l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Kudo nderohej dhe respektohej për kulturën e madhe dhe sidomos korrektesën dhe mënyrën e komunikimit me të tjerët


MEHDI MEZAN RAMOHITO, INTELEKTUALI DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I DURRESIT

SHPENDI TOPOLLAJ

Më 12 prill, pas një sëmundje të rëndë, u nda nga jeta në moshën 87 vjeçare, një nga intelektualët e shquar të Durrësit dhe anëtar i OBVL - së Mehdi Mezan Ramohito.
Ai është lindur më 15 Mars 1934 në Tragjas të Vlorës në një familje të shquar atdhetare. Pasi kreu shkollën fillore, ende fëmijë, largohet nga fshati i tij, dhe nga viti 1945 vazhdon studimet në shkollën ushtarake “Skënderbej.” Në vitin 1951 - 1952 përfundon shkollën e Bashkuar të Oficerëve dhe emërohet si kuadër politik me trupa në regjimentin e Delvinës, në Berat e pastaj në Pogradec. Në vitet 1955 -1960, duke parë arritjet dhe perspektivën e tij dërgohet për studime në Akademinë Politike “Lenin” në Moskë, të cilën e kryen me rezultate shumë të larta. Pas kthimit nga Bashkimi Sovjetik shërben në repartin e aviacionit (regjimenti inxhiniero - teknik), në qytetin e Patosit, dhe më vonë në aparatin e Drejtorisë Politike të Ministrisë së Mbrojtjes dhe në vitin 1967 caktohet zëvendës komisar i Korpusit të Katërt të Mbrojtjes Bregdetare, korpus që shumicën e Njësive dhe reparteve i kishte në Durrës. Për shumë vjet punon pranë Heroit të Popullit, gjeneral leitnant Rrahman Parllakut, nga i cili ruante kujtimet më të mira për vlerat e tij të larta atdhetare dhe njerëzore dhe sidomos nga takti i tij në marrëdhëniet me vartësit. Për një periudhë kohe, nga viti 1975 kryen detyrën e Komisarit të Brigadës së Durrësit. Por më pas goditet, pasi qe ndëshkuar si armik baxhanaku i tij, zbritet në detyrë, duke u dërguar në repartin e tankeve në zonën e Manzës. Me përkrahjen e mikut të tij Adem Meta caktohet Drejtor i Shtëpisë së Oficerëve në qytetin e Durrësit, ku e gjallëron bashkëveprimin me institucionet e kulturës dhe krijon njohje dhe miqësi me të gjithë artistët dhe intelektualët e qytetit e më gjerë. Kudo nderohet dhe respektohet për kulturën e madhe dhe sidomos korrektesën dhe mënyrën e komunikimit me të tjerët. Por ashtu siç ishte në natyrën e atij sistemi, përsëri e shkarkojnë nga kjo detyrë dhe e çojnë andej nga Kalaja e Turrës në një batalion artmitralier që varej nga Brigada e Kavajës. Dhe përsëri nuk ishin të qetë, gjersa e nxjerrin në pension në moshën 46 vjeçare si të padëshiruar. Mehdiu ishte i martuar me zonjën Halime (Çobani), mësuese e nderuar dhe e njohur në qytetin tonë dhe ka dy fëmijë, nga të cilët, njëri Dritani, punon dhe jeton në Zelandën e Re, ku është i martuar dhe tjetri, Albani që ka qenë për një kohë të gjatë Kryetar i Këshillit Bashkiak në Durrës, tani është drejtor i Muzeve dhe Monumenteve të Kulturës pranë Prefekturës.
Vetë Mediu ka përkthyer në rusisht këto libra:


- “Lotët e Zambakut” - roman me autor Shpendi Topollaj, botim i vitit 1998.
- “Pushkatimi” - roman me autor Shpendi Topollaj, botim i vitit 2008.
- Skenar filmi për romanin “Lotët e Zambakut” me autor Shpendi Topollaj, shkruar nga Xhevat Mustafa.
- “Valsi i Sevastopulit” - roman me autor Bido Ibrahimi, botim i vitit 1998. Ka përkthyer në gjuhën shqipe:
- “Skënderbeg” - roman me autor gjeneralin Jani K. Lufi, botim i vitit 2007, nga shtëpia botuese “Sovjetskaja Kuban”.
- “Petrit Dume - Biri i madh i popullit shqiptar” - monografi nga gjeneral Jani Lufi
Ka përkthyer gjithashtu në shqip shumë filma rusë si:
- “Idioti” i F. Dostojevskit me dhjetë seri.
- “I dyzetenjëti”
- “Lindje - Perëndim”
Gjithashtu ka përkthyer literaturë të ndryshme profesionale dhe për gazeta dhe ka shkruar disa artikuj me kritika letrare.
Familjes do t`i mungojë njeriu i dashur, kolegëve “Nderi i shoqatës kombëtare “Skënderbegasi” dhe shoqërisë, një veprimtar i palodhur dhe i respektuar nga kushdo.










Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes