Kuvendi i Komunës së Gjakovës ka vendosur që në Çabratin historik të ngritet Monumenti Memorial-Eshtnorja
Gjakovë - Qendra memoriale do të mbajë
emrin e Heroit të Popullit Fadil Hoxha
Nga Bashkim Hisari
Monumenti Memorial-Eshtnorja në Qabratit tash e tutje do të quhet Qendra Memorijale dhe do të mbaj emrin e Heroit të Popullit Fadil Hoxha i cili për shumë vite ka qenë një ndër udhëheqësit më të shquar në Kosovë dhe ish Jugosllavi

Me inciativën e Organizatës së Veteranëve të Luftës Nacionalçlirimtare (OVLANÇ) të Gjakovës, mbështetur edhe nga subjektet tjera politike, Kuvendi i Komunës së Gjakovës, në Ditën e çlirimit të qytetit më 09. nëntor të vitit 1982, vendosi që në Çabratin historik të ngritet Monumenti Memorial-Eshtnorja. Vendimi u përkrah fuqishëm nga qytetarët pasi lidhet me përjetësimin e figurës së Heroit të Popullit Fadil Hoxha dhe bashkluftëtarëve të e tij. Motivi dhe arsyet për ngritjen e këtij Memoriali ishte kujdesi për mirëmbajtjen e varreve të 120 dëshmorëve, 45 prej tyre civilë nga komuna e Gjakovës dhe rrethina të rënë në LANÇ. Sekretari i OVLANÇ të Kosovës, dega në Gjakovë, Afrim Deva thekson se Memoriali kishte për qëllim të shprehet respektin për guximin dhe sakrifën jo vetëm për të rënët, por edhe për të gjithë shqiptarët tjerë që morrën pjesë në LANÇ. Andaj në interierin përkatës u vendosën eshtrat dhe u shënuan emrat e tyre me të gjitha të dhënat relavante. Objekti u ndërtua me buxhetin e Kuvendit të Komunës dhe vetëkontributin e qytetarëve të Gjakovës. Atëherë ndërtimin e Eshtnorës në Çabrat kundërshtuan forcat shoveniste serbe dhe monumenti me vlera historike një kohë pothuaj ishte në harresë”, tregoi Deva.
Mirëpo, se në qytetin e Gjakovës fryma liridashëse, aspirata dhe vullneti për liri dhe pavarësi ka qenë gjithnjë e shprehur me dinjitet, se dëshmorët dhe vitet e rënda të të gjitha luftërave në trevat shqiptare kujtohen me respekt dhe nuk harrohen u dëshmua vitin e kaluar kur Asambleja e Kuvendit të Komunës së Gjakovës këtë objekt kulturo historike si tashëgimi i Luftës së Dytë Botërore (LDB) e emërtoi me emrin e heroit të popullit Fadil Hoxha.
Ndërkaq, këto ditë, pikërisht pas 75 viteve kur kujtohet LDB dhe fitorja mbi fashizmin, me iniciativën e OVLANÇ të Kosovës dhe Kuvendit të Komunës së Gjakovës, filloi ekzekutimi i punëve në rivitalizimin e Monumentit Memorial-Eshtnorja në Çabrat”.
Komuna e Gjakovës ka ndarë 98 mijë euro për rivitalizimin e Eshtnores në Çabrat. Punimet në këtë projekt do të përfundojnë brenda dy vjetësh, kurse aktivitetet kulturo artistike pritet të fillojnë në pranverën e vitit të ardhshëm.
Në ceremoninë me rastin e fillimit të realizimit të këtij projekti morën pjesë veteranët dhe antarët e Kryesisë së OVLANÇ të Kosovës, të degëve në Gjakovë e Prizren, familjarët e veteranëve dhe përfaqësuesit e Komunës së Gjakovës.
Monumenti Memorial-Eshtnorja në Qabratit tash e tutje do të quhet Qendra Memorijale dhe do të mbaj emrin e Heroit të Popullit Fadil Hoxha i cili për shumë vite ka qenë një ndër udhëheqësit më të shquar në Kosovë dhe ish Jugosllavi.
Duke folur me rastin e fillimit të punëve të Qendrës Memoriale Fadil Hoxha në Çabrat, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini tha se projekti ka rëndësi të veçant për komunën dhe më gjërë: “Jam shumë i lumtur që po ndodh ky projekt. Është një objekt i cili tash 30 vite ka qenë pothuaj e harruar. Kemi gjetur disa zgjidhje kreative dhe jashtzakonisht të vlefshme. Eshtnorja do të ketë emrin e heroit të popullit Fadil Hoxha, një figurë e rëndësishme jo vetëm për komunën e Gjakovës por për gjithë Kosovën. Do të rregullohet komplet. Do jetë një kompleks goxha e gjërë muzeale ku do të ekspozohen jo vetëm artifaktet e LDB por edhe të luftës së fundit. Aty do të vendosen 400 ulëse me një binë në mes ku do të zhvillohen edhe aktivitete kulturo artistike. Jam i bindur që do të jetë një projekt jashtëzakonisht atraktiv, jo vetëm për komunën e Gjakovës por edhe më gjërë.”-u shpreh i pari i Gjakovës Ardian Gjini.
Kryetari i OVLANÇ të Kosovës, Zija Mulhaxha përshëndeti dhe shfaqi gëzimin që Qendëra Memorijale në Çabrat do të quhet me emrin e heroit të popullit Fadil Hoxha, figurë e ndritur që dha qyteti i Gjakovës. Me këtë rast Mulhaxha tha: “për veteranët e LANÇ dhe familjarët e tyre është një gëzim i madh që po rivitalizohet Eshtnorja në Çabrat sepse po krijohet një Qendër e cila gjithnjë do të na kujtoj luftën e lavdishme, veteranët shqiptar dhe patriotët për çlirimin, lirinë e pavarësinë e popullit tonë. Ajo do dëshmoi të kaluarën e cila ka plotë ngjarje që pashqyrojnë se ky popull me tërë qenjën është anguzhuar për liri dhe pavarësi të cilën e gëzojmë sot”, tha kryetari i veteranëve të Kosovës Mullhaxha.
Me fillimin e punimeve të rivitalizimit të kënaqur dhe krenar ishin veteranët e pranishëm bashkë me familjarët e heroit të popullit Fadil Hoxha. I biri i tij Lekë Hoxha u shpreh me emocione që tash e tutje Qendëra Memoriale në Çabrat do të mbaj emrin e babait të tij. Ai pos tjerash tha:” për qytetarët e Gjakovës i duhet një Muze, një amfiteatër një objekt të këtij lloji që përkujton historin e këtyre njerëzve të cilët kanë luftuar për lirin e populli, për lirin e qytetit të Gjakovës dhe të Kosovës. Qyteti i Gjakovës ka pasur nevojë për një objekt të tillë ku do të organizohen manifestime të ndryshme kulturo artistike, festivale, koncerte, ekspozita, tubime shkencore...”
Kryesia e veteranëve të LANÇ të Kosovës në mbledhjën e fundit të saj vlersoi lartë fillimin e punëve në rivitalizimin e Eshtnorës dhe shprehi mirënjohje Komunës së Gjakovës dhe kryetarit të saj Ardian Gjini, për angazhimin e tij në realizimin e këtij projekti.
Fadil Hoxha, emrin e të cilit tash e tutje do të mbaj Qendëra Memoriale në Qabrat ishte një nga figurat më të shquara në historinë moderne të Kosovës. Një figurë e veçant të politikës shqiptare në Kosovë dhe të politikës shqiptare në përgjithësi. Ishte politikan dhe shtetar i cili intelektualisht dhe ideologjikisht u formua në Shqipëri, kurse politikën ushtroi në Kosovë dhe ish Jugosllavi. Lindi në Gjakovë në vitin 1916, kur Kosova përjetonte një krizë të rëndë ekonomike dhe politike. U frymëzua nga patriotet e mëdhenj shqiptarë të periudhës së pavarësisë Shqiptare, dhe morri përsipër misionin e liderit me një pjekuri politike në rritje të pandërprerë. Ai ngriti qeverisjen në Kosovë drejt pavarësisë së saj. Si burrë shteti, me aftësi e dinjitet, me zgjuarsi e largpamësi të jashtëzakonshme, duke shfrytëzuar më së miri konjukturat e brendshme politike në ish-Federatën Jugosllave, me kushtetutën e vitit 1974 arriti ta bëjë Kosovën pjesë kushtetuese të Federatës. Ai ushtroi ndikim të madh në jetën politike dhe shoqërore të shqiptarëve dhe, në përgjithësi në zhvillimin politik në Kosovë. Si politikani dhe shtetari shqiptar deri në fund të jetës , ishte i çmuar dhe i dashur në popull.
|