l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

– Meditim në vigjilje të ndërrimit të pushteteve –


LIRIA AMERIKANE NË “SHTETRRETHIM”

Nga Shefqet Meko,
Minneapolis, SHBA

Kurrë më parë tranzicioni i pushteteve në Amerikë nuk ka provuar një kërcënim kaq serioz qysh nga ditëthemelimi i saj, gati 250 vjet më parë. Një etje për dhunë, për sulm mbi institucione qeveritare, kërcënim dhe “asgjësim” fizik të pushtetarëve dhe ligjvënësve, sikur ka pushtuar nga bregu në breg kontinentin amerikan. Këtu, ku jeta fillon me “lirinë e fjalës”, fillimjanarin e ketij viti u duk se vetë demokracia po testonteishi fuqinë mbijetuese të saj. Një angazhim i paparë për të parandaluar çdo lloj kryengritje të armatosur dhe për të “vulosur” me paqe dhe nder mesditën e 20 Janarit 2021 ndërrimin historik të pushtetit qeverisës.
Kryeqyteti amerikan ishte blinduar dhe kthyer si një “kazermë ushtarake” ku ishin vënë në mbrojtje të shtetit dhe demokracisë mbi 20 mijë trupa, ose më shumë se trupat amerikane në Affgansitan dhe Irak së bashku. Kangjella të hekurta, blloqe betoni, postblloqe dhe kontroll i rreptë në rrugët dhe aeroportet e Uashingonit. Hotelet anulluan rezervime të dyshimta, pezullim i trenave drejt DC, rrjeti i madh i tregut privat të akomodimit në shtëpitë private (AIRBNB) ka anulluar të gjithë rezervimet në Uashington e rrethinat në praginagurim. Bileta flturimi të dyshimta u anulluan pamëdyshje… Bota sikur po ndiqte me ankth një “tmerr amerikan”, ndërsa unë që jetoj këtu, hesht dhe mendoj….

Pse kjo frikë? Kush mbolli kaq pasiguri në këtë kontinent që e krijoi fuqia e lirisë njerëzore? Në të vërtetë “retë” e kërcënimit e tmerrit “shëtisin” më shumë në internet dhe media, sepse në jetën e përdithshme. “Thakma” e prithsme prej ditësh që paralajmërohej shumë nga rrjetet televizive si “shpata e Demokelut” mbi shoqërinë amerikane e cila jeton normalisht, edhe pse e tronditur nga ajo që ndodhi më 6 Janar 2021.
Prej vitesh banoj në qytetin e Minneapolisit, ku u ndez edhe “fitili” i parë i protestave dhe revoltave të dhunshme, pas vrasjes së një afrikano-amerikani. Kam parë me sytë e mi egërrsinë e turmave dhe flakën shaktërruese të reagimit ndaj padrejtësisë. Këtu shteti në fillimi u “dorëzua” dhe mua më drithëroi sepse më kujtoi 97-ën shqiptare. U vu në flakë stacioni lokal i policisë, u dogjën biznese, zyra të shërbimit postar, u shkatërruan disa ndërtesa të mrekullueshme që ndërtoi njeriu me shpirt krijues..E dhimbshme, por vura re një “mrekulli” që anashkalohet nga medja: nuk ishte një urretje mes njerëzve, ishte një revoltë ndaj instituicioneve dhe padrejtësisë, ishte një reagim ndaj dhunës policore, që ka vrarë dhe akoma vret “pa gjyq”. Personalisht nuk më pëlqejnë turmat, sepse aty nuk ka logjikë dhe mendim, aty ka vetëm pasion dhe shpërthim.Turmat përherë kanë qënë “kërcënim” për çdo shoqëri njerëzore, sepse turma për mua nuk mendon, por mesazhi i saj duhet marrë seriozisht.
Kjo është një krizë që e kanë “gatuar” edhe ata kongresmenë dhe senatorë, që si dikur në “plenumet e Enverit” kanë duartrokitur dhe “bythëlëpirë” gënjeshtrën dhe mashtrimin e “të madhit” në pushtet vetëm e vetëm për të mbetur senatorë e kongresmenë. Çfarë virulence mëkatare paska pushteti!
Ishte një e keqe e pritshme që u gatua në çdo cep të Amerikës, ku fabrikimi i gënjështrës dhe tallja me të vërtetën, ku jehona e “pëshpërimave” u kthye në “modë republikane”, ku ironia ndaj kundërsharit politik, e ktheu fjalën në “pushkë e barut” dhe tallja me fatkeqët dhe të pafatët u bë “benzinë” e protestave, dhe zemërimi u kthye në “tornedo”politike. Tashmë realiteti duhet përballuar. Në fillim ishin demokratët që “duartrokisnin” ose heshtnin ndaj protestuesve të dhunshëm duke rezonuar me ta, e tashmë u bënë ithtarët e ideve republikane më “më katolikë se Papa” me dhunumin e shtëpisë së popullit më 6 Janar 2021, duke shënuar njollën e zezë në demokracinë amerikane. Amerika e trembur nga vetvetja, Amerika e trembur nga liria e vet, Amerika e trembur nga armët e veta dhe qytetarët e vet, po përjetonte momente historike që do të jenë “referenca” të demokracisë. Por Amerika nuk bie lehtë, sepse ajo akoma beson tek liria e vet, edhe pse tani po paguan “koston” e kësaj lirije. Shumica e qytetarëve amerikanë akoma besojnë tek Amerika dhe Kushtetuta e tyre që është “më e shkurtra” në botë, por më jetëgjata. Ajo nuk do bjerë, ajo nuk mund të digjet e shkrumboset si godinat që ngre dhe shkatërron njeriu, sepse ajo është në ADN-në e çdo amerikani të vërtetë…
Shpirtvegjlit dhe armiqtë e demokracisë amerikane ëndërrojnë një vetshkatërrim të Amerikës. Me sy e veshë presin “fundin e perandorisë”, por nuk ka për të ndodhur. Kjo është e vetmja “pernandori” e ndërtuar nga njeriu i lirë, nga njeriu që merr rreziqe në emër të së mirës, nga njerëz që kanë populluar këtë kontinent nga gjithë vendet dhe kombet e botës, duke nënshkruar një kontratë të vetme: Kontratë me Kushtetutën e SHBA. Ndaj sot, në këto kohë të një “Pandemie politike”, por edhe pandemisë reale të Covid 19, që ka rrëmbyer 400 mijë jetë amerikane dhe mbi 2 milionë në krejt globin, Amerika i ka sytë tek vetja. Ajo nuk pret dikë ta shpëtojë nga “sëmundja” e vet, ajo është gati të përballet me të keqen e vet, jo duke thirrur për ndihmë “trupat e OKB-së”, por duke thirur qytetarët e vet dhe ushtarët e vet. Kjo është edhe filozofia e madhe e lirisë amerikane: dili zot i punëve të tua!
Populli amerikan është një popull i armatosur, por jo “popull ushtar”. Kjo e bën secilin të ndihet sa i sigurt aq edhe i kërcënuar nëse shkel tjetrin, “kufirin privat”. Kur mendon se çdo kush ka armën e vet ose arsenal të tërë, kur mendon se kjo është një e drejtë kushtetuese po aq e rëndësishmë sa “Liria e fjalës”, nëse nuk e njeh jetën amerikane, të ngjall një tmerr dhe frikë, por në të përditshmen tonë është një “ballancim” kushtetues. Frika më e madhe amerikane është frika ndaj pushtetit dhe qeverisjes. Të jesh skeptik ndaj pushtetmbajtësve, nuk është gjë e keqe.Ndaj shumica dëshirojnë sa më pak qeveri dhe rregulla e më shumë liri dhe vetrregullim. Kjo është arsyeja që institucionet qeveritare marrin seriozisht çdo kërcënim dhe mesazh dhune, sepse e dinë se Amerika është vërtet një “fuçi baruti” siç thuhet në Shqipëri, ndaj i ruhen një “ballkanizimi” amerikan. Në këtë kuptim termi “luftë civile” varet si një çengel në çdo mendje dhe nuk e do asnjë amerikan normal, ndaj nuk do të ndodhë kurrë.


Çdo shoqëri njerëzore kalon krizat e veta, sepse edhe shoqëritë në tërësi funksionojnë si një qënie e gjallë ku ka ditë të bukura dhe ditë të hidhura. Amerika po jeton “momente shtrati” që do të ngrihet më e shëndetshme pasi di të vetëkurohet dhe vetëkorigjohet. Ajo nuk është perfekte, por një shoqëri që duke u dhënë qytetarëve lirinë e vet, synon përditë më të mirën e mundshme duke iu dhënë shansin qytetarëve të zgjedhin edhe pse në këtë proces ndodhin edhe “mutacione politike” që duhet operacion i dhimbshëm t’i kurosh. Kriza që përjeton Amerika dëshmoi se ajo ka ende “këllqe” të forta, përmes lirisë së vet ajo ka “çimentuar” një pavarësi pushtetesh, ka ndërtuar institucione që nuk i nënshtrohen “unit” të pushtetshëm apo diktatit të rrugës. Përmes kësaj krize Amerika “mori shënim” gabimet e veta dhe do t’i rikthehet me një shembull të madh botës se si të mos i nënshtrohesh dhunës dhe kaosit të brendshëm.


Asgjë nuk ndodhi më 20 Janar 2021. Ceremonia u zhvillua e qetë, gati si seancat e kongresit me “dyer të mbyllura” dhe kështu u mbyll një “kapitul dëshpërues” dhe Amerika do vijojë të besojë tek demokracia dhe liria e vet…Presidenti i zgjedhur u rikthye tek Shtëpia e Bardhë, jo si 12 vjet më parë si “hija” e Presidentit, por si President autentik dhe “kryeqeraxhi” i Zyrës Ovale, me shpirt dhe botë të bardhë. A nuk është e bardha simbol i paqes?
Amerika e përjetoi këtë janar në heshtje, por jo pa ankth. Ky janar i acartë i vitit 2021, do mbahet mend në shekuj. Acar, kërcënime, frikë dhe shpresë. A thua ky vend po kapërdin “pilulën” vetëhelmuese? Jo! Është thjesht iluzion i dhimbshëm. Amerika ka lindur prej lëngimit mërgimtar dhe “kurbaneve” të shumta, për të mos vdekur kurrë. Ajo duket se sapo është zgjuar nga një “ëndërr tmerri” dhe po “shtriqet” rimbledh forcat dhe energjitë krijuese, duke i treguar “muskujt” vetvetes. A nuk jetojmë për vete, pastaj për të tjerët ?! .
Minneapolis, SHBA
21 JANAR 2021







Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes