l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Kultin e Shqipës e pranon si mrekulli të natyrës edhe poeti Ndre MJEDA sa e këndon te pomthi “LIRIA”

MYSAFIR TE HAXHI HAFIZ QAMIL BAÇA


Nga Agron SEJAMINI

Fat dhe dhuratë do të ishte një udhëtim drejt zonës së Çermenikës, në këto ditë pandemie dhe pranvere. Emrin e kësaj treve të Librazhdit e kam fiksuar në librat e shkollës tetëvjeçare nga ndodhia e Nënë Zyhrasë që therri dhinë e vetme për Shtabin e Përgjithshëm të ushtrisë partizane. Koha ka ecur, sistemet kanë ndryshuar, por ajo që mbetet e njëjtë është fisnikëria dhe bujaria e këtyre njerëzve. Të vjen keq që rruga e asfaltuar të lë në mes të udhës dhe nuk të shoqëron deri në Gurakuq në vendlindjen e mikut tim, Skënder Baçës, nip i Haxhi Hafiz Qamil Baçës, dikur kreu i Myftinisë së Librazhdit, sot emërmiri i shqiptuar dhe i nderuar në çdo shtëpi çermenikase e më tej…
Tema e shkrimit tonë pas këtij udhëtimi mund të ishin gështenjat e Gurakuqit, det i pafund gjelbërimi që për këta fshatarë mbeten i vetmi burim fitimi me vlerë. Intuit largpamëse e të parëve të tyre për kultivimin e kësaj peme që më e pakta do të ishte “bukë dhe gjellë” në mote të vështira...
Në Gurakuq janë dy rrape madhështorë dhe shumë shekullorë që me tendën e tyre gjigande hijeshojnë dhe jeshilojnë tapetin e sheshit para xhamisë. Nuk e besoj të jetë rastësi bashkejetesa e tyre. Mendim që forcohet edhe nga disa ndodhi jetësore, fjala vjen kur dikushi ka vënë dorë mbi këto pemë është paralajmëruar apo ndëshkuar me mallkim. Por, edhe zyrtarisht këta dy rrape janë autoritarë sepse pas vitit 2002, mbrohen nga shteti, duke u shpallur “Monument natyror”. Ja pra, edhe për këto dy simbole të bukurisë natyrore mund të shkruanim gjatë...
Objekt interesant dhe frymëzues mund të ishte edhe “Kanuni i Mus Ballgjinit” nëpërmjet të cilit është vetqeverisur kjo treve në shekullin e XVII. Besa, burrëria dhe nderi kanë qenë gurthemeli i sjelljes personale dhe shoqërore. Gjatë periudhave të sundimit nga pushtuesit e huaj, e drejta dokësore nuk u asimilua falë funksionit që kishte për mbrojtjen e interesave të bashkësisë së saj.Mus Ballgjini i Gurakuqit që ka hartuar këtë kanun, ka qenë njeri i ditur dhe me kulturë.
Një shkrim më vete do të meritonte edhe xhamia e këtij fshati, më e madhja e zonës, themelitë e të cilës janë hedhur para 300 viteve. Dy katëshe dhe me një akustikë të jashtëzakonshme, imamët e këtij institucioni kanë qenë teologë që kanë mbaruar studimet e larta në Stamboll. Ai që thirri ezanin e parë në epokën e demokracisë ka qenë pikërisht Haxhi Hafiz Qamil Baça.
I dëshiruar për këtë moment të shumëpritur, nuk humbi as të premten e parë pas ditës që u shpall zyrtarisht lejimi i besimit dhe kryerjes së riteve fetare. Emocionet e paharruara dhe gëzimi i papërshkruar i besimtarëve të këtij fshati, gjithashtu mund të mbushnin faqe gazetash…
Mirëpo, ato që dëgjuam dhe mësuam përgjatë një nate bashkëbisedimi në odën, ku ka jetuar Haxhi Hafiz Qamil Baça, nga pjesëtarët e familjes së tij, ishin ajka e përjetimeve mbresëlënëse të këtij udhëtimi. Përjetuam shpalosjen e virtyteve të larta njerëzore që mbeten pasuri e çmuar trashëgimore për këtë fis dhe krenari morale e shpirtërore për zonën e Çermenikës.
Në këtë shtëpi me themeli të hershme, na u shpalos madhërishëm familja e qëmotshme shqiptare, madhështia e të cilës lë në hije dhe bën të skuqen edhe shumë familje të sotme “moderne”…
Në rrëfenjat e dy djemve të Qamilit, Limanit dhe Seferit, bashkëshortes së këtij të fundit, Amberies apo nipërve Skënderit dhe Ademit, skalitet portreti i të parit të familjes që në përditshmërinë e vet, karakterizohej nga pasioni për punën, dashuria për njëri tjetrin dhe nderimi i mysafirit që trokiste në derë. Një familje që ka funksionuar në përsosmëri dhe me disiplinë, ku çdo anëtar i saj ishte në “garë” për t’i shërbyer sa më denjësisht, fisnikërisë dhe mirësisë. Përherë nën komandën e të parit të shtëpisë…
I pari i shtëpisë, Qamil Baça ka qenë burrë i respektuar dhe i nderuar nga shumë miq dhe shokë, pasi rrezatonte drejtësi, njerëzillëk, urtësi dhe mënçuri. Nuk kishte javë të muajit që të mos shfaqej një mysafir në portën e shtëpisë së tij. Të ardhurat ishin të bollshme sepse punonte vetë, dy djemtë Limani, Seferi, nuset dhe fëmijët e tyre.
Mirëpo, më shumë se kaq, tjetër kund ishte meraku dhe preokupimi i tyre. Ata dëshironin që ajo portë të mbetej përherë e çelur dhe sofra e shtruar për mysafirët. Ata motivoheshin dhe nuk trishtoheshin nga fakti që më shumë harxhohej për miqtë, se sa për njerëzit e shtëpisë. Radhë do të ndodhte që portofoli i të parit të shtëpisë, të mbetej bosh. Nëse do të vinte një çast i tillë, ajo themeli do ta përjetonte si “ditë qameti”…

Asnjëherë nuk u tha shpirti dhe krahu i Qamil Baçës
Tregon Limani, djali i madh i Qamilit:
- Familja jonë ka qenë e madhe, sa çdo ditë blinim shtatë bukë që në atë kohë, kushtonin 210 lekë. Nuk e harroj një të dielë, kur Baba më afrohet dhe më thotë:
- Unë sot dhe 300 lekë kam në protofol...
E ndërpres dhe i them:
- Boll i ke për të blerë bukët. Nesër, e bën kismet Zoti!
- Jo nesër, por sot! Dera e shtëpisë është çel mor bir dhe nuk i dihet se kush na vjen. Ndaj hidhu deri te Shabani dhe kërkoi 500 lekë borxh. Ja kthejmë, kur të marrim pesëmbëdhjetë ditëshin...
E kisha të vështirë të kërkoja lekë, ndaj si rrallë herë e kundërshtova. Ai “shko ti”, unë “shko ti” deri në një moment, kur mua më shpëton një fjalë e ligë:
- Po çfarë i bëre lekët që mbaruan kaq shpejt or Babë?
E ndjeva që u rëndua shumë sepse nuk foli asnjë fjalë, por futi dorën në xhepin e palltos dhe më zgjati protofolin e tij.
- Urdhëro, mbaje ti! Do ushqesh, veshësh e mbathësh rrobt e shtëpisë, të presësh dhe përcjellësh mikun, ashtu si kemi bërë deri më dje. Atëherë shiko nëse teprojnë apo jo…
E kuptova që isha nxituar dhe e kisha vrarë shpirtërisht. Ndaj më duhej ta qetësoja sa më parë. Ia vendos portofolin në xhep të xhaketës dhe i them:
- Nuk më takon mua parallëku dhe drejtimi i shtëpisë sa të jesh ti gjallë! Por, hajde pas meje…
Zbresim në bodrumin e shtëpisë, aty ku pas orarit të punës në kooperativë si marangos, kryeja ndonjë porosi të bashkëfshatarëve duke përgatitur dyer dhe dritare. Një pjesë të këtij fitimi, nuk ia dorëzoja babës, por e mblidhja për ndonjë ditë të vështirë. Iki te pasqyra e dollapit të punës dhe filloj ta çmontoj me një kaçavidë. Nxjerr prej andej një copë kartoni të palosur, ku kisha vendosur disa kartmonedha 500 dhe 1000 lekëshe. As vetë nuk e dija sa ishin bërë në një vit e ca kohë që kishte kaluar. I thashë Babës, ulu dhe numëroj. Janë të gjitha të tuat! Ishin, plot 24 mijë lekë! Pas çdo numri që pëshpërinte, një pikë loti i rrëshqiste nëpër faqe…
“- E or bir, bëfsh hajër! Sa gjurmë hedhsh në jetën tënde, aq të mira të dhëntë Zoti!”.
As bashkëshortja dhe as fëmijët e Limanit, nuk e dinin këtë shumë lekësh të mbledhur me djersën e ballit sepse si përherë aty çdo gjë ishte e përbashkët dhe në shërbim të nderit dhe mirëqenies së familjes. Sikurse ndodhi në rastin në fjalë që u mënjanua një “ditë qameti”.
Kaluan vite dhe në epokën e demokracisë, Limani vendosi të shkëputet nga fshati për tu vendosur me familjen e tij të vogël, në një zonë fushore, siç është Çerma e Lushnjës. Një zhvendosje që shpirtërisht u përjetua keq nga të gjithë. Më i dëshpëruar nga të gjithë u ndje Qamili.
- Si do bëj hall unë këtu, or bir? Më thave krahun që ike!
Mirëpo, më kot mërzitej ai baba i lumtur sepse vitet në vazhdim dëshmuan se ajo që ndodhi ishte thjesht ndarje fizike. Nuk i shkëputën komunikimet dhe takimet. Madje, nga inercia apo trashëgimia përsëri krijohej ndjesia se ai protofol ende ishte i përbashkët. Sa herë që Limani do shtonte një orendi apo pajisje shtëpiake, nuk ndjehej plotësisht i qetë dhe i lumtur. Mendja i shkonte menjëherë te shtëpia e Gurakuqit. Akoma edhe me keq vritej shpirtërisht kur i shkonin në Çermë, prindërit dhe shikonin ndryshimin.
Ndaj dhe reagoi menjëherë pas emocioneve që përjetoi, kur bleu divanët e guzhinës. Atë ditë, u telefonoi edhe atyre duke i njoftuar për zbukurimin e shtëpisë. Jo vetëm kaq! Por, i pyeti nëse dëshironin t’ua dërgonte lekë apo tu blinte divanë, njëlloj si të vetët. Prindërit e uruan sikurse edhe ia kundërshtuan idenë e Limanit. Mirëpo... pas dhjetë ditëve, furgoni me një komplet divanësh që kishte të njëjtën dizenjo, u nis nga Çerma e Lushnjes drejt Gurakuqit te Librazhdit, për të zbukuruar shtëpinë e prindërve.
Asnjëherë nuk e ndjeu të tharë krahun dhe shpirtin, Qamil Baça nga fëmijët dhe trashëgimtarët e tij!

Bejazja dhe Qamili, si të kishe ndarë një mollë....
Aq shumë ngjanin ata dy bashkëshortë në paraqitjen e jashtme, botën shpirtërore dhe në dituri! Në fshat kishin lindur dhe jetuar, por qytetarë të përsosur, gjithë kulturë dhe mirësjelljeje, u shfaqën në jetën e përditëshme në komunikim me njëri tjetrin, fëmijët, miqtë dhe bashkëfshatarët.
Ishin të lindur shpirtbardhë, gojëmjaltë dhe të mënçur. Keqkuptime dhe mosmarrëveshje mund të kenë patur sigurisht përgjatë udhëtimit të tyre mbi gjysëmshekullor, por askush nga ata që ka bashkëjetuar me këtë çift ideal bashkëshortësh, nuk dëshmon qoftë edhe një rast të vetëm, ku të kenë dëgjuar një zë të ngritur apo një shprehje ofenduese.
Gëzuan dhe lumturuan bashkë, sikurse ishin rregulluesit dhe shëmbëlltyra e edukatës dhe kulturës së duhur familjare për të gjithë pjesëtarët e tjerë. Në gjithçka dëgjuam, na u krijua perceptimi se kjo fushë më shumë se sa Qamilit, i ka takuar Bejazes për ta menaxhuar, femrës shtatselvi, plot hijeshi edhe në pamjen fizike.
Thonë se ka qenë rrezatuese e normave më elementare të mirësjelljes brenda dhe jashtë shtëpisë. Lumturonte kur bashkëfshatarët e përgëzonin për fëmijët, mbesat dhe nipërit e saj që dallonin mes të tjerëve në çdo shkëmbim rrugësh, duke u përcjellë përshendetjet me një buzëqeshje të çiltër dhe të sinqertë.
Edukatë që buronte dhe kultivohej në ambjentin e ngushtë familjar. Çdo mbrëmje fëmijët, para se të binin në gjumë, do të iknin të përqafonin gjyshërit dhe prindërit per t‘i uruar: “Ngdhifshi shëndoshë!”. Po ashtu, ishte bërë normë për fëmijët dhe për të rriturit, që kur niseshin në mëngjes drejt shkollës apo punës të thoshin: “Ditën e mirë” dhe “Mirë ju gjetëshim!”.
-Një ditë nga nxitimi për në punë, harrova dhe kalova pragun e shtëpisë pa përshëndetur prindërit. Kur kisha mbërritur në mesin e udhës, kuptova “gabimin” dhe u ktheva për në shtëpi. Bëra gati edhe shprehjen që do i thosha nënës po të më shikonte kur të hapja portën.
- Harova sqeparin! - i thashë natyrshëm, kur u përballa me atë në oborr dhe shkova te bodrumi për t’i larguar dyshimin. Pas disa minutash dola, e përshëndeta ashtu si na kishte mësuar ajo dhe dëshironte shpirti jonë duke rinisur edhe një herë udhën për në punë..., - tregon Limani.
Nuk toleronte Bejazja, ajo grua e mençur dhe shpirtbardhë, qejfmbetjet mes të rriturve, por bëhej pjesë e debatit me urtësi dhe pastërti deri sa të dy palëve tu binte shpirti në paqe. Për atë zonjë shtëpie të nderuar, harmonia dhe komunikimi ishin domosdoshmëri për një familje të lumtur. Edhe pranë nipërve dhe mbesave përcillte vëmendje dhe kujdes të jashtëzakonshëm duke mos pranuar në asnjë moment shprehjen që dëgjonte nga disa gjyshe apo nëna të tjera, se “të vegjël janë, aty grinden, aty pajtohen...”
Shpesh herë djemtë e saj të mbarë, Limani dhe Seferi, i blinin shami të bardha koke apo ndonjë copë për të bërë fustan dhe kostum. Ajo të nesërmen patjetër do të bënte pjesë të peshqesheve edhe Tolen, një nëne disi e vetmuar, me mundësi të pakta për të blerë gjëra të reja. Dyfishonte ndjenjën e kënaqësisë, kur bënte të lumtur atë bashkëmoshatare që gëzohej si fëmijë...
Dhëmbshurinë dhe ndjeshmërinë e asaj nëne shpirtmadhe, patën fat ta gëzonin edhe disa nga familjet e vobekta të fshatit dhe sidomos fqinjët. Tregojnë se në pikë të mëngjesit, kur ende nuk ishte zbardhur drita, me tenxherenë e qumështit apo të kosit, zgjatej te gardhi i komshies dhe me zë të ulët thërriste atë nënë që nuk kishte bulmet për fëmijët e saj. Me zë të ulët dhe jo në dritë të diellit sepse nuk dëshironte t’i lëndonte edhe në sedër ata njerëz të mirë, por të varfër. Ajo nuk e bënte mirësinë për syrin e botës, por për të ndihmuar të pangopurit sipas këshillave të Allahut.
Bejazja, ishte një besimtare e përkushtuar, e cila respektonte dhe nderonte ditët e shënuara fetare, duke përgatitur sofrat me të gjithë të mirat e mundshme, ku të rriturit falenderonin dhe luteshin në Zot ndërsa fëmijët ndjeheshin si nëpër përralla nga atmosfera festive që krijohej. Vetëm Kuranin e madhërueshëm nuk dinte përmendësh e mënçura Bejaze, sepse në dashurinë dhe përkushtimin ndaj Allahut, përsëri me Hafizin ashtu ishin... si të ndaje një mollë!

Portë ku kanë trokitur jo vetëm të bardhët, por edhe...

Atë vit ka qenë një dimër i ashpër që ende gurakuqasit e kujtojnë acarin e madh. Në një nga ato ditë nëntori, kur sapo kishte filluar errësira nga jashtë u ndjenë të pandërprera lehjet e qenit të shtëpisë. Ishte sinjali që lajmëronte se dikush ishte në pragun e portës së jashtme. Del Qamili, ndez dritën dhe dëgjon një zë kumbues:
- O i zoti i shtëpisë! Të kam prurë mysafirë!
- Bujrum! Bujrum! Mirësetëvinë!- ia kthen Qamili dhe pa veshur mirë këpucët nxiton të çelë portën. Çfar të shikonte? Para tij tri gra të bëra njësh pas njëra tjetrës dhe të kërusura nga të ftohtit, nisën lutjet për t’i pranuar në shtëpi. Nga e folura kuptoi që ishin të racës rome që për këtë njeri zemërbardhë dhe shërbëtor të Zotit nuk kishte asnjë dallim nga të bardhët. Kjo përbuzje dhe ky racizëm nuk i kishte mëshiruar ato të shkreta as në një situatë të tillë nate dhe acari dimëror. Me siguri ato do të kishin trokitur edhe në porta të tjera që nuk u ishin çelur…
Pak më njerëzor ishte treguar ky bashkëfshatar i Qamilit që i kishte sjellë te porta e tij, duke ditur se kjo portë nuk mbante shul, as ditën, as natën, as në verë dhe as në dimër, duke qenë e hapur për njerëz të bardhë dhe…
Ngjarja ka ndodhur në vitet e sistemit komunist, ku ky komunitet i nëpërkëmbur edhe nga ai regjim, për të mbijetuar, gratë e familjeve të tyre, ushtronin tregtimin e sendeve dhe objekteve të përdorimit shtëpiak si shporta, kanistra etj, ndërsa burrat mereshin me tregtimin e kuajve nga një krahinë në tjetrën. Thënë ndryshe gjithë jeta e tyre kalohej rrugëve…
Sapo hyjnë brenda, një mesogrua me nusen e djalit dhe vajzën e vet nga lumturia dhe kënaqësia e atij ambjenti të ngrohtë nga soba e zjarrit dhe akoma më shumë nga ngrohtësia shpirtërore e njerëzve mikëpritës, nisën të uronin pa pushim:
“ - Zoti u dhëntë shëndet e bereqet!”, “Mos pafshi të keqe me sy!”, “Tu rrojnë fëmija dhe gjithë të dashurit”…
Gratë e shtëpisë, u vunë këmbët në ujë të nxehtë, u dhanë ndresat dhe veshjet e tyre dhe u krijuan të gjitha kushtet për tu qetësuar dhe pushuar si në shtëpinë e tyre. Aq shumë po e përjetonin atë dashuri njerëzore sa e quanin të tepërt dhe për disa sekonda e refuzuan uljen pranë sofrës së bukës për të ngrënë darkë…
Emocionet e kësaj pritjeje të paparashikuar, ato tri femra me ngjyrë, i lanë gjithë natën pa gjumë. Veç këtyre, ndoshta edhe inferioriteti i kultivuar padrejtësisht ndaj të bardhëve, i detyroi që të çoheshin nga shtrati i gjumit pa u zbardhur ende mirë dita.Nuk deshën që t’i bezdisnin dhe t’i vinin akoma në siklet ata njerëz të mirë duke ngrënë dhe mëngjesin. Gjithsesi, shpirti bujar i nënë Bejazes, nuk mund të ndjehej i qetë po të mos u jepte me vete edhe një gjysëm buke, mesin e të cilës e mbushi me gjizë dhe gjalpë... Kishin rrugë të gjatë për të bërë deri në Elbasan, aty ku dhe banonin.
Kjo mrekulli shpirtërore do të përjetohej, pas disa vitesh, kur Qamili me djalin e vet, Seferin shkojnë në qytetin e Elbasanit për të takuar mbesën e tyre, Rahimen, që vazhdonte studimet në Shkollën e Mesme Pedagogjike “Luigj Gurakuqi”. Ndërsa ishin duke lëvizur nëpër tortuar, në pritje të mbarimit të orëve të mësimit, befas dëgjojnë një klithmë gëzimi dhe më pas pushtohen nga përqafimet e një vajze të rritur…
As më shumë dhe as më pak, ishte një nga ato tri femrat që kishin bujtur te shtëpia e tyre në atë natë të ftohtë nëntori. Nuk mbeti me një përqafim ky takim, por vazhdoi me lutje e tërheqje këmbëngulëse prej krahu drejt shtëpisë së saj që për fat ishte pranë Pedagogjikes.
Si të kishte gjetur thesarin e botës, shtyn me ngut derën e apartamentit të saj dhe u jep sihariqin pjesëtarve të familjes:
- Ju kam sjellë xhaxhi Qamilin dhe xhaxhi Seferin!

Pas përshëndoshjes dhe pirjes së kafes, miqtë kërkojnë lejë se ishin bërë vonë për të takuar mbesën e tyre.Mirëpo, nuk e patën të lehtë. Menjëherë nisën përgatitjet për drekën festive në shenjë mirënjohjeje dhe falenderimi për ata njerëz të mirë. Kur ndjeu pamundësinë e ndenjtjes, i zoti shtëpisë, Izeti, një burë i pashëm me mustaqet vesh më vesh dhe një kapuç të bardhë mbi krye, iu drejtua Qamilit:
- Ai nder që ti dhe njerëzit e tu, u kenë bërë tri femrave të shtëpisë time, nuk thuhet me fjalë zemre dhe nuk shlyhet as me flori. Në atë natë dimri, po të mos hapej dera jote, sot ato nuk do të ishin më në jetë. Ndaj më e pakta gjë që unë mund të bëj për ty dhe të jem i qetë në shpirtin tim është të jap këto…
Dhe fët nxorri nga shalli i kuq me vija të verdha, me të cilin kishte rrethuar disa herë brezin, një tufë të madhe me kartmonedha njëmijëlekëshe.
- Dëgjo Izet vëllai! Kjo që po bën është një ofendim i madh për mua dhe themelinë e shtëpisë time.Ndaj vendosi ato lekë aty ku ishin. Në të kundërtën, mbyllet miqësia jonë!
Nuk blihej as me florin e botës, dinjiteti dhe personaliteti i Qamil Baçës.Bujaria dhe fisnikëria e tij me shërbimet dhe nderet që u ka bërë miqve dhe shokëve në këtë jetë, mbetet trashëgimi e çmuar për familjen dhe vlerë e shtuar për pasurinë shpirtërore të mikëpritjes çermenikase.



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes