l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Të gjithë jemi shqiptarë dhe vijmë nga i njëjti gjak dhe e njëjta histori, me të njëjtat fitore e disfata

VETËM TË BASHKUAR DO T`I MARRIM VETË NË DORË FATET E ATDHEUT TONË

SHPENDI TOPOLLAJ*

Kuvendi i VIII - të kombëtar i organizatës tonë (OBVL) mbahet në një situatë jo dhe aq të qetë politike, ku dallojnë dy dukuri që nuk janë për t`u përshëndetur: hija e përçarjes mes nesh, shpesh deri në armiqësi dhe krijimi i bindjes iluzive se Shqipëria do të bëhet e do të përparojë falë përpjekjeve dhe dashamirësisë të të huajve. Dikush mund të thotë se ne jemi një organizatë thjesht atdhetare dhe s`kemi pse t`i japim konotacion politik zhvillimeve në vend, se fundja nuk ndryshojmë gjë. Deri diku ashtu është, por duke qenë qytetarë të këtij vendi, kuadro me përvojë të gjatë pune dhe të shumtët, intelektualë të njohur, nuk mund të bëjmë sehirxhiun, kur e dimë mirë se pikërisht zhvillimet politike janë ato që e kanë shpënë Shqipërinë në këtë derexhe. Natyrisht, shqetësimet që përmenda, nuk kanë lindur sot. Faik bej Konica qysh rreth një shekull më parë shprehej se “Në qoftëse Shqipëria do të vdiste ndonjëherë, atëherë në epitafin e saj duhet të shkruhet: Shqipëria lindi nga zoti, shpëtoi nga rastësia dhe vdiq nga politikanët”. Pastaj, të trajtosh ndonjë problem politikisht, nuk është ndonjë sakrilegj dhe nga ana tjetër politika nuk është ekskluzivitet i askujt, por pronë sa e padukshme aq dhe e rëndësishme e kujtdo shqiptari. Dikush mund të pyesë sesi lidhet kjo me organizatën tonë? Po or miq, lidhet që ç`ke me të, pasi ne veç të tjerash kemi një gazetë mujore, e cila falë përkushtimit, punës së mençur dhe atdhetarisë, veçanërisht të zotit Halil Rama, me shkrimet e saj të qarta, të ndershme dhe plotësisht të besueshme në qëllimet e saj të drejta, ku respekti për historinë dhe traditat tona luftarake, dashuria për gjithçka të nderuar kemi bërë dhe vlerësimi, si për ata që dikur dhanë jetën ashtu dhe për ata që i kryen detyrat e ngarkuara me dinjitet, i ka dhënë organizatës tonë fytyrën e vërtetë. Tani mendoj, se duke ndjekur po këtë rrugë, fare mirë mund të trajtojmë edhe problemet aktuale dhe të perspektivës, të japim opinionet dhe mendimet tona me guxim e pa drojë, qofshin ato edhe të karakterit politik, se kështu do të mund të rrisim akoma më shumë reputacionin dhe ndikimin e saj.


Le t`i marrim me radhë shkurtimisht këto dy shqetësime. Përsa i takon domosdoshmërisë së lënies mënjanë të ndarjeve, inateve e mllefeve, dikush nga ju mund ta ketë lexuar letrën time të hapur drejtuar mikut të mirë, të ndjerit Rustem Peçi, ku e quaja krejt të pakuptimtë ndarjen mes dy organizatave të veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare. Jo që thuajse nuk kemi asnjë dallim esencial, por edhe duhet të japim ne të parët shembullin e bashkimit. Madje, theksoja se ky bashkim duhet shpënë akoma më tej, duke mos u marrë më tutje me nacionalistë që na qenkeshin antikombëtarë dhe partizanë që e donin më shumë Shqipërinë. Koha e ngatërruar, natyrisht që solli dhe qëndrime jo gjithmonë të drejta, por ato le t`i mbesin historisë. Mbajtja ndezur e tyre për interesa të ngushta elektorati e pushteti është e turpshme. Unë, duke theksuar kalimin e afro 80 vjetëve nga ajo luftë, afërsisht shkruaja: Sot ne kërkojmë bashkëpunim e miqësi me pinjollët e atyre që na sulmuan me avionë, tanke e topa, që na vranë, na dogjën e na plaçkitën, dhe nga ana tjetër i bëjmë karshillëk vëllezërve të të njëjtit gjak. A nuk tingëllon si paradoksale kjo? Si do na dukej sikur në Francë, fjala vjen, ende të vazhdonin konfliktet dhe stigmatat midis zhirondinëve të moderuar dhe jakobinëve të Robespierit, mbi dyqind vjet më parë… Për njerëzit e mençur, nuk mund të vazhdohet në pafundësi kështu. Evropa i ka kapërcyer me kohë ndarjet e tilla. Mjaft me armiq imagjinarë! Dhe në vazhdim, shkrova e botova romanin “Pajtimi” në krye të të cilit them: “Kushtuar të gjithë atyre që kapërcyen mbi mentalitetet e kohës dhe e kuptuam se burrë a grua, i ri a plak, i bardhë a me ngjyrë, verior a jugor, fshatar a qytetar, i pasur a i varfër, mysliman a i krishterë, partizan a ballist, komunist a nacionalist, socialist a demokrat, pra, i majtë a i djathtë; të gjithë jemi shqiptarë e për pasojë vëllezër, dhe vimë nga i njëjti gjak dhe e njëjta histori, me të njëjtat fitore e disfata, me po ato gëzime e hidhërime ndër shekuj, që krenohemi me të njëjtit heronj e të njëjtën mrekulli të natyrës dhe kemi po ato synime në rrugëtimin tonë drejt të ardhmes”. Kurse për atë çështjen e zmadhimit të rolit të të huajve në fatet e vendit tonë, për të cilën kam mendimin se fajtorë janë po politikanët, nuk i kam fshehur rezervat e mia, duke iu drejtuar nëpër gazeta diplomatëve të vendeve të tjera, qofshin edhe mike, se ne nuk jemi vend suzeren; Shqipëria mund të jetë e varfër, por është shtet i lirë e sovran dhe dinjiteti e kërkon që në marrëdhëniet me to, të zbatohet parimi i reciprocitetit. Ndërhyrjet e tyre, ku neve na konsiderojnë si indigjenë dhe veten si konkuistadorë, jo vetëm janë të dëmshme, por janë edhe poshtëruese. Ligjet në Shqipëri i bëjnë dhe duhet t`i zbatojnë shqiptarët dhe vetëm shqiptarët. Latinët e vjetër thoshin “Errare humanum, sed perseverare diabolikum est” pra. “Gabimi është njerëzor, përsëritja është djallëzore”. I jemi mirënjohës përjetë SHBA - së dhe të tjerëve për Kosovën, por si ushtarak nuk mund të mos ndiej keqardhje për shkatërrimin e ushtrisë tonë, me justifikimin se tani jemi anëtarë të NATO - s. Se nuk kam sesi ta shpjegoj parakalimin e ushtarëve grekë, që të udhëhequr nga ligji absurd i luftës me ne, këndojnë para Presidentit të tyre me fjalët e poshtra, se me zorrët e shqiptarëve do të lidhin këpucët. Më ka lënë një shije aspak të mirë deklarata e para do kohëve e ish Presidentit Donald Tramp se nuk do të dërgojnë bijtë e tyre, që të vriten për ca shqiptarë kokëshkretë. Po ashtu, ishte revoltues qëndrimi këto ditë i kryeministrit të Çekisë i cili i kërkonte falje pasardhësit të kriminielit Millosheviç, Aleksandar Vuçiçit për sulmin mbi Beograd, gjë që e paskan bërë nga frika.


Nuk po zgjatem më tej, pasi nuk është ky qëllimi për të cilin është mbledhur ky kuvend, por vetëm desha të sugjeroj nevojën e zgjerimit të tematikës së gazetës tonë “Veterani”, ku gjithkush që mundet le t`i shprehë hapur e me guxim mendimet e veta, sidomos kur ato janë në interes të Atdheut, para të cilit të gjithë jemi të barabartë. Le të bëhet organizata jonë, ashtu siç e donte dhe i pa harruari gjeneral Rrahman Parllaku, Nderi i Kombit, nismëtare e këtij qëndrimi mëse të drejtë, pa ua vënë shumë veshin politikanëve servilë që sipas Konicës shpesh i kanë bërë varrin atdheut. Ka kaluar shumë kohë që ende të mbetemi te vargjet e Ali Asllanit: “Ja grushti do të bjeri përmbi krye të zuzarëve, / Koha është e maskarenjve, po atdheu i shqiptarëve”.

*FJALA NË KUVENDIN E VIII – TË KOMBËTAR TË OBVL,
Tiranë më 22.05.2021.









Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes