l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Në kujtim të tim’ eti që këndonte këngë për flamurin, dhe u varros në Ditën e Flamurit, 10 vjet më parë


DY RRËFENJËZA PËR FLAMURIN TONË!

Tetë vjet më parë (16 nëntor 2012), pikërisht me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqpërisë, Gazeta “Dielli”, kjo zëdhënëse e denjë e diasporës shqiptare të Amerikës, do të botonte reportazhin e gazetarit të mirënjohur Shefqet Meko, me titullin sinjifikativ “PËR FLAMURIN TONË: DY RRËFENJËZA”. Këtë reportazh të shkruar me një stil të veçantë, që bart dhe përçon shpirtin atdhetar të shqiptarëve, si edhe dhjetra tregime, skica e reçensione, autori Sh.Meko e ka përmbledhur në librin e tij “I TILLË JAM UNË”. E lexova me një frymë këtë libër të mikut e kolegut tim të nderuar (që nga fillimi i viteve ‘’80-të) dhe u magjepsa me bukurinë e fjalës dhe me mjeshtrinë e artit të të shkruarit nga ana e tij. Një tufë tregime të frymëzuara nga jeta studentore e viteve 80-të, ku gëlon energjia rinore…Dje ajo që më bëri më shumë përshtypje është guximi i këtij autori për të dalë jashtë skemave të leterërsisë së realizimit socialist, edhe në atë kohë kur për këtë qasje mund t’iu drejtoheshe me vetëdije dyerve të burgut. Por Shefqet Meko, ashtu si edhe në titullin e librit, në të gjithë tregimet, si edhe në publicistikën e tij është vetvetja. I tillë është ai edhe në kritikën letrare “Rikosheta poetike e Ahmet Prençit”, në tregimin e jetuar “Dy dibranë në Dallas”apo edhe tek “Rënia e burrave”(Ese në ndërrim vitesh”, por redaksia e gazetës “VETERANI”, për këtë numër special të 108-vjetorit të shpalljes së pavarësisë dhe 76-vjetorit të çlirimit te atdheut, nga libri i tij zgjodhi reportazhin “PËR FLAMURIN TONË: DY RRËFENJËZA”….

H.RAMA

Babai im i dashur, ishte njeriu i parë të më fliste për Flamurin Shqiptar. Ishte i thekur në dashurinë ndaj këtij simboli domethënës shqiptar. Nuk më jepte ndonjë leksion akademik, thjesht “mëkonte” tek unë dashurinë për simbolin e gjithëpushtetshëm të kombit. Më fliste për historinë aq sa dinte. Mi përsëriste bëmat e patriotëve shqiptarë. Ai burrë, nuk këndontë shumë, por kur kishim mysafirë dhe miq të nderuar, babai im, pasi kishte kthyer ndonjë gotë raki, këndonte këngën e parë për flamurin. Thellë memories sime vjen zëri dhe isoja e asaj kënge: “…39të mos ardhsh kurrë/… Që na rrëzove Flamurë… Ç’ke Falamur o’ që rënkon.. o…Jam plagosur brinjë më brinjë…” Eeeeee, vijonte isoja tradicionale poradecare.

Kjo iso më ka shoqëruar cep më cep të globit. Ka qënë kënga e babait tim për Flamurin, që si një ortek dashurie e përkatësie, ka lëvizur brenda meje e genit tim shqiptar,e me ka dhënë aq fuqi dhe frymëzim, aq pasion e krenari, aq virute e gëzime… Aq e aq gjëra të mira. Mbase, pikërisht kjo dashuri atërore, ky vargan dhimbjesh dhe sakrifica brezash, më ka bërë që edhe udhëtimin tim të parë drejt Shqipërisë 10 vite të shkuara, ta bëja në vigjilje të 90 vjetorit të Pavarësisë. Unë nuk e dija, se në këtë përvjetor të 9 dekadave të pavarësisë, do të përcillja në përjetësi babin tim, Feim Selim Meko. Ai iku atë ditë nëntori për të qënë i përjetshëm në memorien time familjare… Ishte 28 Nëntor 2002. Varrosej babai im që këndonte në çdo sebep këngë për flamurin…
******
Qershor 2012. Udhëtoj drejt Uashington DC. Miku im Sabah Sena (Prof. Dr.) vjen nga Tirana me një grup biznesmenësh për të përfaqësuar Shqipërinë në një Panair Ndërkombëtar. Kur shkoj në DC, bëj shumë plane. Pata dëshirë të takoja Dr. Elez Biberajn, dhe kolegun Fiqiri Shahinllari. Kisha dëshirë të vizitoja Dr.Lefter Dakun dhe Dr.Pavli Mykerezin në Blaksburg, Virxhinia. I telefonova gazetarit amerikan Bob Ëeb për të kaluar disa orë së bashku në DC. Ai më ftoi në Klubin Kombëtar të Shtypit 14th Street NË. Dhe të gjitha planet u realizuan siç desha vetë. Me gazetarin Bob Ëebb kalojmë së bashku darkën në Klubin Kombëtar të Shtypit. Ai më tregon gjithshka dhe shkojmë tek salloni ku janë gjithë flamujt e kombeve. “Këtu i kemi të gjithë, edhe Falmurin Shqiptar….” më thotë Bob Ëebb. “Tregoma pak atë shqiptarin…” i them. Kërkojmë e kërkojmë, por nuk e gjejmë dot. “Po këtu ka qënë, Egla Kaloshi nga Kruja më tha se këtu është, unë edhe nuk mbaj mend shumë, por ajo vajza nga Kruja më tha…Dhe e besova. Por nuk qënka. Më fal…” përpiqej të shfajësohej Bob Ëebb, a thua ishte faji i tij. Natyrisht, më dhembi shumë që një vajzë e re krutane, nuk kishte mundur të njihte flamurin, por për të qënë i saktë kërkova të bisedoja me administratorin e Klubit. Ai erdhi dhe na konfirmoi që “Flamuri shqiptar mungonte…” Më dhembi aq shumë ai moment dhe babai im, që kurrë nuk ëndërroi Uashigntonin, erdhi me këngën e vet: “Ç’ke Flamur o’ që rënkon…o… Jam plagosur brinjë më brinjë…”
U zgjova nga kujtimet e mia dhe e pyeta sërish njëriun që menaxhonte Klubin Kombëtar të Shtypit në DC: “A jeni i sigurt që nuk keni një Flamur Shqiptar në këtë sallë”? “Po, zotni, jam shumë i sigurtë, dhe më vjen keq…” më tha njeriu i pafajshëm në DC. “Ok, i thashë, unë jam shqiptaro-amerikan që jetoj në Minesota. Dua t’u dërgoj një flamur nga Mineapolis ta ruani në këtë sallë, si simbol të një kombi të lashtë të Ballkanit dhe Europës… Do jetë dhurata ime për Klubin Kombëtar të Shtypit”. Bob Ëebb nuk mund ta mbante do gëzimin dhe kënaqsinë e atij momenti: “Shefket, ky është moment i bekuar nga Zoti… Unë të solla këtu, sepse zëri im i brendshëm më tha. Shiko se çfarë momenti gjetëm….” Me lot në sy falenderova mikun tim.
Shkëmbeva informacion me Peter Hickman në DC dhe i premtova se sapo të kthehesha në Mineapolis, gjëja e parë do ishte ta dërgoja një Flamur Shqiptar në DC. Ai e priti me shumë gëzim këtë gjest dhe u ndamë për t’u takuar sërish përmes Falmurit Shqiptar.
Kur i tregova këtë histori një mikut im më tha shkurt:” Kot nuk more në telefon Ambasadën, që të kishte çuar 10 flamuj…” Jo, i thashë, një flamur nga Mineapolis në DC ka më shumë kuptim se nje telefonatë në zyrat shurdhe të ambasadës…” Dhe bëra dërgesën më të bukur postare: Një flamur nga Minneapolis në DC. Duke shkruar adresën e marrësit në hollin e Postës në Aeroport, që ka qënë edhe vendi im i parë i punës në SHBA, gjëmonte kënga e babait tim: “Ç’ke Flamur o, që rënkon ooo…Jam plagosur brinjë më brinjë…oooo…39të mos ardhsh kurrë…Që na rrëzove flamurë…. eeeee…oooo”.
Në më pak se dy muaj nga DC mora një letër. Zoti Hickman ish-zëvendës president i Klubit Kombëtar të Shtypit, njoftonte ambasadorin Galanxhi në DC se “Zoti Meko na dërgoi një flamur shiptar nga Mineapolis dhe tashmë flamuri shqiptar qëndron përkrah flamujve të tjerë në lobin e këtij Klubi”
Unë u ndieva mirë që Flamuri ynë mbërriti në Klubin Kombëtar të Shtypit në DC. Bashkëqytetari im amerikan më njoftoi dhe falenderoi, por unë nuk dëgjova kurrë ndonjë fjalë nga ambasadori i vendlindjes sime në SHBA. Por kjo nuk ka rëndësi, rëndësi ka që kënga e babait tim për flamurin buçet në qënien time: “39të mos ardhsh kurrë….Që na rrëzove Flamurë…Ç’ke Flamur o që rënkon…Jam plagosur brinjë më brinjë… ooooo…eeeee”

* * * *
Këtë shtator që sapo shkoi, së bashku me bashkëshorten time, Alma Meko, njeriu që më ka falur fatet më të mëdha në këtë jetë, vizituam edhe Parisin. Shëtitëm cep më cep. Ime shoqe, kujtonte kohën kur në shtëpinë botuese “8 Nëntori” ku ajo punonte, Elena Kadare kthehej nga Parisi (në ato kohë të mbylljes sonë të madhe e të pashoqe) e u thoshte kolegeve: “Me Kadarenë pimë kafe tek kafe “Odesa”… Parisi është shumë i bukur…” Nuk e di por rastësia bëri të vetën. Ne ishim fqinjë me këtë kafe ku çifti Kadare pinte kafet në kohën e atëhershme të mbylljes sonë mëkatare… Ne shëtitëm dhe tek kafja pranë kopshtit Lukseburg, me dëshirë se mund të shihnim rastësisht çifitn Kadare, që banon aty pranë, por nuk qe e thënë. Nën shoqërinë dhe bujarinë Gjroksatritit-Tropojan, të gazetarit Artan Kutra, gazetar në Radio- Francë, shëtitëm shumë monumente dhe perla parisiane. Diku Tan Kutra na tregoi se një luftëtar i shquar shqiptar, ishte huazuar nga Italia për betejat e Francës, por kishte patur fatin tragjik të vritej. Ishte sherri më i madh mes Francës dhe Italisë, se kush do të varroste këtë luftëtar gjenial me origjinë shqiptare. Italia kërkonte gjithshka, sikurse francezët kërkonin ta mbanin në tokën e tyre. (Ai ishte ushtar legjendar, jo mbret). Së fundmi dy kombet fqinjë ranë dakord në një zgjidhje: Franca mbajti zemrën e luftëtarit, Italia mori trupin. Kështu të dyja palët gjetën qetësi duke nderuar shqiptarin luftëtar të lavdishëm…
Më dhembi dhe ma gjallëroi kjo rrëfenjëz e Artan Kutrës, ndërkohë krejt rastësisht kaluam në një rrugë që na përballi me Ambasadën Shqiptare. “Ja, o shqiptaro-amerikan, kjo është ambasada jonë…Atje në katin lart..Shikoje Flamurin tonë…”. Tek unë në mënyrë elektrike erdhën vargjet e këngës së babit tim: “39të mos ardhsh kurrë…Që na rrëzove Flamurë…. Ç’ke Flamur o që rënkon ooo… Jam plagosur brinjë më brinjë…ooo”.
“Tani Kutra, a është ky famuri ynë zyrtar…?” e pyes. “Po ore, a nuk e shikon shqipen me dy krena..”… Më thotë gazetari shqiptar në Francë, Artan Kutra.
Më dhembi aq shumë ajo që pashë. Iu afrova Artan Kutrës dhe i thashë:”Jemi mbretëri apo republikë, o Tan Kutra…Flamuri ka shenjën mbretërore mbi krena… Duket qartë, e retushuar…Duket si njollë…. Të dhemb një flamur me njollë…A e shikon?” Ai nuk mund t’u besonte syve: “Vërtet, ashtu është. Po ku të vajtën sytë xhanëm…Unë kam kaluar 100 herë dhe nuk e kam vënë re…” “Po më ra në sy njolla o Kutra. Një Flamur me njollë të dhemb…” i thashë. “E pse mërzitesh, ja kanë fshirë përkrenaren e Skënderbeut..
Prap flamur është…” “Jo, Tano, nuk është flamur në shtëpi, është flamur në shtëpinë e shtetit. Dhe shteti seriozitetin e parë e ka tek simbolet. Në Amerikë nuk bëjmë shaka me flamurin…” Miku im, duke e ndjerë vete si ambasador u munda të justifikohej se lobi mbretëror është shumë i fortë në Paris e Francë dhe mbase është efekt i kësaj. Por mua më dhembi… Mbase në mes të Parsit ai flamur sërish valvitet i “retushuar” dhe masakruar. Ndaj më elektrizojnë vargjet e këngës së babait tim që u varros në Ditën e Flamurit 10 vjet më parë:” 39të mos ardhsh kurrë…Që na rrëzove Flamurë…Ç’ke Flamur o që rënkon heee…Jam plagosur o brinjë më brinjë…eeee”

* * * *
Këto dy rrrëfenjëza më gufuan nga brenda në këtë vigjilje të 100 vjetorit të Flamurit Shqiptar. Dhe ndërsa kënga e babait tim për Flamurin lodron brenda shpirit tim, më poshtërojnë blegërimat e 1000 qingjave … që dikush do t’i bëjë kurban në Tiranë.
Vijoje atë këngë, babai im i dashur. Këndoje fuqishëm nga thellësia e varrit tënd ku u kalle më 28 Nëtor, 2002:
“…39të mos ardhsh kurrë/
Që na rrëzove Flamurë/
Ç’ke Flamur o që rënkon o..
Jam plagosur o brinjë më brinjë.ooo…”
Këndo babai im i dashur.Këndo në këtë 100 vjetor…Këndo për Flamurin. Unë të mbaj iso përmes lotësh…. Mbase jo vetëm unë..
“…39-të mos ardhsh kurrë,
Që na rrëzove flamurë…”

SHEFQET MEKO
Mineapolis, 17 Nëntor 2012







Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes