l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

MIRËNJOHJE PËR ROLIN DHE KONTRIBUTIN E ISH – KOMANDANTIT TË BATALIONIT IV të Br.XVII

MUHARREM ÇOTA (HOXHË ÇOTA), FIGURË E SHQUAR E TREVËS SË LIBRAZHDIT

Lavdim Çota & Zabit Çuku - Studiues

Në Qarkun e Elbasanit ka zhvilluar aktivitetin një nga patriotët, luftëtarët dhe personalitet i shquar i kësaj zone Muharrem Çota ose i njohur ndryshe Hoxhë Çota.
Hoxhë Çota ka lindur më 16 gusht 1904. Ishte djali i tretë nga pesë djem që kishte Hamit Çota. Familja e madhe e Çotajve u shpërngul nga Elbasani për në Hotolisht, Librazhd në fund të shekullit të 18-të. Hoxha u rrit dhe u edukua me ndjejat më të larta të atdhedashurisë, të trashëguara nga brezi në brez prej familjes, rrethit e tarafi miqësor.
Shërbimin ushtarak e kreu në zonën e Shkodrës dhe komandant i tij ishte Spiro Moisiu, një ushtarak karriere, patriot i madh, që më pas do të bëhej drejtuesi kryesor ushtarak i Lëvizjes NÇ dhe komandant i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë partizane.Spiro Moisiu dalloi tek Muharremi një njeri trim, patriot e të ndershëm që nuk bënte dot kompromis me padrejtësinë. Gjatë kohës së shërbimit ushtarak, Hoxhën e arrestojnë pasi refuzon bashkë me disa shokë të tij të mbanin uniformat me dekoracione fashiste. Komandant Spiro e viziton në qeli dhe e instrukton si të mbrohet në gjyq. “Në gjyq o trim mbrohu me idenë që besimi im fetar nuk më lejon të mbaj këto simbole”. Prej kësaj kohe lindi një miqësi që u mbajt deri në fund të jetës pavarësisht nga pazicionet dhe detyrat që kryen pas çlirimit të Atdheut.
Në fund korrikun e vitit 1943, në pragun e kapitullimit të italisë fashiste, njësitet guerrile të Elbasanit shpërthyen burgun e Elbasanit, ku Hoxha së bashku me dy djemtë e xhaxhait të tij, Ymer e Rrahman Çota gjendeshin të burgosur. Aktiviteti antifashist i Hoxhës ishte i njohur në burg, ku edhe aty, informohej për situatën në të cilën ndodhej vendi, por dhe për aktivitetin e antifashist dhe përpunimin e rekrutimin e sa më shumë njerëzve për të mbështetur lëvizjen.
Dalja e Hoxhës nga burgu u kthye në një manifestim jo vetëm për familjen dhe të afërmit, por për miq e fshatarë të shumtë nga Qarrishta, Dragostunja, zona e Mokrës dhe Çermenikës.
Në Labinot të Elbasanit u takua përsëri me Spiro Moisiun, ish komandantin e tij.
Hoxha u inkuadrua në batalionin partizan të Bërzeshtës me komandant Lyto Leka. Batalioni kishte partizanë nga zona e Librazhdit dhe e Mokrës. Në fillim Hoxha kryeu detyrën e komandantit të kompanisë, më pas me detyrën e zëvendëskomandantit të batalionit. Detyra luftarake bëri të kishte kontakte dhe lidhje me Lyto e Sami Lekën, Dhimitër Shuteriqin, Petrit Hakanin, Qamil Guranjakun, Kadri Hoxhën, Zaim Miftari, Vebi Hoxhën, si dhe me drejtuesit kryesorë të LANÇ-it.

“Operacioni i Dimrit 1943-1944

Forcat gjermane filluan “Operacionin e Dimrit 1943-1944”, me një ofensivë dhe terror të paparë ndaj Lëvizjes NÇ. Në këtë operacion në krah të tyre u rreshtuan forcat balliste dhe kolaboracioniste. Batalioni partizan i Bërzeshtës u vu në një pozitë shumë të vështirë, ashtu si të gjitha formacionet partizane. Forcat balliste duke bashkëpunuar me gjermanët ushtruan veprime terrori ndaj gjithë atyre që ndihmonin me ushqim ose strehim partizanët. Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë NÇ dhe misioni anglez, kishin ngelur të rrethuar në malësitë e Çermenikës.
Rreth datës 7 janar 1944 misioni anglez dhe Shtabi i Përgjithshëm ishin pranë kapjes në zonën e Kostenjës nga gjermanët dhe ballistët e Azis Biçakut. Pati një debati të ashpër ndërmjet krerëve të misionit anglez dhe Enver Hoxhës, për të nisur marshimin në drejtim të Jugut (të kalonin lumin Shkumbin dhe të hidheshin në malësitë e Elbasanit e më pas të Gramshit). Gjenerali nuk pranon të lëvizë nëpër natë, pasi ishte shumë e rrezikshme në një zonë që kontrollohej totalisht nga gjermanët dhe ballistët. Për më tepër ishte e pamundur të kalohej lumi Shkumbin, i cili kishte prurje të jashtëzakonshme dhe ato pak ura që ishin, ruheshin me rreptësi nga gjermanët.
Atë natë ata ndahen, Enveri me pjesën e shtabit të mbetur, pasi asgjësoi materialet që nuk mund ti merrnin me vete, u nis në drejtim të Jugut. Gjenerali qëndroi dhe të nesërmen ra në përpjekje me forcat që drejtoheshin nga Azis Bicaku. Reginald Hilbert në librin e tij “Fitorja e hidhur” ka shkruar: “Ai moment përcaktoi në mënyrë decisive fatin e palëve në luftë dhe pas saj. Nëse Shtabi i Përgjithshëm dhe Enver Hoxha nuk do të kishin marrë aventurën të lëviznin atë natë do kishin pasur fatin e gjeneralit. Por ata shpëtuan dhe jua kthyen reston ballistëve në mënyrën më të tmershme, vetëm disa muaj më vonë duke i shkatërruar totalisht ose i detyruan të iknin në ekzil”.
Pasi plagoset, gjenerali Dejvis, bie në dorë të ballistëve të cilët ngazëllehen me atë që kishin bërë, jua dorëzojnë gjermanëve. Krerët e BK në Tiranë, me në krye Mit’hat Frashërin kur e morën vesh se çfarë kishte bërë Azis Bicaku tmerrohen, por ishte vonë.

Detyra e Br. I S për shpëtimin e Shtabit të Përgjithshëm

Më 11 shkurt 1944, në Kapinovë të Beratit, komandani i Br. I S Mehmet Shehu mori nga Shtabi i Përgjithshëm detyrën e re luftarake për t’i ardhur në ndihmë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇ. Në detyrë thuhej se Komanda e Shtabit të Përgjithshëm kishte mbetur e bllokuar në malet e Shëngjergjit dhe Orenjës të Çermenikës. Prandaj, duhej të arrinte objektivin e caktuar dhe të siguronte kthimin e kësaj pjese të shtabit në Jug. Në letër theksohej se “Shtabi i Përgjithshëm ka ngelë i izoluar, jeton nëpër pyje. Ka rënë disa herë në përpjekje me gjermanët dhe ballistët. Shpëtimin e Shtabit duhet ta bëjë Br. I S. Detyra të mbahet shumë konspirative dhe të mos e dijë kush veç shtabit të Brigadës”.
Detyrën e ngarkuar, shtabi i brigadës vendosi ta kryente jo me të gjitha forcat, por me tre batalione, me një efektiv prej 450 partizanë, të komanduar nga komandanti i brigadës Mehmet Shehu. Batalionet që do të kryenin këtë detyrë luftarake komandoheshin: batalioni i parë-komandant Ndreko Rino dhe zëvendëskomandant Xheladin Beqiri (Karadaku), komisar Ndreçi Plasari; batalioni i dytë-komandant Ferit Radovicka, dhe komisar Lym Shyri (dëshmor), batalioni i tretë nga komandant Gjeli Argjiri dhe komisar Gaqo Shosho. Detyra luftarake u mbajt shumë sekrete.
Në orën 14.00 të datës 26.2.1944, tre batalionet e brigadës u rreshtuan në një shesh të mbuluar me borë, në katundin Çezmë të Mokrës. Duke vlerësuar situatën e rëndë nga moti i ftohtë me dëborë dhe acar, komandanti i brigadës vendosi tu komunikoi detyrën luftarake efektivit, dhe shprehimisht u thotë : “Shtabi i Përgjithshëm na ka ngarkuar me një mision me shumë rëndësi. Kjo barrë i ngarkohet Brigadës së Parë. Përpara nesh mdodhen pengesa gati të pakapërcyeshme, porse ne duhet t’i kapërcejmë; do të udhëtojmë shumë larg, do të kapërcejmë lumenj, male me borë, do të udhëtojmë me ditë dhe me netë të tëra, pa bukë, pa gjumë, zbathur e zhveshur; kështu siç jemi do të ndodhemi në zona të sunduara nga forcat e Ballit, të rrethuar nga ballistë e gjermanë. Kjo është gjendja përpara nesh. Tashti, secili nga ju të mendohet mirë, para se të flasë, dhe të gjithë ata që nuk e shohin veten në gjendje të marrin pjesë në këtë marshim, të dalin mënjanë e të mbeten këtu në Mokër”.
Mënyra me të cilën komandanti Brigadës u komunikoi detyrën luftarake, i elektrizoi partizanët, dhe rreshtimi i forcave u kthye përnjëherë në një miting të fuqishëm. Brohoritjet e partizanëve tregonin vendosmërinë e tyre.
Pasi lanë në Mokër prapavijat e batalioneve dhe disa partizanë që ishin të sëmurë, me gjithë furnizimet e tyre, në ora 15.00 të 26 shkurtit, forcat filluan marshimin drejt Qukësit.

Çfarë ndodhi dhe si kaloi në veri Br. I S, kur të gjitha shtigjet ishin të zëna dhe informatorët e armikut ishin në çdo vend?

Me marrjen e informacionit për marshimin e Br. I S, Hoxhë Çota duke ushtruar autoritetin e tij mori takim me njerëzit më me reputacion, që nuk ishin lidhur me Ballin nga Mokra deri në Qarrishtë. Bëri takime intensive me krerët dhe përfaqësuesit e fshatrave ku do të kalonte Br. I S në inkursionin e saj, për të bindur njerëzit që të mos pengonin dhe të mos sulmonin forcat partizane, pasi BK kishte shpërndarë armë dhe kishte dhënë urdhër që të qëllohet çdo person apo grup i armatosur që do të kalonte nëpër fshatrat e tyre. Ai ju afroi si garanci banorëve që në rast se nuk do të godisnin kollonën e Br.IS, ata (partizanët) nuk do të reagonin dhe dhe nuk preknin asnjë banor apo shtëpi pavarësisht bindjeve apo rreshtimit politik dhe luftarak. Në të kundërt hakmarrja do të ishte e rëndë dhe ai nuk mund të bënte asgjë për ti ndihmuar.
Pranvera e vitit 1944 do të sillte jo vetëm rilindjen e jetës pas një dimri të ashpër, por dhe rigjallërimin dhe përforcimin e njësive dhe strukturave të Ushtrisë NÇ. Menjëherë pas kësaj, fillojnë riorganizimin e batalionit partizan të Bërzeshtës. Reginald Hilbert do të shkruante: “Forcat partizane që gati ishin zhdukur gjatë dimrit tani ishin rritur e organizuar si Sfinksi nga hiri”. Në 26 shtator 1944 në Gjinar të Elbasanit do të formohej Br. XVII S, ku Hoxhë Çota u caktua komandant i batalionit të IV, me komisar Niko Dilon.
Brigada kaloi menjëherë në veprime luftarake në zonën e Elbasanit e Peqinit, bëri pastrimin nga trupat pushtuese dhe kolaboracioniste. Në një nga këto përpjekje në Darsi të Peqinit bie në rrethim dhe plagoset. Në këtë betejë humb jetën duke luftuar si hero djali i xhaxhait të tij, Rrahman Çota.

Në çlirimin e kryeqytetit Hoxhë Çota humbi këmbën...

Disa javë më vonë Br. XVII S mori detyrë për të marrë pjesë në betejën për çlirimin e Tiranës. Detyra e Br. XVII S ishte që me formacionet e tjera partizane të pengonte autokollonën gjermane që tërhiqej nga Veriu i Greqisë, për ti ardhur në ndihmë trupave të rrethuara në Tiranë dhe për t’u larguar për në Gjermani. Disa të ashtëquajtur “historian” theksojnë se gjermanët e kishin rrugë kalimi dhe lufta me ta ishte e kotë. Në bazë të dokumentave forcat NÇ kryenin veprime në kordinim të ngushtë me forcat aleate angleze. Është fakt që në betejën e Krrabës morën pjesë dhe avionët anglezë që mbështetën forcat partizane, duke bombarduar forcat gjermanë. Këto bombardime për fat të keq shkaktuan dëme dhe te forcat partizane pasi informacioni dhe teknologjia nuk ishin këto që janë sot, por dhe forcat që luftonin me njëra tjetrën ishin shumë afër, sa nga njëherë kishte dhe element të luftimit trup me trup.
Batalioni IV i Br. XVII S me komandant Hoxhë Çotën ishte i vendosur në rrugën Fikas-Mushqeta dhe u bë barrikadë e pakalueshme për forcat gjermane.
Në këtë betejë, me datë 14 nëntor 1944 nga bombardimi i avionëve anglezë Hoxhë Çota plagoset rëndë dhe humbet këmbën. E transportojnë me një autoblindë në spitalin e Elbasanit ku pas disa ditësh gjëndja e tij rëndohet dhe këmba e plagosur ju gangrenizua. Çlirimi i vendit do ta gjente në gjëndje të rëndë shëndetësore.
Por Hoxhë Çota e fitoi dhe atë betejë dhe më pas do të nisej për kurim më të specializuar në Ljubjana të Sllovenisë. Marrëdhëniet me Jugosllavinë në atë kohë ishin të mira. Atje Hoxha e operoi përsëri këmbën dhe vuri protezë.
Pas kthimit në shtëpi ai ishte shumë aktiv, duke vizituar shokët e bashkëluftëtarët, por dhe duke dhënë kontributin në ndërtimin e vendit. Ajo që e bën të veçantë Hoxhë Çotën ishte jeta dhe aktiviteti i tij pas luftës. Ai kurrë nuk bëri kompromis me padrejtësinë dhe me idealet e tij.
Në 15 shkurt të vitit 1973 mbylli sytë në paqe një njeri e luftëtar i jashtëzakonshëm, një patriot e atdhetar, por dhe një burrë i madh e fisnik që gjakun dhe kontributin e shokëve të armëve nuk pranoi ta njollosë për interesa e politika të ulta antihumane. Kështu u largua nga jeta një njeri trim, patriot e fisnik.

 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes