l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PERSONALITETË TË USHTRISË SHQIPTARE


JA SI E DENIGROI DIKTATURA
GJENERAL MAJOR TAHIR KADARENË

Përgatiti: Kolonel Ing.Myfit GUXHOLLI
Kryetar i OBVL-së

Familja gjirokastrite e Kadareve nuk është bërë e njohur vetëm për majën më të lartë të saj, shkrimtarin me famë botërore Ismail Kadare. Në dhjetëvjeçarin e dytë të këtij shekulli, në një nga degët e këtij fisi, në gjirin e familjes së Sadik Kadaresë, do ta bënte të njohur këtë fis, gjatë Luftës Antifashiste dhe në vitet e para pas çlirimit, sidomos në fushën ushtarake, Tahir Kadare – gjeneral i dimensioneve operative-strategjike, intelektual me horizot gjitharmësh të kompletuar, kontestator i bindur i regjimit diktatorial.
Kadaretë kanë qenë dalluar për atdhetarizmin dhe ndjenjën e përkushtimit ndaj çeshtjes së lirisë dhe të Shqipërisë, por edhe për kulturën dhe talentin e tyre të veçantë.
Tahir Kadareja u lind më 28 Nëntor 1913 në qytetin e gurtë e të hirtë të Gjirokastrës. Arsimin fillestar e mori në qytetin e lindjes, po ashtu edhe arsimin e mesëm. Pas kësaj vjen në Tiranë ku hyn në shkollën e oficerëve, të cilën e përfundon në gusht të vitit 1931, në degën e artilerisë dhe titullohet “oficer” me gradën “aspirant”. Pas vitit 1933 ka fituar gradën “nëntoger”. Fillimisht caktohet me punë pranë komënadës së Artilerisë të Ushtrisë ku shërben deri në vitin 1935.


Duke qenë njeri përparimtar dhe me kërkesa ndaj vetes, si dhe ndaj regjimit, si njeri që kërkonte ecjen përpara të vendit me hapat e kohës, ai shpejt bëhet kundërshtar i regjimit shtetëror dhe, për rrjedhojë, edhe pjestar aktiv i lëvizjes antimonarkiste të Fierit, të vitit 1935, të cilën e udhëhiqte koloneli shumë i njohur në historinë e Ushtrisë dhe të Shqipërisë, Ali Shefqeti (Shkupi).
Kadareja, sëbashku me disa ushtarakë të tjerë pjesëmarrës në të, burgoset dhe më pas internohet në Tepelenë. Për pasojë humbet të drejtën e gradës dhe përjashtohet nga Ushtria me Dekretin Mbretëror të datës 12 nëntor 1937, së bashku me Dali Ndreun dhe Bedri Spahiun. Por, për të mos iu nënshtruar kësaj gjendje, ai , tok me Heroin e Popullit, dëshmorin e Luftës Antifashiste, Mustafa Matohitin – edhe ky oficer karriere në Ushtrinë Mbretërore Shqiptare të kësaj periudhe, arratisen në Greqi.
Kultura dhe aftësitë ushtarake, talenti si drejtues dhe organozator i shquar
Në prill 1939 Shqipëria u pushtua nga fashistët italianë, dhe në vend, si kundërreaksion lindi Lëvizja Antifashiste. Një nga ish-ushtarakët e parë që u përfshi në këtë lëvizje kombëtare dhe që ndihmoi ndjeshëm për rritjen dhe fuqizimin, për konkretizimin e saj me formacione dhe veprimtari luftarake kundër pushtuesit të huaj në qarkun e Gjirokastrës, ishte pikërisht Tahir Kadareja. Ai u mor me përgatitjen e luftës dhe të formacioneve luftarake, që nga më të voglat deri tek më të mëdhatë, duke u bërë kështu një nga drejtuesit ushtarakë më të njohur dhe më kryesorë në qark dhe në tërë Jugun e Shqipërisë.
Pas kësaj nisin të spikatin dhe të vihen në pah kultura dhe aftësitë ushtarake, talenti si drejtues dhe organozator i shquar, gjakftohtësia, shpirti luftarak dhe humanizmi, guximi dhe vendosmëria ndaj idealit të cilit i ishte përkushtuar dhe për të cilin luftonte. Me atë buzëqeshjen e qetë dhe shikimin e vëmendshëm, që shprehte thellësinë dhe sinqeritetin e shpirtit dhe të botës së tij të brendshme, ai rrezatonte njëherësh besim dhe afrueshmëri për shokët dhe bashkëpunëtorët e tij, duke lehtësuar realizimin e detyrave të vështira e plot rreziqe të luftës.


Drejtues kryesor i disa formacioneve të mëdha të UNÇSH-së

Me krijimin e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, sapo formohet formacioni i parë i madh i saj, Brigada e Parë Sulmuese, atij i besohet një detyrë e rëndësishme në drejtimin e Brigadës si zëvendëskomandant. Këtu Tahiri shpalosi cilësitë drejtuese si ushtarak i mirëfilltë për drejtimin e veprimeve luftarake të këtij formacioni të shquar të UNÇSH. Për këto cilësi, menjëherë me krijimin e Brigadës së VI-të Sulmuese, në janar 1944, caktohet nga Shtabi i Përgjithshëm i UNÇSH, komandant i saj. Ai e drejtoi brigadën në valën e luftimeve të ashpra dhe të fitoreve kundër pushtuesve nazistë, luftime të njohura në historinë e UNÇSH dhe të popullit tonë. Spikasin mes tyre veçanërisht veprimet gjatë Operacionit Armik të Dimrit 1943-1944, si dhe në Operacionin nazist të Qershorit 1944. Por nuk harrohen kurrësesi edhe veprimet e ashpra e të përgjakshme në Labinot, Pukë e deri në Vishegrad të ish-Jugosllavisë. Në to dhe në shumë veprime të tjera luftarake, ai udhëhoqi me aftësi luftarake dhe me fantazi në krye të Shtabit të Brigadës. Për rrjedhjë ai pati një karrierë të shpejtë. Sapo krijohet Divizioni i Dytë Sulmues, më 4 gusht 1944, përsëri Tahirit i besohet komanda e divizionit, ndërsa më 18 nëntor të po këtij viti i ngarkohet komanda e Korparmatës së Dytë, që ishte formacioni i dytë më i lartë i UNÇSH. Kaq i vërtetë dhe real është ky vlerësim për aftësitë e tij, sa që e vërtetojnë edhe vetë nazistët në një dokument sekret të fundvitit 1943, që vlerëson e kategorizon grupet e rezistencës antifashiste në Shqipëri. Në të shkruhej se: “…Bedri Spahiu dhe Tahir Kadareja ishin të aftë…”, natyrisht që nënkuptohet ushtarakisht.


Çlirimi i Shqipërisë e vuri Kadarenë përballë një të ardhmeje dhe punësh të reja. Ky ishte një kapitull i ri, por me mjaftë sfida. Pak kohë pas çlirimit ai dërgohet me studime të larta në Akademinë Ushtarake “Voroshillov” në Moskë, të cilën e përfundon me rezultate të shkëlqyera. Për këtë dhe aftësitë, për arritjet e tij gjatë Luftës Antifashiste, u caktua me detyra deri në postin e Zëvendës Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Uahtrisë Shqiptare.
Më 1949 fiton gradën “gjeneralmajor” dhe më pas caktohet në krye të Komadës së Artilerisë së Ushtrisë Shqiptare. Arritjet ishin të merituara, ato vinin vetëm falë cilësive, aftësive profesionale, karakterit të tij të fortë, dinjitetit dhe autoritetit që gëzonte mes eprorëve, te vartësit dhe te populli. Veçanërisht ai respektonte mendimet dhe oponencën e vartësve të tij për çdo problem që lidhej me punën. Nën “kopertinë” gjeneral Kaareja fshihte një numër vlerash, të cilat ia njihnin dhe i respektonin shokët dhe bashkëpunëtorët e tij. Nuk është fjala për ti zmadhuar këto vlera, por ata e çmonin shumë kur shpreheshin se ai ishte një ndër udhëheqësit më të përgatitur, më të ndershëm dhe më të shquar ushtarakë të Luftës Antifashiste. Kurse pas luftës ai vlerësohej si një nga ushtarakët më të përgatitur, veçanërisht në lëmin e artilerisë, që ndikoi dhe ndihmoi ndjeshëm në organizimin, fuqizimin dhe modernizimin e saj.


Kalvari dhe fundi tragjik i gjeneral Tahir Kadaresë
Por gjeneral Kadareja kishte edhe një vlerë të veçantë, por “të keqe” për “të mëdhenjtë”. Ai, duke qenë me karakter të qëndrueshëm, i drejtë, i hapur dhe mjaftë i aftë në punën e tij parapëlqente të shpaloste hapur mendimin e tij. Kjo, shumëkujt atje lart nuk i pëlqente. Emri dhe reputacioni i arritur gjatë luftës, niveli i detyrave dhe gradat, por sidomos fjala e tij e hapur dhe e vërtetë, pikëpamjet e tij shpesh me sens të kundërt me ato të udhëheqjes së lartë partiake ose shtetërore të kohës, nuk e shihnin me sy të mirë. Këtë shenjë xhelozie dhe urrejtjeje dhe thelbin se nga buronte ajo, që vërrehej në këto instanca, e zbulon edhe shkrimtari Ismail Kadare në një nga botimet e tij të vitit 1992 në Francë, ku shkruan se: “Gjeneral Tahir Kadareja ka qenë gjatë viteve të para të Luftës më i njohur se Enver Hoxha dhe ndoshta një nga arsyet e mllefit të paqartë të këtij të fundit ndaj tij, ka qenë thjeshtë ndjenja e zilisë për një farë legjende që ende vazhdonte për të midis partizanëve të vjetër”. Këtu sigurisht kishte të vërteta të mbuluara me mister, që u bënë më të dukshme dhe shpërthyen hapur në Konferencën e Tiranës më 1956, tashmë të njohur për veprimtarinë të ashtuquajtur shkatërruese të saj. Aty ai u godit ashpër, krahas disa ushtarakëve të lartë, për mendimet që shpalli haptas ndaj udhëheqjes së lartë të partisë e të shtetit të asaj kohe. Ato ishin akuza, prandaj pas kësaj nisi menjëherë kalvari i vuajtjeve për të dhe të gjithë familjen e Kadareve.
Së pari, erdhën transferimet, më pas izolimi dhe lirimi nga ushtria dhe, natyrisht përjashtimi nga radhët e partisë. Kalojnë me radhë, internimi në Kuçovë e pastaj, si një asket të shkretë e mbyllin në Zvërnec, ku dhe e burgosin. Kaq i mbyllur, gati hermetik dhe i frikshëm ishte muri i izolimit, jo vetëm nga shokët e miqtë, por edhe nga njerëzit e afërt, aq sa këta e kishin të pamundur të takonin jo atë, por as të afërmit e tij.
Nga koha e adoleshencës kujtoj një episod, kur isha nxënës në Shkollën Ushtarake “Skënderbej” dhe nëna ime deshi t’i bënte një vizitë kortezie një gruaje që ishte e afërt e tij dhe që lëngonte nga një sëmundje e rëndë. Kaq e fshehtë dhe e maskuar u bë ajo vizitë saqë nëna nuk guxoi t’i thoshte asgjë as babait dhe as dajës tim. Që prej asaj kohe kam patur një shije të hidhur dhe një hije misteri për atë vizitë që nëna e zbuloi shumë vite më pas.
Në Zvërnec, gjenerali tashmë 49-vjeçar sëmuret rëndë nga një sëmundje e pashërueshme, por megjithatë vazhdoi të ruajë karakterin e pathyeshëm. Ai ktheu pas një ofertë për lirim dhe një shume parash që i sillnin nga lartë, duke bërtitur midis dhembjeve të sëmundjes: “Nuk kam nevojë për lëmoshë!”


Më 1962, ende pa mbushur të pesëdhjetat, më në fund zemra e ish komandantit trim, e një prej drejtuesve më të njohur të Luftës Antifashiste dhe të formacioneve më të mëdha të UNÇSH-së, e gjeneralit dhe e ushtarakut nga më të aftët dhe me shpirt krijues, e artilierit të shquar e të talentuar, pushoi së rrahuri. Askush nga shokët dhe miqtë, por edhe të afërmit, nuk mundën ta përcillnin në banesën e fundit. Ishte e rrezikshme të bëhej një gjë e tillë, kur çdo njeri dhe çdo veprim ishin nën kontroll të vazhdueshëm dhe me pasoja të rënda. Megjithatë, me gjithë murin e izolimit, ata ruanin imazhin e komandantit e të luftëtarit, të gjeneralit, të shokut të mirë e të eprorit të dashur, korrekt dhe të ndershëm, të atdhetarit demokrat deri në përkushtim. Për ta kishte qenë dhe mbetej një njeri dhe një ushtarak me përmasat e një personaliteti, pjesë e historisë ushtarake shqiptare.
Fati tragik i familjes Kadareja
Katër vëllezër të gjeneralmajor Tahir Kadaresë përqafuan Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe dhanë kontribut të veçantë në fitoren e saj.
Vëllai i madh, Xhafer Kadareja lindi në Gjirokastër me 8.2.1899. Dyqani i tij ishte bërë bazë e LANÇ. Aty bëheshin mbledhjet për të ndihmuar Njësitin Antifashist të Tiranës, si dhe për mbledhjen e shpërndarjen e ndihmave.
Vëllain tjetër, Fejzi Kadareja, (lindur në Gjirokastër më 2.5.1902) pushtuesit italianë deshën ta arrestonin si antifashist, por ai doli partizan në Brigadën e 3-të dhe mori pjesë në të gjitha luftimet e kësaj brigade.


Muhedin Kadareja, qe vëllai tjetër i Tahirit, ish-partizan trim i Brigadës së Parë Sulmuese.
Mirëpo diktatura ua mohoi kontributin në Luftën Antifashiste. Diktatori nuk mund t’i harronte kritikat që i bënë këta si familje, veçanërisht në Konferencën e Tiranës të vitit 1956.
Me dënimin e Tahirit filloi kalvari i kësaj familje patriotike. Mbasi Tahirin e nxorën të vdekur nga Zvërneci, fatin e tij tragjik pati edhe i vëllai, Muhedin Kadareja, të cilin e burgosën dhe internuan.
Ja, kjo është historia tragjike e familjes patriotike Kadareja të Gjirokastrës.
(Referuar librit “PERSONALITETE USHTARAKE SHQIPTARE NË VITE” faqe 66-70, i bashkautorëve: Dr. Gjergj P.Titani&Prof.Dr.Proletar Hasani).




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes