l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Edhe në vitin pandemik të shkaktuar nga COVID-19, OBVL nuk e ka ndërprerë aktivitetin, duke shënuar arritje të dukshme

OBVL, histori suksesi


Nga Maksim VINÇANI
Nënkryeyar i OBVL

Kuvendi i 8-të kombëtar i OBVL (22 maj 2021), është i një rëndësie të veçantë, për vetë momentin historik në të cilin mbahet. Ne mblidhemi në këtë Kuvend, në kohën kur në Shqipëri po zhvillohet Stërvitja me trupa të ushtrisë amerikane “Defender Europe /21, e cila që nga viti 1995, konsiderohet si një nga më të mëdhatë në Europë. Kjo stërvitje, mikpritëse e së cilës është Shqipëria, drejtohet nga Komanda e Ushtrisë Amerikane në Evropë. Stërvitja do të zhvillohet nga 1 maj- 14 qershor të këtij viti dhe do të shtrihet në disa vende të Ballkanit dhe të Detit të Zi.
Kuvendi ynë mbahet vetëm pak ditë nga zhvillimi i zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit. Ne i konsiderojmë këto zgjedhje të një rëndësie të veçantë dhe kërkojmë nga palët kompromisin historik, që ato të shërbejnë për kapërcimin e problemeve të evidentuara në të kaluarën.
Për këtë u bëjmë thirrje organeve kompetente që të avancojnë hetimin dhe ndëshkimin e rasteve të krimit zgjedhor, të denoncuara nga opozita, në mënyrë që kjo t’i shërbejë qëllimit final: përfaqësimit në kuvendin e Shqipërisë të partive, sipas peshës së tyre reale elektorale.
Dy nga pikat e rëndësishme të programit themeltar të OBVL kanë qënë:, rishkruarja me vërtetësi e Historisë së Luftës së II B. në trevat shqiptare, dhe tjetra, synimi që dy organizatat e veteranëve të bashkohen përfundimisht në një të vetme. Organizata jonë nuk i ka rreshtur asnjëherë dhe do vazhdojë përpjekjet për këtë qëllim.
Anëtarët dhe pasardhësit e Komitetit të Veteranëve nuk janë amiqtë tanë, as konkurentët apo rivalët tanë. Baballarët tanë kanë luftuar për atdheun në të njëjtën llogore.
Ndërkohë ne, megjithë tolerancën patriotike, nuk mund të mos distancohemi nga veprimtaria përҫarëse dhe krimet gjatë kohës së diktaturës, si dhe nga historia e shkruar në mënyrë të njëanëshme, ndryshe do pranonim deformimin e të vërtetës.
Mësuam se Akademia e Shkencave ka ngritur grupet e punës për rishkrimin e Historisë së Shqipërisë.
Është detyra jonë që të japim kontributin tonë për të pasuruar projektin e pjesës së periudhës së L.II.B., duke ofruar kujtime apo shënime të paraardhësve tanë, si pjesëmarrës e dëshmitarë okularë të asaj historie, nëpërmjet Gazetës “Veterani”, librave me kujtime të gjeneral Parllakut, apo në mënyra të tjera.
Organizata jonë gjatë këtyre 27 viteve është përpjekur të përkujtojë ngjarjet historike të luftës dhe të mbrojë me konsekuencë të vërtetat e saj, duke luftuar e denoncuar publikisht shtrembërimin e fallsifikimin e historisë.

DISA NGA ARRITJET E OBVL

Megjithëse kaluam një vit pandemik të shkaktuar nga COVID-19, OBVL nuk e ka ndërprerë aktivitetin e saj, duke shënuar arritje të dukshme.
Kështu, me propozimin e Kryesisë së OBVL, Këshilli Bashkiak i Tiranës vendosi të përjetësojë veprën e kryetarit tonë, gjeneral Rrahman Parllaku -Hero i Popullit dhe “Nderi i Kombit” , duke i vendosur emrin e tij një rruge kryesore në Njësinë Administrative Nr,2 të kryeqytetit shqiptar.
Edhe në periudhën e pandemisë VOVID-19, që nga marsi i vitit të kaluar e deri sot, kryesia e OBVL ka funksionuar sipas një kalendari konkret, duke përkujtuar e propoganduar ngjarjet e datat historike, veprimet luftarake të njësive e reparteve. Këtë e kemi bërë në mënyrë të vazhdueshme, sidomos me artikujt përkujtimorë në gazetën tonë “Veterani”.
Organizata jonë, nëpërmjet drejtuesve e anëtarëve të saj u ka bërë një pasqyrim të gjerë mediatik, në të gjitha gazetat e radiotelevizionet, ngjarjeve historike të luftës, kujtimit të heronjve e dëshmorëve.
Bashkëpunim të frytshëm kemi patur dhe kemi me Shoqatën e Veteranëve të LANÇ të Kosovës. Dua të veçoj këtu përgatitjen e dokumentarit kushtuar burrështetasit kosvar Fadil Hoxha, për të cilin angazhuam personalitete të historisë si: prof.dr.Paskal Milo, prof.dr.Nevila Nika, prof.dr.Jusuf Bajraktari, analistin e njohut kosovar Veton Surroji etj.
Gjithashtu dua t’i bej të ditur këtij Kuvendi se aktiviteti i Organizatës tonë është vlerësuar nga Presidenti i Republikës, duke na akorduar tituj nderi e dekorata për personalitete e drejtues të Organizatës.
Dhënia e Dektoratës së lartë “Nderi i Kombit” për Dr.Ymer Dishnicën e gjeneral Rrahman Parllakun, si dhe nderimi me “Dekoratën e Artë të Shqiponjës” i ish-kryetarit të ndjerë, kolonel Myfit Guxholli, Liri Belishovës, Edip Ohrit dhe Hamit Keçit, për kontributin në luftë dhe qëndresën dinjitoze ndaj regjimit komunist; dekorimi i Sekretarit të Përgjithshëm të OBVL, Z.Halil Rama me titullin “Mjeshtër i Madh”, si dhe dhënia e titullit “Nderi i Qarkut Dibër”, nënkryetarit Muharrem Gjoka nga Këshilli i këtij Qarku, ja kanë rritur prestigjin Organizatës tonë të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ.

NDRYSHIM CILËSOR NË STRUKTURËN E OBVL

Organizata jonë, vjen në në këtë Kuvend me një ndryshim cilësor në përbërjen dhe strukturën e saj organizuese e drejtuese. Megjithëse të vonuar, po kurorëzojmë përfshirjen në organizatë të pasardhësve, të parashikuar në Statutin tonë, të miratuar që në mbledhjen themeluese dhe në Kuvendin tonë të parë.
Duke bërë këtë ndryshim në strukturë e përbërje, mendojmë se gjallërojmëOrganizatën, për të përmbushur në vazhdim detyrat fisnike e historike, të kujtimit të atyre që dhanë jetën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazifashistë dhe të atyre që megjithëse bënë sakrifica sublime në luftë, për fat të keq e pësuan nga regjimi diktatorial.
Edhe në të ardhmen do të vazhdojmë të mbrojmë lavdinë e asaj lufte heroike, ta ndihmojmë historinë të thotë të vërtetën.
Këto që thashë, i kemi në platformën e Programin e Organizatës.
Me pjesëmarrjen tuaj në Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, shpresoj dhe besoj se në vazhdimësi, këto detyra do të zbatohen, pasi koha bën të veten; brezi i baballarëve tanë që bënë luftën shkon drejt shuarjes; kjo është e kuptueshme, pionieri i luftës, 13-vjeçari i atyre viteve të zjarrta e të lavdishme, sot është 87 vjeç.
Ju faleminderit që ju përgjigjët ftesës tonë për të marrë pjesë në Organizatë, duke pranuar Programin dhe Statutin tonë, për të çuar më përpara trashëgiminë tonë të vyer, duke ruajtur dhe propoganduar vlerat e LANÇ; vlerat atdhetare patriotike të popullit e kombit tonë. Ky është një Mision Historik, që na nderon të gjithëve.
Që në themelimin e saj para 27 vitesh, Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇl përcaktoi në dokumentat e saj themeluese, vazhdimësinë nëpërmjet pasardhësve të veteranëve.
Në më shumë se dy dekada veprimtari intensive, krahas themeluesve, ish- veteranë të LANÇl, drejtues të spikatur të formacioneve partizane dhe më vonë të ushtrisë shqiptare, si Dr.Ymer Dishnica, gjeneral Rrahman Parllaku, Skënder Malindi, Edip Ohri, Hamit Keçi, Tahir Voshtina, Shaban Reçi, Liri Belishova, Myfit Guxholli, Sami Vinçani, Josif Zegali, Sotir Budina, Genci Ballanca, Fluturak Vinçani, Isuf Imeraj e dhjetra figura të tjera të shquara, pasardhësit e tyre kanë qenë të pranishëm. Dhe jo vetëm si figurantë, apo në sfond, por si pjesë vitale e kësaj organizate me një histori të lavdishme.
Jo vetëm përvoja shqiptare, por edhe ajo botërore evidenton domosdoshmërinë e vijueshmërisë së aktivitetit të organizatave të veteranëve të luftës.
Është fakt që në veprimtaritë e ndryshme me karakter politik, patriotik e social, gjithmonë ka qenë i dukshëm kontributi i madh dhe i përhershëm i veteranëve. Por gjithsesi është e pamundur vijueshmëria e aktivitetit të OBVL, pa e trashëguar traditën tek më të rinjtë.
Kjo, për vetë rolin që kanë pasardhësit edhe për vijueshmërinë e OBVL-së. Në veprimtaritë e organizatës tonë kanë qenë dhe janë prezentë në vijimësi zonjat e nderuara Tatjana Parllaku, Arlinda Keçi, Mirjana Ohri, Tatjana Dishnica, Marjana Zegali, Natasha Tahiri, Bujana Jakova, si dhe zotërinjtë: Sakip Cami, Ilir Malindi, Dashamir Tahiri e disa të tjerë, vajza e djem të themeluesve e drejtuesve të OBVL-së, si dhe ish ushtarakë të devotshëm. Por tashmë, që prindërit sa vijnë e largohen në moshë, është koha që ato të marrin përgjegjësi konkrete në organizimin dhe drejtimin e veprimtarive të kësaj organizate.
Për më tepër, kur si pjesë vitale e saj janë bërë herë pas here edhe ikona të artit e kulturës sonë kombëtare, si artistet e popullit Tinka Kurti, Margarita Xhepa, Rajmonda Bulku, nga pasadhësit e drejtpërdrejtë kërkohet një angazhim më i madh, që ata të trashëgojnë Organizatën e Bashkuar të Veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të popullit shqiptar (OBVL), historia e së cilës është me të vërtetë një hisori suksesi.

PASARDHËSIT, PJESË VITALE E OBVL

OBVL njihet tashmë si organizata që vlerëson lart kontributin e shquar të popullit shqiptar në Luftën e Dytë Botërore, që dënon krimet e komunizmit, që mbështeti fort Luftën e drejtë të UÇK dhe në tërësi çështjen mbarëkombëtare shqiptare. Këto vlera janë përqafuar e propoganduar nga pasardhësit e denjë të veteranëve, si ish ushtaraku, gazetari e shkrimtari i njohur Sakip Cami, nga shkrimtarët, studjuesit e publicistët e mirënjohur Shpendi Topollaji, Halil Rama, Xhemal Meçi, Nikolla Sudar, e Ing.Kol Deda, por janë dhjetra të tjerë, ish ushtarakë të devotshëm, të mirëpritur në radhët e strukturat e OBVL.
Me prurjet e reja në organizatën tonë, si pasardhës, duke na u bashkuar edhe pasardhës të denjë veteranësh, si shkrimtari i mirënjohur Lutfi Hanku, intelektuali Shuaip Methasani, veprimtari shembullor Muharrem Gjoka, Rajmonda Maleçka etj, shpreh bindjen për një të ardhme të sigurtë të OBVL.
Nëse organizata jonë nderohet e respektohet dhe i dëgjohet fjala kudo, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Prishtinë, Gjakovë e Prizren, apo edhe në veprimtari promovuese, siç ndodhi kohët e fundit në promovimet e librave të ish ushtarakëve Kujtim Boriçi e Demir Rusi, është koha që ata pa asnjë mëdyshje të bëhen pjesë e kësaj organizate.
Ish ushtarakë të shquar, të pranishëm në këto promovime, si gjeneral Dilaver Laçi, Ismail Shulku, Sokol Agolli e të tjerë do të ishin trashëgimia e vyer e kësaj organizate, anëtare e Federatës Botërore të Veteranëve. Ata kanë se ç’të mësojnë nga bilanci i pasur i veprimtarive, jo vetëm produktive, por edhe cilësore të OBVL, të fokusuara në konferenca shkencore e sesione jubilare, por dhe në botime produktive e cilësore.

(Raport i mbajtur në kuvendin e VIII-të kombëtar të OBVL nga nënkryetari i saj Maksim Vinçani - Tiranë, më 22.05.2021.)


 



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes