çlirimin e krahinave të Kosovës dha ndihmesë për pjesëmarrjen e djemve të saj në Luftë.
Me largimin e Brigadave tona nga Kosova, në drejtim të Sanxhakut e Bosnjës, forcat serbo-sllave përfshi dhe ato çetnike u përpoqën të vënë në zbatim planin e Çubrolloviçit, por ishte vonë. Forcat shqiptare ishin të armatosura; ata bënë qëndresë të fortë duke luftuar për jetë a vdekje nën komandën e Shaban Palluzhës. Krimet qenë të rënda, por planet e Çubrolloviçit nuk u realizuan. Shqiptarët mbetën përjetë në trojet e tyre etnike. Forcat e dy Divizioneve tona e vazhduan luftën në tokat e Jugosllavisë, duke dhënë ndihmesën e tyre, jo vetëm në çlirimin e krahinave të Malit të Zi, Sanxhakut e Bosnjës por edhe duke penguar, dëmtuar e vonuar forcat naziste që përpiqeshin të tërhiqeshin me shpejtësi e në mënyrë të organizuar për në Frontin e Perëndimit, për të luftuar kundër forcave aleate që kishin zbarkuar në Francë. Luftimet e forcave tona në këto vende janë zhvilluar në kushte tepër të vështira, të një dimri që u kujtonte atë të dimrit ’43-’44 në Shqipëri, me mungesë të theksuar në ushqime e mjete të tjera të jetesës. Por ata e kryen me nder detyrën. Dua t’iu kujtoj se në këto luftime kanë rënë afër 600 dëshmorë të dy divizioneve tona. Ky ishte edhe një kontribut i veçantë në Luftën Antifashiste.
Populli ynë, në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e kudo në trojet etnike është krenar se iu bashkua në Luftë Aleancës së Madhe Antifashiste të Popujve; E çliruam Shqipërinë pa ndërhyrjen direkte të forcave aleate por edhe dhamë kontribut të çmuar në këtë Luftë.
Patjetër, ne shprehim falenderimet tona për ndhmën që dhanë Aleatët e Mëdhenj: Anglia, Bashkimi Sovjetik e SHBA që shkatërruan bishën nazifashiste e u siguruan popujve lirinë.
Lavdi dëshmorëve të Kombit tonë të të gjitha Luftrave çlirimtare.