l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PROFIL


HABIL XHUVANI DËSHMORI LAB QË RA PËR TRUALLIN ARBËROR

Prof. Asoc. Dr. Zaho GOLEMI

Fshati Fushëbardhë në Gjirokastër, djepi i trimërisë, mençurisë dhe lavdisë

Fushëbardha është një fshat, por kur është fjalë për trimëri, mençuri e lavdi është si një krahinë, është një copëz e truallit arbëror, që i ka dhënë vendit shumë dëshmorë. Fushëbardha ja ka vënë vetë emrin vetes dhe e mban këtë emër, që kur ajo është krijuar sepse është e shtruar me zall të bardhë me një shesh të bukur në qendër. Fushëbardha ka një identitet të lashtë nga shpella e Papa Zhulit, selia ku banonte dhe drejtonte me dorë të hekurt, mencuri e fisnikëri prijësi i shquar Papa Zhuli. Dy këmbanat e mëdha të florinjta si dhe selia kala natyrore në format shpelle shkroi epokë historike kuvendore dhe legjislative. Lumi i bardhë, dy lagje të mëdha natyrale dhe disa copëzime më të vogla i japin bekim vendit dhe shenjtëri njerëzve të saj. Ujërat e ftohta të burimeve, kurora e pemëve, kodrat, pllajat, livadhet e mallet e saj janë të sinkronizuar me një kodër-xhami që rrethohet me njërëz punëtorë e shpirtbardhë, të besës dhe të qëndresës. Klima pak e sertë në dy tre muajt e dimrit e bën fshatin të gjallojë e begatojë në çdo kohë. Fushëbardha kishte dhe ka djem e vajza, që ja kanë ngritur lavdinë dhe krenarinë fshatit. Ata luftuan dhe mbijetuan shekujve dhe në shekullin XX u arsimuan shkëlqyen në fusha të ndryshme të jetës. Gjithë fiset e Fushëbardhës kanë qenë në unitet zhvillimi, në unitet luftarak dhe në unitet jete, që çdo copë të vendit dhe në çdo vend ku kanë shkruar historinë e luftrave, zhvillimit dhe qëndresës si në këto emërtime që janë kaq të dashura për çdo Fushëbardhiot si: Kakostama, Dhim Qurk, Llakatur, Piri, Piks, Qafë Dardhë, Kaçullat, Çuk Gjinikë, Bidërgjon, grykën e Mokrrave, Shpellë e Zhulit, Gjonthanas, Gjikeç, Gjinaz, Taroninë, Qafa e Bardhë, Petroshi, Lugje, Shtrungës, Llucë, Qafallauzi, Stravua, Gramatia, Skërfica, etj. Blektoria ishte tradita e shekujve, që njësohej me Vratomisnjën, Luvadhi, Vranjova, Olena, Koqinovë e deri në qafë të Breshërit. Në çdo vend ka një histori, trimëri, luftë, punë, djersë, djalëri e passion për vendlindjen, që gjithmonë të rinon dhe gjallëron shpirtin. Kështu kanë qenë djemtë e Fushëbardhës gjithmonë. E donin me passion dhe paparagjykime vendlindjen, ngriheshin në luftra shekujve për liri dhe gjakun nëpër beteja nuk e kursyen kurrë për liri. Në ngjarjet më të mëdha të historisë Fushëbardha ka pasur kudo përfaqësuesit e vet, djemtë e kuvendeve, të luftës, të punës, të mençurisë. Fushëbardha ka nënshkruar me emrin e saj kudo si një pjesëz e Labërisë, si një margaritar i civilizuar, ka dëshmuar historinë, ka shkruar historinë me trimëri, me gjak, me sakrifica, me penë. Është vend i vlerës së njerëzve të çmuar, që kar të dëshmojnë lavdi e krenari, që nderohen dhe të respektohen për atë që kanë bërë e treguar. Fushëbardha dekadave ka qenë dhe ka ngelur në vëmendje të veçantë, për cfarë i kanë dhënë shoqërisë, dhe kanë ngelur në këngë, në libra, në lapidarë e memorial, por mbi gjithcka ka dëshmorët e saj shekujve luftarakë, që ndrijnë me shkronja të arta në altarin e lirisë. Kaluan shekujt dhe ngeli madhështore në majat labe mbeti denjësisht e krenarisht në përjetësinë e lavdishme të së shkuarës. Fushëbardha është shëmbëlltirë e mençurisë dhe historishkruar sepse nuk ja kurseu kurrë bijtë e saj për lirinë. Nga një përllogaritje gati dyqind vjeçare vëzhgojmë të shkuarën historike të bijëve të rënë të saj në hulumtime në libra, në arkiva, në këngë, në memoriale, në trashëgiminë e pasur gojore. Kohët historike i flasin njera-tjetrës dhe përcjellin jehonën brezave. Dëshmimtarët e gojëdhënës së “arkivës lëvizës” shkojnë nga shekulli në shekull. Emri, bëmat dhe trimëritë e luftëtarëve nëpër breza nuk shuhen kurrë sepse po të analizojmë gjithë luftrat nëpër to ndrijnë më shumë bijtë e Fushëbardhës në fushëbetejat e më shumë se dy shekujve. Edhe pse jot ë gjithë të rënët kanë vendime juridike ata i ka “dekretuar” kujtesa popullore, “kënga është historia e popullit”, që thoshte Noli ynë i madh. Prandaj tek kënga e popullit rrinë shenjtërisht dëshmorët tanë. Mosekzistencën e shtetit e ka plotësuar fuqishëm kënga e popullit si dokumenti më autentik dhe me të dhëna më ekzakte dhe më të natyrshëm për dëshmorët. Prandaj bijtë e popullit që gjakun e derdhën shekujve ku më mirë se në këngët e popullit gjenden përjetësisht dhe madhërishëm.

Habil Xhuvani biri i denjë i Labërisë që kishte lindur për jatagan

Habil Xhuvani është pjesë e identitetit, lavdisë, krenarisë dhe famës labe të fshatit Fushëbardhë. Habili ishte lindur në vjeshtën e vitit 1820 në Fushëbardhë në një familje me tradita të shquara patriotike e luftarake. Të parët e tij kishin provuar peshën e pushtimit osman në breza. Familja e Xhuvane, fisi “Poçi” dhe fisi “Shehu” rridhnin nga i njëjti oxhak në Fushëbardhë. Nizamllëku “kishte mbirë” prag më prag e derë më derë, një detyrim i madh për shtetin. Blektoria dhe bujqësia ishin zanati i përjetshëm i tyre, por edhe të qënit luftëtar kishte ngelur “rregull zakonor”. Fëmijëria e Habil Xhuvanit shkoi përmes hallesh e vuajtjesh. Ai u burrërua para kohe dhe burrat e fshatit duke e parë si hodhi shtat thoshin për këtë djalë truplidhur si lastar: “i lindur për jatagan”. Shkolla për Habil Xhuvanin ishte “mollë e ndaluar”, edhe pse nuk bëhej fjalë për shkollë shqipe por vetëm ndonjë shkollë “Ruzhdije”, “Mejtepe”, “Ipdidaijet”, ku mësues të këtyre shkollave ishin kryesisht hoxhallarët dhe mësimi zhvillohej në turqisht apo arabisht dhe për alphabet përdorej ai arab. Por shkollat nuk arrinin deri në fshatin e largët malor të Fushëbardhës, prandaj edhe Habili do të mësonte të shkruante e lexonte në periudhën e shërbimit të askerlikut. Nga Fushëbardha dhe fshatrat e Krahinës së Kardhiqit, shumë pak nxënës e kishin fatin të studionin në këto shkolla, që në fakt shkolla ishte në Delvinë dhe në Gjirokastër dhe që shpenzimet i mbulonte fondi shkollor buxhetor i Vilajetit të Janinës (“mearif sanduk”). Prindërit e tij të ndershëm dhe të besës i shikonin në dritë të syrit djemtë e vajzat dhe përkujdeseshin duke u bërë frymëzim për punë dhe ndershmëri në jetë. Edhe veshjet dhe jetesën mezi e siguronin. Të varfër ekonomikisht po me tradita patriotike e kombëtare. Jo rrallë kur taksat “shkelnin në kallo” dhe kosharet osmane u binin kryq e tërthorë të korrave dhe produkteve bujqësore e blektorale shpërthenin edhe kryengritje e revolta për të drejtat e shkelura. Vaporrët që vinin në skelat shqiptare mblidhnin djalërinë shqiptare jo pak por për gjithë Vilajetin e Janinës rreth njëzetmijë djem në vit. Habil Xhuvani mobilizohet “nizamë/ushtarë” në vitin 1839 dhe pati fatin të kthehej shëndoshë e mirë më 1846, më i rritur, më shtathedhur, më i pjekur, më i nxirë prej diellit të jetës anadolliane. Ishin vite të vrullshme të revoltave dhe fjala e tij nuk kishte më peshën e një çunaku, por ishte kthyer burrë me fjalën peshërëndë në kuvendet pranë rrapit të madh në Zhërmë, ngaqë dhe shtëpinë e kishte fare pranë kuvendit të burrave, përtej lumit. Ai ka qenë kurioz dhe ka dëgjuar, por edhe rregjistruar historikun e të parëve, bëmat e trimave dhe sjelljen burrërore të fshatit përballë pushtuesve. Ata e mbronin jetën me jetë, ishin kanunllinj dhe fisnikë dhe në rrugën e të parëve. Edhe pse kishin kaluar gjysëmshekulli kur lindi Habili, nga Kuvendet e Besës në Senicë (1770) dhe Kuvendi i Rrepeve të Agait (1773) përsëri imazhi i legjislatorit të madh popullor Idriz Sulli ishte i gjallë. Ato ngjarje të mëdha i sillnin në memorie të gjalla burra e gra të moçme të Fushëbardhës. Në tregimet e të parëve kish mësuar për luftën e ashpër me jatagan me gjithë armiqtë që kishin guxuar të shkelnin me pabesi dhe të rrëmbenin taksa aq të rënda që shkonin më shumë se 30% të prodhimit e ndonjëherë kur “sulltanati ishte në fushata luftrash” edhe më shumë. Dhe kjo rëndonte edhe mbi Labërinë, pavarësisht nga venomet që Sulltanati jepte sa herë rrebelimi tejkalonte caqet. Fushëbardha kishte rritur një brez djemsh të mençur dhe trima, që kishte pasion këngën labe, u këndonin trimërive, kuvendeve, besës e dashurisë, jetës së çobanit, por dhe jetës së nizamit. Ata kujtonin jetën e nizamllëkut, si pjesë e pandarë e jetës dhe e detyrimit ndaj shtetit. U këndonin edhe këngë trimave të rënë në përballje me të huajt dhe Habil Xhuvani dhe bashkëfshatari i tij Bajo Kazo nuk e dinin se edhe ata do të ngeleshin në këngë disa vite më vonë kur shkoi i mobilizuar si redif/rezervist në mbrojtje të truallit shqiptar të vilajetit të Janinës nën thirrjen: “Vilayet tehlikede”/vilajeti në rrezik!. Edhe pse nuk kuptohej teoria e ndërgjegjes kombëtare, ajo ishte praktikisht në zbatim, sepse sa herë binte briri i luftës, çdo fshat nxirrte çetën e gatshme për luftë. Kështu ndodhi edhe me thirrjen që Mahmud pashë Vlora u bëri ridifëve më 1853, që ishte viti i mobilizimit të rezervistëve nga Labëria. Nga Fushëbardha u nisën për luftë Habil Xhuvani, Bajo Kazo si dhe burra të tjerë të fiseve Yzeiri, Bineri, Çarçani, Golemi, Veliu, Onjea, Shalari, Shkurti, Kazo, Xhuvani, Poçi, Shehu, etj., përreth tridhjetë luftëtarë, trima që “luftën ua hante syri” pjesëmarrës dy tabore/batalione me rreth 1500 luftëtarë redifë. Të gjithë ishin të lindur për luftë e qëndresë, rracë arbërore që nuk e njihnin vështirësitë e të luftuarit dhe që nuk e kursenin gjakun për një çështje që e konsideronin të drejtë. Ishte koha kur “eshtrat e shehitëve vlerësoheshin si barikadë lirie”, për brezat. Prandaj gjaku i mbi tetëqind shqiptarëve të derdhur në Mecovë dhe në rrethinat e saj, është gjaku i dëshmorëve që mbronin jetën e tyre përballë një invazioni mercenar, që kërkonin të zaptonin tokat, fshatrat, shtëpitë, që nëpërkëmbënin nderin dhe dinjitetin dhe të përbaltnin krenarinë shqiptare. Në këtë pikëpamje mbrojtja fisnike e djalërisë shqiptare si redif/rezervist ashtu edhe vullnetarë është historia reale e trojeve shqiptare, që me njëmijë mënyra kërkojnë ta mbulojë pluhuri qarqe antishqiptare. Por mbijetesa e kombit flet më shumë se çdo pabesi dhe ide e strukturuar ngado që të vijë ajo. Populli ka një maksimë proverbiale, që “Gjaku s’bëhet ujë”! Kanë kaluar mbi një shekull e gjysmë dhe historia njeh dhe dokumenton të rënët për kombin shqiptar, për truallin amëtar. Habil Xhuvani në rrethinat e Vilajetit të Janinës bashkë me bashkëfshatarin e tij Bajo Kazo. Ata ranë në Mecovë dhe mbetën atje “ku i zuri balta”, një praktikë e përhershme kjo e kohës deri në fillim të shekullit XX. Habil Xhuvani dhe Bajo Kazo ngelën dy memorialë lirie, dy lapidarë kushtrim brezash, që kanë ngelur përjetësisht në vargjet popullore: “Mecova larë me gjak, /Luftojnë bijtë nën një bajrak, /Kashaisën Rumelinë,/Dy tabor të djalërisë,/jatagan, pisqoll, martinë,/Bëjnë harb(luftë) me junanë,/ Flakë e ndezën vatanë,/ U vranë ca trima të rrallë,/ Labëri ç׳i bëre lotë,/ I derdha për ca luanë,/ Që dhe hakun nuk ua dhanë,/Do bisedoj me sulltanë,/Për Bajon (Kazo) dhe për Xhuvanë (Habil Xhuvani)...”. Ndërsa një këngë tjetër flet më qartë e më shkurtë: “Në Fushëbardhë dy nishanë,/ Bënë harb me junanë,/Xhanin dhanë për vatanë,/Habili(Xhuvani) me Bajo Kazë, (Kazo)/...”. Habil Xhuvani u shua në fushëbetejë në moshën 30 vjeçare duke ngelur një emër i ndritur në historinë labe, në historikun e fshatit Fushëbardhë, prandaj përkujtohet edhe pas më shumë se një shekull e gjysmë si dhe bazuar në ligjin 109/2018, datë 20.12.2018, “Për statusin e Dëshmorit të Atdheut”, neni 5 “Kriteret për shpalljen e statusit “Dëshmor i Atdheut”, meriton të shpallet “Dëshmor i Atdheut”.

Shehit (Dëshmor) në betejën për tokën arbërore

Fushëbardha, Kurveleshi, gjithë Labëria janë zona rebele nga natyra, dhe kur është fjala për kryengritje nuk ja ka përtuar. Kështu që në vitet 1830-1847 gjithë zonat e shquara luftarake të Shqipërisë në të katër vilajetet ishte zhvilluar në mënyrë energjike lufta kundër Tanzimatit. Trimëri të rrallë shpalosën kryengritësit e jugut dhe jo vetëm me besa-besë ndaj njeri-tjetrit vazhduan luftrat në në më shumë se një dekadë e gjysëm të udhëhequr nga Zenel Gjonleka e Çelo Picari, por edhe mjaft prijësa të tjerë. Në këto luftra, në këto beteja morën pjesë edhe nga burrat e Fushëbardhës, në Skërficë, Senicë, në Kamenicë, Palavli, pranë Delvinës dhe kudo i thërriste lufta për të drejtat e tyre. Por kur nevoja e mbrojtjes së truallit arbëror, kur kërcënohej nderi dhe dinjiteti i shqiptarëve edhe pse nën pushtimin e osmanëve, ata u ngritën për të luftuar me të gjitha mënyrat për të shporrur të huajin nga trualli arbëror.


Kështu Zeneli i Kuçiot luftoi dhe u vra në krye të çetës së tij në Malin e Zi sikurse u vranë edhe mjaft shqiptarë redifë e vullnetarë në betejat për mbrojtjen e Vilajetit të Janinës, numri i tyre vetëm në Mecovë dhe rrethinat e saj përllogaritet në rreth 800 të rënë shehitë/dëshmorë. Në vitin 1854 mobilizimi i dy tabureve nga Vlora në Gjirokastër e deri në Delvinë ishte për të mbrojtur truallin e vilajetit nga dushmani: “…Që në Delvinë e tatëpjetë,/ Labëria gjithë u ngrenë,/Kërcyen në vilaje,/ Lidhnë fjal e bënë benë,/Junanin këtu se lemë, /Sa të ketë djemë levendë…”. Kështu beteja filloi e përbashkuar me trupa aktive të pamjaftueshme dhe me trupa redifë (rezervë). Fotorja ishte shumë e rëndësishme dhe ajo erdhi me shumë gjak, me shumë humbje të mëdha. Edhe me kaq shumë humbje përsëri rapsodi ngrinte vargje dhe populli këndonte: “Mecova larë me gjak, /Luftojnë bijtë nën një bajrak, /Kashaisën Rumelinë,/Dy tabor të djalërisë,/Bëjnë harb (luftë) me junanë,/ Flakë e ndezën vatanë,/ U vranë ca trima të rrallë…”. Por në fakt dredhia e portës së lartë ishte se pas zaferit/(fitores), hikimeti i mashtroi drejtuesin e tyre. Dejtues ishte babai i Ismail Qemalit, themeluesit të shtetit shqiptar Mahmud Bej Vlora. Kështu historia ka dokumentuar se, babai i Ismail Qemalit, Mahmud Bej Vlora (1809-1866), sikurse njihet ka qenë pinjoll i një oxhaku çifligarësh të Vlorës, rebel dhe kryengritës. Faktet flasin se, më 1848 familja e Vlorajve u internua, burrat në Konja dhe gratë me fëmijët në Selanik. Më 1854 ai u lirua dhe mblodhi vullnetarë redifë për të shtypur kryengritjen në zonën e Epirit, në Mecovë etj. Trimëritë labe në Mecovë nuk kanë të përshkruar, që ishte një ndër xhephanet më të nxehta të luftës dhe të fitores së përbashkët shqiptaro-osmane ndaj trupave andarte. Në Labëri i besonin të gjithë për vlerat e larta morale dhe si njeri me reputacion, burrë i ndershëm, i fjalës dhe i besës.


Mahmud bej Vlora njihej si fisnik dhe idealist, me formim të plotë europian, që ishte e rrallë për atë kohë, lexonte e shkruante në gjuhën turke, por edhe italisht, greqisht e frëngjisht. Vullnetarët që u mblodhën rreth besës së tij luftuan trimërisht ranë në fushëbetejë dhe fituan. Meqënëse shteti osman dhe marifetcinjtë e tij, nuk ju përgjigjën ai për të përballuar shpenzimet (ylefet) e vullnetarëve që u kishte dhënë besën, u detyrua të shesë çifligjet e fundit që i kishin mbetur në Goricë, Babicë, Novoselë, Bestrovë, Selenicë, Subënj e Picar. Historia ka dokumentuar se ai pasi fitoi ndaj grekërve por me shumë humbje shkoi në Stamboll për të siguruar rimbursimin për harxhimet në shtypjen e kryengritjes, por nuk iu bë dot e mundur. Pas një qëndrimi dyvjeçar në Athinë nën mbrojtjen e monarkut, u kthye në Stamboll ku vdiq më 1866, duke i lënë fëmijët e tij pa trashëgimi pasurore. Fakt është se shpërblimi nuk erdhi asnjëherë, por kënga e trimave mbeti: “Në Fushëbardhë dy nishanë,/ Bënë harb me junanë/ Xhanin dhanë për vatanë,/Habili me Bajo Kazë,/...”. Vargëzimi i ardhur jo i plotë në mbi një shekull e gjysmë: “Në Mecovë ranë shumë dëshmorë,/ Trima që folën me pallë,/ Shokëve amanet u dhanë,/O ju shokë pa dëgjoni,/Amanetet mos harroni,/Kur tju bjerë udha të shkoni,/Varret tona i shikoni,/”Rahmet paçi”, të na thoni,/ Jetën e dhamë për Atdhe,/Për vatan, për Mëmëdhe!”. Për herë të parë për luftëtarin Habil Xhuvani, që ra në Luftën e Parë të Vilajetit të Janinës ka përgatitur një skicë-portret, mjeshtri Kosta Raka.


Brezat në Fushëbardhë, në Krahinën e Kardhiqit, në Rrëzomë, në Labëri e më gjerë i bashkon gjaku, gjuha, kultura, flamuri, tradita që nuk harrojnë të rënët për Arbërinë, për të shkruar e treguar për heroizmin në luftë në mbrojtje të tokës amëtare. Për trimat e kryengritjeve popullore, për burrat e besës dhe të qëndresës, për gjakun e derdhur për truallin arbëror kanë shkruar e dokumentuar shumë autorë shqiptarë, por më shumë të huaj, krijimet e të cilëve janë sot në bibliotekat më prestigjioze të botës, sikurse material të tjera dokumentare që gjenden në arkivat më të vjetër të botës. Por luftëtarët e Labërisë si dëshmorët Habil Xhuvani dhe Bajo Kazo por dhe qindra të tjerë kishin një veçori sepse luftuan dhe ranë me kostum kombëtar dhe jo me “rrobën e rëndë”. Ata luftuan si luanë dhe ranë si dhëndurrë të tokës mëmë të veshur me fustanellë betejave për truallin arbëror. Edhe pse të rënët dëshmorë, shteti nuk jua njohu dot meritat sepse erdhi u ndërtua i fundit në Ballkan dhe defterët e shtetit ishte kujtesa e popullit, ishin këngët popullore. Shprehja proverbiale popullore “më mirë vonë se kurrë”, paska vlerë të jashtëzakonshme dhe të përjetshme. Është koha që t’u njihet e drejta e gjakut bijëve të labërisë që ranë për truallin arbëror larg dhe afër, në Mecovën e bukur. Kënga dhe vetëm kënga nuk i la kurrë në harresë lebërit që ranë më fustanellë në betejën për tokën shqiptare.








Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes