l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Ngushëllimi më i mirë për të gjithë të afërmit është se Ai la një vepër e emër të mirë, që do të kujtohet brez pas brezi


Për mësuesin veteran Ramiz Leka

Nga Zabit Lleshi

Më 27 mars u nda nga jeta mësuesi veteran Ramiz Abaz Leka, nga Kovashica e Grykës së Vogël të Dibrës. Lindi në vitin 1934, në një familje me një të kaluar patriotike. Gjyshi i tij Elmas me Rrahman Lekën luftuan përkrah Merrsim Demës në kryengritjet e mëdha 1910-1912 dhe mbrojtjen e fitoreve të saj 1913-1921. Mbështetën Qeverinë e Lushnjes dhe revolucionin demokratiko-borgjez të vitit 1924. Familja e Ramizit gjithashtu ndihmoi pa rezerva luftën Nacional-çlirimtare. Pas çlirimit u muar kryesisht me bujqësi, miratoi dhe u aktivizua në zbatimin e reformave në fushën ekonomike, arsimore e kulturore.
Fisi leka në Kovashicë ka ardhur nga Zogjet, për shumë kohë ato i ruajtën lidhjet me origjinën. Fëmijëria e Ramizit nuk ndryshonte nga ata të fshatit ku ata u lindën dhe rritën me bashkëmoshatarët.
Arsimi në Kovashicë si kudo në Grykën e Vogël ishte një ëndërr të cilët kishin luftuar brez pas brezi patriotët Tush Lleshi, Bajram Markja,Jashar Dema, Mersim Dema, Rrahman Leka, Tush Meta, Shaqir Tomja,Jashar Zeneli e tjerë.
Sukses i kësaj lufte ishte kurorizimi i hapjes së shkollës në vitin 1937. Dërgimi i Abaz Xhafës në normalen e Elbasanit u bë frymëzim i mjaft të rinjëve për të vazhduar studimet në shkollat e reja të hapura rishtas pas fitores së luftës Nacional-çlirimtare.
Hapja e shkollave në fshatrat e Grykës së Vogël, puna për zhdukjen e analfabetizmit e nxiti familjen dhe Ramizin, megjithëse fëmijë të vazhdonte pas shkollës fillore edhe shkollën shtatëvjeçare në Peshkopi, në vitet 1947-1949.
Rezultatet shumë të mira në mësime, nevojat për mësues i afruan Ramizit mundësinë për të filluar punë mësues në shkollat fillore. Angazhimi në luftën kundër analfabetizmit, krahas punës si mësues në Mustafe,Topojan dhe Kovashicë, ndikuan për rritjen e dashurisë për profesionin e bukur të mësuesit. Më 1955 kryen shërbimin e detyrueshëm ushtarak në Korçë, në brigadën e kufirit. Pas përfundimit të shërbimit ushtarak kthehet përsëri mësues në Topojan.
Nisur nga perspektiva që organet e Pushtetit shikonin për mësuesin, Ramiz Lekës i akorduan të drejtën e studimit në gjimnazin e puntorëve në Tiranë 1959-1961.
Mësues në Zogje 1961-1962. Më 1963-1964 mbaroi Institutin Pedagogjik “Aleksandër Xhuvani” në Tiranë, dega matematikë-fizikë, duke kaluar kështu të gjitha shkallët e kualifikimit si mësues për shkollat shtatë vjeçare.
Si drejtor i shkollës shtatëvjeçare “Man Jella” në Zogje në vitet 1964-1970, bashkë me mësuesit që punuan në ato vite, Ramiz Leka ka meritën që në saj të punës këmbëngulëse dhe plot pasion, ajo shkollë ishte ndër shkollat më të mira të rrethit të Dibrës.
Abaz Xhafa, Ramiz Leka bashkë me pushtetarët vendor Ramiz Dumani, Selim Isaku, Riza Xhafa, Baftjar Doda, Hysen Shehu, Shefki Lleshi, Faiz Dumani e tjerë kanë dhënë një ndihmë të madhe për hapjen e zgjerimin e arsimit shtatë vjeçar. Kjo bëri të mundur hapjen e shkollave shtatëvjeçare në Gjuras, Topojan, realizimin e arsimin shtatëvjeçar të detyrueshëm, rritjen e cilësisë, zgjerimin e veprimtarisë kulturore -artistike e sportive etj.
Përgaditja e kuadrove mësues, si një detyrë parësore dhe imediate, duke dërguar shumë të rinj dhe reja në degët e mësuesisë dhanë rezultatet e veta për ruajtjen e traditës së mirë të punës mësimore dhe edukative në shkollat shtatëvjeçare të lartpërmendura. Shumë të rinj e të reja u dërguan në shkollat pedagogjike dhe u rikthyen mësues si Myzejen Dumani, Drita Lila, Dylbere Toçi, Nexhmije Dumani, Bedrie Skarra, Zabit Lleshi, Avni Toçi, Xhevat Jella,Kamber Xhafa,Ibrahim Xheleshi, Shqipe Leka etj.
Marrëdhënjet mësues-drejtor që ndërtoi Ramiz Leka ishin mjaft të mira e korrekte.Drejtori ka rolin e vet kryesor në marrëdhënjet shoqërore e miqësore që ndërtohen gjatë punës në një kolektiv.Ai ishte i barabartë mes të barabartëve. Ndihmonte dhe mbante afër mësuesit e rinj, mbështeste dhe inkurajonte ato si mësim dhënës, veprimtar shoqëror etj.Shumë prej nesh u bënë mësues, disa edhe drejtues të mirë. Për koençidencë, Xhevati, Avniu, Kamberi, Nexhmija, Ibrahimi u bënë drejtor të shkollave në Grykën e Vogël. Për këtë Ramizi gëzohej dhe ndiente kënaqësi.
Ramiz Leka i forcoi marrëdhënjet e shkollës me prindërit si një përparësi për realizmin e detyrave të shkollës, për edukimin e brezit të ri.E çmonte ndihmën e Këshillave popullor të fshatrave. Informonte ato për problemet e shkollës, prandaj sigurohej plani i edukimit, realizohej në kohë fushata arsimore për çdo vit mësimor para fillimit të mësimeve, frekuentimi i nxënësve ishte pa mungesa, nuk kishte asnjë braktisje të fëmijëve nga shkolla etj.
Në saj të këtij bashkëpunimi siguroheshin në kohë mjetet mësimore e didaktike, përveç atyre që siguronte vetë mësuesi, grumbulloheshin para kohe drutë për ngrohje për të gjitha shkollat e fshatrave etj.
Shembull u bë shkolla e Zogje në veprimtarinë kulturore e sportive midis fshatrave, ato zonale e në shkallë rrethi. Kjo u sigurua në saj të bashkëpunimit të shkollës, mësuesve me veprimtarët shoqërorë, amatorët në shumë raste ish nxënësit e kësaj shkolle.
Në vitet 1970-1972, Ramiz Lekën e dërguan në shkollën e Partisë “Vladimir Iliç Lenin” Pas mbarimit të saj u emërua në Komitetin e Partisë, ku fillimisht mbulonte Zerqanin dhe Bulqizën. Detyra e re ishte më e vështirë dhe me shumë përgjegjësi, por ai kish tashmë pregaditjen dhe pjekurinë për ta kryer atë më së miri. Duhej të punonte me kuadrot në shkallë rrethi. Përvojën, eksperiencën dhe arritjet që gjeti në detyrën e re Ramiz Leka i çoi më përpara, prandaj puna e tij u vlerësua vazhdimisht. Kuadër i kompletuar dhe kompetent. Njohës i mirë i problemeve të fshatit, puntorëve, rinisë, inteligjencës. Solli një frymë të re në punë për aktivizimin e kuadrove në qeverisje; organizmin e drejtimin e ekonomisë nëpërmjet shembullit personal, rritjes së ndërgjegjes në punë, nxitjen e novatorizmit etj.Ishte shumë praktik, njihte shumë mirë psikologjinë e fshatarëve, nëpunësit etj.
Më 1982-1985 punoi në Muhurr sekretar i Byrosë Partisë së kooperativës bujqësore. Përvojën dhe eksperiencën e fituar e përcolli në këtë ekonomi bujqësore ku njohu më mirë jetën dhe punën e popullit puntor e patriot të Muhurrit. Krijoi lidhje e miqësi të reja që i ruajti gjatë gjithë jetës. Tashmë këto lidhje i mbajnë fëmijët e Ramizit, Arbeni dhe Abazi.


Më 1985 vjen mësues në Zdojan pas një viti në Tomin deri në vitin 1990 kur doli në pension. Ramiz Leka me pak vite ndërprerje punoi afër 40 vjet në arsim. Ishte ndër të parët mësues në Grykën e Vogël pas çlirimit, pra veteran i arsimit në Dibër. Kontributi si familje arsimdashëse është akoma më i madh. Bashkë me mbesat e fëmijët e tij, gjshtë mësues përbëjnë një Këshill Pedagogjik më vete; Abazi, Baftia, Valbona, Rina. Ku afër dy breza kanë derdhur djersë e vazhdojnë të punojnë me sukses në Dibër, Tiranë e deri në dhënjen e gjuhës shqipe Mimoza për emigrantët shqiptarë në Gjermani.
Nazifi, vëllai i Ramizit u dallua në punë për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në rrethet Mat e Dibër.
Ramiz Leka u martua dhe krijoi familjen me Bardhule Ramën nga Striçani më 1962. Ajo mbaroi shkollën pedagogjike në Tiranë, erdhi mësuese në Stushaj, Kovashicë, më 1973 në shkollën “Demir Gashi” deri sa doli në pension.


Trashëguan tre fëmijë; Arbeni, mbaroi politeknikumi “7 Nëntori”, Abazi, shkollën e muzikës Shkodër,Manushaqja shkollën teknologjike Tiranë. Të tre kanë krijuar familjet e tyre, banojnë në Tiranë, të nderuar e respektuar në komunitet sipas shembullit të prindërve të tyre.
Kam patur nderin të jem nxënës, por edhe koleg me Ramiz Lekën në Zogje 1968-1970. Ruaj kujtime të shumta. Kujdesi ndaj meje si nxënës, respekti si koleg e mik kanë bashkë udhëtuar për më shumë se gjysmë shekulli.Kujtoi Ramizin si një mësimdhënës model ndër mësuesit e tjerë. Jashtë orëve të mësimit e takoje me çekiç e pinca në duar duke kontrolluar xhamat, dritaret, dyert e shkollës, mjetet mësimore, pastaj nisej për në familje në fshat. E donte shkollën si shtëpinë e vet. Ne mësuesit e rinj e shikonim me admirim prandaj përpiqeshim të ndjekim shembullin e tij. Puna dhe përpjekjet e Këshillit Pedagogjik që drejtonte Ramiz Leka na nxiti ta vlerësojmë profesionin e mësuesit me përkushtim e pasion.Kujtoi shumë mirë aksionin për mbjelljen e plepave për të krijuar një mjedis të kulturuar(ato ekzistojnë edhe sot pas 60 vjetësh), hapjen e pusit me inisiativën e tij sepse shkolla nuk kishte ujë të pijshëm, ngritjen e terenit sportiv ndër më të mirët e shkollave të Dibrës, mirëmbajtjen shembullore e ambienteve dhe mjeteve mësimore, veprimtaritë e shumta, midis tyre eskursionet në Sheshe të Bulqizës, Livadhe të Bllacës, Gropat e Ukut, Fusha e Thatë, Mazhicë etj. Në shoqëri Ramiz Leka ishte i drejtë për drejtë, mjaft komunikues.Ato që e takonin për herë të parë dëshironin të vazhdonin lidhjet shoqërore, respektonte të gjitha moshat dhe kategoritë shoqërore. Kishte një humor mjaft interesant, njihte alegorinë dibrane dhe e tregonte shpesh në bisedat midis shokëve e miqve. Me të drejtë mburrej me traditat e mira të popullit dibran të trashëguara nga brezi në brez siç janë besa, bujaria, mikpritja, dashuria dhe humanizmi mbartës i të cilave përpiqej ti kultivonte edhe tek pasardhësit e tij, nipërit dhe mbesat.


Pak vite më parë Ramizi pësoi një paralizë që i rralloi edhe takimet tona. Viti 2020 si vit i pandemisë na ndau nga njerëzit e afërt, shokët dhe miqtë tanë.
Telefonatat nuk mund të zëvëndësonin bisedat tona e takimet aq të ngrohta e miqësore. Shumë prej njerëzve tanë nuk patën mundësi t’i përcjellin në banesën e fundit. Jam i tej mbushur me dhimbje. Do t’u mungosh fëmijëve, nipërve e mbesave, njerëzve të afërt por edhe shokëve e miqve.
Ngushëllimi më i mirë për të gjithë të afërmit është se ju latë një vepër e emër të mirë, që do të kujtohesh brez pas brezi.
Lamtumirë i dashur mik!
U prefsh në paqe!











Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes