l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Në 105-vjetorin e lindjes të gjeneralit që u burgos dhe internua nga diktatura

GJENERAL NEXHIP VINÇANI, KOMANDANT DHE INTELEKTUAL I TALENTUAR

 

HALIL RAMA*

Nëntë vjet më parë, me Dekret Nr.3578, datë 02.12.2002, ish-Presidenti i Republikës Alfred Moisiu do të dekoronte gjeneral major Nexhip Vinçanin (pas vdekjes) me “Medaljen e Artë të Shqiponjës” me motivacionin: “Për rolin e shquar si organizator dhe komandant gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për vlerat që i dha forcimit dhe modernizimit të ushtrisë shqiptare e sakrificat që i kushtoi demokratizimit të jetës në vend”.

Sot, më 105-vjetorin e lindjes, Presidenti i Republikës Ilir Meta, me propozimin e OBVL(Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ), Shoqatës së Historianëve Ushtarakë dhe Shoqatës Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë, dekoron gjeneral major Nexhip Vinçanin (pas vdekjes) më titullin e lartë “Nderi i Kombit”.

Njëqindepesë vjet më parë, më 10 gusht të vitit 1916, në familjen e patriotit dhe luftëtarit, komandantit Kareman Vinçani, (nga Vinçani i Korçës) erdhi në jetë djali i dytë i tij, Nexhip Vinçani. Ky emër fisnik i ndritshëm sjell në memorien e atyre që kanë kaluar periudhën më sublime, por dhe më të lavdishme të veteranëve të LANÇ, partizanëve e partizaneve të Brigadës IV Sulmuese, emrin e komandantit të tyre të dashur, atdhetarit dhe ushtarakut të talentuar.

Biri i atdhetarit të shquar Kareman Vinçani (Dervishi), pasi mbaroi shkollën fillore në Vinçan, filloi mësimet në Liceun e Korçës. Më pas vazhdoi mësimet në Shkollën Mbretërore Ushtarake në Tiranë dhe i përfundoi në Gjimnazin e Shkodrës në vitin 1939. Ishte shok i ngushtë i Qemal Stafës e Sadik Bekteshit. Nexhip Vinçani studimet universitare i kreu në Romë. Sa dëgjoi kushtrimin e nënës Shqipëri, si gjithë bashkëmoshatarët u kthye në atdhe.

Menjëherë, Nexhipi dhe shoku i tij i ngushtë, Pëllumb Dëshnica caktohen nga Qarkori i Korçës të organizojnë rezistencën dhe luftë kundër okupatorit italian. Familjen e Nexhipit e kishte përshkuar era e barutit në luftën për lirinë e atdheut që në kohën e luftës të rilindësve tanë të shquar për liri e pavarësi kombëtare.

I ati i tij, Kareman Vinçani, luftoi kundër rebelëve të Haxhi Qamilit. Ishte bashkëpunëtor aktiv i Themistokli Gërmenjit, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës, si përfaqësues i parë i n/prefekturës Korçë. Karemani, mik e mbështetës i Fan Nolit, Themistokli Gërmenjit, Bajo Topullit e Mihal Gramenos, do të ishte dhe një antifashist i madh si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar. At e bir qenë pjesëmarrës aktivë në luftën për çlirimin e vendit nga thundra e fashizmit.

Organizator i talentuar i njësiteve të LANÇ Më 28 Nëntor 1941, Pëllumb Dëshnica dhe Nexhip Vinçani folën në një miting kundër okupatorit. Pëllumbi u arrestua dhe u dërgua në Ventontene, Itali, ndërsa Nexhipi me ndihmën e shokëve i shpëtoi internimit. Veprimtaria patriotike dhe atdhetare e Nexhip Vinçanit është shumë e madhe. Ai kishte aftësi, burrëri e trimëri të rrallë. Si organizator i përkryer i LANÇ e shtriu aktivitetin e tij nga fshati në fshat për të rizgjuar traditat patriotike në qarkun e Korçës.

Me pasionin e një nacionalisti demokrat, që në qershor-shtator 1942 krijoi njësitet e armatosura në disa fshatra. Të tilla ishin çetat e Gorës, Mestan Ujanikut, Gorë-Oparit, Malit të Thatë, Vithkuqit e Rrëzës, Kolonjës, Bilishtit e Mokrës me komandant Reshit Çollakun.

Nexhipi, i ati dhe vëllezërit Ali, Skënder, Sami e Sali, si dhe kushërinjtë e tyre, dhanë një ndihmesë të madhe në organizimin e LANÇ në qarkun e Korçës. Aliu – komandant çete në fillimet e luftës e më pas komandant batalioni, Samiu – komisar batalioni, etj.

Për merita të veçanta në organizimin e LANÇ në qarkun e Korçës, për aftësi organizuese dhe komanduese, Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Antifashiste Nacionalçlirimtare e emëroi komandant të Shtabit të Qarkut të Korçës. Nexhip Vinçani, nga viti 1940 deri në maj 1943 ishte drejtues dhe organizator kryesor në qarkun e Korçës, komandant dhe intelektual i talentuar. Në qarkun e Korçës në fillim ai organizoi njësitet e armatosura.

Më vonë, në fillim të vitit 1942 deri në shtator të atij viti punoi në organizimin e çetave, si ajo e Pogradecit, Gorës, Vithkuqit etj., gjithsej 15 çeta partizane.

Në janar-mars 1943 numri i çetave sa vjen e shtohet. Baza politike e këtyre çetave ishin Këshillat Nacionalçlirimtare të zgjedhura nga populli, pothuajse në çdo fshat të qarkut të Korçës.

ORGANIZIMI I USHTRISË SË RREGULLT PARTIZANE

Në maj 1943, filloi krijimi i Ushtrisë së rregullt partizane me krijimin e batalioneve me organika të plota.

Numri i tyre në qarkun e Kor«ës arriti në 8: Batalioni “Themistokli Gërmenji” (Rëzë), “Ali Këlmendi” (Gorë), “Tomori” (Opar), “Çlirimi” (Opar i Poshtëm), “Qamil Panariti (Vithkuq), “Hakmarrja” (Kolonjë), “Fuat Babani” (Devoll) dhe “Bat. Mokrës” (më pas, “Reshit ªollaku”).

Krijimi dhe organizimi i kësaj force të madhe partizane për luftën kundër okupatorit italian e më vonë atij gjerman rritën më tej aftësitë organizuese e drejtuese të Nexhip Vinçanit, i cili afirmohet si personalitet politik i Ushtrisë Nacionalçlirimtare. Mori pjesë si delegat i qarkut të Kor«ës në Konferencën e Pezës bashkë me Ymer Dishnicën (kryetar) dhe Feta Butkën (përfaqësues i nacionalistëve).

Në gusht 1943, në Vithkuq të Korçës formohet Brigada e Parë Sulmuese me mbi 60 % efektiv nga qarku i Korçës. Ndërsa brigadat IV, XV, IX, XX u formuan vetëm me efektiva nga qarku i Korçës. Gjithë kjo forcë e madhe ushtarake, e formuar në qarkun e Korçës tregon më së miri se komandant Nexhipi dhe komisar Pëllumbi, (për hir të së vërtetës) komandonin 1/5 e Ushtrisë NÇL të vendit.

Por le të ndalemi te Brigada IV S e komanduar nga Nexhip Vinçani e Pëllumb Dëshnica. Rruga luftarake e kësaj brigade është mjaftë e suksesshme. Qysh në formimin e saj më 28.12.1943 ajo nuk u mblodh për t’u inauguruar, sepse kishte filluar Operacioni i Madh Armik i Dimrit 1943-‘44.

Batalionet vinin në qendrën e grumbullimit dhe nuk kishin kohë të rreshtoheshin, por merrnin detyrat luftarake për të ndalur okupatorin gjerman që vinte nga drejtimet e Beratit, luginës së lumit Devoll, nga drejtimi i Korçës, Kolonjës dhe Pogradecit, komandant e komisar, Nexhipi e Pëllumbi organizuan bashkëveprimin dhe me forcat partizane të qarkut të Beratit.

Luftimet vazhduan kundër forcave armike pjesëmarrëse në operacion për likuidimin e forcave të Brigadës IV S dhe gjithë qarkut. Në këtë situatë shumë të vështirë të forcave partizane (dimri i egër, mungesa e ushqimeve e veshmbathjes, mjeteve e forcave) u mblodh Shtabi i Forcave dhe të deleguarit për të vendosur.

Nën drejtimin e Koçi Xoxës, të deleguarit e Shtabit të Përgjithshëm që ishin prezent vendosën që forcat partizane të shpërndaheshin e të shkonin në prapavijat e rretheve të tyre, për t’u riorganizuar në pranverë (sikundër ndodhi me brigadat e tjera (ve« Bigatës së parë). Në mbledhje merr fjalën edhe komandant Nexhipi, i cili argumentoi dhe bindi Shtabin e të deleguarit, për të marrë përsipër çarjen e rrethimit dhe nxjerrjen e forcave të Brigadës në zonën e lirë partizane të Beratit.

Në këtë situatë shumë të vështirë spikati dhe njëherë aftësia dhe talenti i komandant Nexhip Vinçanit, i cili duke dhënë urdhrin luftarak për katër batalionet që të kalonin në kundërsulm në tre drejtimet që pengonin avancimin e forcave armike, me zgjuarsi kapi lartësitë sunduese me drejtim kryesor, sidomos Qafën e Becit. Gjithë forcat partizane kaluan në zonën e lirë të Skraparit.

Ky veprim pati efekt jashtëzakonisht të rëndësishëm, përkundrejt propagandës kundërshtare për gjoja, “dështimin dhe shpartallimin e Ushtrisë NªL”.

KOMANDANTI QË MORI PJESË NË 255 DITË LUFTIME DHE BËRI 220 KM RRUGË

Bilanci luftarak i Nexhip Vinçanit është shumë i pasur. Ai mori pjesë në 255 ditë luftime. Është plagosur në luftimet për çlirimin e Pogradecit dhe ka vdekur me plumbin në bark. Komandant Nexhipi ka drejtuar me aftësi të rrallë luftimet që ka zhvilluar Brigada IV S në dy operacionet armike, atë të Dimrit dhe të Qershorit.

Ka marrë pjesë në luftimet e Divizionit të Parë S nga Jugu, Shqipëria e Mesme e deri në Veri, duke përballuar me sukses ofensivën e forcave armike në zonën e Matit e Dibrës. Po kështu, dhe në operacionin “Syri i Kaltër”, operacionin për çlirimin e Peshkopisë që solli dhe dështimin e forcave gjermane, si dhe luftimet në qarkun e Elbasanit në shtator 1944. Por, beteja më e lavdishme e forcave të Brigadë IV S ishte ajo për çlirimin e Tiranës, kryeqytetit të Shqipërisë.

Brigada IV u caktua të sulmojë në pjesën jugore duke filluar nga Kodra e Kopilit (sot Varrezat e Dëshmorëve të Kombit) e kodrat në jugperëndim të qytetit deri në Kodrat e Yzberishtit.

Komandant Nexhipi u caktua zëvendëskomandant i Shtabit Operativ për çlirimin e Tiranës. Luftimet e Brigadës IV S ishin shumë të suksesshme. DIKTATURA IA MOHOI MERITAT GJENERAL VINÇANIT Pas çlirimit të vendit, për merita të shquara gjatë LANÇ, Nexhip Vinçanit iu dha grada kolonel e më pas gjeneral major. Mbasi kreu me sukses Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm “Voroshillov” në BS, Nexhipi dha një kontribut të çmuar për modernizimin e Ushtrisë Shqiptare.

Caktohet zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm dhe më 1956 komandant i Mbrojtjes Bregdetare. Mirëpo, gjithë vlerat e gjeneral Vinçanit, pas çlirimit filluan të zbehen dhe të mohohen, duke e spostuar gradualisht dhe cilësuar “antiparti”, nga diktatura e Enver Hoxhës dënohet padrejtësisht, duke e larguar përfundimisht nga Ushtria. Njëkohësisht dhe familja e Nexhipit, Karemanit, Aliut, Skënderit, Samiut dhe Saliut u përndoqën e u persekutuan nga sistemi i diktaturës.

Vetë Nexhipi, tashmë pensionist dhe i sëmurë, burgoset dhe mbahet padrejtësisht rreth një vit në hetuesi. Në vazhdim, internohet në Grabovë të Gramshit për 5 vjet. Vuajtjet në burg dhe në internim i shkurtuan jetën. Vetëm ardhja e demokracisë bëri që gjenerali i talentuar Nexhip Vinçani të vlerësohet e të integrohet në jetën e pakët që i kishte mbetur.

Në një nga përvjetorët e Brigadës IV në Korçë merr pjesë dhe iu flet bashkëluftëtarëve si komandanti i tyre i dikurshëm, i mohuar nga diktatura. Nexhipi është nismëtar i krijimit të Organizatës të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ (OBVL) dhe si anëtar i kryesisë dha një kontribut të shquar në forcimin e saj. Vdiq në Tiranë më 06.02.1997, duke lënë për historinë e brezat veprën dhe emrin e tij.

Nexhip Vinçani do të vlerësohej dhe nderohej me 11 medalje të larta dhe urdhra nga Kuvendi Popullor i Shqipërisë, me medaljen “Shqiponja e Artë” nga Presidenti i RSH-së, dy herë medalje si pjesëmarrës dhe kontribuues i veçantë në Luftën e Dytë Botërore nga presidentët e Rusisë.

Po kështu, Këshilli i Qarkut të Korçës i ka dhënë titullin “Qytetar Nderi” dhe një rrugë e këtij qyteti mban emrin e tij. Nder dhe lavdi komandantit, gjeneralit të talentuar Nexhip Vinçani!

* “Mjeshtër i Madh”, Sekretar i Përgjithshëm i OBVL-së



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes