l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Për një personalitet të shquar dhe të nderuar si të kulturës shqiptare, ashtu edhe të OBVL-së


TITULLI I LARTË “NAIM FRASHËRI”,
VLERËSIM I MERITUAR NGA PRESIDENTI I REPUBLIKËS PËR SHKRIMTARIN SHPENDI TOPOLLAJ


HALIL RAMA

Kryesia e OBVL dhe stafi i gazetës “VETERANI” i urojmë sinqerisht suksese të mëtejshme në punën e tij fisnike, ku ai pa u lodhur dhe me një prodhimtari të rrallë, vë gjithë talentin e tij në shërbim të Atdheut
Me datën 26 Mars 2021 Presidenti i Republikës i akordoi shkrimtarit të njohur Shpendi Topollaj, anëtar i Këshillit Kombëtar të OBVL - së dhe bashkëpunëtor i rregullt i gazetës tonë, titullin e lartë “Naim Frashëri”. Krijimtaria e gjerë e tij në poezi, tregime, novela, romane, kritika letrare, publicistikë dhe dramaturgji, shumë të përkthyera edhe në gjuhë të huaja, dhe vlerat e tij të larta njerëzore, për të cilat edhe janë shkruar e botuar disa libra voluminozë, e kanë bërë atë një personalitet të shquar dhe të nderuar si të kulturës shqiptare, ashtu edhe të shoqatës tonë. Mjaft të kujtojmë se nga ana e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Rusisë i është dhënë çmimi prestigjioz “Pushkin” me motivacionin “Për bukurinë e fjalës dhe të mendimit”. Me këtë rast, Kryesia e OBVL dhe stafi i gazetës “VETERANI” i urojmë sinqerisht suksese të mëtejshme në punën e tij fisnike, ku ai pa u lodhur dhe me një prodhimtari të rrallë, vë gjithë talentin e tij në shërbim të Atdheut. Po ashtu e gjejmë me vend të botojmë fjalën e tij falenderuese që mbajti para Presidentit të vendit zotit Ilir Meta.

Shumë i nderuar zoti ILIR META President i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura!

Nga zemra u falenderoj për vlerësimin që po na bëni, nderim të cilin e kuptoj se ja adresoni të gjithë atyre djemve që ndër vite kaluan në bankat e shkollës lavdiplotë “Skënderbej”, pasi për ta, më shumë se për këdo, vlen ajo thënia e romakëve të vjetër “Ab uno disces omnes”, pra “ si është njëri janë të gjithë”. Pastaj, a nuk ishte Volteri ai që thosh se “Vlerësimi është një gjë e mrekullueshme: bën që ajo që është e shkëlqyeshme në të tjerët të na përkasë edhe neve”? Jeta e ka vërtetuar katërcipërisht se ne oficerët skënderbegas, pasi u shkolluam me sukses në akademitë brenda apo jashtë vendit apo në auditorët e universitetit, dhe që gjithë jetën tonë e kaluam përmes sakrificash, privacionesh e vështirësishë të panumërta, ju përkushtuam me të gjitha forcat tona të trupit, mendjes e shpirtit, idealit më të madh që njeriu ka: mbrojtjes së Atdheut tonë të shenjtë. U bëmë mjeshtra të armëve moderne në tokë, në ajër dhe në det dhe ishim korrektë në zbatimin e detyrave, të vendosur në arritjen e objektivave në të gjitha llojet e stërvitjeve, qofshin ato dhe të shkallës operative - strategjike, të thjeshtë e plot kulturë me resurset që na ishin besuar për t`i përgatitur ushtarakisht, duke i udhëhequr ata gjithmonë me shembullin personal, dhe të ndershëm në marrëdhëniet me popullin prej nga kishim dalë. Jemi krenarë se qëndruam deri në fund besnikë ndaj çështjes tonë kombëtare dhe në pafundësinë e furtunave absurde që marria e kohës ngriti edhe në ushtri, ne mbetëm dinjitozë dhe nuk e zhgënjyem askënd. I kryem angazhimet tona profesionale, më së shumti larg familjeve tona, duke përsosur veten në radhë të parë, ashtu siç shprehej Bernard Shou, nuk e kërkuam, por e krijuam veveten dhe nuk harruam për asnjë çast obligimet tona si qytetarë të këtij vendi. Dhe pse ndihemi të tillë, i mbështetëm urtësisht reformat demokratike dhe e pritëm si domosdoshmëri fatlume përfshirjen tonë në NATO. Kjo nuk do të thotë se nuk kemi vajtuar, kur mjerisht pamë shkatërrimin e ushtrisë tonë, duke e ditur mirë se kë kemi rreth e rrotull. Po ashtu, ne flasim me ju si me vëllanë tonë, djalin e shokut tonë oficer, ndaj nuk ka pse ta fshehim se edukimi ynë nuk mund të pajtohet me lënien e fateve të vendit në duart e të huajve, pavarësisht mirënjohjes që kemi për ta, si për konsolidimin e demokracisë, ashtu edhe për sa bënë për lirinë e Kosovës tonë. Ju e dini, se ne krijuam shoqatën kombëtare “Skënderbegasi” dhe me veprimtaritë e shumta që kemi zhvilluar nën drejtimin e mençur dhe intransigjent të kryetarit dr. Mikado Shakohoxha, pa asnjë lloj nostalgjie primitive, promovuam vlerat e komandantëve, mësueseve, kuadrove të shquara që nxorri shkolla ndër vite, shkrimtarëve, artristëve, shkencëtarëve, sportistëve, traditat dhe vitytet më të mira që historikisht ne shqiptarët kemi dhe që nuk duhen harruar asnjëherë. Dimë t`i japim rëndësinë e duhur dhe u falenderojmë për përkrahjen dhe pjesëmarrjen tuaj në disa nga këto veprimtari. Dua ta mbyll fjalën time me thënien e famshme të filozofit dhe reformuesit të ushtrisë fiorentine Nikolo Makiavelit se “Nuk e nderojnë titujt njeriun, por njeriu i nderon titujt”. Ndaj u siguroj zoti President, se edhe në vazhdim, me fjalën tonë, me sjelljen tonë, me veprën tonë, akoma më shumë do t`i zbukurojmë dekoratat që patët mirësinë të na akordoni. U faleminderit!






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes