l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

– Meditim në vigjilje të ndërrimit të pushteteve –


77 vjetori - Brigada e Pestë, histori suksesesh të njëpasnjëshme

Nga Rrahman PARLLAKU*

Brigada e Pestë u krijua në pragun e festës së 31 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. Luftëtarët e Brigadës, si gjithë luftëtarët antifashistë e përkujtuan këtë ditë me krismat e armëve kundër okupatorëve nazistë-gjermanë që kishin zëvendësuar fashistët italianë.
Brigada e filloi jetën si njësi e organizuar më 28 Nëntor ‘’43, e komanduar nga Heroi i Popullit Abaz Shehu, i cili ishte një nga dëshmorët e parë të saj. Që në krijimin e saj, fillimisht me tre batalione, Brigada e Pestë Sulmuese u përfshi menjëherë në luftë kundër zaptuesit nazist gjerman e bashkëpunëtorëve të tij, duke përballuar një operacion që ndërmorën okupatorët në krahinat e Vlorës, me qëllim që të godisnin forcat e grumbulluara për krijimin e Brigadës, por ato në krijim e sipër e thyen operacionin armik. U shtuan radhët me luftëtarë të rinj dhe më 20 janar 1944 Brigada u rrjeshtua në Bramish të Tërbaçit për përurimin e saj. Në përbërje kishte pesë batalione me afro 1000 luftëtarë, me komandant Shefqet Peçin e komisar Hysni Kapon; e organizuar dhe e gatshme për të përballuar beteja të vështira, por edhe për të korrur fitore të lavdishme. Trimat që e përbënin atë fillimisht, ishin kryesisht nga qarku i Vlorës, por më vonë nga lëvizja nga qarku i Vlorës, në të u përfshinë me qindra e qindra luftëtarë nga Leskoviku e deri nga Kukësi e Kosova. Në përbërjen e saj pati luftëtarë, dëshmorë e heronj nga e gjithë Shqipëria, madje nga i gjithë kombi. Luftëtarët e saj përbënin një bashkim monolit që e thyenin e shpartallonin armikun kudo. Në ditën e inagurimit, ende pa u prishur rrjeshtimi i saj, komandantët e batalioneve morën detyrat luftarake për të përballuar ofensivën e madhe që ndërmorën gjermanët në dimrin e 1943-1944 kundër Ushtrisë Nacionalçlirimtare për asgjësimine saj.
Urdhëri i luftimeve që lëshoi Shtabi i Brigadës i vendoste forcat në këtë mënyrë: batalionet e dytë e të katërt mbeteshin për mbrojtjen e krahinave të Vlorës, batalioni i tretë në mbrojtje të Bregdetit, kurse batalionet e parë e të pestë në mbrojtje të Kurveleshit të Sipërm nga Kaparieli deri në Salari, ku vepronte bashkë me ta edhe batalioni “Perlat Rexhepi”. Luftimet u zhvilluan në kushte tepër të vështira të dimrit të ashpër përballë një armiku shumë superior në forca e sidomos në teknikë luftarake. Krahinat ku vepronin forcat e brigadës ishin të djegura e të shkatërruara nga armiku. Mungonte edhe buka për vetë popullin, mbasi kur kishte ai kishim edhe ne. Por partizanët i përballuan këto vështirësi dhe i kaluan dhimbjet e humbjeve të rënda që kishin pësuar. Ata u riorganizuan shpejt dhe me mësymje i shpartalluan forcat armike, çliruan krahinat e Kurveleshit, Kudhësit, Treblovës, Mesaplikut etj. Pas çlirimit të këtyre krahinave, brigada jo vetëm i shtoi radhët e saj me partizanë të rinj, por edhe u organizua e u kompatësua efektivi i saj. Forcat e brigadës për asnjë ditë nuk i rreshtën luftimet duke mbrojtur zonat e çliruara e goditur armikun kudo deri edhe brenda në qytetin e Vlorës. Në një nga këto luftime ra heroikisht zëvendëskomandanti i brigadës, Heroi i Popullit, Dervish Hekali. Luftimet, sakrificat dhe heroizmat e partizanëve të Brigadës së Pestë do i kujtojë gjithmonë populli i qarkut të Vlorës, jo vetëm për faktin se në radhët e saj kishte djalin ose vajzën pjesa më e madhe familjeve vlonjate, por edhe pse i kishte strehuar e ushqyer vet duke ndarë me ta kafshatën e bukës së fëmijëve; u kishte mjekuar plagët, por edhe kishte qenë dëshmitar e pjesëmarrës në shumë luftime përkrah tyre; se me dhënien e alarmit të rrezikut ngriheshin burra e gra të fshatit e luftonin përkrah partizanëve e në ndihmë të tyre. Kush nga ne nuk e ka parë e ndier këtë solidaritet e përkrahje të popullit heroik të Vlorës dhe që nuk mund të harrojmë kurrë.
Në fillim të prillit 1944, brigada mori urdhër për të kaluar në zonën e Gjirokastrës dhe për t’u vënë në mbrojtje të zhvillimit të punimeve të Kongresit të Përmetit, në sektorin e Tre Urave deri në Barmash të Kolonjës. Pas Kongresit të Përmetit, e inkuadruar në Divizionin e Parë, mori urdhër për të kaluar në Shqipërinë e Mesme e të Veriut. Gjatë rrugës për kalimin në Veri, Brigada mori pjesë në luftimet për thyerjen e operacionit armik të Qershorit. Luftime të ashpra deri trup me trup zhvilluan partizanët e kësaj brigade me forcat naziste në Qafën e Gjarpërit, Shëmberdhenjë, Qafë Dardhë etj, duke i shkaktuar armikut qindra të vrarë.
Me kalimin në Shqipërinë e Veriut zhvilloi luftime të ashpra për çlirimin e Matit e Dibrës kundër forcave naziste e bashkëpunëtorëve të tyre. Veçanërisht të ashpra qenë luftimet në krahinën e Kurdarisë e Macukullit në rrethin e Matit, luftimet për çlirimin e Dibrës e Peshkopisë, në Sinjë e Fushë Alie kundër forcave naziste e mercenare të kriminelit Halil Alia, xhandarëve e bashibozukëve me të cilët mjaftë nga partizanët i kishin provuar armët në luftime me ta në maline Tragjasit, Gumenicës e në Gjorm në janar 1943. Në të gjitha luftimet e zhvilluara partizanët e brigadës treguan vendosmëri e trimëri të rrallë në luftime dhe përballimin e situatave shumë të vështira nga Vlora deri në Kukës, që ishin edhe luftimet e fundit brenda kufijve shtetërorë e që përfunduan me çlirimine krahinës së Lumës dhe mbajtjen nën kontroll të rrugës Kukës-Prizren.
Brigada zhvilloi luftime të ashpra me forcat naziste dhe xhnadramërinë e Xhafer Devës, mercenarët që kishin kryer masakrën e 4 shkurtit në Tiranë e krime të tjera, për çlirimin e Gjakovës dhe Prizrenit e krahinave të tjera të Kosovës.
Veçanërisht të ashpra qenë luftimet për çlirimin e Gjakovës. Me çlirimin e Rrafshit të Dukagjinit e Kosovës, forcat e Brigadës së Pestë bashkë me ato të Brigadës së Tretë dhanë një kontribut të rëndësishëm, jo vetëm për çlirimin e popullit të Kosovës, por dhe në përfshirjen sa më gjerë të tij në Luftën Antifashiste, duke patur të drejtën të kërkojë zbatimin e vendimeve të Konferencës së Bujanit për vetëvendosje.
Me trimëri e sjellje shembullore partizanët e Brigadës së Pestë fituan dashurinë e admirimin e popullit kosovar; shumë të rinj kosovarë hyjnë vullnetarisht në radhët e Brigadës duke e dyfishuar efektivin e saj dhe ata luftuan me trimëri në Sanxhak. Mbas luftimeve në Kosovë Brigada e Pestë S bashkë me atë të Tretë dhe 25-të u inkuadruan në Divizionin e V-të që pata nderin ta komandoj në luftimet në tokat e ish Jugosllavisë. Sa u gëzova që pas një periudhe 7 mujore do isha bashkë me shokët e mi e do të ndanim së bashku vuajtjet dhe sakrificat që kërkon lufta; hidhërimet kur të vriten shokët, po dhe gëzimet që të jep fitorja.
Shumë nga shokët kishin rënë heroikisht duke luftuar, mjaftë të tjerë ishin ngritur në përgjegjësi dhe kishin shkuar me detyra në reparte të tjera, por shumicën i kisha aty e për mua ishte kënaqësi. Brigada në Sanxhak vepronte në kondita shumë të vështira, luftohej në terren krejt malor në një dimër shumë të ashpër, në një tokë të shkretuar nga gjermanët. Ishte lluks kur sigurohej patatja për të ngopur barkun. Nga ana tjetër gjermanët kishin ndërtuar një mbrojtje pozicionale dhe që mbroheshin me këmbëngulje për të siguruar rrugët e tërheqjes nga Mali i Zi, gjatë luginës së lumit Lini dhe në Veri për të siguruar tërheqjen e trupave nëpërmjet nyjes hekurudhore tepër të rëndësishme të Vishegradit.
Luftimet e zhvilluara për afro dy muaj në Sanxhak kanë qenë të ashpra dhe na është dashur të parballojmë vështirësi të mëdha. Veçanërisht të vështira qenë luftimet për marrjen e nyjeve të fortifikuara të Jadovnikut, Bitovikut, Mileshevdolit etj, duke çliruar bashkë me forcat e tjera të Divizionit të V-të qytetet Sjenu, Pripolje, Priboj etj. Po edhe në këto luftime efektivi i Brigadës korri fitore duke treguar edhe njëherë trimëri e vendosmëri të admirueshme. Gjaku i derdhur në Sanxhak ishte kontributi që jepte ushtria jonë në kuadrin e luftës antifashiste botërore; jo vetëm në çlirimin e popujve të ish Jugosllavisë, por edhe në fitoren e bllokut antifashist ndaj fuqive fashiste, mbasi angazhimi i forcave gjermane në luftime me divizionet tona nuk e lejoi komandën gjermane ta përdorte armatën e kundër frontit të dytë.
Gjatë rrugës së saj luftarake brigada ka zhvilluar shumë beteja ushtarake, ajo ka korrur fitore të lavdishme, por edhe humbjet kanë qenë të ndjeshme. Nga radhët e luftëtarëve të saj kanë dhënë jetën 350 dëshmorë e qindra të tjerë janë plagosur e gjymtuar. Në mes dëshmorëve janë hëronjtë dhe heroinat: Abaz Shehu, Dervish Hekali, Kastriot Muço, Zaho Koka, Zonja Çurre, Laze Nuro, Llambro Andoni, Hysen Çino e Nimete Progonati.
Është detyra jonë që traditat luftarake të Brigadës së Pestë heroike t’ua transmetojmë brezave të ardhshëm, se ato bëjnë pjesë në thesarin brilant të traditave shekullore të të parëve tanë. Kjo edhe për faktin se mosha mesatare e efektivit të Brigadës së Pestë ka qenë lule e rinisë nga 15-22 vjeç. Ata luftuan e ranë për një ideal të lartë, për lirinë e pavarësinë e Shqipërisë, për lirinë e popullit të tyre, për një Shqipëri demokratike, me ato ideale që përcaktoi konferenca e Pezës. Po fatkeqësisht ne luftëtarët jemi zhgënjyer, se diktatura enveriane nuk u qëndroi besnike idealave për të cilat luftuam e për të cilat ranë shokët tanë. Sepse ajo e katandisi vendin tonë në më të varfërin e Europës.
Detyra jonë sot është të mbështesim proceset demokratike, konsolidimin e shtetit ligjor e forcimin e rendit juridik që lidhen drejtpërsëdrejti me integrimin e Shqipërisë në Europë. Për ne mbi gjithçka janë interesat e Atdheut e të Kombit.

*Ish komandant i Divizionit të V-të
Marre nga libri
“Një shekull në memorie”








Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes