l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

U drejtohem juve, si skënderbegasi - skënderbegasit, si oficeri - oficerit, si biri i partizanit - birit të partizanit, si intelektuali - intelektualit



SHPENDI TOPOLLAJ I SHKRUAN RUSTEM PEÇIT: TË BASHKOHEMI!

U drejtohem juve, si skënderbegasi - skënderbegasit, si oficeri - oficerit, si biri i partizanit - birit të partizanit, si intelektuali - intelektualit, si njeriu i ndershëm - njeriut të ndershëm, si atdhetari - atdhetarit dhe si shqiptari - shqiptarit, me besimin se me arsyen, urtësinë dhe dashamirësinë që u ka karakterizuar gjithë jetën, do të më mirëkuptoni për gjithçka po parashtroj.
U mbushën tridhjetë vjet qyshkurse në vendin tonë u vendos pluralizmi, ku së pari mendimi dhe liria e shprehjes janë tiparet më të qenësishme të demokracisë. Askush nuk mund të mohojë se gjatë gjithë kësaj kohe kanë ndodhur ndryshime të mëdha te ne. Por njëkohësisht, forcat politike, për hir të pushtetit apo arrivizmit të liderëve të ndryshëm, dashje pa dashje kanë mbjellë mes nesh farën e dëmshme të përçarjes, duke na kthyer te konstatimi i Fishtës së madh se: “Sa janë kombe përmbi dhe, / Prej bashkimit n`drit kan` dalë / Ka shti dreqi pushk` mbi ne, / Mos m`u ba dy vet m`nji fjalë”.
Kjo ka bërë që të punohet e jetohet në një klimë jo fort të këndshme, e cila ka sjellë reperkursionet e veta tashmë të njohura.


Dua të besoj, se devizës filipiane “Divide et impero” që me aq konseguencë e zbatuan romakët e vjetër, i ka kaluar koha. Prej saj, asgjë e mirë nuk i vjen Shqipërisë, përkundrazi, kënaq ato qarqe jo fort dashamirëse, që me forma të rafinuara i fryjnë zjarrit të urrejtjes mes nesh.
Fyerjet, sharjet, shpifjet, akuzat e kundërakuzat, jo vetëm janë të pakuptimta, por edhe po i lodhin dhe po i dëshpërojnë njerëzit e thjeshtë, për të mos thënë se po i armiqësojnë ata me njëri - tjetrin.
Duke qenë se deri këtu nuk po them ndonjë gjë të paditur, po futem drejt e në temë. Edhe veteranët e luftës Nacionalçlirimtare dhe pasardhësit e tyre janë ndarë në dy pjesë: Organizata e Veteranëve të LANÇ që drejtoni Ju, dhe OBVL që aktualisht drejtohet nga koloneli i nderuar Myfit Guxholli, edhe ai ish skënderbegas si ne.
Asgjë esenciale nuk i dallon programet dhe qëndrimet e këtyre dy organizatave në çështjet kardinale. Po ta shohësh në retrospektivë, dhe të analizosh të gjitha fjalimet, artikujt, librat dhe intervistat e tij, gjatë gjithë kohës që OBVL - në e drejtoi Heroi i Popullit dhe Nderi i Kombit, gjeneral Rrahman Parllaku, dhe në vazhdim të tjerët pas ndarjes së tij nga jeta, lehtësisht do të konstatohet krenaria për lavdinë e Luftës Nacionalçlirimtare dhe veneracioni për të gjithë ata djem e vajza që trimërisht dhanë jetën për liri.
Të dyja gazetat që këto organizata periodikisht nxjerrin apo të gjitha veprimtaritë përkujtimore që janë zhvilluar, kanë përkujtuar e glorifikuar me të drejtë të njëjtat beteja, po ato çeta, batalione, Brigada, Divizione e Korparmata, drejtuesit e tyre dhe po ata dëshmorë e heronj.
Të dyja organizatat, luftën Nacionalçlirimtare e konsiderojnë më të lavdishmen pas atyre të Skënderbeut dhe manifestojnë respektin dhe vlerësimin më të madh për ndihmën e dhënë nga forcat aleate dhe rolin e rëndësishëm që ata luajtën në këtë luftë. Po ashtu, të dyja këto organizata, theksojnë sakrificat e jashtëzakonshme që bëri populli ynë gjatë kësaj lufte dhe kontributin e tij në fitoren përfundimtare.


Të dy organizatat përkrahën njëlloj luftën e UÇK - së.

Tani lind pyetja se ku qëndron ajo që i ndan këto organizata? Te vlerësimi i figurës së Enver Hoxhës, te pozicioni i organizatave nacionaliste, ku kryesore qe Balli Kombëtar, te fati i komandantëve dhe komisarëve gjatë dhe pas lufte, te miqësia me jugosllavët dhe sovjetikët, te çështja e Kosovës apo te data e çlirimit. Të gjitha këto janë punë historianësh, sikurse edhe ne mund të diskutojmë gjatë, ashtu sikurse mund të ketë edhe mendime krejt të ndryshme. Se ato s`janë tjetër, veçse pasoja të zhvillimeve politike, ideologjike, sociale, ekonomike të brendshme dhe të jashtme, për të cilat askush nga ne nuk mund të fajësohet.


Atdheun të gjithë e duam njësoj. Nuk duhet harruar se qysh atëherë, në botë, por edhe në Shqipëri ka rrjedhur shumë ujë; koha e gjatë që ka kaluar (se nuk janë pak afro tetëdhjetë vjet), ka qenë mëse e mjaftueshme, si për të krijuar sekush bindjen e tij, ashtu edhe për ta fashitur mospajtimin.
Sot ne jemi miqësuar dhe kërkojmë të na pranojnë në aleanca shtetet dhe pinjollët e atyre që na sulmuan me avionë, tanke e topa, që na vranë, na dogjën e na plaçkitën, dhe nga ana tjetër i bëjmë karshillëk vëllezërve të të njëjtit gjak. A nuk tingëllon si paradoksale kjo? Si do na dukej sikur në Francë fjala vjen, ende të vazhdonin konfliktet dhe stigmatat midis zhirondinëve të moderuar dhe jakobinëve të Robespierit, paçka se këta e kishin përfunduar misionin qysh në fund të korrikut të vitit 1794?
Për njerëzit e mençur nuk mund të vazhdohet në pafundësi kështu. Evropa i ka kapërcyer me kohë ndarjet e tilla. Mjaft me armiq imagjinarë. T`i shtrijmë dorën e miqësisë njëri - tjetrit. Dhe për këtë, mos duhet ta marrim ne së pari, mbrojtësit e vlerave të luftës famëmadhe Nacionalçlirimtare, nismën e mirëkuptimit, duke dhënë shembullin se fare mirë mund të jemi në unitet, edhe pse mund të kemi pikpamje jo të njëjta për çështje të veçanta?


Duke i shkrirë në një të vetme dy organizatat e veteranëve të Luftës, a nuk do të qe një akti i madh fisnikërie e pajtimi kombëtar, një shërbim i vyer patriotik ndaj popullit e vendit tonë të shtrenjtë, kur ai ka kaq nevojë për dashuri e mirëkuptim? Dhe për një shembull.
Mesa di, synimi për bashkim është fiksuar edhe në statutin e OBVL - së dhe i ndjeri dhe njerëzori Rrahman Parllaku e ka shprehur disa herë, gjë që sot mund ta marrim edhe si një amanet të tijin. Unë që sjell këtë propozim, jam djali i një partizani të batalionit “Hakmarrja”, plagosur në një luftë absurde nga ballistët, por kurrsesi nuk mendoj se po shkel mbi idealet e tij, ku kërkoj vëllazërim. Po ashtu, u bëj me dije se personalisht (ndonëse jam anëtar i Këshillit Drejtues Kombëtar të OBVL-së) nuk jam konsultuar me kërkënd dhe nuk jam aq naiv sa të mos i kuptoj rrugët se nga duhet të kalojë ky pajtim, por duke ju bindur zërit të ndërgjegjes time dhe duke njohur vlerat tuaja të larta, mendova t`u drejtohem pa asnjë paragjykim. Edhe në ndodhtë ta arsyetoni të gabuar këtë veprim timin, ju gjithsesi do të mbeteni miku im i respektuar, ashtu sikurse jeni në mendjet e shumë oficerëve që ndër vite kanë pasur fatin t`u njohin nga afër apo të punojnë me ju.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes