l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

KËSHILLI I QARKUT VERILINDOR KONSIDERON PROPOZIMIN E KRYESISË SË OBVL


ISMAIL SHULKU DHE MUHARREM GJOKA “NDERI I QARKUT DIBËR”


Kryesia e OBVL falenderon Këshillin e Qarkut Dibër dhe kryetaren, Valentina Haliti Doda, që konsideruan propozimin e saj për të nderuar të dy figurat e spikatura dhe dy njerëz me kontribute të mëdha në shërbim të Dibrës dhe Shqipërisë

Me propozimin e Kryesisë së Organizatës së Bashkuar të Veteranëve të LANÇ (OBVL), Këshilli i Qarkut Dibër ka nderuar me titullin “NDERI I QARKUT DIBËR”, kolonel Ismail Shulkun dhe nënkryetarin e OBVL Muharrem Gjoka. Dy burra të nderuar, dibranë dinjitoz, kontribues dhe të përkushtuar në vite, profesionist të vërtetë në punën e tyre, njëri si ushtarak dhe tjetri si mjeshtër në kantjeret e rrugëve dhe hidrocentraleve, janë nderuar kështu të premten më 17 prill në një ceremoni festive  të organizuar në Peshkopi nga këshilli i Qarkut Dibër.


Kolonel Ismail Shulku – ish-komandant i Frontin Veri-Lindor dhe zëvendës i Shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe nënkryetari i OBVL Muharrem Gjoka, u vlerësuan për kontributin e tyre mbi 50 vjeçar, me titullin “Nderi i Qarkut Dibër”. Kryesia e OBVL i përgëzon të dy figurat e spikatura dhe falenderon Këshillin e Qarkut Dibër dhe kryetaren, Valentina Haliti Doda, që konsideruan propozimin e saj për të nderuar dy njerëz me kontribute të mëdha në shërbim të Dibrës dhe Shqipërisë.
Dhe këtu në Dibrën e “Nandë  Maleve” historike, me një pozitë shumë të mirë gjeografike, që shtrihet në luginën e Drinit të Zi nga Gjorica deri në Reç, në hapësirën mes Korabit e Runjës, këto dy burra të shquar të saj  ndjehen si në shtëpinë e vet. Gjithsesi  krenarë për historinë e lavdishme të Dibrës, ata kanë nostalgji për tokën pjellore, fushat, malet si dhe bjeshkët e larta të vendlindjes së tyre, ashtu si edhe për lumenjtë që e përshkojnë si Drini, Murra e Seta  dhe ca lumenjë të vegjel por të rëndësishëm.  Paraditen e 17 Prillit, koloneli i mirënjohur Ismail Shulku dhe promovuesi i vlerave etnokkulturore dibrane Muharrem Gjoka do të ishin të rrethuar nga personalitete të Qarkut Dibër (që përfshin tri rrethet: Dibër, Bulqizë e Mat), si nga kryetarja e Këshillit të Qarkut Valentina Haliti Doda, prefekti Nexhbedin Shehu, nga ikona e gazetarisë sportive dhe e dokumentarit televiziv Defrim Methasani, nga  familjarë, miq e të afërm të tyre. Ata janë nderuar edhe herë të tjera, por Titulli i dhënë nga autoriteti më i lartë vendor i vendlindjes së tyre, “Nderi i Qarkut Dibër” i bën të ndjehen më krenarë se kurrë.

NDERIMI PËR KOMANDANTIN E FRONTIT VERILINDOR, ISH-ZV/ SHEF I SHTABIT TË PËRGJITHSHËM TË FA TË RSH

Kolonel ISMAIL NAZIF SHULKU u vlerësua me titullin “NDERI I QARKUT DIBËR” me motivacionin: “Për kontributin e dhënë në organizimin dhe konsolidimin e strukturave të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë si dhe për propagandimin dhe promovimin e vlerave patriotoke të dibranëve në luftrat për liri e pavarësi kombëtare”.
Ismail Shulku lindi në Peshkopi më 10 shkurt 1943. Në qytetin e Peshkopisë kreu arsimin 7-vjeçar, si dhe shkollën e mesme. Në vitin 1961, Isamil Shulku nisi studimet në Shkollën e Bashkuar, për t’i përfunduar ato me rezultate shumë të mira. Me përfundimin e shkollës e caktuan komandues po në shkollë ku qëndroi dy vite edhe si komandues, edhe pedagog. Aty mësoi më shumë për t’u orientuar në jetë në detyrat ushtarake. Pas kësaj eksperience të mirë, emërohet komandant kompanie në brigadën e Peshkopisë, ku pas një viti bëhet shef i shtabit të batalionit dhe shumë shpejt edhe komandant batalioni, për punë të organizuar dhe për marrëdhënie shumë të mira me kuadrot dhe ushtarët. Në vitit 1974 shkoi për studime në Akademinë e Shtabit të Përgjithshëm, e cila përgatiste shtatmadhorë dhe drejtues të lartë të ushtrisë. Ismaili mbrojti diplomën shumë mirë dhe në shtator filloi punën si komandant i Brigadës së Gramshit. Kur mbushi 5 vjet në detyrë, u transferua në detyrën e shefit të Shtabit të Koorpusit të Burrelit. Deri në mars 1983, kreu dhe detyrën e komandantit të Koorpusit, por ato u suprimuan dhe mori detyrën e komandantit të Divizionit të Burrelit që shtrihej në katër rrethe në Librazhd, në Peshkopi, në Burrel dhe një pjesë në Tiranë. Ky divizion kishte një detyrë të vështirë pasi mbronte drejtimin Dibër e Madhe, Kaptina e Martaneshit dhe Tiranë.
Në vitin 1985, Këshilli i Mbrojtjes e pa të arsyeshme që ushtria të ndahej në tre Fronte. Për çdo front u caktua nga një komandant, ku Ismail Shulku, mbulonte Frontin Veri-Lindor dhe ishte zëvendës i Shef i Shtabit të Përgjithshëm. Kështu që filloi punë në Shtabin e Përgjithshëm,duke drejtuar Frontin Veri-Lindor që ishte më i vështirë, pasi mbulonte vijën kufitare prej 474 km nga Qafë Thana deri në Velipojë të Shkodrës dhe kishte në drejtim 6 divizione.
Ismail Shulku është autor i mjaft shkrimeve e kumtesave në shtypin ushtarak, si dhe i disa metodikave që kanë shërbyer për zhvillimin e disa stërvitjeve të Shtabit e Komando-Shtabi me shumë njësi të Forcave të Armatosura. Ai ka drejtuar e udhëhequr disa stërvitje të mëdha me trupa, me njësi taktike dhe operative, me pjesëmarrjen e të gjitha llojeve të armëve e shërbimeve. Deri në fund të karrierës ushtarake mbajti me dinjitet gradën e Kolonelit. Në të gjithë veprimtarinë e tij për merita pune e shërbimi është vlerësuar me urdhra e medalje të ndryshme nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, nga Ministri i Mbrojtjes dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA.

MUHARREM GJOKA, PROMOVUES I VLERAVE ETNOKULTURORE DHE ATYRE TË LANÇ

Nënkryetari i OBVL MUHARREM MEHDI GJOKA u vlerësua me titullin “NDERI I QARKUT DIBËR”, me motivacionin: “Për për mbajtjen gjallë të vlerave etnoklulturore, për kontributin e çmuar në mbështetjen dhe promovimin e vlerave të LANÇ, dhe si ish-drejtues në fushën e ndërtimeve dhe infrastrukturës rrugore në gjithë vendin”.
Muharremi lindi në vitet e luftës, Në Zall Dardhë, Dibër më 16 qershor të vitit 1943. Kaloji një fëmijëri të vështirë, por kjo e bëri më të fortë dhe të vetëdijshëm për të çarë rrugët e jetës. Që në vitet e rinisë së tij u inkuadrua në kantierët e ndërtimit të rrugëve, fllimisht në Kurbnesh dhe më pas në Skuraj, duke afirmuar cilësi të jashtzakonshme, të njeriut punëtor, korrekt, kreativ, por edhe drejtues i aftë. Vitet e shërbimit ushtarak e largojnë prej ketu dhe mbrojtja e Atdheut e kërkon në Bilishtin e largët, në kufirin me Greqinë. Prej aty, ai shërben syshqiponjë edhe në Poçarin e largët në Leskovik, duke lënë gjurmët e mira të një patrioti të guximshëm dhe të një ushtari e djali të mirë. Sërish pas shërbimit ushtarak në kantieret e ndërtimit, nga njëri fshat në tjetrin, si në Spaç, Shupal, Reps, Arrëz, Miliska, Fierzë, Gropa, Haprripe etj, Muharrem Gjoka stamponte çdo ditë me punën dhe sjelljen e tij, emrin e mirë, duke krijuar një personalitet të padiskutueshëm. Veçanërisht aftësitë e tij organizuese dhe drejtuese spikatën në vitet 1965-1955 në ndërtimin në një kohë rekord të rrugës Qafë Bari – Fierzë dhe në vitin 1972 për asfaltimin e rrugës nacionale Peshkopi-Bulqizë. Më pas, cilësitë e tij dhe vrulli i punës e afirmojnë edhe në Vaun e Dejes, madje aty kreu edhe studimet e shkollës së mesme në teknikumin e ndërtimit, duke rritur më shumë nivelin e tij jo vetëm profesional, por edhe intelektual. Tashmë shkollimi i jep mundësinë që të zgjidhet në detyra të rëndësishme, duke qënë edhe drejtuesi i transporit. Jo rastësisht ai mori përsipër mjaft punë të mira në asfaltimin e rrugëve të Pukës, Shkodrës, Kukësit, Bulqizës, Rrëshenit, etj. Viti 1979, solli një shpërblim të gjithë këtij angazhimi dhe pune titanike, duke u pozicionuar në qytetin e Laçit, ku zgjedh edhe të banojë me familjen e tij të re dhe aty vijon të jetojë e kontriboj për shumë vite. Këtu kryen edhe shkollën ekonomike, çka i mundësoi ngjitje në shkallët e karrierës deri Shef i Transportit të Ndërmarrjes së Asfaltimit që mbulonte gjithë Veriun e Shqipërisë.
Pas viteve 90, kantieri ku ai punonte, Rruga Ura u privatizua, konkretisht në vitin 1994, por Muharremi vijoi të ishte sërish aty, si drejtues kantieri deri në vitin 2002. Dy vjet më pas, pra në vitin 2004, ai del në pension, por kjo shkëputje, asnjëherë s’e ndali atë në vrullin e përjetshëm të angazhimeve dhe punëve të mira në dobi të familjes, vendlindjes dhe Shqipërisë.
Muharrem Gjoka, mbetet në ajkën e njerëzve të mirë dhe burrave të ndershëm e të përkushtuar, që përmes punës fjalës, sjelljes, por mbi të gjitha veprave të mëdha në shërbim të komunitetit, kanë një vend te merituar në shoqëri dhe komunitet.
Prej më shumë se dhjetë vitesh Muharrem Gjoka kryen funksionin e Presidentit të Grupit Artistik “Hazis Ndreu” – “Nderi i Kombit”, i cili ka konkuruar dhe fituar çmime të para në festivale ndërkombëtare si në Ulqin, Tetovë e Prishtinë. Po ashtu, që nga Kuvendi i shtatë i OBVL është zgjedhur Nënkryetar i kësaj organizate, funksion të cilin e kryen me përkushtim të rrallë. Aktiviteti i tij i mësipërm është vlerësuar me Çertifikatë Nderi nga Shoqata Kombëtare e Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali; me Mirënjohje nga Qendra për Kulturë në Ulqin; me Çertifikatë Mirënjohje nga Ansambli Artistik “Kuvendi” Zall Dardhë, ndërkohë që mban edhe Titullin “AMBASADOR I PAQES” nga Federata e Paqes Universale.
Vleresimi i kontributit të zotërinjve ISMAIL SHULKU dhe MUHARREM GJOKA, - anëtarë të kryesisë së OBVL me titullin “QYTETAR NDERI” TË QARKUT DIBËR , parasëgjithash është vlerësim për Organizatën tonë të Bashkuar të Veteranëve të LANÇ, e cila prej 26 vitesh që nga krijimi i është përkushtuar edukimit atdhetar të shoqërisë dhe të brezave.






Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes