l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Rrustem Niman Furriku – 12 VJET Drejtues i Rrethit Metodik i mësuesve të zones Kabash – Qelzë, një nga mësuesit veteran të Arsimit Pukë, ku shërbeu për 26 vjet (1952 – 1978) me përkushtim e devotshmëri, shembull në mes kolegëve mësues dhe ish-nxënësve të Tij.

RRUSTEM NIMAN FURRIKU -
MËSUES I MERITUAR I PUKËS

Ishte pinjoll i denjtë i familjes së Furrikut, një familje me tradita patriotike, që ka mbrojtë me urtësi e vendosmëri traditën e vetëqeverisjes krahinore në Pukë e më gjerë.. Familjen Furriku, duke qenë e tillë, Valiu i Shkodrës e pranoi si një prej krenëve të Malësisë së Pukës, dhe të mbarë maleve të Veriut që më vonë këto krenë qenë njohur edhe nga Veziri i Shkodrës, duke marrë titullin “Kren Vezri”. Derën e Furrikut të Kabashit edhe Begolli i Pejës, Sanxhaku të Dukagjinit, e pat njohur si bajraktar i Bajrakut të Kabashit, i parë në shtatë Bajraktarët e Pukës dhe i Treti në 12 “fiset e Lekë Dukagjinit”. Kështu Furriku kishte dy funksione: funksionin e bajraktarit dhe funksionin “ Krenë Veziri”, duke u bërë kështu një prej “dyerve, oxhaqeve”, me mjaft rëndësi brenda e jashtë Pukës. ( Xh. Meçi, Kabashi, Puka…. - 2- Tiranë, 2008.f.156 –157).


Halil Musë Furriku, Bajraktar i Bajrakut të Pukës, përshëndeti ardhjen e arbëreshit Terenc Toçi, prill 1911, dhe nëpërmes bajraktarëve të Bugjonit e të Berishës, që po e shoqëronin për Mirditë, i shprehu përkrahjen dhe besnikërinë e bajrakëve Kabash e Pukë për vendimet që do të merrnin me krijimin e Qeverisë së përkohëshme (Kimzë, Mirditë) për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi Turk. Dhe i ndej besnik këtij premtimi, duke u bërë një prej organizatorëve të Kryengritjes së Përgjithëshme , më 1912, në Pukë; dhe për pasojë forcat ndëshkimore turke i konfiskuan pasurinë, i prenë të lashtat e pemët dhe i dogjën kullën në Kabash dhe shtëpinë e kushëririt, Hasan Neziri, si dhe stanin në Meçe, Klos, ku veronte bagëtinë gjyshi i Rrustemit, Avdi Musë Furriku.
Xhaxhai I Rrustemit, Sheqer Avdia, bashkë me të kushëririn, Sherif Halil Musa sherbyen në Radhët e UANÇL, Brigada XXII –S dhe Halla e Rrustemit, Nurie Avdi Djaloshi, ishte e shoqja e Nezir Ismail Djaloshit, Neziri familje Dëshmori; po kështu i Kushëriri, Ymer Kadri Furriku, qe Kryetar i Këshillit ANÇL i fshatit Kabash. Edhe të kushrijtë në Rrape, shtëpia e Elez Demë Ibrahim Furrikut dha tre Dëshmorë të Atdheut( Demë Ibrahimi, Dëshmor në mbrojtje të Shkodrës, 1913; Kadri Ibrahimi dhe Ismail Ibrahimi, Dëshmorë të LANÇL; Rrape, nëntor 1944). I theksojmë këto, sepse erdhi një kohë, që nga viti 1976-1990 shtëpia e Rrustem Niman Avdi Furrikut u trajtua si e deklasuar dhe e padenjët për regjimin, (“ Pushtetin Popullor”) duke u bërë objekt i “Luftës së Klasave” përreth 13 vjet me ashpërsi të pandërprerë, deri më 1990.
Rrustem Niman Furriku që në vogëli filloi të tregoi dashuri dhe për shkollën e shkollimin dhe arsimimin e Tij, se për arsye të pushtimit nazifashist ( 1939- 1944) filloren u detyrua ta vazhdonte me ndërprerje. Ky interesim për shkollën iu shtua edhe më shumë , kur vinte te shtëpia e tij në Klos mësuesi patriot shkodran në Qelzë (1934 -1940), Zef Përjaku, i cili ishte i mirëpritur prej të atit të Rrustemit, Niman Avdi Musës, burrë i mirënjohur, patriot dhe bujar. Kur bisedonin për problemet e shkollës, si edhe sukseset e saj, arsimimin e dhjetra nxënësve, ku mes tyre shkëlqente Rrustemi trupgjatë, gjithmonë buzëqeshur, aq të dhënë pas mësimeve edhe pse kishin vështirësi për tekste e mjetet të tjera mësimore. Filloren 5 klasëshe e mbaroi me rezultate shumë të mira në Qelzë, Mardhnaq.


Më 1951 vazhdon me sukses kursin pedagogjik dymujor Shkodër dhe më 1952 me që ishin mundësitë dhe fare I re i ri, 17 vjeç djalë, e emëruan mësues në shkollën e Mardhnaqit, ku kishte kryer me sukses filloren. Sigurisht kushtet e viteve të para, të Mbasçlirimit ishin të vështira. Së pari, mungonin librat për nxënësit, por edhe fletoret ishin me pakicë. Megjithatë Rrustemi, nisur nga shembulli i mirë i mësuesit të Tij të parë , Lin Çurçia me përvojë pedagogjike dhe i diplomuar në normalen e Elbasanit punonte me durim dhe dashuri për nxënësit e varfër. Kolegu i Tij , mësuesi Kolë Ndue Pali , nga Shkodra me moshë të pjekur i jepte kurajo dhe e orientonte për ecurinë e punës me dy klasë kolektive brenda një ore. Vetë Rrustemi, kur kujtonte vitet e para të punës arsimore , shprehte kujtime të mira për mësues Kolën. Seksioni i arsimit të rrethit, duke parë rezultatet e mira me nxënësit që në përfundim të vitit të parë, e emërojnë mësues në shkollën e Buzhalës me katër klasë kolektive(1953 e ’54), Breg Gominë 500 m poshtë Klosit. Megjithëse i duhej të rrugëtonte afro 4 orë Shtëpi, Klos (Meçe) dhe Buzhalë e anasjelltas dhe të përgatitej për katër klasë kolektive , me sistem 6 orësh në ditë, por nuk ankohej, përkundrazi e kishte marrë me qetësi e durim, sepse edhe nxënësit ishin të vëmendshëm dhe prindërit dashamirës të shkollës sado të varfër.
Në kulmin e punës mësimore-edukative dhjetor – 1954 e mobilizojnë ushtar, mësuesin ushtar! Ky nxitim për shërbim ushtarak bëhej, sepse marrëdhëniet në kufirin e Jugut , me fqinjin grekë, ku u vendos një rregjim Monarkofashist, gjatë shtypjes së kryengritjes komuniste , u shkel edhe kufiri shqiptar, sa rrezikohej për një lufte midis dy shteteve , Shqiptaro – Greke. Megjithëse Ushtria e re Shqiptare e mbasçlirimit ishte e paarmatosur mirë dhe me oficerë të përgaditur në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, me përvojë të luftës partizane, por nuk vonuan që t’ ua ndezin flakë gjithë kufirin Shqiptaro-grek sadoqë Qeveria Shqiptare nuk e quajti luftë mes dy shtetesh e vendesh, por e quajti “Provokacionet e Gushtit 1949”! Është për t’u theksuar vendosmëria e forcave të ushtrisë shqiptare, e cila në shumicën e rasteve ishin rekrut ( ushtarë të rinj të mobilizuar në ato dy vite, por që luftuan me një heroizëm të rrallë shqiptar.
Është për t’u shënuar edhe shembulli i rekrutit Rrustem Rexhep Aliaj nga Qerreti, Pukë, i cili luftoi me një guxim e trimëri heroizmi të rrallë aq sa nga shërbimi ushtarak, u lirua nga ushtar me gradën aspirant, oficer dhe medaljen e trimërisë në gjoks. Raste të tilla pati shumë në ato “Provokacione”. Ushtar Rrustem N. Furriku krenohej me këta heroizma ushtarësh si nga Puka si dhe krahinat e tjera shqiptare dhe premtonte se kështu do të vepronte edhe ai me shokët e repartit të tij ushtarak në rastë se cënohej kufiri i Atdheut; prandaj, dallohesh në stërvitjet ditore mes ushtarëve të repartit të Tij, gjatë dy viteve të shërbimit ushtarak (1955-1956), ku i propozuan të qëndronte N/oficier karriere, por nuk mund ta braktiste arsimin në vendlindjen e Tij, ku kishte shumë nevojë për mësues. Prandaj sapo lirohet, emërohet përkohësisht në shkollën fillore Koman. Në vitet 1958 –‘ 60 rikthehet në Mardhnaq, Qelzë. Ku sjellë në kujtesë kolegun mësues Hysen Becin nga Zezët e Pukës, të cilit I duheshin afro 5 orë rrugëtim në ditë ( Zezë – Mardhnaq e kthim) sepse ishte në vëzhgim për mbajtje armë pa leje.( I kishin mbetur që nga viti 1943,kur ia vranë Vëllain cubat dhe ’i grabitën qetë, që po i çonte për shitje në Shkodër. Armët i kishin mbetë, kur mendonin për gjakmarrje.) “Ishte skandaloze, kur vjen një oficer me dy polic dhe porsa mësues Hyseni hapi derën e shkollës për t’ i nxjerrë nxënësit në pushimin e madh, policët i zunë derën dhe i vunë hekurat në duar sikur të ishte një kriminel i rrezikshëm -tregonte mësues Rrustemi, - Nxënësit filluan të qanin me të madhe dhe të vraponin të llahtarisur për në shtëpitë e tyre !” kanë arrestuar Mësuesiiin!!” M’ u deshtën nja tri ditë që t’i qetësoja nxënësit.” (Hysenin me të vëllanë , Sadrinë i dënuan me 5 vjet burg, por u liruan mbas një viti, se i kapi Amnistia e festës së Flamurit). Mësues Rrustemi, duke e parë nevojën e arsimimit me shkollë të mesme gjatë viteve 1960- ’63 vazhdon me sukses, pa shkëputje nga shkolla, gjimnazin e punonjësve të arsimit në Tiranë.
Me hapjen e shkollës fillore Meçe më 1963 emërohet mësues aty, ku vazhdon për 14 vjet 1963- 1977 mësues me 4 klasë kolektive dhe drejtues I rrethit metodik pedagogjik për shkollat fillore të zonës Kabash – Qelzë.


Me burgosjen e Bajram Sheqer Furrikut, djali i Xhaxhait,( për një letër anonime, dërguar KQ të Partisë , Tiranë),fillon goditja politike. I dënohet edhe i vëllai i Rrustemit, Salihi , (teknik televizorësh në Fushë – Arës.) “ Për axhitacion e propagandë, dhe nga keqtrajtimi vdes në burg. Tani i vinte radha Halit SHeqer Furrikut, I vëllai i Bajramit të burgosur. Nga Drejtor i Kabinetit Pedagogjik i Rrethit Pukë, emërohet mësues në shkollën 8-vjeçare Luf, ku iu kërkua të bënte biografinë para kolektivit të mësuesve, duke pranuar se të parët e prindërit e Tij ishin në shërbim të pushtuesve dhe se dënimet që u bëri Partia si familje Furriku ishin të drejta. Mësues Haliti, bëri të kundërtën, duke treguar të vërtetën me qëndrimin e Tij burrëror, të guximshëm, sypatrembur, si intelektual i edukuar e me karakter. Hakmarrja erdhi menjëherë: Qëndrimin e tij e quajtën armiqësor dhe e pushuan duke i hequr edhe të drejtën e profesionit, që e kishte me diplomë Universitare. !0 vjet me radhë në punë krahu, kryesisht në Ndërmarrjen pyjore Fushë- Arës, ,por i paepur dhe i panënshtruar. Por gjatë tranzicionit demokratik iu hapën dyert e suksesit e respektit: Shef i seksionit të Administratës së Komitetit ekzekutiv të Rrethit, në vitet 1996-2000 kryetar I Bashkisë Pukë, duke mirëpritur refugjatët Kosovarë. Muajt e fundit të jetës sherbeu diplomat në Moskë. Mësues Rrustemi tregohej vital,i duruar, i palodhur në punë. Dhe i përmbajtur. duke përballuar kurthet e vështirësit e krijuara.
Qëllimi kryesor ishte të demoralizohej dhe të nënshtrohej.Po mësues Rrustemi vazhdonte punën mësimore rregullisht edhe, kur, më 1977 emërohet mësues në Qafë- Tmug, 5 orë rrugëtim Meçe, Shtëpi e Qafë -Tmug, megjithatë vazhdonte mësimin me sukses sa u muar për shembull të mire në shkollë e në fshat. Atëhere i përgatitën kurthin tjetër, të Shkonte në RGL ( telegrafën e këshillit të bashkuar në Berishë të Vogël, për gatishmëri për lidhje telegrafike me Iballën e Pukën.
Shpresonin ta kapnin në gjumë nga lodhja dhe ta arrestonin si “sabotator të gatishmërisë”. Dikush i thotë si kot, se në fshat paskan ardhë dy oficerë të sigurimit. Në mëngjes, pa dalë ende drita u futën në RGL befasisht. E pyesin gjoja mos ka pasë ndonjë problem etj. Gjatë kësaj kohe i vëllai Tahir Furriku ishte pushuar si drejtor i ndërmarrjes së furnizimit të punëtorëve ( NSHFP) Fushë –Arës dhe ishte caktuar në mirëmbajtje rruga - ura , në sektorin e Qafë-Malit, që ta përdornin për terrorizim të kalimtarëve e banorët e zones.!!! Duke e parë se Rrustemi po i përballonte vështirësit e krijuara, më në fund më, 1978 e lajmërojnë se “ për shkaqe biografie familjare” pushohej nga arsimi dhe kalonte kooperativist në kooperativën e Kabashit edhe pse ishte propozuar nga seksioni I Arsimit të Rrethit për titullin e lartë “Mësues i Merituar”, por që iu anollua më 1977.


Me vështirësi arrinë të kaloi nga kooperativa bujqësore në Ndërmarrjen Pyjore, si specialist e bletërritës i dhjetra zgjojëve bletësh për llogari të Pyjores në Meçe, vend i mirë për bletë aty derisa doli në pension. Po ajo që e shqetësonte më shumë ishte arsimimi i djalit, Avni Rrustem Furrikut, i cili kishte prirje për shkollim. Për t’ia arritur qëllimit filloi në Shkollën e Mesme “Sabah Sinani” Pukë. Po i duhej të bënte afro 6 orë rrugëtimi në këmbë Klos, Meçe – Pukë dhe anasjelltas pavarësisht se si ishte koha. Një stërmundim i jashtëzakonshëm për katër vjet për të arritë që të përfundonte gjimnazin me rezultatet e duhura. Për Arsimin e Lartë dyert ishin të mbyllura, por u hapën në vitet e tranzicionit Demokratik, kur do të fillonte me entuziazëm fakultetin juridik, të cilin e përfundoi me rezultate të mira. Kurse tani që prej disa vitesh punon si avokat i mirënjohur në Pukë, modest e vital si i Ati . Po kështu dr. Qamil Furriku, djali I Zyberit, i vëllait të Rrustemit, është mjek pediatër, në Spitalin “Elez Selimi” Pukë, i përkushtuar, e i respektuar për gatishmërinë në përkujdesjen e shëndetit të fëmijëve. Edhe mësues Rrustemit iu dha vendi i merituar në komunitet, që nga vitet 1990 është Kryetar i fshatit Meçe, vendlinjes së Tij dhe anëtar I këshillit të Komunës Rrape, kurse më 1996-2000 Kryetar i këshillit të kësaj Komune, ku shprehte idenë e mirëkuptimit dhe të pajtimit, duke mos kërkuar kush hakmarrje për sa u ishin bërë njerëzve, qoftë edhe vëllazërisë së Tij, por duke i shërbyer progresit, përparimit, të së ardhmes e shkollimit, sidomos në kuadrin e vendlindjes dhe të vendushqyrjes; ndërsa begatinë e mirëqenien ta siguronin vetëm permes punës, shkollimit e ndershmërisë.
Këto ishin Mesazhet e Tij për komunitetin dhe brezin e ri. Prandaj e ndjejmë më shumë mungesën e Tij.

Xhemal Meçi, Muzeu Historik Pukë,
“Mjeshtër I Madh”, shkurt 2021









Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes