l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Ish-partizani trim nga Dardha, i dekoruar me “Medaljen e Trimërisë” dhe Urdhërin “Ylli i kuq”


SELMAN ÇERPJA, ISH NXËNËSI I INTERNATIT
TË KASTRIOTIT, PARTIZAN NË FLAKË TË BAROTIT

Nga Zaim Sefa

Dibra kreshnike, Dibra e Nëntë Maleve historike dhe heroike, gjithmonë, në shekuj me radhë, mot pas moti dhe brez pas brezi, ka dhënë dhe ka treguar prova guximi, trimërie dhe heroizmi të rrallë për çeshtjen kombëtare, për çlirimin dhe mbrojtjen e Atdheut dhe, kudo ku e kërkonte nevoja dhe interesi i vendit, kurdo dhe kudo ku ka luftuar, si në Grykën e Radikës, në Plavë e Guci, në Shkodër, Prizeren e Kolosjan, atje kanë derdh gjakun, kanë dhënë jetën; atje kanë lënë dhe eshtrat. Dhe, Dardha, si Mal i Nëntë Maleve të Dibrës, ka dhënë kontribut të spikatur dhe të shquar në historinë tonë kombëtare. Dardha ka lind e ka rrit djem, ka nxjerr burra trima, luftëtarë të paepur dhe prijës të shquar të luftës për liri; ka nxjerr burta të mençur e të zotët, që kanë përfaqësuar Dardhën e Dibrën, jo vetëm në kuvendet historik të Dibrës, por edhe më gjërë, edhe jashtë Dibrës, një midis të cilëve ishte edhe Misim Ahmeti (Çerpja), emrin e të cilit e mban një rrugë në qytetin e Durrësit dhe për të cilin, në një këngë të shkruar nga poeti Naim Plaku dhe të kënduar nga këngëtari Sherif Dërvishi, thuhet:
“Nxjerr martina flakë të kuqe,
Kush po i del në ballë k’saj kufte?!
Të lumtë dora, Misim Ahmeti!
Në krah ke Likën prej Shënlleshni,
Kazin, Hoxhën dhe Mustafën,
Osman Çajkrin edhe Kacën,
Selim Hysën e Lashkizës,
Besa- besë, krejt sh’pitë e Dibrës”.
Ndërsa në një këngë tjetër kushtuar Misim Ahmetit, midis të tjerave, thuhet:
“Në llogore e hëngri bukën,
Në istikame fjeti me pushkën.
Në mes armiqëve e ndizte zjarrin,
Me barut e çelte iftarin.
Kur vraponte në Maje të Karmës,
Gurët i thente me gisht të kames”.
Misim Ahmeti ishte jo vetëm stërnip, por edhe bashkëudhëtar e bashkëluftëtar i Elez Isufit dhe Suf Xhelilit. Gjithmonë, kudo e kurdo, deri në vdekje, gjer në luftën e fundit e frymën e fundit, më 24 dhjetor 1924, ishte me ta, pranë tyre e krah përkrah tyre, ku dhe këtë luftë, bashkë me ta e përkrah tyre, edhe Misim Ahmeti derdhi gjakun, u plagos shumë rëndë, por e strehoi, e mjekoi dhe i shpëtoi jetën Lush Stojku.
Siç tregon Ismail Strazimiri në ditarin e tij dhe siç shkruan Haziz Ndreu në gazetën “Ushtima e maleve”, datë 24 tetor 1987, pasi ishte djegur tri herë nga serbët, më 1 gusht 1921 kulla e Misim Ahmetit, për të katërtën herë digjet e shkrumbohet nga mercenarët e Beogradit. Në këtë kullë katër herë të djegur e shkrumbuar nga shovinistët serb e mercenarët e tyre, por katër herë të ngritur dhe rindërtuar përsëri, më 10 nëntor 1926 lindi djali më i vogël i Misim Ahmetit, Selman Çerpja, i cili pati edhe tre vëllezët e pesë motra.
Selman Çerpja u lind në lagjen Zhugjërr të fshatit Lashkizë të Dardhës në Dibër. Ai lindi në një familje të madhe, të njohur, me shumë zë dhe emër, me rreth të madh miqësor, me shumë tokë në disa lagje e fshatra të Dardhës, si në Zhugjër, në Qa, Lashkizë, Tartaj e Zall-Dardhë, me ekonomi të mirë dhe stabilitet të qëndrueshëm ekonomik. Por ndonëse Selmani lindi në një familje me shumë zë dhe emër, fëmijëria e tij qe e vështirë për shkak të disa kushteve e rrethanave specifika të asaj kohe e të familjes së tij.
Ai u rrit në një ambient, ku gjallëronte shtëpia dhe mësoi vlerat e miqëve e miqësisë, të besës e besnikërisë,... I ati i tij, Misim Ahmeti, përveçëse ishte burrë me shumë zë dhe emër, i shquar për atdhedashuri e patriotizëm dhe për kontribut të madh për çeshtjen atdheut, ai ishte burrë i mençur dhe i ditur, ai e çmonte diturinë, shkollën dhe arsimin. Ndonëse pati ca rrethana personale e familjare të veçanta të vështira, Misim Ahmeti u kujdes dhe u përpoq në maksimun që të arsimonte fëmijët dhe dy prej tyre i arsimoi njëkohësisht. Daliun e çoi në shkollën fillore në Reç, ndërsa djalin e vogël, Selmanin arriti ta çonte në shkollë në Internatin e Kastriotit, që ishte një shkollë shumë cilësore, jo vetëm për atë kohë, por fama dhe reputacioni i saj ka ecur dhe ec me kohën, është përcjellë nga koha në kohë, deri në ditët e sotme. Kjo shkollë la gjumë në arsimin shqip në Dibër, sepse përgaditi e formoi njerëz intelektualë, drejtues të aftë dhe ushtarakë të zotët. Selmani, përveç mësimit dhe kaligrafisë shumë të bukur të shkrimit, nga ajo shkollë mori kulturë dhe prej saj ruante kujtime e mbresa të veçanta, aq sa deri në fund të jetës së tij, ai kujtonte me shumë mall dhe nostalgji, jo vetëm emrat e mësuesëve dhe disa nga shokët e klasës e shkollës, por edhe detaje nga jeta shkollore, nga orët e mësimit, veçanrisht kujtonte kërkesat strikte të shkollës për seriozitetin, rregullin dhe displinën në shkollë.
Disa vite pas mbarimit të shkollës në Internatin e Kastriotit, në moshën 18 vjeçare, Selman Çerpja rrjeshtohet në radhët partizane, në brigadën e 18-sulmuese, ku ishte komisar Beshir Laçi, mik shtëpie i familjes së Misim Ahmetit, por ku, përveç partizanëve të tjerë, ishte edhe partizani ndër më të rinjët e brigadës, Mehmet (Elezi) Hyseni nga Kraj - Reçi, i cilli, disa vite mbas mbarimit të luftës dhe çlirimit të vendit, u martua me vajzën e vogël të Misim Ahmetit, motrën e vogël të Selmanit, Sulltanë Çerpen.
Ndonëse i ri në moshë, gjatë luftës Nacionalçlirimtare, ai u ballafaqua me shumë vështërsi dhe sakrifica, duke provuar dhe përballuar, jo vetëm mungesën e ushqimit dhe veshmbathjes, urinë, të ftohtin e lodhjen, por edhe rrezikun e jetës, duke parë vdekjen me sy, duke lidhur, mjekuar dhe trasportuar shokët partizanë të plagosur, duke parë midis plumbash, duke tërhequr nga fusha e luftimit e duke varrosur shokët e vrarë, të rënë dëshmorë për lirinë e atdheut. Edhe nga lufta Nacionalçlirimtare, Selmani ruante kujtime të shumta dhe me shumë emocion tregonte vazhdimisht episode nga jeta partizane, nga pritat dhe ballafaqimet luftarake me nazistët gjermanë. Ai tregonte se kur niste e fillonte lufta, mjaftonte vetëm një krismë dhe pas krismës së parë nuk kishte më as emocione, lufta ishte normale, nuk na bënin përshtypje as krismat, as plumbat, as gjaku, as plagët. Nuk kishim drojë e frikë, nuk trembeshim, nuk mendonim për veten, nuk na shkonte mendja tek rreziku, tek vdekja. Gjithashtu kishte kujtime e mbresa dhe tregonte detaje nga kontaktet e tij me ushtarë gjerman të zënë rob nga partizanët.
Pas mbarimit të luftës Nacionalçlirimtare dhe çlirimit të vendit, Selmani nuk u kthye në fshat, por për disa vite, nëntë vjet shërbeu në polici, kryesisht në rrethin e Tropojës. Ishin vite të një pune delikate e të vështirë, sepse koha dhe periudha menjëherë pas çlirimit të vendit, ishte dekikate dhe shumë e vështirë. Për shkak të lidhjes miqësore e familjare të familjes së tij me Cen Elezin, vëllai i madh i Selmanit, Idriz Misim Çerpja, në vitin 1946 u arrestua dhe u dënua me disa vite burg dhe konfiskim të pasurisë. Për këtë shkak, Selmani çmobilizohet dhe kthehet në fshat. Por fakti që kishte mbaruar shkollën në Internatin e Kastriotit e ndihmoi dhe u caktu shitës në dyqanin e shitblerjes në qendër të Zall-Dardhës.
Më pas, për shumë vite me radhë, Selmani, bashkë e nipin e tij Ali Çerpja, gjithmonë bashkë, pa u ndarë asnjëherë, punuan në rrethin e Mirditës, kryesisht në ndërmarrjen gjeologjike Rubik dhe në çdo zonë e sektor ku punuan, si në Rrënjollë, Kurbnesh, Përlat, etj., u dalluan për korektësi, punë të palodhur, dashamirësi, ...
Selmani, përveçëse i respektuar nga njerëzit, me të cilët e lidhi jeta dhe puna, ai ka marrë edhe vlerësime të rëndësishme institucionale, shtetërore. Përveç disa mirënjohjeve të ndryshme, është dekoruar tri herë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor, me urdhëra dhe medalje, si me “Medaljen e Trimërisë”, medaljen “10 vjetori i ushtrisë”dhe me Urdhërin “Ylli i Kuq”.
Për disa vite, Selmani banoi e jetoi në Klos, kur bëri një jetë aktive në organizatën e veteranëve të Klosit. Ndërsa vitet e fundit jetoi dhe banoi në Tiranë.
Lodhja, hallet, vështërsitë, mundi dhe mundimi, që pati dhe kaloi në jetë e në punë, iu shlyen dhe shpërblyen në pleqëri. Ai pati fatin dhe jetoi e kaloi një pleqëri të mbarë e të bardhë, pa vuajtje shëndetësore dhe pa dhimbje shpirtërore. Ai kaloi një pleqëri më shumë se të mirë, një pleqëri të bukur e të lumtur, i rrethuar nga dashuria dhe kujdesi e përkujdesi maksimal i familjes së tij të madhe e të gjërë, nga bashkëshortja, djemët e nuset, vazjat, nipat e mbesat. U nda nga jeta në vitin 2011, në moshën 85 vjeçare.
Ndoshta ishte rrjedhoj e mësimit, edukimit e formimit në shkollën në Internatin e Kastriotit, fakti që Selmani ishte korekt, i rregullut dhe shumë i kujdeshëm për ruajtjen e gjërave dhe materialeve të rëndësishme, sidomos dokumentave. Pas vdekjes së tij, në valigjen e tij personale u gjetën dokumente të tij, të ruajtura shumë mirë që nga viti 1952, 1953, 1955 e më vonë. Për periudhën 1950 - 1955 përveçse foto, u gjetën në gjendje shumë të mirë edhe çertifikatat e motivacioneve të dekoratave të tij, që ai ka marrë nga Presidumi i Kuvendit Popullor. Gjithashtu, pas vdekjes së tij, në portofolin e tij personal, u gjet edhe një foto e nipit të tij, Ismen Çerpja, i cili kishte vdekur në vitin 1974, pra atë fotografi e kishte ruajtur në portofol plot 37 vjet me radhë.







Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes