l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

KUSHTUAR DRITA ÇOMOS


E KAM NJOHUR ATË VAJZË....

Nga Mark SIMONI

E vetmuar dhe fillikate. Në një shtrat të vjetër, në fund të një dhome të humbur të pavionit të kancerit, pa pasur asnjë njeri tek koka, pati mbyllur mbyllur sytë e dhënë shpirt Drita Çomo. Vajzë 23 vjeçe, e bukur dhe që e donte shumë jetën, që shkruante poezi të mrekullueshme dhe ditar rrënqethës njëkohësisht. E mallkuar nga urrejtja e shtetit, nga smundja dhe fati i saj i keq, si dhe nga heshtja dhe vetmimi i pafund, ajo iku në pranverën e 1981 nga kjo jetë, duke na lënë mbi tokë një liber, memuar të vdekjes, sesi çast pas çasti i afrohej korridoreve të zymtë të spitalit dita e saj e fundit.E kam njohur atë vajzë qysh kur isha fëmijë. Pati ardhur në Lezhë, në pallatin tonë, tek daja i saj doktor Agron Belishova, mbasi nënën dhe babain, (Liri Belishovën e Maqo Çomon, -ajo anëtare e Politbyrosë dhe ai Ministër i Bujqësisë), shteti i dërgoi burgjesh dhe internimesh.

Drita qe më e rritur se ne, dhe nuk u përzie asnjëherë me lojrat tona. Vetëm pranonte ndonjë shegë të egër që ne mblidhnim në kodrën pranë, dhe kaq. Rrinte në qosh të oborrit dhe na shihte. Qe e bukur dhe e heshtur. Fliste ndoshta brënda vetes. Shikonte përherë mbi kokat tona, diku larg, sa ne asnjëherë s’e morëm vesht sa çfarë shihte ashtu. Pasi iku, nuk kthye më kurrë. Shkoi internimesh, pas nënës së saj të dënuar dhe fillikate.
Kur u sëmur, në spital priti gjatë dhe më kot që t’i mbërrinte, së paku një herë të vetme e ëma tek koka e shtratit, dhe t’ia lehtësonte rënkimet dhe vuajtjet e fundit. Por e ëma s’mbërriti dot kurrë. Nuk e lanë. Për nënën, Drita pati vdekur që kur i humbi nga sytë dhe u mbyll në atë spital, kur flinte për kohë të tëra në të njëjtin shtrat me vdekjen.Disa vite pasi vdiq, kur ia mblodhën poezitë, Liri Belishova, e mrrolur nga pleqëria, hallet dhe malli për të bijën, më dhuroi librin e vajzës së vdekur, “ Dritë që vjen nga humbnera“ me parathenie te Kadaresë. Jetonte disa kate sipër Palmës, me të birin Petritin.
Sa më shumë lexoja librin Dritës aq më shumë kuptoja heshtjen e saj, atëherë në fëmijëri, ashtu si kuptoja dhe vështrimin që e lëshonte atje tej, ku ne mendonim se nuk kishte asgjë. Ajo e pati parandjerë edhe poezinë, edhe vdekjen.
Botën e zezë të vdekjes ajo e ka të stiluar me qëndisma letrare dhe estetike, me frymë të epërme dhe misticizëm, me një lirikë delikate dhe korrente trishtimesh e zymtësie. E vetme, (ndoshta më e vetmuara në botë, madje edhe më e vetmuar edhe se personzhet biblik), në breg të jetës dhe të vdekjes, Drita Çomo duhet të ketë pritur gjatë, se kë të zgjedhë nga të dyja, jetën apo vdekjen.
Ditari i saj është rrënqethës, poezitë janë të rënda po ashtu.

“… ndodh që rrugës qesh me fëmijë të bukur,
dhe e di që kurr s’do bëhem nënë..”

“… Këtu në spital
jeta dridhet nga spazmat,
këtu vdekja, mbretëresha pa shpirt,
urdhëron kohën të ndalet

Tragjedia e shekullit më ra në pjesë, një copë,
dhe s’kam si i iki
nga lloj lloj tragjedishë që mban kjo botë
s’di pse erdhën tek unë ato më tragjiket”

“… Unë ndjeva në shpirt një mall të qetë
Këtu pranë dhembjes dhe vdekjes…”

Ajo e priti vdekjen në qosh të ditëve të zbehta dhe të vetmuara, brënda të cilave dëgjoheshin këmbanat e mortit që s’ishte larg.
Letërsia botërore ka vepra të mëdha, që shquhen për aftësinë e përfshirjes së lexuesit në situatën e temës së trajtuar. Ka prej atyre veprave që krijojnë jo vetëm shok psikologjik dhe tronditje të mëdha. Madje rrezja e këtyre letërsive është e rëndë dhe gjëndjet që të shkaktojnë ato janë po kaq të rënda. Libra, (sidomos ato me temë ekzistenciale) si “Fati i njerut” (Shollohov) , “Murtaja” (Kamy), apo “Dhoma numër 6”. Me vone , “Muri” (Sartër) e aq më tepër “Pavioni i kancerozve” (i Sollzhenicinit) e kanë kumtuar këtë. Nuk do t’a teproja aspak po të thosha se, edhe “Ditari i Drita Çomos”, (pavarësisht se letërisi memuaristike), për nga ngjyrat dhe gjëndjet, me situatat grih dhe zymtësinë e vdekjes, me fantazmat e sëmundjes dhe peisazhin e shtretërve dhe korridoreve të pavionit, nuk është aspak jashtë kësaj letërsie të madhe.

(Bash sot bëhen 40 vite fiks, që kjo vajzë e brishtë, kjo fatzezë e kohës, kjo poete e veçantë, mbylli sytë njëherë e përgjithmonë).
(Fragment i shkëputur nga libri “Komshinjtë e vdekjes”, 2007, botimet “Almera”)











Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes