l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Në jetën shoqërore është promotor i organizimit dhe zhvillimit të mjaft veprimtarive

Shpendi Topollaj, një jetë duke shkruar...

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Romani që bën apel për pajtim

Shpendi Hulsi Topollaj ka dalë para lexuesit me romanin “Pajtimi”, një vepër pranë realitetit të sotëm në Shqipëri. Romani na vjen në një kohë kur pas një periudhe tridhjetëvjeçare ende vazhdon përplasja klasore mes forcave politike. Në këtë vepër shfaqet ajo shtresë shoqërore që vuajti në sistemin e kaluar. Vet romani “Pajtimi” është një apel për kohën që jetojmë. Autori, gjatë gjithë trajtimit të subjektit bën thirrje për këtë domosdoshmëri shoqërore dhe politike. Ai shtjellon përmes një subjekti i cili rrjedh natyrshëm, ngjarje në detaje dhe në fun apeli tij për ta lënë pas të kaluarën, por të mos e harrojmë, për integrimin e vendit në familjen europiane. Autori e ka ndërthurur këtë mision në veprën e tij nëpërmjet të besuarve të mendimit intelektual, të cilët ishin të dy pjesëmarrës në të kaluarën e përbashkët. Personazhet kryesorë me qendrime dhe bindje të ndryshme politike, përsëri bashkëjetojnë në të sotmen. Në roman ka ndodhira dhe degëzime, fenomene, ngjarje dhe personazhe. Boshti i romanit ndërtohet nga veprimtaria e dy personazheve kryesore, Jakov S dhe Bedri B; të dy këta personazhe janë njerëz të letrave, por kanë qëndrime të ndryshme. Jakov S ndikoi në burgosjen e Bedri B. Ky pas burgut dhe përmbysjes së regjimit, nuk ngurron të botojë shkrime ndaj Jakov S.
Për t’i dhënë fund luftës që dy personazhet kanë bërë për vite me radhë, Shpend Topollai jep në roman çelësin në një rrethanë njerzore. Nga një ftohtësi midis dy personazheve, na vjen një ngrohtësi dhe lirizmi, pasi vjen një kohë dashurie midis djalit të Jakov S dhe vajzës së Bedri B. Dashurinë mes dy të rinjëve, autori e ka përshkruar bukur dhe i ka dhënë ftohtësisë, dashuri dhe e përkrah dashurinë e tyre si simbol të bashkimit dhe të pajtimit.
Kjo dashuri mes të rinjve, pa u ndikuar nga e kaluara e prindëve të tyre, na jep një të ardhme për një angazhim të përbashkët. Kështu dy të rinjtë dalin si garant për unitet, larg bindjeve politike.
Autori në roman shtjellon edhe linja të tjera nga realiteti ynë aktual. Në roman trajtohen probleme aktuale si korrupsioni, i cili shfaqet përmes ndërtimit të një hoteli me para të pista, përfshirjen e deputeti N, fenomene si matrapazllëku dhe manipulimet etj.
Autori trajon edhe fenomenin e garancisë për të ardhemne dy familjeve. Kështu, për të qenë të siguruar në çdo qeverisje, dy vëllezër bëhen anëtar partie kundërshtare njëri me tjetrin. Sh.Topollaj përmes takimeve të ndryshme, bisedave dhe dialogjeve të shpeshta, nuk ka nguruar të shprehet hapur për shumë probleme të kohës, por dhe të tërheqë vëmendjen për të mos u përsëritur dukurit negative të regjimit të kaluar.
Në roman autori ka përshkruar mjaft skena që të ngelen gjatë në mendje, si veprimi i kryetarit të degës së brendshme, përpjekjet për të rekrutuar mësuesin Hajdar Sh, tortura në burgje, dëbimi dhe internimi i familjes së Kristaqit etj. Autori ka ditur që me mjeshtëri të ngrihet në lartësinë e gjykimit dhe me këta njerëz, që provuan dhunën në diktaturë, të gjejnë forca për të falur, për t’i çuar brejt bashkimit dhe aktit të madh të pajtimit. Ky është një apel që përshkruan tërë romanin e shkrimtarit Shpend Topollaj.

Njohja me Shpendi
Hulësi Topollaj

Shpendi Hulësi Topollaj ka lindur më 14 shkurt 1947 në Berat. Babaj i tij, Hulësiu, ka qenë partizan nga të parët, e më pas oficer, jurist dhe shkrimtar. Ai ishte nga Novosela e Kolonjës, kurse nëna, Hatiqeja, ishte nga fisi i dëgjuar për atdhetari i Agallinjve në Vlorë. Fëmijërinë dhe rininë e ka kaluar në Shkodër dhe Tiranë. Me përfundimin e shkollës 7-vjeçare “Misto Mame”, në Tiranë nis studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej, të cilën e mbaron në vitin 1964. Me tej vazhdon Shkollën e Bashkuar të Oficereve dhe në vitin 1966 titullohet oficer këmbësorie. Emërohet në repartet ushtarake të Durresit, ku ka kryer detyra të ndryshme, instruktor i stërvitjes me universitarë, shef i stërvitjes në Brigadën e Katërt të Mbrojtjes Bregdetare, komandant batalioni etj.
Kur babai u godit si bashkëpunëtor i “grupit puçist”, me argumentin se kishte shkruar 10 vjet më parë një libër për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, dhe ku midis të tjerave lartësonte figurën e Heroit të Popullit, Petrit Dume dhe të tjerë të luftës nga Kolonja, ulet në detyrë të ulët, dhe punon në një repart ushtarak të largët, ku qëndron për rreth njëzet vjet. Por, Shpendi me formimin i tij intelektual, me edukatën e marrë nga familja dhe me përkushtimin në detyrë, shquhet për rezultate shumë të larta. Në punën e tij ai ka shfaqur talent, kulturë, guxim, ndershëri dhe shpirt krijues duke realizuar të gjitha detyrat ushtarake. Në gjithë veprimtarinë dhe punën e tij ka gëzuar respektin e shokëve dhe vartësve, oficerë dhe ushtarë. Më këmbëngulje kryen studimet në Universitetin Shtetëror të Tiranës, në Fakultetin e Shkencave Politike-Juridike. Ai studion me pasion, artin ushtarak, fushën e letërsisë, artit dhe të historisë etj. Me gjithë vështirësitë, Shpendi Topollaj ishte nga kuadrot e parë të ushtrisë që mbeshteti proceset demokratike në vend, duke shfaqur kurdoherë mirëkuptim. Në këtë kohë i jepet grada ushtarake nënkolonel dhe caktohet me punë shef i Mbrojtjes Civile të rrethit të Durrësit. Me përfundimin e karrierës ushtarake, caktohet në detyrën e Shefit të Seksionit të Mbrojtjes Shoqërore në Këshillin e rrethit të Durrësit.

Promotor i organizimit të veprimtarive

Në jetën shoqërore ai bëhet promotor i organizimit dhe zhvillimit të mjaft veprimtarive, kushtuar figurave të shquara dhe promovues i krijimtarisë letrare të autorëve të ndryshëm durrsakë. Këto veprimtari kanë qenë mbresëlënese dhe kanë gjetur pasqyrim në stacionet televizive, në radio dhe gazeta. Më tej ai punon në Gjykatën e Rrethit, si jurist për 7 vite me radhë, si dhe për 12 vite ka kryer detyrën e Përmbaruesit gjyqësor, ku dhe doli në pension. Gjatë tërë veprimtarisë së tij ka kryer detyra shoqërore, si anëtar i Kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve në Durrës, nënkryetar i Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi”, kryetar i degës së kësaj shoqate në Durrës, anëtar i Kryesisë së shoqatës të miqësisë Shqipëri - Rusi, nënkryetar i degës së SHKUR-it, sekretar i shoqatës të Intelektualëve në Durrës, anëtar i Këshillit Kombëtar të OBVL, nënkryetar i Shoqatës Kolonja, dega Durrës etj. kohët e fundit është zgjedhur kryetar i Bordit drejtues të teatrit “A. Moisiu”, është shpallur “Ambasador për Paqen”, i është dhënë titulli “Noble Peace Personality Aëard” nga Ëorld Parliment For Peace dhe njëkohësisht është zgjedhur nënkryetar i Federatës së Paqes Universale, dega Durrës.
Pas viteve ’90 të shek. XX fillon të shkruaj dhe të botojë krijimtari të mirëfilltë letrare, thuajse në të gjitha zhanret e letërsisë, si poezi, tregime, novela, romane, publicistikë, kritike letrare, drama etj., dhe mjaft artikuj të shkruar e botuar në shtypin e kohës. Disa nga librat dhe krijimet e tij janë përkthyer në gjuhë të huaja dhe botuar jashtë vendit duke u vlerësuar nga kritika e specializuar dhe lexuesit. Në nëntor 2015 nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusise i është dhënë çmimi “Pushkin” me motivacionin “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit”.
Ndërsa për krijimtarinë e tij, jane botuar librat “Të shkruash në liri - Shpendi Topollaj: poeti, prozatori, kritiku, njeriu”, “Liria e të shkruarit” dhe “Kur bashkohet mëndja me zemrën”. Nga mjaft studiues është vlerësuar për cilësitë e tij të rralla artistike, tematikën e zgjedhur dhe mesazhet që përcjell, nga pena të njohura. Në libri “Ishte koha kur...”, kritiku Kostaq Xoxa ka shkruar: “Autor i palodhur dhe i talentuar i letrave shqipe të kohës së pasdiktaturës, Shpendi Topollaj, të befason me prodhimtarinë e tij aq të shumëllojshme në gjinitë letrare më të larmishme: në poezitë, në tregimet, në novelat, dhe në romanet e tij; në kritikën letrare, në zbulimin, e thesareve të lashtësisë dhe veçanërisht të mitologjisë greke; në reportazhin artistik, në pasqyrimin dhe portretizimin e figurave të nëpërkëmbura nga një sistem totalitar gjysmëshekullor...”.

Në vepra ka frymë njerëzore

Krijimtaria e tij është e gjithanshme, ka vëllime me tregime e novela, libra me poezi, romane, përmbledhje me kritika letrare, monografi, artikuj të panumërt nëpër faqet e shypit etj. Ka botuar këto libra: “Lirikat e zemrës”, poezi, përkthyer në italisht (1996); “Gjithë dashuritë e mia”, poezi (1996); “Akropol për të gjithë”, poezi, përkthyer në greqisht (2000); “Mjaft u grindën Perënditë”, poezi (2001); “Tekat e Perendive”, poezi (2004); “Magjistari i dashurisë”, poezi (2004); “Kumtë nga Olimpi”, poezi (2009); “Ishte koha kur...”, poezi epigramik (2011); “Metaforë malli”, poezi me bashkëautorë (2013); “Perla më e bukur”, poezi (2014); “Ironia e moshës”, poezi të zgjedhura (2015); “Rrëfimi i Kapitenit”, tregime, përkthyer në frëngjisht (1998); “Një njeri i çuditshëm”, tregime (2007); “Fisniku dhe horri”, tregime dhe novela (2008); “Autografi”, tregime (2011); “Arratisja”, tregime (2011); “Amaneti”, tregime, përkthyer në rumanisht (2014); “Adulteri”, tregime (2012); “Allamanet”, novelë, (përkthyer në italisht dhe gjermanisht (2008); “Pushkatimi”, novele, përkthyer në italisht dhe rusisht (2008); “Ahu në mes të pyllit”, tregime e novela të zgjedhura (2015); “Mobiliet e vjetra”, tregime, përkthyer në rusisht (2019); “Kurva”, novele, përkthyer në rusisht (2012); “Lotët e zambakut”, roman, përkthyer në rusisht (1998); “Mashtruesi”, roman (2006); “Mallkimi”, roman (2010); “Luani i kafazit”, roman (2011); “Zhgënjimi i partizanit të Gramozit”, roman (2011); “Unë kam qenë në Mat’hauzen”, roman (2013); “Biri i Golemit, Adem Meta”, roman (2015); “Jetoj në kujtimet tuaja”, monografi (2016); “Romancë me letra dashurie”, roman (2018); “Pajtimi”, roman (2021); “E përdala”, dramë (2020); “Ata ishin njerëz”, dramë (2020); “Flakët e fjalës”, kritika letrare (1998); “Jemi vëllezër”, kritika letrare (2000); “Shoku më i mirë”, kritika letrare (2002); “Paqja-virtyt i civilizimit”, kritika letrare (2003); “Triumfi i arsyes”, kritika letrare (2004); “Porta e dijes”, kritika letrare (2007); “Vepra dhe vlera”, kritika letrare (2008); “Armiq pa dashje”, kritika letrare (2009); “Vagoni i mallrave”, kritika letrare (2011); “Homazh librave”, kritika letrare (2012); “Libri si Papirus”, kritika letrare (2013); “Kur qesh dhe qan Kadare”, kritika letrare (2013); “Vargmali i letrave”, kritika letrar (2014); “Stile dhe Lapsa”, kritika letrare (2014); “Po thahet shpirti”, kritika letrare (2016); “Shkolla ime “Skënderbej”, kritika letrare (2017); “Urat e librave”, kritika letrare (2017); “Purgatori i librave”, kritika letrare (2018); “Flas për ju”, kritika letrare (2019); “Jehona e librave”, kritika letrare (2019); “Esse rreth shprehjeve mitologjike”, (2019); “Dantja... e të tjereë”, kritika letrare (2020); “Shejtoret e letrave”, kritika letrare (2020); “Alternativa e kritikes”, kritika letrare (2020); “Pesha e dinjitetit”, kritika letrare (2020) dhe “Pranë jush”, kritika letrare (2021).
Talenti i tij ka spikatur në çdo libër, në çdo gjini duke e bërë atë tanimë një nga autorët tanë më të njohur dhe të dashur për lexuesit shqiptarë dhe me gjërë, sepse shumë prej tyre janë përkthyer dhe në disa gjuhë të huaja. Të shumtë janë autorët dhe krijuesit që ndjejnë mirënjohje dhe ndaj kritikut letrar Shpendi Topallaj, krijimtaria e të cilëve është e përfshirë në analizat dhe kritikat letrare të tij në shumë përmbledhje, ku shquhet objektiviteti dhe dashamirësia për veprat e kolegëve të tij.






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes