l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

• Brigada e VII-të Sulmuese ishte një nga brigadat më të shquara të Frontit Nacionalçlirimtar gjatë fundit të Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri. Komandanti ushtarak ishte Gjin Marku dhe komisar politik Kadri Hoxha


Brigada e VII-të Sulmuese, 120
beteja dhe 3200 kilometra marshime

Me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH, më 17 mars 1944, në Vlush të Skraparit u formua Brigada e VII Sulmuese (Br.VII S). Në rreshtat e brigadës u rreshtuan partizanë me eksperiencë në luftë të batalioneve të qarkut të Beratit, të Grupit të Skraparit, të batalionit të rinisë “Margarita Tutulani” etj. Erdhën gjithashtu dhe mjaft partizanë nga qarku i Gjirokastrës dhe nga qarku i Korçës. Në komandë të brigadës u emëruan: komandant Gjin Marku dhe pas Musa Daci; komisar Kadri Hoxha dhe më vonë oficer karriere, Qazim Kapisyzi. Kuadro dhe luftëtarë ishin dhe Adil Çarçani, zëvendës-komisar, Ramiz Alia përgjegjës i rinisë i brigadës, etj. Situata në të cilën u krijua Br. VII S ishte shumë më e favorshme nga ato në të cilat u krijuan Br. V-VI S.
77 vjetori i krijimit të Brigadës së VII-të na kujton disa nga kuadrot që përmendëm më lart, të cilët përbëjnë bërthamën e kuadrove politikë si Adil Çarçani, Myqerem Fuga, Niazi Demi, Tajar Grepcka, Ramiz Alia, Nexhmedin Ballka etj. Më vonë dolën kuadro drejtuese të kompanive të kësaj Brigade, komunistë që ashtu si e nënvizon Myqerem Fuga, u bënë promotori i celulave të kompanive dhe dhanë një kontribut të madh në forcën goditëse të Brigadës, si Foto Çami, Koli Myzeqari, (dëshmor), Skënder Libohova (dëshmor), Guçe Stropani etj.

Roli i Gjin Markut
Me të marrë urdhërin, Gjin Marku iu vu punës organizuese të kësaj Brigade. Në shtëpinë e Kahreman Yllit, në prani të Myqerem Fugës u bë organizimi i Brigadës ashtu si është dhënë në historik. Batalioni i Parë u formua kryesisht me partizanë të Qarkut të Beratit me një kompani nga Devolli; Batalioni i Dytë kryesisht me partizanë të grupit të Skraparit, ndërsa Batalioni i Tretë u formua nga partizanë të Qarkut të Gjirokastrës, me në krye Gani Nivicën (dëshmor), me një kompani nga Batalioni i Dëshnicës.
Ceremonia u zhvillua më 17 mars 1944 në fshatin Vlushë të Skraparit, në atë fshat, ku dy muaj më parë nazistët gjermanë vranë 114 skraparllinj, duke përfshirë edhe ata të fshatrave Krushovë, Kapinovë e Turbehovë. I njëqindepesëmbëdhjeti, Veseli, rrojti, jetoi, për t’u treguar ditëve të pasçlirimit tmerret e luftës dhe vuajtjet e atij populli liridashës.
“Vlusha vlon”, “Stalini sulmon”. Këto ishin parrulla e kundërparrulla të natës së parë, drejt aksionit, drejt Beratit. Në garnizonin e Beratit e kryesisht në Kuçovë kishte pak gjermanë, kryesisht kishte forca të Ballit Kombëtar dhe të Gjindarmërisë. Mbrojtja ishte organizuar kryesisht me pikëmbështetje të forta. Mund të përmendim Kalanë, Shëndëllinë, Lisin e Beçit dhe vetë kazermat ushtarake. Kuçova, vetë fusha e Otllakut dhe Ura Vajgurore kishin të tjerë garnizone mbrojtje. Këto objekte, të lidhura me copa transhe dhe hendeklidhje përbënin një mbrojtje të fuqishme, me të cilat do të përballej Brigada e VII-të. Sekreti i armikut qëndronte në shumëllojshmërinë e pozicioneve të zjarrit. Disa nga këto ishin të pushtuara dhe disa jo. Tanket nuk qëndronin në qytet. Ato afroheshin pranë kazermave vetëm kur partizanët e Brigadës së VII-të e rrezikonin qytetin. Pas urdhërit të Komandantit vinin urdhëra të tjerë, të nënshkruara nga Spiro Moisiu për çlirimin e Beratit, për përballimin e Operacionit të qershorit, për çlirimin e Kuçovës etj. Për çlirimin e Beratit dhanë ndihmesën e tyre vetë beratasit. Qysh në goditjen e parë mbi harkun e parë mbrojtës ra partizani Thoma Shqina, një nga të rinjtë e zjarrtë të këtij qyteti. Po atë ditë ra Rahmi Stropani nga treva atdhetare e Devollit. Nuk mund të numërohen aktet heroike të partizanëve nga Zona e Skraparit dhe e Dëshnicës.
Në faqet e historisë së Brigadës së VII-të Sulmuese radhiten shumë partizanë e kuadro që ranë në ballë të luftës. Po përmendim disa nga kuadrot drejtuese politikë: Koli Myzeqarin, Skënder Libohova, komandant batalioni, Haxhi Dokon, Fahri Zaimin, Mehdi Vilën, Loni Odriçanin, Thimi Tanin, Naim Gurin, komisar kompanie.

Luftimet e Brigadës
Brigada luftonte dhe rritej në numër. Gjatë rrugës luftarake u shtua dhe me dy batalione të tjerë. Forcat pushtuese nuk u ndjenë mirë dhe komandanti i Xhandarmërisë Mbretërore me informacionin nr.94/6,datë 18.3.1944 i drejtohej Ministrisë së Punëve të brendshme:
“Në rajon gjendja paraqitet kritike. Çetat komuniste të Skraparit kanë mobilizuar krejt banorët e atij rrethi dhe kanë formuar Brigadën e shtatë komuniste. Kështu që fuqia e tyre arrin dei në 1000 veta.” Në të vërtetë edhe pse brigada la në fushën e betejës 302 dëshmorë, arriti numrin në 2229 partizanë. Ata 142 partizanë që u plagosën, u mjekuan nëpër spitalet partizane dhe u kthyen sërish në luftë, të cilën e vazhduan deri në Vishegrad. Kur i hedh një sy korrespondencës me të cilën funksiononte brigada, çuditesh. Si nuk janë rrezikuar ata korrierë, që kalonin nëpër plumba? Ato janë shkruar rrëzë shkurreve e ulur nëpër gurë, se ato ishin tryezat e luftëtarëve. Një letër është shkruar në fshatin Duhanas të Beratit, një tjetër në Karkanjoz në mes të dimrit. Dallohen ende pikat e shiut që kanë rënë mbi to. “Deri sot në Tomorr ndodhen edhe skuadra të brigadës VII. Armiku ndodhet i përqendruar në Qahajas, Vodicë, por i mbërthyer në vend dhe pa iniciativë. Sasia e tyre mbërrin deri 300 veta mercenarë të veshur dhe ballistë të vendit. Më datën 6, pjesa e Brigasës VII largohet prej këtej në drejtim të Skraparit dhe këtu mbeten forca të vendit, të cilat do të patrullojnë. Në mbrëmjen e datës 5 ndonjë kompani të mbërrinë në Tomorr ku do të marrë ndërlidhje. Skuadrat le të ulen në Perisnakë për të qenë si presion për armikun. Në datën 6 do të jemi edhe ne në Tomorr për t’u takuar me ju, pra ju presim…Te fala shoqërore Komandanti Shtabit, Mestan Ujaniku, zëvendëskomisari, Kahreman Ylli.”


Lëvizja Nacionalçlirimtare nuk ishte thjeshtë luftë, por një shkollë nga mësuan 312 partizanë analfabetë. Që nga lufta dolën kuadrot që drejtuan ekonominë në fillimet e rindërtimit të vendit. Këtu i bënë akademitë dhe universitetet Adil Prishta, Qerim Gjineci, Neshat Hysi, Orhan Frashëri, Ramiz Alia, Kadri Hoxha, Gjin Marku Bilo Bregu, Myqrem Fuga, Adil Çarçani, Myzafer Trebeshina, Izet Hysi, Qazim Kapisyzi, Musa Hysi, Sulo Gradeci, Vala Frashëri, Foto Çami, Njazi Braçe… Gratë ishin një forcë tjetër që barazoheshin me burrat në luftë, edhe pse ballistët i këshillonin që të merrnin me vete edhe maternitetet. Ato ishin radhitur krah vëllezërve të tyre, që të shporrnin pushtuesit dhe mbështetësit e tyre.
Veprimtaria e Brigadës së 7-të Sulmuese nuk mund të përmblidhet në një shkrim përkujtimor, por u përpoqëm të japim detaje nga ato luftime e beteja që nuk kanë të numëruar, por deri tani janë publikuar 120 beteja dhe 3200 kilometra marshime.




Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes