l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Për një nga pinjollët e familjes emërndritur, bazë e Lufës Antifashiste Nacionalçlirimtare


RUSTEM DEVA, mishërues i vlerave më të mira njërëzore e intelektuale

Më 4 mars u nda nga jeta Rustem Hysen Deva, një nga personalitetet e spikatura në elitën intelektuale të rrethit të Dibrës. Kudo, në Muhurr, Peshkopi, Zall Dardhë, Çidhën, Zerqan, Shupenzë e Qendër dhe në metropolin shqiptar, në Tiranë, ku jetonte lumturisht me familjen e tij prej shumë vitesh, atë e njihnin dhe e respektonin si njeriun simbol të vlerave më të mira njërëzore e intelektuale.
Rustem Deva, lindi një natë maji të vitit 1939, kur vendi ishte i pushtuar nga Italia fashiste e qielli shqiptar nxinte nga avionët armiq. Ai u lind dhe u rrit në një vatër të ngrohtë të zjarrtë patriotike e atdhetare e cila që në fillimet e para ishte e lidhur ngushtë me luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në këtë kullë historike - bazë e LANÇ lindi, u rrit dhe u burrërua Rustem Deva, djali i vetëm i Hysen Devës dhe Davë Manukës (Deva), bijë kjo tek fisi i njohur Manuka në Selishtë. Gjatë periudhës 1946-1949 Rustemi do të vazhdonte shkollën fillore në Hurdhë–Muhurr. Shkolla ishte hapur që herët nën kujdesjen e Dine Hoxhës e Llan Devës.
Pas përfundimit të shkollës në Hurdhë-Muhurr, vetë Rustemi përfitoi shumë, lexonte e shkruante bukur e rrjedhshëm shqip. Ishte pikërisht periudha kur kishte filluar lufta kundër analfabetizmit dhe zhvilloheshin kudo kurse nate për të mësuar sado pak shkrim e lexim.
Gjatë viteve 1949-1953 edhe vetë Rustemi doli vullnetar dhe u bashkua me këto grupe që mundoheshin të zhduknin analfabetizmin e të mësonin shqiptarët që të lexonin dhe shkruanin shqip.

SHKOLLIMI
Në Tiranë gjatë këtyre viteve ishte hapur shkolla pedagogjike pikërisht aty ku më parë kishte qenë Instituti femëror “Nëna Mbretëreshë”, shkollë kjo e cila po përgatiste kuadrin e nevojshëm për të punuar në shkollat që vazhdonin të hapeshin me shpejtësi kudo në vendin tone.
Ishte hera e parë që Rustemi futej në Tiranë me atë valixhen e vogël prej druri që ia kishte përgatitur vetë Llani, me pak rroba që do t’i nevojiteshin, por shumë shpejt do të ambientohej me jetën në kryeqytetin shqiptar. Llani u largua nga Tirana vetëm kur u sigurua mirë se ku do të flinte Rustemi, ku do të mësonte, se kush ishin mësuesit dhe ku ishte kuzhina ku do të ushqeheshin nxënësit. Pasi u sigurua për të gjitha këto, me zemër të thyer më së fundi u largua për në Dibër duke e lënë kështu Rustemin në Tiranë që të vazhdonte shkollën. Ishte hera e parë që shkëputeshin bashkë të dy e do të qëndronin katër vite të ndarë me njëri-tjetrin.
Drejtor shkolle këtu ishte Riza Hajro, kurse mësues kishin babain e abetares Kolë Xhumara dhe shkrimtarin e njohur Petro Marko si dhe Margarita Pogaçi. Kishte një disiplinë e rregull të përsosur në shkollë, duke filluar që nga zgjimi i mëngjesit, ushqimi, fillimi i orës së mësimit e deri në periudhën e gjumit.

Askush nuk guxonte të dilte jashtë programit mësimor, pasi ishin vetë mësuesit që ua bënin nxënësve orën e mësimit më të lehtë, më të kuptueshme. Kur futej Petro Marko në klasë, i veshur bukur e me shije, sytë e të gjithëve mbërtheheshin tek tavolina e mësuesit. E shpjegonte kaq bukur lëndën sa nuk ishte nevoja me lexuar më vonë, por mjaftonte shpjegimi që bënte mësuesi në klasë dhe të gjithë nxënësit e kuptonin fare mirë.
Vitet e shkollës ishin mjaft të bukura për Rustemin. Këtu mësoi shumë, përfitoi jo vetëm nga dijet që mori në shkollë por dhe nga jeta që bëhej në qytet, u lidh me mjaft shokë nga vende të tjera.
Rustem Deva i ishte përkushtuar shumë shkollës dhe në të gjitha lëndët kishte dalë shkëlqyeshëm. Kishte mbaruar dy vite dhe i duhesh edhe dy të tjera që ta përfundonte e të kthehej pranë familjes.

Rruga drejt ngjitjes
Në muajin korrik të vitit 1957, Rustemi e mbaron shkollën pedagogjike me nota të mira, ndahet me shokët e shkollës por edhe me mësuesit dhe me atë valixhen e vjetër në duar, niset drejt vendlindjes ku e prisnin të gjithë me mall në shtëpi.
Shtatori erdhi me reshje të shumta shiu. Dimri siç duket ishte afër. Atë mëngjes Rustemin e kërkuan në Peshkopi. Kur kthehet në darkë vonë në shtëpi u tregon se e kishin caktuar mësues në shkollën e Vaj-Mëdhejt. Një buzëqeshje e hollë u end në fytyrën e Llanit. Tani nuk kishte më forcë ta kundërshtone. Jeta e Rustemit kishte nisur ndryshe, krejt ndryshe sa e kishte patur imagjinuar vetë Llan Deva. Në këtë shkollë qëndroi një vit nga shtatori 1957 deri në mars të vitit 1958 dhe pas këtij viti përsëri Rustemi do të trasferohet në një tjetër shkollë.
U trasferua për në fshatin e tij të vendlindjes, në Hurdhë-Muhurr, pikërisht në atë shkollë ku kishte mësuar germat e para tashmë vinte si mësues.
Rustemi punoi me dashuri dhe përkushtim në këtë shkollë.
Në vitet 1967-1969 Rustem Deva do të shkëputej nga arsimi dhe do të vazhdonte shkollën e lartë të Partisë në Tiranë. E pas diplomimit atë e priste shkolla e madhe e jetës, duke shërbyer me përkushtim e devotshmëri në detyra e funksione të rëndësishme si: instruktor partie në lokalitetin e Zall Dardhës deri në vitin 1972; Pas Zall Dardhës, Rustemi trasferohet pranë komitetit të partisë së rrethit Dibër, me detyrën përgjegjës i grupit të instruktorëve, detyrë të cilën e mbajti nga viti 1972 deri në vitin 1983, kur sekretar i parë ishte Hekuran Isai.
Në Peshkopi, Rustemi do të merrte edhe familjen me vete dhe kështu do të shkëputej nga fshati i tij Hurdhë -Muhurr. Krahas punës domosdo që një rol kryesor ka edhe familja dhe roli parësor ishte edhe edukimi i fëmijëve. Rustemi ishte i angazhuar shumë me punët e ngarkuara dhe me rritjen dhe edukimin e fëmijëve një përgjegjësi të madhe kishte bashkëshortja e tij, Naxhija.
Megjithatë, puna me partinë kishte edhe ngritjen, edhe rëniet e saj. Rustemi jo që u godit, por puna, përkushtimi, vullneti me të cilën punonte vazhdimisht nuk u pëlqente të gjithëve. Kështu për nevoja të punës së partisë, në vitet 1983-1985 do ta dërgojnë në kooperativën bujqësore të Fushë-Çidhnës me detyrën e sekretarit të byrosë së partisë. Ishin vite që në këtë kooperativë kishin ndohur shumë ngjarje të trishta, por Rustemi, falë kurajos, vullnetit dhe profesionalizmit të tij ia doli mbanë.
Në vitet 1986-1987, Rustemi trasferohet shef kuadri në kooperativën bujqësore të Shupenzës dhe nga viti 1987 deri në vitin 1989 punon po shef kuadri në koperativën bujqësore Qendër. Në vitet 1989 deri në vitin 1991, vit ky kur dhe u prishën kooperativat bujqësore, e shohim sekretar të byrosë së partisë në kooperativën e Staravecit.
Rustem Deva i bëri të gjitha punët me shpirt dhe zemër. Ai u tregua kaq i aftë sa investoi që të ishte jo vetëm një sukses, por të mbetetet edhe një vlerë në historinë tonë kombëtare dhe pa dyshim që e tillë do të mbetet në kujtesën e familjarëve, shokëve e miqve të tij të shumtë.

(Marrë nga libri “Muhurri, histori dhe personalitete” i autorit Halil Rama)







Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes