l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

77 vjetori i Brigadës së 18-t Sulmuese - Nga kujtimet e veteranit Uke A. Cami*

PESË MUAJ LUFTIME TË PËRGJAKËSHME TË BRIGADËS së 18 SULMUESE

 

Kronologji

U formua në Sllatinë të Dibrës më 18 gusht 1944 sipas urdhërit të Shtabit të Pëgjithshëm mbi bazën e tre batalioneve, të Dibrës, Martaneshit sipas urdhërit të Shtabit të Pëgjithshëm mbi bazën e tre batalioneve, të Dibrës, Martaneshit, Cermenikës si dhe të partizanëve të ardhur nga krahina të tjera të vendit.
Në drejtimin e Brigadës në ditën e formimit ishin Esat Ndreu, komandant, vëllai i patriotit dhe luftëtarit Elez Isuf Ndreu, Zëvendës komandant Zoi Themeli, Mico Kallamata komisar dhe Sotir Vullkani zëvëndës komisar. Më vonë u bënë ndryshime në komandën e Brigadës. Petrit Dume u bë komandant brigade, Hilmi Causholli, komisar, Xhevdet Petrela, Zëvendës komandant, Teme Sejko, Zëvendës komisar, Milo Qirko Zëvendës komisar. Gafur Korca ishte komandant i batalionit të parë, Qazim Peshku, komandant i batalionit të dytë, Ajet Rusi, komandant i batalionit të tretë dhe Gafur Mehmeti komandant i batalionit të katërt.

LUFTIMET KRYESORE

• Luftimet e kryera së bashku me Brigadën e V Sulmuese në malin e Korabit kundër forcave gjermane që bënë të dështonte faza e fundit e operacionit gjahu i dhelprave;

• Kryerja e disa aksioneve luftarake kundër autokolonave gjermane gjatë tërheqjes në rrugën automobilistike Prizren/ Kukës/ Pukë dhe lufta për clirimin e Kukësit;

• Luftimet përtej kufirit shtetëror për clirimin e qytetit të Dibrës së Madhe , për clirimin e Kërçovës dhe të Prizrenit.

HISTORIA

Me 18 gusht 1944 formohet Brigada e 18 Sulmuese me katër batalione, batalionin e Dibrës, batalionin e Martaneshit, batalionin e Çermenikës dhe batalionin e Ri që u formua ato ditë.
Gafurr Korça u bë komandant i batalionit të parë, Rexhep Doda, komisar i këtij batalioni, Ferit Muha nga Bllaca u bë komandant i kompanisë parë në këtë batalion, Uke Cami komisar i kompanisë së parë.
Fill pas formimit Brigada u angazhua në luftime çlirimtare. Me 25 gusht na u dha për detyrë çlirimi i Dibrës së Madhe.
Batalioni i parë u vendos në frontin Bajnisht-Kojnarë, batalioni i katërt u vendos në frontin Bofmollë-Ura e Spiles. Frontet e tjera ishin zënë nga një pjesë e forcave të Divizionit të parë. Pas 24 orë luftimesh forcat gjermane në qytet të ndihmuara edhe nga batalioni “Drini “ i komanduar nga Dilaver Dine, u tërhoqën nga Dibra e Madhe. Dibra u çlirua.
Brigada e katërt shqiptaro-maqedonase e drejtuar nga Qemal e Nexhat Agolli dhe ku bëntë pjesë edhe kushëriri im Esat Cami, mori drejtimin e Strugës dhe më pas të Shkupit.
Brigada e 18 mori urdhërin për të shkuar në drejtim të Kukësit e të Prizrenit, në mbështetje të Brigadës 5 Sulmuese ku Hajdar Dushi kishte hasur rezistencë nga forcat e Muharrem Bajraktarit në Kalanë e Dodës.
Batalioni i parë i komanduar nga Gafurr Korça dhe Rexhep Doda nga mesi i natës filloi marshimin në drejtim të Kalasë së Dodës dhe në orën pesë të mëngjesit sulmon Kalanë, nga Kalla, Vlesha e Sllova dhe nga Zall-Kalisi dhe pas pesë orë luftimesh të përgjakshme u muar Kalaja. Një pjesë e mirë e luftëtarëve nacionalistë u kthyen me ne dhe luftuan deri në fund kundër gjermanëve.
Këtu kemi parë edhe masakrën më të madhe njerëzore, Hajdar Dushin me 22 shokë të vrarë, ndërmjet tyre edhe 2 shoqe partizane, të cilat i kishin xhveshur lakuriq dhe u kishin ngulur nga një hu në prapanicë dhe i kishin mbështetur për shkëmbi. Urrejtja ndaj pushtuesit por edhe ndaj atyre që u shkonin pas si nacionalistë e antikomunistë nuk kishte kufi dhe nuk mund të tregohet. Përsëri njoftohemi se shtabi i brigadës së pestë është në rrezik në fshatin Ujmishtë nga forcat Muharrem Bajraktarit.
Pas rrethimit që i bëmë forcave të Bajraktarit e çliruam shtabin e Brigadës së pestë, por nga kjo brigadë kishin mbetur në luftim 60 partizanë, kryesisht të vrarë nga forcat e Muharrem Bajraktarit. Ja ku kishte arritur vëllavrasja midis shqiptarëve, antifashistëve dhe antikomunistëve.
Populli i kësaj zone më shumë mbështeti Nacional- Çlirimtaren se sa Muharrem Bajraktarin dhe u rreshtua në Brigadën e 24 kundër gjermanëve.
Në këto momente tabllo e luftimeve ishte e tillë: Shtabi i Br18 ishte vendosur në Bicaj, shtabi i Br 5 në Has, ndërsa forcat gjermane dhe mbështetësit e tyre në Kukës e Prizren.
Batalioni parë i Br 18 së bashku me batalionin e Lumës banë një aksion tek kulla e Lumës dhe asgjësuan një repart gjerman që vinte nga Prizreni, ku u kap rob edhe qarkkomandanti i Kukësit.
Batalionit Parë të Br 18 ju dha detyrë të sulmonte Topojanin, Zapodin dhe Dragashin. Në Dragash na u dha urdhëri për të marshuar drejt Kukësit, ku në fshatin Bardhoc bllokuam rrugën automobilistike.
Kishim këputur në mes edhe urën dhe qëndronim në pritje për ardhjen e autokollonës gjermane. Pranë meje ishin Shaqir Shira nga Zall Dardha dhe Jonuz Duka nga Maqellara.
I pari hapi zjarr partizani Dine Rama nga Shumbati. Gjermanët pa urë kalimi ishin të detyruar të zbrisnin nga makinat dhe të zinin front në tokë por koha punonte për ne sepse ne ishim të pozicionuar dhe të gatshëm për të qëlluar. Në një darë të hekurt pas katër orë luftimesh, gjermanëve u vjen përsëri ndihma në njerëz, teknikë luftarake e logjistike. Ndërsa partizanëve pas katër orë luftimeve filluan tu mbaronin rezervat, por edhe tërheqja ishte e vështirë.
Midis Përbregut dhe Bardhocit u organizua tërheqja me luftim, por patëm të vrarë e të plagosur. U plagosën Met Hajrullai, Azis Asllani etj.
Të nesërmen batalioni parë organizoi një aksion tjetër në fund të fshatit Morin ku asgjësohet plotësisht një kompani gjermane por u vra edhe partizani Eles Mena nga Bllaca. Pas tërheqjes nga Dragashi, batalioni i katërt ishte urdhëruar për të sulmuar kalanë e Prizrenit, ndërsa batalioni i parë do të sulmonte Zhurin. Brigada e pestë do të sulmonte Prizrenin.
Pas gjashtë orë luftimesh Prizreni u çlirua. Pastaj të gjitha forcat partizane përqëndrohen për çlirimin e Kukësit. Forcat gjermane largohen dhe përqëndrohen në Shkodër. Ndërsa forcat e Brigadës sonë ndodhen në Luginën e Valbonës në Tropojë, njoftohemi me 29 nëntor se forcat partizane kanë çliruar Shkodrën.
Luftëm e vazhduam kundër forcave që komandoheshin nga Halil Alia, Muharrem Bajraktari, Gjon Marka Gjoni. Në përpjekje me forcat e Halil Alisë u vranë 13 partizanë të batalionit të Tropojës.
Më 1 janar 1945 na u dha urdhëri për të kaluar në Mirditë, batalioni i parë dhe batalioni i katërt i Brigadës 18. Batalioni i parë do të kalonte qafën e Malit dhe batalioni i katërt do të kalonte Qafën e Kumbullës. Bota binte papushim dhe kishte arritur lartësinë dy metra. Duke kaluar qafën vdiqën katër partizanë. Tuneli i dëborës bllokohej në çast. Në krye të kollonës ishin Gafurr Korça, Rexhep Doda, Albert Paparisto, Ferit Muha. Alberti ishte nga Elbasani dhe nuk ishte mësuar me dimra të tillë.
Asnjë shtëpi nuk duket në horizont. Jemi të lodhur e të djersitur. Po na humb edhe shpresa e ndonjë strehimi të afërt. Gjashtëqind partizanë rrezikohen të vdesin në dëborë nga të ftohtit , nga lodhja dhe nga uria. Ky acar ishte edhe më i keq se beteja. Kishim kaluar qindra beteja dhe nuk ishin sprapsur ndersa ky acar e kjo dëborë ishin të tmershme. Ato po na merrnin jetën ngadalë ngadalë. Papritmas hasi në murin e një avllie. U futëm brenda në kasollen e braktisur dhe ndezëm me shpejtësi një zjarr të madh për të shpëtuar nga ngrirja. Disa metra më larg pamë edhe një shtëpi. Ju drejtuam , pjesa e mbetur , se një kasolle nuk mori vetëm dyqind burra. Ishte ora dy e natës dhe thirrja jonë në këtë natë të acartë nuk dëgjohej. Por pas disa thirrjeve e krismave të njëpasnjëshme u dëgjua një zë burri : Kush jeni ? Jemi partizanë, ju përgjigjëm. Hajdeni Bujrum sa të jeni, u përgjigj i zoti i shtëpisë. Jemi shumë or mik. Do tju shpërndajmë në të gjithë fshatin me djemtë e mij, tha burri me bujari. Në shtëpinë e tij u strehua Ferit Lleshi, Hamdi Doda, Pali Carapuli, Sali Hoxha etj. Kështu u shpërndanë dhe kaluan natën të gjithë partizanët. Nuk bahej fjalë për të ngrënë, pasi as fshatarët nuk kishin ç’të hanin për vehte, por vetëm për të futur kokën e për të shpëtuar nga ngrirja e nga vdekja. Pasi dëbora ngriu kalonim mbi dëborë dhe udhëtuam drejt Mallkuqes, Domgjonit, Iballës e Pukës.
Në organizimin e ri të pasluftës Brigada e 18 u caktua të shkonte e të shërbente në Gjirokastër.

*Veterani Uke A. Cami ka qenë komisar i kompanisë së parë të batalionit të parë të Br.18 S dhe kujtimet e tij i ka përmbledhur në librin me titull „Shpirti ynë liridashës‘



 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes