l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

“Masakra e Vranishtit”: Mikadua ka ditur të hulumtojë dhe të intervistojë ata që përjetuan ngjarje epike


DR. MIKADO SHAKOHOXHA PËR HISTORINË TRAGJIKE TË VRANISHTIT ATDHETAR

SHPENDI TOPOLLAJ

Doktori i shkencave Mikado Shakohoxha është një nga figurat më të respektuara të ushtrisë tonë. Drejtues i suksesshëm prej një kohe të gjatë i Shoqatës Kombëtare “Skënderbegasi”, ai është njëkohësisht autor i disa librave monografikë, ku spikat ai kushtuar masakrës së Vranishtit, fshatit të tij të lindjes, me histori luftrash e përpjekjesh të paprera për liri e pavarësi. I lindur në kohën e zjarrit të luftës nacional - çlirimtare, pra në vitin 1943, ai pas mbarimit të arsimit shtatë vjeçar, kryen studimet në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, shkollën e Bashkuar të Oficerëve (1961 - 1963), Akademinë Ushtarake, ku shërbeu si pedagog etj. dhe pasi kreu një varg detyrash të rëndësishme, deri komandant Divizioni, mbrojti dhe fitoi disa grada shkencore. Si i tillë, ai ishte në lartësinë e duhur profesionale dhe intelektuale, për të mbledhur fakte autentike dhe për të përshkruar me vërtetësi ecurinë e sakrificave shekullore të vranishtiotëve dhe sidomos mizoritë e ushtrisë hitleriane gjatë Operacionit të Dimrit 1943 - 1944 dhe rezistencën heroike të burrave dhe grave të asaj treve. Ishin plot gjashtëdhjetë vetë ata që u vranë pa mëshirë nga gjermanët për hakmarrje, por edhe për t`i futur tmerrin asaj popullsie që kurrsesi nuk pajtohej me pushtimin dhe për më tepër, mbushte radhët partizane me djem e vajza dhe i përkrahte ata me çdo mënyrë. Kishte dhe një arsye më shumë; pasi vetë ai pati jo pak, por shtatë nga të afërmit e tij, gjyshin, babanë, xhaxhanë, vëllanë etj. dëshmorë të asaj lufte barbare. E kam shoqëruar Mikadon, bashkë me miq të tjerë në atë fshat, kur me nismën e tij u përurua lapidari kushtuar atyre dhe i kam përjetuar nga afër emocionet njerëzore dhe krenarinë që ai ndiente.
Vetë ai, për përgatitjen e këtij libri shprehet se “Është detyrë e dorës së parë për ne, ta njohim atë luftë, ato sakrifica e t`i nderojmë përherë dëshmorët dhe martirët e lirisë. Kjo edhe për atë që, një popull, që nuk di rrënjët e veta dhe nuk respekton të kaluarën e tij, nuk ka të ardhme dhe mund të konsiderohet i humbur. Rinia ka dëshirë ta mësojë dhe ta nderojë historinë, por asaj i duhet dhënë historia e saktë, pa ngjyra partiake dhe në kohën e duhur. Sepse në këtë fillim shekulli, kanë ndryshuar shumë gjëra në këndvështrimin e historiografisë shqiptare dhe pa dyshim edhe asaj të Vranishtit, por po kaq shumë gjëra vazhdojnë të jenë peng i heshtjes dhe keqtrajtimeve të qëllimshme”. Prandaj edhe ai, për të shmangur çdo keqkuptim nuk i veçon njerëzit e tij të dashur nga fatet e të tjerëve dhe sidomos nga burrëria dhe trimëria me të cilën ata e përballuan armikun dhe pastaj vdekjen. Kishte një domethënie të madhe që nga ky fshat studiuan 106 djem në bankat e shkollës së lavdishme “Skënderbej”. Dhe të gjithë ata u bënë kuadro nga më të mirët e ushtrisë tonë, ku u dalluan për përkushtim, kulturë, ndershmëri dhe besnikëri. Shumë prej tyre, si Eqerem Shakaj, Namik Hasani, Feim Xhebro, Nuredin Duka, Piro Hysi etj. etj. i kam njohur nga afër dhe ruaj për ta konsideratën më të madhe. Ishin nipër të atyre gjysh - stërgjyshësh që kishin kënduar: “Neve buza nuk na qeshi / kurrë me ata jezitë / jemi zënë lesh për leshi / edhe sot e këto ditë”. Në kujtesën e tyre kishte lëshuar rrënjë e shkuara heroike e të parëve dhe ashtu sikurse thotë vetë autori: “Për vranishtiotët liria ka qenë më e shtrenjtë se jeta”. Pa mbërritur tek ajo masakra e njohur që s`ishte tjetër veçse zgjatim i asaj të 6 Korrikut të vitit 1943 në Barmash të Kolonjës, Mikadua sikur e përgatit lexuesin për sa do të ngjasë. Ai nuk e sheh atë si të veçuar nga gjithë sa ngjau në Shqipëri e më tej akoma, gjatë Luftës së Dytë Botërore.


Divizioneve Bergkessel (kazan malor) dhe atij Horridok (thirrje për të ngritur gjahun), të mbështetur nga zjarri i regjimenteve ndihmëse, me qëllimin e shpartallimit një herë e përgjithmonë, me urë në dorë të rezistencës nacional - çlirimtare, njësitë e organizuara luftarake dhe vullnetarët nga populli, i zunë pritë pa ju trembur syri, gjatë gjithë rrugëtimit të tyre në Lumin e Shushicës drejt Vranishtit dhe jo vetëm e gjakosën dhe e turpëruan atë, por dhe shkruan faqe të ndritura qëndrese të pashoqe. Këto ndeshje të pabarabarta, këto sakrifica të paimagjinueshme, na paraqiten në këtë libër me saktësinë e atij që ka qenë vetë dëshmitar. Dhe e gjithë kjo, se Mikadua ka ditur të hulumtojë dhe të intervistojë ata që i përjetuan ato ngjarje epike. Ai ka ditur të shfrytëzojë me mjeshtëri edhe folklorin popullor, pra t`i ilustrojë ato të vërteta me këngët e ngritura aty për aty, por që përcillen të pa harruara nga brezi në brez. Ai ndalet pak më gjatë te 18 Dhjetori i vitit 1943, ku gra e vajza të reja, si Asqeria, Trëndafilja, Sabedia, Bejushia, Hamideja qëndruan trimërisht derisa dhanë jetën në lule të rinisë së bashku me Shefitin, Rubiun, Yzeirin, Azemin e Iliazin. Kur flet për Tre Bitrajt, autori i librit, tregon një ndodhi rrëqethëse, ku dëshmitarja Farie Sulia, që sot do të ishte mbi 100 vjeçe, teksa kishte shkuar te të vrarët dëshmon: “E gjeta Hysni Bitrin, duke parë masakrën e pabesueshme, përpara tij nëna, gruaja, djali 16 vjeçar të masakruar para dy ditësh, duke parë djalin e vogël Remziun që pinte gji te nëna e vrarë dhe vajzën Peshqeshe një vjeçare që rrinte e ulur te këmbët e të vrarëve”. A nuk është kjo skenë e denjë për penelin e Françesko Gojas (Francisco Jose de Goya)”. E ç`është ai pushkatimi te tabloja “3 Maj 1808” i tij para saj? Dhe a nuk ngjet skena e sjelljes së kokës së prerë në një futë të zezë, pas varrimit të Shakohoxhe nga Qeribaja, me vizatimet e tij Desastres de la Guerra, ku ai na jep tmerret e luftës, ku paraqiten fshatarët e torturuar dhe të coptuar nga francezët? E kush nuk do të revoltohet kur të lexojë në libër: “Për ta bërë vdekjen sa më të llahtarshme, për t`u treguar rebelëve të pa bindur se edhe të vdesësh po pate vendosur nuk është aq e lehtë me gjermanët qoftë edhe tre breza, zgjodhën një mënyrë origjinale pushkatimi. Gjysh Ismailin e lanë ta pushkatonin në fund, në mënyrë që ai me të birin, Qerimin të shikonin si masakrohej nga nazistët nipi dhe djali 15 vjeçar Xhevdeti, pastaj të shikonte djalin e tij Qerimin e në fund vet me nipin tjetër Hyso. Skenë makabër ku çdo gjaksor ka se çfarë të mësojë”. Dhe si për kontrast, ndodh ajo që mund ta ndeshim vetëm nëpër legjenda. Aishe Kalemia, një grua e zgjuar dhe e guximshme, kur gjermanët kishin vënë para “Sharsit” të tyre rreth 100 veta të grumbulluar për t`i vrarë, merr inisiativën e padëgjuar dhe shkon te një ushtar gjerman e vdekur dhe e qan me ligje, gjë që jo vetëm u bëri shumë përshtypje hitlerianëve, por dhe i preku ata, derisa oficeri dha urdhër të anullohej vendimi i pushkatimit. Libri na jep plot shembuj të tillë, ndaj dhe bëhet mjaft interesant. Por ajo që dua të theksoj është mjeshtëria e autorit për të na vizatuar me dashuri e kompetencë natyrën, virtytet, jetesën, doket, traditat, këngët, fjalët e urta, gëzimet, hidhërimet e banorëve të Vranishtit dhe dëshirën e tyre për arsimim apo ajo që dhanë për vendin pasi u bënë kuadro dinjitoze.


Duke e njohur mirë strategjinë, taktikat dhe historinë e luftimit, M. Shakohoxha, me imtësi ka përshkruar jo vetëm përgatitjen, ku i referohet teoricienit prusian Carl von Clauzewitz, por dhe rrugët që u ndoqën në tre drejtime për të përfunduar në Vranisht, dhe zhvillimin e luftimeve me statistikat e humbjeve të jetëve dhe pasojave që pati ajo luftë që e shndërroi atë fshat në gërmadhë në 9 shkurt. Dhe kur në Bratin aty pranë, gjithçka përfundoi, gratë, shumë prej të cilave ishin nga Vranishti, kishin dalë në dritare dhe shihnin trupat e pajetë të burrave dhe “”Pikëllimi i ngjante një nate të errët pus, mbi të cilën, nga qielli binin vetëm pika helmi”. Ato, në këtë gjendje të rënduar shpirtërore, gjenin forca të strehonin , ushqenin e mjekonin djemtë e plagosur të Vranishtit. E rëndë është dhe ajo që rrëfehet për gratë e Vranishtit që shkojnë atje për të mbartur trupat e burrave të vdekur në kurriz, të lidhur me litarë. Një kortezh mortor i paharruar mes të ftohtit të llahtarshëm në 15 kilometra rrugë e pa rrugë. Kurse nënat vranishtiote, kur u shpinin djemtë e vrarë, thurrnin vargje: “Kërkon djalë e s`e gjen nëna, / Çahu moj zemër përbrenda!” M. Shakohoxha diku sinqerisht pohon se “E di që talenti im është shumë më i vogël se ambicia ime për pasqyrimin e kësaj masakre”. Po lexuesit i intereson diçka tjetër; pse duhej e gjithë kjo? Pyetja është retorike. Pushtuesit u sollën mëse barbarisht me popullin tonë të pafajshëm. Kjo nuk duhet harruar kurrë, por sot nuk kemi përse të kultivojmë urrejtje. Urrejtja është për luftën dhe shkaktarët e saj aventurierë. Popujt duhet të nxjerrin mësime nga pësimet dhe të luftojnë për paqen dhe vëllazërimin mes tyre. Dhe në këtë libër që u bën nder dëshmorëve dhe martirëve, dhe që del tej kufijve të një masakre, dr. Mikado Shakohoxha, me atë natyrën e tij përherë gazmore, nëpërmjet poemës “Njerëz mos harroni!”, na bën dhe një apel, për paqe dhe jo për duel.





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes