l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Pas Luftës së Dytë Botërore gratë ishin pjesë e Forcave të Armatosura në shumë vende, ku u bënë dhe prioritete të politikave dhe strategjive shtetërore për barazi gjinore. Shqipëria si vend anëtarë i Aleancës ka një përqindje të ndjeshme të grave me uniformë


Forcat e Armatosura krenohen me
përparimet që ka bërë gruaja ushtarake

Gjeneral brigade Manushaqe Shehu

Në kuadrin e 50 vjetorit të Kursit të Parë të Oficereve shqiptare, Shoqata Kombëtare e Ushtarakëve në Rezervë të Shqipërisë në Bashkëpunim me Bashkinë e Tiranës në datën 4 tetor 2020, organizoi një aktivitet pranë Muzeut Historik Kombëtar për promovimin e librit “Oficeret shqiptare ne rrjedhën e historisë” dhe filmit dokumentar “Ato janë të parat”. Në këtë aktivitet mori pjese edhe gjenerale Shehu e cila mbajti fjalen: “Mbi vlerat e librit në dokumentimin e gruas shqiptare në historinë e Forcave të Armatosura”.
Më poshte fjala e saj.
Sot është një ditë e veçantë, jo vetëm për mua, por gjithë ushtaraket aktive dhe në rezervë e lirim, pse jo edhe për kolegët tanë ushtarakë meshkuj. Sot në sajë të punës vetëmohuese disavjeçare të dy ish ushtarakëve, zotit Kujtim Boriçi dhe zonjës Zana Jahollari, kemi të evidentuar e skalitur, jo vetëm emrat e femrave shqiptare, por edhe një pjesë të jetës së tyre nën uniformën e bukur ushtarake. Përgëzoj Shoqatën e Ushtarakëve në Rezervë, që krahas shumë aktiviteteve të tjera, organizon edhe këtë aktivitet shumë domethënës.
Unë sot nuk dua të flas si një gjenerale dhe si zëvendësshef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, por thjesht si njëra prej Jush, pasi secila nga ju për mundin e djersën dhe përkushtimin në vite në shërbim të atdheut, mund të ishte në këtë detyrë dhe me këtë gradë.
Në këtë takim ju sjell edhe përshëndetjet e SHSHPFA, Gjeneralmajor Prof.Asoc. Bajram Begaj, i cili për shkak të angazhimeve nuk mundi të merrte pjesë.
Sot femrën ushtarake, ashtu si edhe dje e gjen kudo, në stërvitje në trajnim në auditorët e Akademisë së Forcave të Armatosura dhe të Akademive Ushtarake jashtë vendit. Atë e gjen ushtare profesioniste në fushat dhe poligonet e stërvitjes, nënoficere dhe oficere gati në gjithë Shqipërinë, kudo ku ka reparte ushtarake. Atë e gjen në misione paqeruajtëse në Afganistan, në Letoni, në Sudanin e Jugut, në Përfaqësitë Ushtarake në Bruksel, në shtabet e NATO-s, por e gjen edhe si politikane në parlamentin shqiptar. Atë e gjen prefekte, atashe ushtarake, komandante të strukturave të ndryshme, atë e gjen në të gjitha gradat, përfshi edhe ato të larta e madhore, kolonele e gjenerale.
E ku nuk e gjen sot femrën ushtarake shqiptare, si ato që vijojnë karrierën ushtarake ashtu edhe ato që kanë dalë në rezervë dhe janë aktive në jetën shoqërore të vendit. Kudo është dora, mendja dhe fuqia e saj mendore e fizike.


Miratimi dhe zbatimi i “Planit të Veprimit të Barazisë Gjinore”, në mbështetje të rezolutës 1325 “Gruaja, Paqja dhe Siguria”, miratuar nga Ministri i Mbrojtjes, ka bërë që femra ushtarake aktive sot të përbëjë rreth 14 % të personelit ushtarak të FA, me synimin për të arritur shifrën prej 15 %. Po ashtu miratimi i para disa muajve të dokumentit “Politikat dhe procedurat e mbrojtjes kundër ngacmimeve dhe ngacmimeve seksuale në punë”, tregon kujdesin e vazhdueshëm të Ministrit të Mbrojtës, Znj. Olta XHAÇKA, ndaj femrave dhe në veçanti ndaj femrës ushtarake.
Unë jam një kolegia juaj e brezit të viteve 1984-1988. Secila nga ju ka se cfarë të kujtojë nga jeta ushtarake. Secila nga ju ka patur një idhull në jetë. E kush nga ne nuk dëshironte t’i ngjante komandantes Sheqere Mema, një oficere e spikatur e Forcave të Armatosura. E kush prej nesh nuk dëshironte të ishte si oficere Ilirjana Sulkuqi, një drejtuese e aftë, një motër dhe nënë për ne në atë kohë, por mbi të gjitha edhe një krijuese me talent të rrallë. Apo Lida Grazhdanit, e cila aq bukur e ka përshkruar jetën e femrës shqiptare në librin “Pesha dhe bukuria e uniformës”, Liljana Meros e kudo gjendur dhe sot aktiviste e shquar e Shoqatës së Ushtarakëve në Rezervë.
Por sot me siguri femrat ushtarake aktive kërkojnë të jenë si: kolonele Vehbie Kuti, aktualisht në shtabin e KFOR-it në Kosovë, nënkolonele Elsa Prasta në Përfaqësinë Ushtarake në Bruksel, nënkolonele Arta Driza, kampione dhe gjyqtare ndërkombëtare e sportit të shahut, kapiten Viola Hoxha dhe majore Valentina Korbi që sapo përfunduan misionin paqeruajtës prej një viti në Sudanin e Jugut, kapiteneve Elinora Metolli dhe Rudina Pina, që sapo kanë shkuar në mision, e plotë të tjera femra, të cilat kanë sakrifikuar çdo gjë për Forcat e Armatosura.
Sakrificat e femrës ushtarake shkojnë edhe me dhënien e jetës, siç ishte rasti i aktit sublim të “Dëshmores të Atdheut”, nëntetares Zarife Hasanaj.
E shembuj të tillë patjetër që ka secila nga ju. Por le t’i kthehemi qëllimit për të cilën dy autorët Kujtimi e Zana na kanë mbledhur.
Libri “Gratë oficere në rrjedhën e historisë”, Volumi i dytë, është një përpjekje e lavdërueshme dhe një kontribut i veçantë i dy autorëve për të përmbledhur në një botim enciklopedik me vlera për gratë luftëtare dhe komandante në histori, e që shumë prej tyre dhanë jetën në periudha të ndryshme të historisë tonë kombëtare për lirinë, pavarësinë, ndërtimin, zhvillimin e ruajtjen e shtetit të pavarur e modern shqiptar.


Ka kaluar mbi gjysmë shekulli në Forcat e Armatosura që vajzat dhe gratë shqiptare kanë nisur studimet në Shkollën e Bashkuar dhe të përpjekjeve shumë vjeçare në ushtri. Këto ishin përfaqësuese të një brezi që ecën në gjurmët e vajzave e grave trimëresha partizane, por edhe më parë që kishin rrëmbyer armët për mbrojtjen e vendit dhe çlirimin e tij.
Libri reflekton të gjitha gratë ushtarake që figurojnë si të tilla në të gjithë dokumentacionin e shtetit shqiptar. Ky volum i dytë i librit, është një botim i cili jep një ndihmesë dhe kontribut të madh në njohjen me jetën dhe veprimtarinë e gruas ushtarake në histori. Shpresoj se ky libër do të jetë një ndihmë për të gjitha institucionet shtetërore, për Ministrinë e Mbrojtjes, për kërkuesit e historianët, si dhe të gjithë familjarëve qe kanë emrin e grave ushtarake që kanë bërë emër të mirë në histori dhe pasardhësit e tyre do të krenohen për veprën dhe luftën titanike të bëra nga gjyshet e nënat e tyre.
Praktika e ndjekur për hartimin e këtij libri, puna me materiale dokumentare, arkiva, puna kërkimore, pyetësorët, shtypi ushtarak, si dhe libra me temë nga Forcat e Armatosura, na sjellin një bibliografi të një jetë të gjatë të pioniereve të para ushtarake që me guxim hapën rrugë dhe shtigje të reja për gruan shqiptare. Kjo përvojë ishte një dëshmi e emancipimit të saj, e cila me guxim dhe kurajo, me durim dhe këmbëngulje, me vullnet dhe pasion, bëri që ushtria të mësonte prej tyre.
Nëpërmjet faqeve të librit dalin personazhe të grave me uniform në vite që me punën e tyre dinjitoze e integruan atë në ushtrinë shqiptare, duke bërë të përbashkët pjesëmarrjen e tyre në pozicion të barabartë me burrat. Vajzat dhe gratë shqiptare u arsimuan dhe shërbyen në radhët e Forcave të Armatosura me dinjitet.


Libri është reflektim i një pune të gjatë e voluminoze të gruas ushtarake gati më shumë se gjysmë shekullor e cila ka qenë bashkudhëtare në historinë e Forcave të Armatosura duke lënë gjurmë të arta në të gjithë treguesit e gatishmërisë luftarake. Libri na jep të dhëna të reja ku bëhet evidentimi dhe njohja e vlerave të ushtarakes shqiptare, për të cilët deri më sot nuk kemi pasur të dhëna të plota.
Pavarësisht se libri është një renditje dhe klasifikim i emrave të grave ushtarake, por pas secilit emër qëndron një histori e madhe, një jetë aktive në shërbim të atdheut. Janë pikërisht këto vlera të mëdha njerëzore, ato që i japin kuptim historisë, ato që përbëjnë ngjarje të mëdha në jetën e një kombi e shteti, ato që evidentojnë rolin e gruas ushtarake në përcaktimin e zhvillimeve të rëndësishme historike të Forcave të Armatosura.


Historia e Shqipërisë, është histori lufte për mbijetesë, e përpjekjeve për të ruajtur dhe zhvilluar identitetin kombëtar, e sakrificave të mëdha për liri e mëvetësi, ku gruaja shqiptare dhe ajo luftëtare dhe ushtarake ka luajtur një rol parësor. Libri është historia e gruas ushtarake e këtij kombi.
Pas Luftës së Dytë Botërore gratë ishin pjesë e Forcave të Armatosura në shumë vende, ku u bënë dhe prioritete të politikave dhe strategjive shtetërore për barazi gjinore. Shqipëria si vend anëtarë i Aleancës ka një përqindje të ndjeshme të grave me uniformë.
Shqipëria dhe Forcat e Armatosura krenohen me përparimet që ka bërë gruaja ushtarake, ajo sot është më e sigurt, më e përparuar, më pranë familjes së madhe evropiane, e barabartë me gruan ushtarake të aleancës në NATO. Kjo është pjesë e meritës së tyre. Kjo na detyron që të jemi mirënjohës duke i vlerësuar për punën e tyre, duke ndjerë krenari për sakrificat e bëra në rrugëtimin e tyre nën uniformën ushtarake.


Në vijim të programit sot do të kemi rastin të ndjekim edhe filmin dokumentar “Ato janë të parat”, kushtuar 50 vjetorit të Kursit të Parë të Oficereve shqiptare. Me këtë rast dua të falënderoj iniciuesit e këtij filmi, Shoqatën Kombëtare të Ushtarakëve në Rezervë, në mënyrë të veçantë regjisorin e talentuar me shumë eksperiencë e të palodhur, ish ushtarakun Verdi Taken, i cili edhe pse këtë moshë të thyer po na sfidon me memorien dhe freskinë e mendimeve të tij artistike.
Duke përfunduar falënderoj të dy autorët e librit, organizatorët dhe ju uroj shkrime e libra të tjerë për ushtarakët në përgjithësi. Kush më tepër se vetë ne ushtarakët mund të shkruajë historinë tonë!







Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes