l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Nё krijimtarinё e tij, me talent, kulturё e profesionalizёm, ka mbajtur e mban qёndrim kritik ndaj regjimit monist

SHPENDI TOPOLLAJ - NJERI DHE KRIJUES I MREKULLUESHËM

Meçan Hoxha

Me rastin e 74 vjetorit të lindjes më 14 shkurt 2021, pra ditën e shënuar të Shën Valentinit, poeti, shkrimtari, kritiku dhe drmaturgu Shpendi Topollaj, mbush 74 vjeç. Ai jeton nё Durrёs prej shumё vitesh. Kёtu krijoi familje, lindi e rriti dy vajzat e tij. Këtu krijoi një emёr tё nderuar dhe kёtu po pleqёron. I diplomuar si ushtarak e jurist, jeta e pёrplasi nё detyra tё ndryshme. Gjithmonё i pёrkushtuar dhe i pёrgjegjshёm në punë. Kёrkues pёr vete dhe investues pёr vartёsit, kolegёt, shokёt e miqtё.
Durrёsi dhe durrsakёt e ndiejnё dhe kur s’e shikojnё. Ndiejnё buzёqeshjen dhe sjelljen plot edukatë, ndiejnё thjeshtёsinё dhe bonsensin e tij, ndiejnё fjalёn e urtё, tё mençur e diturore, nё tё mira e nё tё kёqija. Ndiejnё angazhimin pёr çdo hall tё trokitur nё derёn e tij. Ndaj dhe ёshtё mik i respektuar pёr tё gjithё ata qё e njohin. Natyrisht, jo pёr tё liqtё, servilёt, mashtruesit, hajdutёt e hipokritёt. Kёta s’i bёri miq asnjёherё.
Ky njeri, qё ёshtё pёrfaqёsues i denjё i kёsaj fjale, e ka kaluar jetёn mbi libra. Nё fillim duke lexuar, e mё pas, duke lexuar e shkruar.
Tё bisedosh me Shpendin dhe pёr mё tepёr, ta lexosh atё, ёshtё sikur ke lexuar, jo disa autorё, po njё bibliotekё tё tёrё, me autorё tё shumё fushave, shumё vendeve e shumё kohёve. Mjaft të kujtoj gjashtë librat e tij voluminozë, të shkruar e botuar vetëm gjatë kohës së pandemisë. Ështё studimi i paprerё dhe talenti i tij i spikatur, qё e ndollёn nё mjedisin e bukur tё krijimtarisё, duke e bёrё tё shkruaj pareshtur sapo demokracia ia mundësoi këtë.
Me skicat, esetё, tregimet, novelat, romanet, poezitё, poemat, kritikat dhe së fundmi dramat, realizuar nё plot 60 libra tё botuara, disa tё pёrkthyera dhe nё gjuhё tё huaja, e ka renditur veten ndёr shkrimtarёt mё prodhimtarё tё kohёs tonё.
Kam lexuar shumicёn e krijimtarisё sё tij dhe veç qё jam kёnaqur, kam mёsuar e pёrfituar prej tyre. Kam mёsuar t’i shoh e t’i vlerёsoj shumё gjёra tё jetёs, me sytё, mendjen dhe ndjenjat e kёtij artisti të fjalës, për ç`ka është nderuar dhe me çmimin prestigjioz “Pushkin” etj.
Ka kohё qё kam dashur tё shpreh konsideratёn pёr kёtё intelektual dhe krijues virtuoz, por, sa kam mbaruar sё lexuari njё libёr dhe kam nisur tё sistemoj ndonjё mendim, shfaqet Shpendi me njё tjetёr botim tё radhёs, e kjo radhё duket se s’mbaron. Mbi dy tre botime nё vit, nё poezi, prozё e kritikё, shpesh voluminozё, do ta bёnin krenar çdo autor, e pse jo dhe tё vetkёnaqur. Pikёrisht kjo e fundit s’ka ndodhur me Shpendin.
Sa shumё ka shkruar ai dhe sa shumё kanё shkruar pёr tё! Sapo u botua volumi i tretë “Kur mendja bashkohet me zemrën”, ku autorë të shumtë japin vlerësimet më të larta për të dhe krijimtarinë e tij. Normale, qё pas gjithё atyre vlerёsimeve, çdo kush do e kishte nxjerrё pak gjoksin. Po jo Shpendi. Ai, siç tregojnё të gjithë ata qё e kanё njohur, ka mbetur po aq i thjeshtё, modest e komunikues, human e i gjithgjendur pёr kёdo.
Kёta tregues i ka ngjizur dhe nё personazhet e krijimtarisё sё tij. Njё jetё i dashuruar me letёrsinё. I palodhur e i pangopur me lexim librash. S’ka autor me emёr nё letёrsinё shqipe e atё botёrore tё mos jetё bёrё shok e mik i Shpendi Topollajt. Kujtoj librat aq të mirëpritur që do t`i kishin zili edhe vetë akademikët: “Dantja... e të tjerë” dhe “Shenjtorët e letrave”. Krijimtaria e tij ёshtё aq e pasur me ngjarje, vende, personalitete dhe e shtrirё nё kohё, qё nga Neandertali e deri nё ditёt tona, sa tё befason me njohuritё e tij pёr mitologjinё, historinё, pikturёn, muzikёn, letёrsinё, kulturёn, besimin, gjeografinё, qytetet, shtetet, popujt e qytetёrimet, qeverisjet e njerёzit me kontribute pёr njerёzimin.
E gjithё kjo punё ka pasur njё qёllim tё qartё; mbledhjen si bleta, tё ç`do gjёje tё bukur qё ka prodhuar njerёzimi dhe prurja pёr qytetarёt e vendit tё vet si mjaltё i shёndetshёm, pёr ta formuar e orientuar drejt progresit, tё mirёs e fisnikёrisё. Ёshtё njё model nolian, por ndёrsa Noli i pruri nё letersinё shqipe nё interes tё vendit e popullit tё vet, nёpёrmjet pёrkthimit tё kryeveprave tё letёrsisё botёrore, Shpendi e bёn kёtё duke sjellё sumumin e vlerave tё krijimtarisё botёrore, tё harmonizuar, me mençuri e talent tё veçantë, me krijimtarinё e tij, sidomos nё zhanrin e kritikёs.
Vendin parёsor nё kёtё krijimtari e zё koha e jetuar, koha qё pёr njerёzit e brezit tё Shpendit, u bё dy kohё: kohё në diktaturё dhe kohё nё liri. E jo mё kot, dy librat e parë voluminozë të shkruar për të titullohen: “Të shkruash në liri” dhe “Liria e tё shkruarit”.
Nё krijimtarinё e tij, Shpendi, me talent, kulturё e profesionalizёm, ka mbajtur e mban qёndrim kritik ndaj regjimit monist, duke treguar e vlerёsuar anёt mё tё dobta tё tij si: “Shpikja e llahtarshme e luftёs sё klasave, izolimi i plotё e pa mbarim, koope-rimi i tejskajshёm, kufizimi i frikshёm i tё drejtave e lirive tё individit, koncepte e praktika kёto qё shpesh herё e tjetёrsuan njeriun”, siç thekson dhe dr. Novruz Zejnati.
Natyrisht, Shpendi nuk ёshtё nihilist. Ai çmon shkollёn, aqsa shpesh e himnizon atё, siç ndodh me shkollёn e tij “Skёnderbej”, kulturёn, shёndetsinё, pёrkushtimin ndaj punёs, profesionit, popullit e atdheut, Luftёn Antifashiste e, veçanёrisht, ushtrinё, nga pёrzgjedh dhe shumë nga personazhet e tij tё pёrshkruar e realizuar aq bukur. Vëmendje tё veçantë ka treguar pёr gjёmёn qё u shkaktoi sistemi disa personaliteteve e figurave tё Ushtrisё Shqiptare.
Kjo pjesё e krijimtarisё sё Shpendit ёshtё e pёrzierë me jetёn e tij, tё familjes e tё shokёve dhe, brenda saj, ashtu siç ka art e letёrsi, ka dhe jetё e dhimbje tё prekur nga afёr. Pёr kёtё krim shtetёror, dёshiroj tё citoj ish Shefin e Shtabit tё Pёrgjithshёm tё Ushtrisё, Veli Llakaj që tani nuk rron: “… ajo fatkeqёsi vazhdon. Si nuk po del njё institucion juridik, qё tё mund tё realizojё rehabilitimin ligjor e moral tё ushtarakёve tё akuzuar dhe tё dёnuar pa asnjё bazё? Po rehabilitohen hajdutё, imoral, vrasёs etj., po nuk po rehabilitohen tё pafajshmit e vёrtetё”.
Ёshtё mbreslёnёse pёrplasja qё realizon Shpendi, midis tё mirёs e tё keqes. Kjo ёshtё njё kategori e njohur e letёrsisё qё nё fillesat e saj, sepse ёshtё tregues i zhvillimit tё vet shoqёrisё njerëzore, por Shpendi e ka qёmtuar kёtё fenomen nё kohёn e sotme moderne, me problematika e ngarkesa tё reja e nё realitetin shqiptar.
Ky kontribut gjendet kudo, në poezi, tregime, romane e drama, por mё dukshёm, dhe akoma mё me art ёshtё realizuar nё njё nga krijimet e tij mё serioze, dhe njё nga romanet mё tё mirё tё letёrsisё shqipe, tё kohёve tё fundit “Mashtruesi“. Po mesa duket, ka pasur tё drejtё Gёteja, kur thoshte se: “Ai qё njoh unё, nuk ёshtё gjeni”.
E kam tё vёshtirё tё analizoj e tё vlerёsoj punёn kolosale tё Shpendit nё tё gjitha zhanëret e letёrsisё, ndaj po mjaftohem tё rendis disa pёrshtypje qё kam fiksuar nё faqet e librit të njëzetepestë, vetëm me kritike letrare, dhe që e ka titulluar “Pesha e dinjitetit”. Këto përshtypje e konsiderata i përcjell me statusin e lexuesit të thjeshtë që sikurse thotë Shpendi, ai njeh dy lloj letërsish; të bukur dhe jo të arrirë dhe për të nuk ka pikë rëndësie në është klasike, romantike, realiste, moderniste, simboliste, hermetike, etj.
Autorët dhe veprat e tyre, me të cilat merret Shpendi në këtë libër janë të gjinive, moshave e staturave krejt të ndryshme, por ai ka ditur të na i japë si pjesë e një të tëre, unike në qëllimin e saj: të përcjellë secili kontributin e tij në kulturimin e të tjerëve, por edhe si për t`i thënë botës, se ne shqiptarët kemi vlera të pamohueshme qytetërimi dhe kur kërkojmë t`i bashkangjitemi Evropës, nuk kërkojmë mëshirë prej saj, por se e meritojmë.
Libri ka një nisje interesante; Shpendi me sinqeritetin e tij karakteristik, boton me një koment letrën me këshilla që dhjetra vite më parë i dërgonte ish ushtarit të tij, shkrimtarit simpatik të humorit Luan laze. Ajo është origjinale, dhe ka aty mësime nga Partia dhe sh. Enver. Por ka dhe mënçuri e largpamësi. E mbi të gjitha, kulturë që vështirë ta ndeshje aso kohe te një oficer i thjeshtë trupe, dhe fuqi arsyetimi të hekurt, ç`ka tregonte qysh atëherë se po piqej një kritik i ardhshëm letrar. Jeta është e mbushur me peripeci e të papritura; dhe pikërisht ky oficer me talent e perspektivë në letërsi, ndëshkohet rëndë ngaqë kishte lexuar një libër me kritika letrare të profesorit atdhetar Rexhep Qose. Nuk shkruante e nuk botonte dot se kjo i qe ndaluar, pasi po për një libër që pati shkruar, qe dënuar dhe babai i tij, partizani dhe antifashisti nga më të vjetrit e Kolonjës. Dhe ja tani, ky autor, analizon me mjeshtëri, pse jo, edhe me krenari, veprën e pavdekshme të Ismail Kadaresë.
Duke u marrë me romanin e tij “Shtërgu i fundit” (dhe mos harroni se ai sapo ka ribotuar librin e zgjeruar: “Kur qesh e qan Kadareja”, ku kam pasur nderin të shkruaj pasthënien), ai njëkohësisht i këndon bukur dashurisë së fundit të lirikut tonë më të shquar, Lasgush Poradecit. Shkrimi për të është gati - gati si një poezi apollogjike sipas motiveve jetësore të vetë Johan Volfgang Gëtes në Vajmar.
Vëmendjes së këtij autori zemërmadh, nuk i ka shpëtuar as vepra e madhe studimore dhe atdhetare e vlonjates Vilhelme Vranari, as poezia e durrsakes Merita Thartorit (Kuçi), dhe as libri i parë i një zonje të ndreruar dhe të moshuar, Luli Velit “Gjurmë”, të cilin ai e quan të vonuar, por edhe një prurje dinjitoze në letrat tona.
Shpendi vajton së bashku me nënën - shkrimtare nga më të mirat Flutura Açka e cila te libri “Biri”, kushtuar humbjes së djalit të saj, e derdh lotin sa bota. Po këtë linjë ruan edhe te kujtimet poetike të mikut të tij Dashamir Uruçi që ende i drithërohet shpirti për vdekjen aksidentale të Esmeraldës së dashur.
Pjesë serioze e këtij libri është analiza e kujtimeve e inxhinierit ushtarak, Saimir Maloku, shok shkolle i Shpendit. Në shkrimin e tij, ai rrëfen kotësinë e dënimit të tij si armik me shumë vite në burgun e Burrelit, brengat shpirtërore dhe torturat mesjetare që iu bënë një njeriu të aftë e të ndershëm. Duke marrë shkas nga qëndrimi i tij burrëror, Shpendi e ka titulluar këtë libër “Pesha e dinjitetit”.
Mbresa të veçanta të lë edhe shkrimi mjaft i goditur për poezinë e Flamur Balës, djali i ri, i cili i mbërthyer nga fati i keq në karrocën me tri rrota, shkruan vargje të ndjera për të mirën, të bukurën dhe dashurinë, duke mbetur kështu një shembull i madh frymëzim e optimizmi.
Vijojnë më tej vlerësimet për veprën e aviatorit - jurist Delo Isufit, dibranit Halil Rama, beratasit Dritan Çobo, fierakut Petraq Kote, kavajasit Shefik Myftiu. Shihni pra edhe gjeografinë e këtij autori. Por ka në këtë libër edhe publicistikë, ku me kurajë të lavdërueshme trajtohet problemi ynë kombëtar. “Asnjë gjykatë - thotë ai - nuk mund ta përbaltë luftën heroike të U.Ç.K. - së” dhe duke folur para Presidentit të Republikës, shprehet: a nuk e shihni se të huajt vazhdojnë të luajnë me ne. Ka pastaj portrete të skalitura, si ai i poetit dhe prozatorit të magjishëm Zyhdi Morava, gazetarit të palodhur antikomunist Kostaq Xoxa, piktorit e skulptorit të njohur Nelo Lukaçi e deri njeriut të thjeshtë Tajar Mehmetaj. Pra, në gjithë këtë larmi, ku janë përfshirë edhe shkrime të tjera, ajo që bije në sy, është se më shumë se vlerësime për të tjerët, këto janë krijime të mirëfillta artistike të vetë Shpendit, ku spikasin jo vetëm cilësitë e paimitueshme të tij, por edhe qëndrimi parimor.
Shtoj dhe diçka. Mendoj që mjedisi durrsak, shoqatat dhe klubet kulturore e artistike, strukturat e shoqërisë civile, po dhe ato shtetërore, tregohen indiferente ndaj punës kolosale të Shpendi Topollajt, të këtij intelektuali dhe autori që vetëm ta lexosh të duhet rreth gjysmë viti, le pastaj sa shumë përfiton nga këto lexime. Ai ka dhënë aq shumë, pa marrë asgjë. Megjithatë, s`duhet harruar përcaktimi i Talesit, filozofit themelues të shkollës Jonike që thosh se “Koha nxjerr gjithçka në dukje”. Neve, s`na mbetet veçse ta urojmë me gjithë shpirt: jetë të gjatë dhe krijimtari të begatë, o miku ynë i mirë!








Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes