l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Presidenti Meta dekoron filologun dhe studiuesin e njohur Shefqet Hoxha me Titullin “Mjeshtër i Madh”: Të mbrojmë dhe promovojmë vlerat kulturore dhe shpirtërore të kombit

Prof. Shefqet Hoxha, një shembull dhe model shkencëtari për të gjithë

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ka dekoruar filologun dhe intelektualin e njohur kuksian, zotin Shefqet Hoxha me Titullin “Mjeshtër i Madh”, me motivacionin: “Qëmtues i thellë i traditave etnokulturore në krahinat e Kukësit. Studiues i mprehtë i tyre të botuar në dymbëdhjetë vëllime, që e pasurojnë visarin kombëtar me vlera të shquara për brezat e ardhshëm”.
Në fjalën e Tij përshëndetëse drejtuar personaliteteve të artit dhe kulturës, të pranishëm në ceremoninë solemne, Presidenti Meta u shpreh:
“Është kënaqësi e veçantë, që me rastin e 87-vjetorit të lindjes, të vlerësojmë Profesor Shefqet Hoxhën, të cilit i urojmë jetë të gjatë dhe krijimtari të re.
Profesor Shefqeti është Doktor i shkencave filologjike, Profesor i Associuar, gjuhëtar, dialektolog, muzeolog, gjurmues arkivash, udhëheqës shoqatash shkencore, studimore e kulturore, pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, drejtues i lëvizjes demokratike në Kukës e më pas deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ‘Mësues i Popullit’, ‘Qytetar Nderi’ dhe personalitet i shquar i Qarkut të Kukësit dhe jo vetëm.
Profesor Shefqet Hoxha, ka të botuara mbi 65 libra e disa të tjera i ka në proces, ndërsa ka botuar edhe rreth 700 artikuj shkencorë, publicistikë dhe kulturorë.
Profesor Shefqet Hoxha ka mbi 60 vite punë kërkimore e shkencore në dobi të kulturës kombëtare e albanologjisë, një shembull dhe model shkencëtari për të gjithë.
Profesor Shefqeti, ka arritur të botojë 10 volumet kapitale të etnologjisë për Qarkun e Kukësit, një pasuri e rrallë shpirtërore që u shpëtua nga humbja e sigurt dhe harresa, për shkak se shumica e mbartësve të tyre, patriotët dhe pasionantët e kulturës nuk janë gjallë, si profesor Shefqet Hoxha, që ua ka kushtuar gjithë jetën e tij këtyre vlerave shpirtërore kombëtare.
Në një Shqipëri europiane, këto vlera shpirtërore që na sjell Profesor Shefqeti, janë prova e dëshmi kulturore e historike të dorës së parë që na veçojnë dhe dëshmojnë fytyrën e shpirtin tonë shqiptar, që pohojnë identitetin tonë kombëtar për të cilin duhet të jemi gjithmonë krenar.
Të shpëtosh gjuhën dhe të folurën e para një shekulli të një krahine si Luma, Hasi, Malziu, Fani apo Malësia e Gjakovës, ta regjistrosh e botosh këtë pasuri të rrallë shpirtërore, të folurën, këngët, legjendat, doket, zakonet e traditat është një shërbim i madh për ruajtjen e shpirtit dhe identitetit të kombit tonë.
Duke i uruar shëndet e jetë të gjatë Profesorit të nderuar Shefqet Hoxha, i shpreh gjithë mirënjohjen time dhe i uroj punë të mbarë në vazhdim për të mirën e kulturës kombëtare dhe të albanologjisë”.







Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes