l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

ESSE


E pa emër…

Nga Martin Cukalla

Shënim: Nuk di pse m’u kujtua në këtë ditë të shënuar kombëtare kjo ngjarje, kjo ndodhi e dikurshme.

Kishte lindur rrugës, diku në një rrëzë që nuk të zinte era.
Mëma e saj, rraskapitur në rrugëtimin tragjik të atij Marsi dyfish të egër, kishte dashur të duronte makthet dhe dhimbjet e fundshtatzanisë, për t’i dhënë të paktën foshnjës së vet mundësi të fillonte e qetë jetën e jo kështu: në marrshime të neveritshme.
Ndoshta do të mbrrimë në Kukës, loçkë! Nuk është keq edhe në ndonjë fshat të Shqipërisë, diku ku nuk ka ushtarë serbë e paramilitarë të urryer…Duro zemër, kurajo! Mëma jote po duron!
Mëma e saj fliste me vete dhe duronte. Besonte fort se dhe foshnja e saj e dëgjone. Dhe duronte patjetër edhe ajo!
Por… Nuk kishin mundur… As mëma, as fëmija e saj.
Vjerra, një plakë e shkoqur pa zë e që mezi i hidhte hapat, dhe disa bashkëudhtare egsodi, që shkisnin hije para e pas tyre, e kishin pasë tërhequr përtej ca kaçubesh të mbuluara dëbore. Ishin bërë gardh për rreth asaj mëme në terrin e jetëdhënies. Dhe ashtu kishte lindur ajo foshnjë. As klithi, as qau! Mëma e saj po: Kishte pas klithur një çast, mandej kishte djersirë e kishte heshtur.
Vjerra, ajo plaka e shkoqur pa zë e që mezi i hidhte hapat, befas ishte mpakur më shumë! Pa thënë asnjë fjalë, rregulloi disi nusen e djersitur të djalit të vetëm që kushedi nga e kish zënë dita në luftra. Ta rregullonte disi, e ndihmuan edhe bashkëudhëtaret e eksodit, që shkisnin hije para e pas tyre…
Mëma zverdhur, djersitur e disi buzëqeshur, mbështolli foshnjën e saj me çka mundi: Vetëm të jetë sa më ngrohtë e sa më qetë!, -foli pa zë.
Prapë, ashtu si mundën, nisën rrugëtimin e prapë…
Drejtori i spitalit hyri në zyrën time pa trokitur.
Qenë aty ca kryekomunarë e ca të huaj dhe po flisnim për furnizime e strehime të të ardhurve nga Kosova, siç na pëlqente t’i quanim ato çaste ata njerëz të mjerë me tragjeditë në zemër e mbi shpinë!
Vështrova me habi drejtorin, atë burrë fisnik e të sjellshem. Ishte drobitur në pak ditë dhe m’u duk i rënë e i stërmunduar. E pyeta me sy: Ç’ka ndodhur?
-Më duhet ndihma jote, prefekt!
-Thuaj!
-Kam qysh në mesnatë që po mundohem t’i mbush mendjen një mëme nga Kosova, që duhet të lejojë varrimin e foshnjës së saj… I ka pas lindur vdekur… Nuk dëgjon njeri… Vetëm e vjerra është me të…Nuk e degjon. Ka aty dhe kosovarë të tjerë të sëmurë që i flasin… Ajo nuk dëgjon njeri!..Shtrëngon fëmijën e saj në gjoks e as nuk flet, as nuk i ngre sytë!...Ndonjëherë tenton t’i japë fëmijës të pijë… Edhe qetësues përdora. E pamundur!..
Shkuam në spital. Një arkivol i vogël bosh. Një mëmë që shtërngonte në gji fëmijën e saj të vdekur nuk di kur. Për rreth plot njerëz të rraskapitur e të heshtur. Të heshtur, si gurë të zënë nga dimrat!
Ju afrova asaj mëme. Përkëdhela instiktivisht kryet e mbuluar të foshnjës. Dikush pëshpëriti: Prefekti!
Ashtu si qe e ulur në dyshemne dhe me foshnjën në gjoks, e përqafova atë mëmë të mjerë në ferrin e saj… Ndenja ashtu përqafuar sekonda të tëra, sikur të më qenë mote të tërë në mortje me mjerimin e një mëme që mbante në krahë foshnjën e saj!
Duhet të guxoj!, -mendova.
Pastaj mora foshnjën e pa frymë në duar. Edhe unë gati i pa frymë isha. Ia zgjata foshnjën drejtorit të spitalit. U ula sërish në krah të asaj mëme të ngrirë si akull Frori.
I vura dorën në sup dhe thashë me zë të ulët: Tani duhet të bëhesh sokoleshë e ta dërgosh fëmijën tënd në krahët e Zotit! Të lutem, bëje deri në fund detyrën e mëmës! Këtu ke gjithë këta njerëz që janë në brengë për ty dhe për foshnjën tënde!..
Më vështroi me sytë e saj të padritë. Ishte tmerr më vete ta duroje pa klithur atë vështrim të përtej vdekjes.
U ngrita në këmbë. E tërhoqa për dore dhe atë të mjerën …E rraskapitur u ngrit përtueshëm, e dërmuar…
Një grup i vogël njerzish qemë kur ngjitëm kodrën me baltë të vorrezave të Durrësit. Aty e lamë atë foshnjë të paemër, në gjirin e Dheut. Në heshtje. Gjithçka ishte një heshtje që zgjat e zgjat. Thua ishte pambarimi që nuk ka një emër. Si ajo foshnja që nuk pati as jetë e as emër. Varr pati…
E ka ende aty në vorrezat e vjetra të Durrësit. Shkoj ndonjëhere dhe le mbi atë varr të paemër një psherëtimë dhe një tufë me lule të bardha…










Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes