l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

OBVL vlerëson qëndrimin e Presidentit të RSH SHT ILIR META


Dekorimi i heronjve, dëshmorëve e atdhetarëve,
i lidhur ngushtë me interesin mbarëkombëtar

Në të gjitha rastet, figurat e heronjve, dëshmorëve apo atdhetarëve, përherë kanë qenë të lidhura me interesin mbarëkombëtar dhe janë jashtë këndvështrimit politik aktual apo të kohës në të cilën janë kryer këto akte. Nga ky këndvështrim Organizata e Bashkuar e Veteranëve të LANÇ-it (OBVL) mbështet qëndrimin e Pesidentit Meta, i cili me dekorimet e fundit, më shumë se për emrat, ka synuar të evidentoj aktet, kontributin ndaj kombit dhe ngjarjet më të shënuara, të cilat kanë mishëruar pikat më të shndritshme të historisë sonë për liri e pavarësi.
Nderimi për luftëtarët që sakrifikuan dhe flijuan jetën për lirinë e Shqipërisë është shprehja më e drejtpërdrejtë e atdhedashurisë që duhet të mbartë çdo shqiptar, pavarësisht bindjeve politike!
Vlerësimi i gjakut të derdhur për Shqipërinë është borxhi, që kemi të gjithë ne që gëzojmë lirinë ndaj sakrificës së tyre sublime.


Ky nderim është edhe vlerësimi e respekti ndaj vetë identitetit kombëtar, integritetit si shqiptarë dhe dinjitetit tonë njerëzor. Rivlerësimi i Heronjve dhe Atdhetarëve në këndvështrimin europian të një shoqërie demokratike i lartëson dhe përjetëson aktet e tyre në realitetet e reja aktuale dhe të perspektivës së kombit.
Ai është një refleks i përmbajtjes dinamike të vetë historisë së një kombi.
Parë nga ky këndvështrim, kryesia e OBVL vlerëson qëndrimin e kreut të shtetit, i cili është kujdesur të jetë gjithmonë mbi dallimet politike dhe ngjyrimet individuale të çdo atdhetari dhe vlerësoj kontributin e tyre ndaj Kombit dhe popullit.
Për të sjellë një panoramë të përgjithshme, si shembull kuptimplotë, në një nga reagimet e tij Presidenti Meta është shprehur se në ciklin e përkujtimit të 100-vjetorit të Luftës së Vlorës, si President ka vlerësuar me të njëjtin përkushtim e nderim edhe Kryengritjen e Dibrës, edhe Luftën e Koplikut, duke i shtuar madhështisë së betejave të vitit 1920 gjeografinë e vërtetë.
Grupi i studiuesve që punuan për këto Epope Lufte vendosi para Presidentit, komandantët e vërtetë të çetave patriotike, pa kryer asnjë dallim në lidhje me qëndrimin politik të gjithësecilit.
Presidenti, në çdo rast dekoron aktin, qasjen dhe kontributin e çdo individi për një ngjarje të caktuara që i ka shërbyer Atdheut, dhe jo për vijimësinë e jetës së tyre politike. Kështu në piedestal u ngritën atdhetarët si Osman Haxhiu e Selam Musai, por edhe Kolë Mërkuri e Qazim Koculi të paragjykuar nga historianografët e monizmit, duke vendosur në siklet breza të tërë pasardhësish. Betejat e vitit 1920 vlerësuan edhe atdhetarin Elez Isufi, prijësin legjendar të dibranëve dhe shqiptarëve që luftoi kundër të gjithë pushtuesve të vendit që njohu gjatë gjithë jetës së tij!
Askush nuk mund të thotë se Bacë Elezi ishte i majtë apo i djathtë, sepse mbi të gjitha ai ishte shqiptar i madh.


Emri i atdhetarit Avni Rustemi është komentuar shumë nga të gjithë pikëvështrimet politike të ditës.
“Për mua, si Presidenti i Republikës, Avni Rustemi ngelet Heroi i Popullit, i cili i tha “JO” esadizmit, pazareve të ulta në kurriz të Atdheut.
Avni Rustemi është simboli i sakrificës më sublime për ruajtjen e integritetit tokësor dhe bashkimin e vlerave kombëtare. Dekorimi i tij ishte edhe një përmbushje e amanetit të At Gjergj Fishtës, kur në funeralin e Avni Rustemit do të shprehej:
“ O ju male të Shqipnis, lamtumirë po ju thotë Avni Rustemi, e nji amanet âsht tueju lan: që edhè sod e mbrapa t’ i rritni djelmë sokola, si dikur motit, me besë e me burrnî.
Askush nuk mund të thotë se luftëtarët e Koplikut, Kapedan Deli Meta Cunmulaj, Heronjtë Zef Prelë Martini, Sulejman Bajram Ramcaj apo Luc Nishi Dedvukaj ishin të majtë.
Vojo Kushi po. Ai ishte antifashist në bindje, por ai kreu të njëjtin akt trimërie e vetëmohimi për lirinë e Atdheut si Heronjtë e tjerë të kombit, Selam Musai e Mic Sokoli.
Figura dhe simboli i këtij Heroi të Popullit do t’i bënte nder çdo kombi antifashist në mbarë botën.
“Unë e dua vendin tim edhe pse unë mendoj ndryshe nga ju”, – kjo thënie lapidare e Musine Kokalarit në rrethana të kundërta me Vojon nuk duhet të na lejojë të përsëritim të njëjtin gabim si në logjikën e dikaturës.


Dekorimi i Vojo Kushit nuk erdhi thjesht për t’ju kujtuar shqiptarëve apo pushtetarëve se këtij vendi nuk i mungojnë bijtë heronj.
Ai ishte rrjedhojë e një rrethane të re në historinë reale të rivlerësimit të Epopesë së Kodrës së Kuqe, evidentimit të Heroit të katërt të kësaj beteje atdhetarit, Muharrem Llanaj. Gjest që kërkonte edhe një rivlerësim të tre Heronjve që u flijuan atë ditë tetori në shtëpinë kështjellë të Ije Farkës”,-shprehet Presidenti Meta. Në fund, por jo për nga rëndësia, kreu i shtetit ndalet me dy fjalë për gjestin e të riut Vasil Laçi.
“Shqipëria në Luftën e Dytë Botërore do hynte si shembull unik i kundërshtimit të fashizmit edhe me aktin e tij tepër sinjifikativ. Rivlerësimi i të riut Vasil Laçi, i mënjanuar me pa të drejtë në këto tre dekada është në rradhë të parë një vlerësim për moralin tonë si komb.
Presidenti i Republikës vlerëson faktin se nderimi më i madh që mund t’i bëjmë Heronjve dhe Dëshmorëve të Atdheut është të mbajmë lart aspiratën për një Shqipëri të lirë dhe demokratike, ta bëjmë vendin tonë një vend të dashur për të jetuar, t’ju sigurojmë një të ardhme europiane bijve tanë, të mos lejojmë të shtypemi nga padrejtësia shoqërore, apo të vuajmë nga varfëria e pamerituar, dhuna shtetërore dhe nga papërgjegjshmëria e individëve që abuzojnë me pushtetin.
Betejat e sotme janë për standarde zgjedhjesh të lira, për liri mendimi e shprehje dhe për një ekonomi konkurruese, që i siguron stabilitetin dhe mirëqenien e ndershme shoqërisë.
Çdo kohë ka nevojë për shembuj qëndrese dhe frymëzimi në përballjen me sfidat e kohës.
Vlerësimet e Presidentit të Republikës, do të udhëhiqen vetëm nga qëllimi për të forcuar ndjenjat kombëtare, atdhedashurinë dhe edukimin patriotik të gjeneratave të reja”, e mbyll reagimin e tij kreu I shtetit Ilir Meta.







Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes