l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Një vepër letrare që ju bën nder atyre që vuajtën mizoritë komuniste

“Klithma nga burgu” i Shpendi Topollajt, homazhi më njerëzor

FATMIR MINGULI

Libri me gati 500 faqe “Klithma nga burgu” i autorit Shpendi Topollaj, botim i 2MPrinting, i shkruar nga një mjeshtër i shquar i fjalës dhe mjaft i kulturuar, është ndofta homazhi më njerëzor, më i sinqertë dhe më dashamirës që u është kushtuar vuajtjeve, rezistencës, dinjitetit, guximit, mençurisë dhe idealeve të pastra të të gjithë atyre që provuan llahtarin e krimeve komuniste. Janë të rrallë ata shkrimtarë që si ky autor, në të gjithë krijimtarinë e tyre t`i kenë kushtuar kaq vëmendje këtyre njerëzve të nderuar dhe fisnikë që bënë sakrifica të panumërta vetëm pse nuk u pajtuan asnjëherë me komunizmin. Respekti për ta ndihet i pranishëm në poezitë, tregimet, novelat, romanet, dramat, publicistikat dhe në dhjetra librat me kritika letrare që ky autor ka botuar. Dhe jo vetëm kaq; Shpendi Topollaj, duke qenë pranë tyre, dhe mik me ta, qysh nga përmbysja e sistemit të kaluar, ka qenë një organizator i pashoq në promovimin e veprës së tyre. Librave që ata kanë shkruar rreth asaj që pësuan (kujtime apo monografi), apo dëmeve që iu bënë atdheut nga sundimi i barbarëve të kuq megallomanë, ai u ka bërë jehonë në takime mbresëlënëse në Pallatin e Kulturës “A. Moisiu dhe qytete të tjera, ka botuar pa fund artikuj kushtuar veprës së atyre dhe i ka zgjedhur dhe skalitur pikërisht ata si personazhe të respektuara të gjithë prozës së tij aq të pëlqyer. Arshi Pipa, Dhora Leka, Uran Kalakulla, Hysen Haxhia, Gjergj Titani, Visar Zhiti, Agim Musta, Fatos Lubonja, Saimir Maloku, Enver Memishaj, Gjergj Komnino, Veronika Dafa, Vaso Papaj, Bahri Hoxha, Halim Ramohito, Gëzim Medolli, Uran Butka, etj. janë vetëm disa nga ata, sikurse ai u ka kushtuar gjithë artin e tij qëndrimit trimëror prej njerëzish me karakter të pathyer të Adem Allçit, Hafiz Sabri Koçit, Thoma e Stavri Rafaelit, Trifon Xhagjikës, Fadil Kokomanit, Vangjel Lezhos, Rukie Ramës, Rrahman Parllakut, Petrit Dumes, Abaz Fejzos, Isuf Allamanit, dr. Ludovik Kalmarit, Luigj Benussit, Zoi Xoxes etj. Intelektual demokrat, pa nxitur aspak urrejtje, veç mirëkuptim e falje, sikurse e tregon edhe romani i botuar tash së fundi “Pajtimi”, Shpendi mbetet njëri nga shkrimtarët tanë që ka dhënë një kontribut të çmuar në demaskimin e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Njeri i dashur për këdo, pavarësisht krahut që ata përfaqësojnë, Shpendi e konsideron domosdoshmëri vlerësimin e të përndjekurve politikë dhe dhënien atyre të gjithçkaje u detyrohet ligjërisht shoqëria jonë.


Po mbi të gjitha, ai shpreh bindjen se ata duhet të zenë vendin që u takon në shoqëri, pas atyre që kaluan burgjeve e internimeve, ku u shkoi mes përbuzjes rinia, deri dhe fëmijëve të tyre. Është kjo arsyeja që ai, në një shënim në faqen e pasme të kopertinës shkruan: “U përkulem me respektin më të madh, të gjithë ju motrave dhe vëllezërve që vuajtët pa asnjë faj, tmerret e burgjeve komuniste; por ta dini se Atdheu u ka nga bijat dhe bijtë më të mirë dhe populli do t`u jetë përherë mirënjohës për gjithë sa bëtë që liria dhe demokracia të lulëzojnë edhe te ne si në të gjitha vendet e qytetëruara”. Realisht, nuk tingëllon aq mirë kur sheh se edhe pas tridhjetë vitesh demokraci ka ende probleme në trajtimin e tyre. Por për këtë autor, nuk është vetëm kjo; ai në të gjitha shkrimet e tij, duhet se shqetësohet për atë që njerëzit duket se janë të prirur të harrojnë, dhe kjo do të qe fatkeqësi e madhe. Nga ana tjetër, ai merakoset edhe për faktin se brezi që nuk e jetoi atë diktaturë të pashembullt, nuk e di se ç`ka ngjarë, sikurse edhe nuk i besohet se shteti mund t`ua nxinte jetën deri në atë shkallë, qytetarëve të tij. Ka botuar vite më parë Sh. Topollaj librin me epigrame “Ishte koha kur…”, një libër që do të ishte i domosdoshëm të gjente përhapje të gjerë, deri edhe në shkollat tona. Fundja, pikërisht këtë synim ka pasur edhe libri i nobelistit rus Aleksandër Sollzhenjicin, të cilit ai i referohet herë pas here. I referohet, pasi në krimet e tyre, diktaturat ngjajnë. Ca më shumë ajo jona me atë të Josif Stalinit, të cilin Enver Hoxha e quante babanë e tij shpirtëror dhe me të cilin i lidhte ideologjia e përbashkët. Duke ditur sesa i nevojshëm është demaskimi i asaj ideologjie që jo vetëm solli aq mjerime, por edhe e ndau dhe përçau mizorisht popullin tonë, Shpendi ka analizuar me kompetencë, fakte, thellësi argumenti dhe kurajë të admirueshme librat demagogjikë të Nexhmije Hoxhës, Liljana Hoxhës, Kiço Mustaqit, Rrapi Minos, Feliks Tuçevit ( Felix Tchouev: “Biseda me Molotovin”), çiftit francez Elisabeth dhe Jean - Paul Champseix etj. Në këtë këndvështrim, pa asnjë ndikim politik, pa asnjë interes a përfitim, pasi veç të tjerash, ai që prej dhjetë vjetësh është në pension dhe po e kalon gjithë jetën në një sipërfaqe prej 50 m2, juristi Shpendi Topollaj, me ndershmërinë e tij, guximin për fjalën e lirë dhe bindjet e pastra për demokracinë, është jo vetëm një njeri i dashur dhe i besueshëm për këdo, por ndofta edhe shembulli që duhet të frymëzojë çdo intelektual të këtij vendi në gjithë krijimtarinë apo qëndrimin e tij. Ja, pse ai ka gjithë të drejtën me vete që të konsiderohet si njëri nga apologjetët më besnikë dhe të paluhatur të të gjithë asaj shtrese që duke qenë aq largpamëse, i pagoi shtrenjtë idealet për të cilat luftoi. Është e vërtetë se ai, bir i njërit nga luftëtarët më të vjetër të Kolonjës dhe një nëne nga familja atdhetare e Agallinjve të Vlorës, që u përndoqën egërsisht nga komunizmi, duke qenë oficer u ndëshkua pa asnjë faj, u la në detyra nga më të ultat, larg gruas e vajzave të tij, iu kontrollua shtëpia, u survejua nga sigurimi famëkeq dhe nuk ju nda “Dosja 2A”. Por, në asnjë rresht të krijimtarisë së tij nuk nxitet përçarja dhe hakmarrja. Ai, herë pas here bën thirrje për mirëkuptim, bashkim dhe vëllazërim. Dhe e gjithë kjo, është e qartë si drita e diellit edhe në artikujt e pareshtur që ai boton në shtypin e ditës. Ja si shprehet ai në njërin prej tyre: “Atdheun të gjithë e duam njëlloj. Nuk duhet harruar se qysh atëherë, në botë, por edhe në Shqipëri ka rrjedhur shumë ujë; koha e gjatë që ka kaluar(se nuk janë pak afro tetëdhjetë vjet), ka qenë mëse e majftueshme, si për të krijuar sekush bindjen e tij, ashtu edhe për të fashitur mospajtimin. Sot ne jemi miqësuar dhe kërkojmë të na pranojnë në aleanca shtete dhe pinjollët e atyre që na sulmuasn me avionë, tanke e topa, që na vranë, na dogjën e na plaçkitën, dhe nga ana tjetër, i bëjmë karshillëk vëllezërve të të njëjtit gjak. A nuk tingëllon si paradoksale kjo? Si do na dukej sikur në Francë fjala vjen, ende të vazhdonin konfliktet dhe stigmatat midis zhirondinëve të moderuar dhe jakobinëve të Robespierit, paçka se këta e kishin përfunduar misionin qysh në fund të korrikut të vitit 1794? Për njerëzit e mençur, nuk mund të vazhdohet në pafundësi kështu. Evropa i ka kapërcyer me kohë ndarjet e tilla. Mjaft me armiq imagjinarë. T`i shtrijmë dorën e miqësisë njëri - tjetrit”.
Për të qënë deri në fund të vërtetë, duhet pohuar se domosdoshmëria e këtij bashkimi ka qënë kredua e të gjithë atyre personazheve për të cilët flet Shpendi. Dhe Shpendi i portretizon ata si mendimtarë, si intelektualë me formim perëndimor, për të mos thënë se disa prej tyre si Arshiu, Kalakulla, Lubonja, Hafizi, Dhora, Titani, Visari, Komninua, Zoi, Butka, kishin format filozofi. Kundështimi i tyre me sistemin ishte ai i ndeshjes së ideve dhe mendimeve. Në atë luftë ata nuk ishin në kushte të barabarta, ndaj sakrifikuan aq shumë, pasi ideve të tyre ju kundërvu pushka. Por ja që vjen një ditë dhe ata futen me lavdi në altarin e Kombit, ndërsa xhelatët e tyre mbërthehen në shtyllën e turpit. Dhe duke pasur parasysh se aspiratë e të dënuarve politikë ka qenë edhe bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, kushtimi i këtij libri Heroit Ramush Haradinaj, është një gjetje mjaft domethënëse, ashtu sikurse është kuptimplotë edhe gatishmëria e Institutit të të Përndjekurve Politikë me në krye zotin Bilal Kola për ta botuar këtë libër me kaq vlera, libër i cili duket si një piedestal për monumentet e atyre që bënë aq shumë për atdheun e tyre.

 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes