l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Konferenca e Pezës, mesazhe aktuale për të sotmen dhe të ardhmen

Gjeneral Rrahman Parllaku: Konferenca e Pezës bashkoi shqiptarët kundër fashizmit, ja momenti kur tradhtoi Balli, Mukja ishte për ndarjen e pushtetit

Gjashtë vjet më parë, gjeneral Rrahman Parllaku – Hero i Popullit dhe “Nderi i Kombit” do të konsideronte Konferencën e Pezës si një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e kombit shqiptar. Në një intevistë ekskluzive për gaztën “SOT”, ish kryetari i OBVL shprehet se “Konferenca e Pezës bashkoi gjithë shqiptarët, pa dallim feje dhe ideje, në luftën kundër nazifashistëve. Rrahman Parllaku, gjenerali që luftoi fashizmin dhe sfidoi komunizmin dhe një prej figurave më qendrore dhe emblematike të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, është shprehur se Konferenca e Pezës i dha karakter kombëtar luftës kundër nazifashizmit, duke e renditur Shqipërinë në krahun e duhur të koalicionit të madh antifashist. Ai ka deklaruar se jo të gjithë mbetën të kënaqur me Konferencën e Pezës, por aty nisi dhe mirëorganizimi ushtarak i vendit, për t’i bërë ballë forcës armike. Gjenerali ka rrëfyer me detaje se si u krijuan çetat partizane dhe si u bë organizimi i ushtrisë. Parllaku ka folur dhe për Konferencën e Mukjes, e cila erdhi pas asaj të Pezës. Por, ai ka deklaruar se kjo konferencë erdhi për të ndarë pushtetin, pasi nazifashistët po shkonin drejt kapitullimit. Sa i përket rolit të Ballit Kombëtar, Gjeneral Parllaku është shprehur se ata kanë qenë bashkëpunëtorë të pushtuesve.

-Gjeneral Parllaku, si protagonist i lëvizjeve të asaj kohe dhe i luftës, çfarë impakti pati Konferenca e Pezës në rezistencën ndaj nazifashistëve?
Konferenca e Pezës është si gjithë konferencat, kongreset që kanë ndodhur në historinë e kombit tonë. Gjithnjë kur ka pasur nevojë kombi, janë bërë kuvende, janë mbledhur njerëzit dhe kanë vendosur për fatet e vendit. Përmendim Kuvendin Lidhja e Prizrenit, që është kulmi, Lidhja e Pejës dhe kuvende të tjera të vendit tonë. Edhe Konferenca e Pezës lindi si nevojë e bashkimit të popullit; pa bashkim nuk mund të thuash që e do fitoren. Bashkimi është baza e fitores! Dhe Konferenca e Pezës lindi si nevojë e bashkimit kombëtar për luftën antifashiste. Iniciativën, patjetër që në radhë të parë e mori Partia Komuniste, pasi ishte bërë një lëvizje e organizuar në vendin tonë në luftën kundër fashizmit. Atë meritë e ka. Gjeti gatishmërinë e shumë personaliteteve politike, kombëtare, që t’i bashkoheshin konferencës dhe morën ato vendime që konferenca pati: Për një Shqipëri indipendente, të pavarur dhe të pandashme. Momenti ishte tamam kur lëvizja kishte filluar, sidomos ana rinore. Gjithnjë, rinia është ajo që merr flakë më shpejt, mobilizohet më shpejt. Lëvizja në Shqipëri ka lindur në shkollat e mesme, ato u bënë bazë për lëvizjen kombëtare. Që më 7 prill shkollat u ngritën në këmbë, në protesta. Pas 7 prillit, shkollat iu kundërvunë dhe drejtorëve italianë, gjuhës italiane dhe pushtimit. Këto shkolla krijuan atë ndjenjën e lëvizjes dhe bashkë me to morën dhe formën e organizimit jo të plotë. Konferenca e Pezës hodhi bazat e një organizimi kombëtar të lëvizjes. Kështu do ta quaj që, bashkimi kombëtar i ka themelet në Pezë. Personalitetet që kanë marrë pjesë dihen, kanë qenë patriotë, intelektualë, si njerëz të tjerë që kanë pasur ndjenja kombëtare për të luftuar kundër fashizmit. Pas Konferencës së Pezës, lëvizja mori një zgjerim tjetër. Filluan të krijohen baza nga Jugu në Veri, dhe vetëm gjatë vitit ’42 janë ngritur 22 çeta partizane nga Konispoli në Tropojë. Filluan të krijohen Këshillat Antifashistë Nacional Çlirimtarë, që u bënë një bazë për lëvizjen në Shqipëri. Filloi të marrë formë organizimi ushtarak. Nuk po mbeteshin vetëm çetat partizane, por filluan të krijohen çetat territoriale, si dhe ato të fshatit. Filluan të krijohen batalionet e organizuara. Pra, lëvizja filloi të marrë frymë dhe të hapet në të gjithë vendin.

-Cilat ishin vendimet më të rëndësishme të Konferencës së Pezës?
Po e them me dy fjalë: Bashkim pa dallim feje, krahine dhe ideje! Por në rezolutë thuhet: “Shqipëri e pavarur, indipendente, e pandashme dhe demokratike”. Këto janë të rezolutës, nga aq sa më kujtohen tani. Ky është qëllimi, pra të kemi një Shqipëri të lirë, të pavarur, të pandashme, indipendente dhe demokratike.

-A arriti Konferenca që të bashkojë përfaqësuesit e të gjitha grupeve politike?
Atje u përfaqësuan të gjitha grupet. Hysni Lepenica ishte nga Balli Kombëtar. Pati dhe persona të tjerë si Bumçi, Qafmolla, Haxhiu, etj., të cilët ishin patriotë të vendosur për luftën kundër fashizmit. Partia u përfaqësua nga Ymer Dishnica, që ishte kryesori. Por, çfarë realisht solli konferenca? Konferenca solli zgjerimin e Lëvizjes Antifashiste Nacional Çlirimtare në të gjithë vendin. Jehona e Konferencës së Pezës shkoi kudo në Shqipëri dhe predispozicioni i njerëzve bëri që brenda vitit ’42 të krijohen 22 çeta partizane. Kjo i dha hov tjetër luftës. U krijuan njësitë guerile në qytete, çetat partizane në krahina, pra pati një shtrirje të luftës. Si u prit? Populli ishte i predispozuar për luftën, e tregoi që kur erdhi fashizmi. U ngrit gjithë populli në këmbë, tjetër gjë që nuk e drejtoi Zogu, por populli ishte i predispozuar. Unë në atë kohë jam ndodhur në Selenicë të Vlorës dhe u ngritën të gjitha krahinat, edhe unë bashkë me ta, zbritëm për të kërkuar armë. Qëndruam tre ditë në rrugët e Vlorës. Demonstrata vinte e shkonte me thirrje: Armë, armë! Pra, populli ishte i gatshëm për të luftuar dhe mbrojtur vendin. Drejtimi i Zogut mungoi dhe nuk u arrit. Megjithatë, nuk u shkel Shqipëria pa gjak. Musolini tha se do të na presin me lule, këtu u pritën me plumba. Sado pak, qoftë një rezistencë në Vlorë, ajo e Durrësit, qoftë e Shëngjinit, qoftë e Sarandës, pati përpjekje, ata njerëz që ishin për luftë u përpoqën. Pra, predispozicioni ishte, rinia u bë nismëtare, bashkë me profesorët. Pjesa e mirë e profesorëve ngritën shkollat në protesta, në demonstrata. Këtu fillon historia, se lufta fillon në qytet, shkon në fshat, pastaj kthehet në qytet. Edhe tek ne, filloi nga njerëzit e kulturës, pastaj vazhdoi me fshatin dhe në të gjithë vendin. Po të marrim gjendjen në Shqipëri, lëvizja mori hov të veçantë. Pezën e kemi në shtator dhe më pas filloi një situatë tjetër. U krijuan reparte partizane që vepronin brenda qarkut. Nëse çeta mbetej brenda komunës dhe krahinës, u krijuan batalionet. Batalionet vepronin në të gjithë qarkun. Në prill, maj, qershor, në të gjithë Shqipërinë, lindën batalionet partizane. Lindi lufta, u zhvillua ushtria. Mori karakter të organizuar. Duke marrë lufta karakter të organizuar, çoi në krijimin e Shtabit të Përgjithshëm. Duhej të kishte një qendër ta drejtonte. Deri këtu vijmë me luftën e drejtuar nga komitetet e partisë në qarqe.

-Kur filluan devijancat e para pas konferencës dhe çfarë kundërshtish pati?
Devijanca, mendime e kundërshti ka pasur, që te konferenca dhe pas konferencës. Por nisën kryesisht kur u krijua Balli Kombëtar. Ka pasur edhe njerëz të tjerë që kanë pasur pikëpamje ndryshe. Nuk mund të them se u pajtuan Bajraktarët e Veriut me konferencën, që të jemi realistë. Një pjesë e mirë u bashkua me okupatorin. Një pjesë tjetër mbeti neutrale dhe nuk mund të thuhet që menjëherë konferenca gjeti mbështetjen e të gjithëve. Konferenca erdhi duke u rritur. U ngritën repartet partizane, u shtri lufta, u rrit influenca dhe ndikimi për të përfshirë gjithë popullin. Kjo çoi në Konferencën e Labinotit, në krijimin e Shtabit të Përgjithshëm. Që këtu Lufta Nacional Çlirimtare merr karakter tjetër. Krijohen komandat e qarqeve. U krijua Brigada e Parë, batalionet ishin pothuajse në të gjitha qarqet. Që nga Shkodra në Tropojë, Kukës deri në Jug, ku qe lëvizja më e zhvilluar.

-Pas Konferencës së Pezës erdhi ajo e Mukjes...
Përpara se të shkojmë te Konferenca e Mukjes, duhet të shohim se si shkoi lëvizja nga Peza deri në Mukje. Mukja vjen në prag të kapitullimit të Italisë, kur Lufta Nacional Çlirimtare ishte përhapur në të gjithë Shqipërinë. Në Shqipëri ekzistonin krahina të lira, si krahina e Lumit të Vlorës, Kurveleshit, Zagorisë, Pezës. Janë gjithë ato operacione të italianëve për Pezën dhe Peza ishte e lirë, këtu në afërsi të Tiranës. Pra kur vjen Konferenca e Pezës, në Shqipëri ke njësi të mëdha. Krijohet Brigada e Parë, ke batalione në luftë, ke këshilla nacionalçlirimtare të krijuara në të gjithë vendin, ke një hapësirë tjetër të luftës. Mukja vjen kur po kapitullonte Italia dhe po fillonte lufta për pushtetin e ardhshëm. Balli Kombëtar dhe partia, që ranë dakord megjithëse u prishën, kishin shpresën se mos anglezët zbarkojnë në Shqipëri. Duke qenë se kishin ardhur në Itali, mund të vinin dhe në Shqipëri, ndërsa gjermanët ishin të preokupuar për ta mbrojtur bregdetin. Këtu lind që Balli dhe pjesa tjetër e të ashtuquajturve nacionalistë ishte që po të vinin anglezët, të ishim dhe ne në pushtet. Partia Komuniste mori pjesë, mirëpo kur e pa që këtu mund të vinte ndarja e pushtetit, Enveri për pushtetin mund të vriste dhe Mulla Halilin. Pra, pse u prish Mukja? U prish për pushtetin. Edhe njëra anë ishte për pushtetin, edhe ana tjetër ishte për pushtet. Se në fund të fundit edhe lufta për pushtet bëhet. Bëhet për çlirim, por bëhet dhe për pushtet.

-Domethënë, grupi i Ballit dhe nacionalistët pritën dhe qëndruan si neutralë dhe pritën se kush do dominojë...
Gjithë parullat dhe thirrjet e tyre kanë qenë që po sakrifikohet rinia, të presë, vijë koha dhe të ngrihemi. Por kë të prisnim? Kurse ne ishim, u shkel vendi? Lufta duhet të vazhdojë. Kur je i zaptuar nuk ka më se çfarë të presësh për çlirimin.

-Realisht, Balli Kombëtar, a ka bashkëpunuar me pushtuesin dhe në çfarë forme?
Unë me organizatën time, komandantin e Ballit për Jugun, Hysni Lepenicën, e kam bërë dëshmor me 30 vetat që janë vrarë atje. Pse? Sepse sa qenë italianët në Shqipëri, sa qe Hysni Lepenica komandant i Ballit për Jugun, ne nuk kemi pasur përplasje me Ballin. Përkundrazi, në luftë kundër mercenarëve të Halil Alisë, Hysni Lepenica ka qenë me ne bashkë në luftë. Pastaj, debate ne kishim më shumë, ata kishin më pak, ajo ishte luftë popullore. Edhe ne një çetë kishim kur luftuam me ata, por erdhi gjithë populli në mbështetje të luftës. Sa ishin të këtij, unë nuk i numëroj, por di që Hysni Lepenica ishte bashkë me Hysni Kapon në luftë kundër mercenarëve. Përzumë karabinierinë nga Selenica, Hysni Lepenica ishte me ne. Luftuam në Patos, Hysni Lepenica ishte me ne. U vranë Gostinishti dhe heronjtë tanë, ndërsa atyre ju vra Jashar Cakrani. Pra, Hysni Lepenica në këtë luftë është bashkë me ne. E vranë italianët. Pse vajti e si vajti. Ai vajti për të marrë armë siç vajtëm të gjithë. Kur u prishëm me Ballin ne? Kur erdhi Kadri Cakrani, komandant i Ballit, një kriminel që ka bashkëpunuar me gjermanët. Ka edhe dokumente. E kanë furnizuar me armë gjermanët. Është një periudhë tjetër. Deri në Mukje, ne nuk kemi rënë në luftë me Ballin, megjithëse ballistët na kanë vrarë dy veta. Ne nuk hapëm luftë. A kanë bashkëpunuar? Kanë bashkëpunuar. Ne kemi luftuar me ta, prandaj nuk mund të mohohet. Pse shkuan dhe si shkuan, justifikimet le t’i bëjnë ata. Ne dimë që kemi luftuar dhe kundër tyre. Kur u kthyem në krahinën e Vlorës, gjermanët kishin ngritur Këshillat e Ballit. Erdhëm ne, i përzumë gjermanët bashkë me këshillat. Lufta është bërë. Justifikime mund të bëhen plot.

-Pra, cili ishte roli i Mukjes në luftën për pushtet?
Mukja ishte luftë për pushtet dhe ne prandaj e dënuam. Edhe jugosllavët mund të kenë ndikuar, nuk mund të them që nuk ndikuan. Jugosllavët nuk ishin për një Shqipëri etnike. Trojet shqiptare kush i kishte zaptuar? Ata i kishin zaptuar dhe nuk mund të ishin për një Shqipëri etnike, siç u shpreh Mukja. Patjetër që ndikimi i tyre është.

-Flitet që partizanët dhe komunistët kanë bashkëpunuar dhe me jugosllavët. Si arritën rusët dhe Jugosllavët për të pasur një ndikim të madh për të diktuar më pas dhe se kush do të drejtonte vendin?
Ne e filluam Luftën Nacional Çlirimtare me gjithë kampin imperialist. Në qoftë se ministrat e Jashtëm deklaruan se e njohim luftën e popullit shqiptar, megjithatë anglezët mbajtën një kushtëzim që çështja e kufirit do të shqyrtohej pas lufte. Pse? Sepse i kishin dhënë mbretit grek premtime. U përpoqën grekët në Konferencën e Paqes, por u rrëzua teza e tyre për të marr pjesën e Jugut. Pra, Lufta Nacional Çlirimtare u njoh nga tre të mëdhenjtë. Pse anglezët na mbështetën neve? Ata ishin të interesuar që të zhvillohej lufta në Shqipëri. Ashtu siç ndihmuan jugosllavët. Më antikomunist se Çërçili s’ka patur, por djali i tij ishte pranë Titos. Pse ishte pranë tij? Lufta është llogari. Sa njerëz të mirë do vriten dhe sa do vriten të tjerë. Ai që lufton gjen dhe mbështetje. Dhe pse mbështetjen me armë, me flori dhe veshje na i dhanë anglezët? Sepse ne luftuam. Kjo luftë u kursente gjak anglezëve, se ishte luftë që mbante divizionet të shkonin në divizionin anglez. Gjermanët dhe italianët, forcat që kishin në Shqipëri do i çonin atje. Prandaj, mbështetja e Luftës Antifashiste është interesi i aleancës antifashiste të popujve. Arsyeja që ne u bëmë pjesë e saj, ishte Lufta Nacional Çlirimtare. Pa Luftën Nacional Çlirimtare nuk do të ishim pjesë. Nuk valëvitej flamuri ynë ditën e 9 majit as në Paris, as në Londër, krahas flamujve fitimtarë. Pra, lufta po na çon drejt Evropës. Sot duam të shkojmë në Evropë dhe nuk po shkojmë dot, ndërsa ne me luftë dhe vajtëm në Evropë. Pra, me luftën tonë ne çliruam vendin, ndihmuam Kosovën, ndihmuam popujt e Jugosllavisë dhe aleancën antifashiste dhe për këtë krenohemi ne me luftën. Nuk krenohemi me gjera të tjera, sepse nuk sollëm demokracinë por diktaturën, nuk sollëm bollëkun, por varfërinë.

-Cili ishte roli i Partisë Komuniste në luftë?
Pavarësisht se ne e kemi dënuar, luftën fillimisht e nisi Partia Komuniste. Derisa u krijua Shtabi i Përgjithshëm, drejtimi ka qenë. Këtë nuk mund t’ia mohosh në luftë. Është tjetër gjë të ndash diktaturën me luftën. Lufta është e lavdishme. Jo më e lavdishmja, se atëherë mohohet Skënderbeu që zhvilloi 22 beteja kundër turqve. Mohojmë Lidhjen e Prizrenit, mohojmë ngritjen e flamurit. Pa atë ngritjen e flamurit, pa ato 4 mijë kilometrat e Ismail Qemalit nuk do kishte shtet shqiptar. Kurdët janë mbi 50 milionë dhe sot nuk kanë shtet. Ne aq sa qemë, ai krijoi shtetin. Dhe pa shtetin e Ismail Qemalit, që flasim ne tani 28 apo 29, pa 28 Nëntorin nuk do të kishte 29 Nëntor, se nuk kishte Shqipëri. Një pjesë do ta kishte marrë Serbi, një pjesë do ta kishin marrë grekët, do mbetej një pjesë në varësi të Italisë dhe Shqipëria nuk do të ekzistonte, atëherë ku do të kishte luftë? Do ishim kolonizuar nga italianët.

-Vetë Enver Hoxha, çfarë roli kishte në Konferencën e Pezës?
Enver Hoxha nuk ka qenë komandant i ushtrisë, se ngatërrohet. Komandant ka qenë Spiro Moisiu, zëvendës ka qenë Dali Ndreu. Enver Hoxha është bërë komandat i ushtrisë kur Shqipëria çlirohet. Përmeti e bën komandant. Ai është udhëheqës politik i luftës, që ishte në krye të Partisë Komuniste. Nuk ia mohon njeri që ka qenë në krye të Partisë Komuniste dhe ka qenë udhëheqës politik. Por duhen ndarë gjërat. Ata që janë nostalgjikë të Enverit dhe e quajnë komandant. Komandat ka qenë Spiro Moisiu dhe Enveri ka qenë udhëheqës politik. Këtu është problemi tek ne, se duam të ndërtojmë historinë mbi persona.

-Çfarë ndodhi në Konferencën e Përmetit që Hoxha u bë komandat?
Në Konferencën e Përmetit, Spiro Moisu u bë shef i shtabit dhe ai u bë komandant. U krijuan armatat dhe divizionet. Ishim në çlirim. Kongresi i Përmetit është prelud i çlirimit të vendit. Kush do të ishte festa jonë e çlirimit? Do të ishte çlirimi i kryeqytetit. Gjithë bota e ka, po u çlirua kryeqyteti, çlirohet vendi. Gjërat duhen parë historikisht.

-A janë përkujtuar në mënyrën e duhur heronjtë e luftës?
70-vjetori i çlirimit nuk u festua ashtu siç e meritonte. Kërkesa e Organizatës së Bashkuar të Veteranëve ka qenë. Çfarë bëhet me varret e dëshmorëve, pasi heronjve nuk u dihen emrat? Çfarë u bë? U dhanë 100 milionë lekë dhe shkuan për aheng për rininë, por nuk shkuan te lapidarët, monumentet apo varret e dëshmorëve. A flitet për 70-vjetor të çlirimit? Ai 70-vjetor meritonte tjetër përkujtimore. Kjo nuk u bë siç duhej. Edhe sot e kësaj dite, ne ngulim këmbë. Na vjen mirë që ky kryetari i bashkisë të paktën ka premtuar se do t’i rregullojë varret dhe shpresojmë se do t’i rregullojë. Kur shkuam bashkë me Komitetin e Kosovës, ata nuk gjetën varret e dëshmorëve, të Emin Durakut, Stavalecit, etj., që janë heronj dhe nuk gjen emrat e tyre te Varret e Dëshmorëve. Kur nuk gjenden emrat e dëshmorëve, mendoni se çfarë janë pllakat e tjera! Kur vijnë njerëzit në festën e çlirimit, ata që duan shkojnë të vizitojnë varret. Shohin cili është kujdesi për dëshmorët dhe për luftën. Pra, ne kemi pretendime dhe shpresojmë që edhe këto konferencat dhe përkujtimoret të mos bëhen përkujtimore partie, të jenë përkujtimore shteti. Ka bashki, ka qeveri. Kur bëhen përkujtimoret bëhen shtetërore, se nuk i takojnë një qeverie, i takojnë popullit. Populli nuk shikon partitë, se partitë janë rreth 30. Ata që vijnë me fotografinë e Enverit, edhe vijnë se është parti legale.

-A duhet që Enver Hoxhës t’i hiqen dekoratat e luftës?
Dy herë e kam kërkuar. I vdekurit nuk gjykohet, si gjyq. Por, Parlamenti ka të drejtën t’i heqë titujt dhe gradat. Presidenti nuk i heq dot, se ka të drejtë t’i japë, jo t’i heqë. Kurse Parlamenti e ka këtë të drejtë. Unë dy herë i jam drejtuar, por bien në vesh të shurdhët se ata që janë në pushtet dhe nuk e kanë me interes t’ia heqin. Unë e kam kërkuar, pa marrë parasysh që nostalgjikëve të Enverit nuk u ka ardhur mirë.

Kliti Topalli –Gazeta “SOT”,
15 shtator 2015









Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes