l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Reportazh/ Ripërtëritja e traditës, 35- vjet pas inaugurimit të Muzeut të Kastriotëve në Sinë, Kreu i Shtetit viziton Dibrën dhe nderon dibranët


DESHMORIT AHMET CAMI I JEPET “Dekorata e Artë e Shqiponjës”

Me dekretin e Presidentit të Republikës, SHT T Z.Ilir Meta, Nr. 11726 datë 17.09.2020, dëshmorit Ahmet Cami iu akordua “Dekorata e Arte e Shqiponjes”(pas vdekjes). Ky vlerësim vjen në konsiderim të propozimit të bërë dy vjet më parë nga ish-kryetari i OBVL-së gjeneral Rrahman Parllaku-Hero i Populllit dhe Këshilli Bashkiak i Bulqizës.
E mbesa e dëshmorit Ahmet Cami, dr.Alma Cami, pasi mori dekoratën e dhenë gjatë një ceremonie madhështore në qytetin e Peshkopisë falenderoi Presidentin Meta për këtë nderim që i bëhet një prej drejtuesve të LANÇ në rrethin e Dibrës.
Dëshmorit Ahmet Cami iu akordua “Dekorata e Artë e Shqiponjës”(pas vdekjes), me motivacionin: “Për kontributin e shquar atdhetar në mbrojtjen e interesave kombëtare, pavarësinë e vendit dhe tërësinë territoriale të shtetit shqiptar. Si komandant i Çetës së Gollobordës gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe luftëtar i paepur në shërbim të atdheut deri në flijimin e jetës”.
Ahmet Fetah Cami, dëshmor i atdheut me përmasat e Heroit është padyshim një nga figurat emblematike të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Madhështinë e tij e rrit qoftë edhe fakti i vrasjes enigmatike nga eksponentë të Çetës serbo-malazeze që vepronte në mënyrë sporadike edhe në Dibër. Është lindur më 8 gusht 1900 në fshatin Viçisht të krahinës së Dibrës, në një familje me tradita atdhetare dhe liridashëse.
Që në moshë të re Ahmeti u njoh dhe u frymëzua nga ngjarje dhe episode trimërie dhe heroizmi të popullit shqiptar, të krahinës dhe të paraardhësve të tij si: të stërgjyshit, Mahmut Cami, i vrarë në luftën e Drinit kundër forcave të Hajredin Pashës; të gjyshit, Shaban Mahmut Cami, (Dëshmor i Atdheut me Vendim të Komitetit Ekzekutiv të KP-së të rrethit Dibër Nr. 72, datë 24.05.1978 ) i vrarë në luftë për mbrojtjen e trojeve shqiptare nga sulmet e forcave shoviniste bullgare; të babait, Fetah Shaban Camit, (Dëshmor i Atdheut me Vendim të Komitetit Ekzekutiv të KP-së të rrethit Dibër Nr. 73 datë 24.05.1978 që, si komandant për mbrojtjen e krahinës, është vrarë dhe masakruar nga shovinistët serbë, të cilët e kanë zhvarrosur pas një jave dhe e kanë fotografuar për t’ia çuar Pashiqit, kryeministrit të Serbisë, si dëshmi të vrasjes së atij heroi. Mësimet e para i mori në shkollën e Zerqanit.
Vazhdoi studimet dhe kreu arsimin e plotë ushtarak në Akademinë Ushtarake në Shqipëri dhe në Itali. Punoi për disa vite si oficer gjatë sundimit të Zogut në rrethet Shkodër e Gjirokastër dhe për disa vite në Prefekturën e Elbasanit. Në qytetet ku punoi, Ahmeti u fut në rrethet intelektuale, ku ka marrë pjesë gjallërisht në diskutime e debate për probleme kombëtare si për organizimin e ushtrisë, të arsimit e të shkollës kombëtare si dhe për disa reforma shoqërore, duke dhënë kontributin e tij, që të mos ishin gjysmake dhe formale.
Ahmeti e priti me indinjatë të thellë pushtimin fashist italian. Prandaj që ditën e parë të pushtimit të Shqipërisë, tregon ishkolegu i tij, Isuf Kokomiri: “Ahmeti i ulur në gjunjë puth flamurin kombëtar dhe jep dorëheqjen si oficer”. Shembullin e tij e ndoqën edhe ushtarakë të tjerë, të cilët vazhduan të jepnin dorëheqjen. Kthehet brenda natës në fshatin e tij të lindjes, në Viçisht të Dibrës.
Ai e kishte më se të qartë, se vetëm me luftë të armatosur, mund të çlirohej Shqipëria nga pushtimi fashist italian. Kur kthehet në Dibër, Ahmeti mëson se kishin internuar e çuar në Berat, Ukë Dan Camin (Veteran i LANÇ me vendim të MM të RSH, 1994), kreun e Malit të Gollobordës dhe Sinan Shaban Camin, (Veteran i LANÇ me vendim të MM të RSH, 1994), kryeplakun e fshatit dhe me ndikim në mbarë Gollobordën dhe kishin internuar edhe disa krerë të tjerë të zonës. Sulmi ndaj batalionit të divizionit “Firence” të dislokuar në Vanastrane të fshatit Tërbaç Ahmeti, së bashku me Fasliun, vëllanë e mësuesin e shquar; me Sefer Camin, kushëririn dhe shkrimtarin e ardhshëm; me mësuesin korçar Spiro Velko, si dhe me gjimnazistin e Tiranës që ndiqej nga regjimi fashist, Ejup Shahin Camin dhe Ukë Dull Camin përbënin një bërthamë intelektualësh antifashistë në këtë zonë.
Ata shfrytëzonin të gjitha rastet, që nga festat familjare e fetare, lidhjet farefisnore, miqësore e shoqërore, deri edhe grumbullimet e popullit në pazare, për t`i njohur masat me situatat e brendshme dhe me ato ndërkombëtare, për të izoluar elementët profashistë, si dhe për marrjen e masave për të organizuar punën kundër fashizmit. Ahmeti është vënë në krye të punës propagandistike për sqarimin e popullit. Më 28 nëntor 1940 ka folur para popullit në Homesh për këtë datë historike, duke u dhënë që të kuptojnë se vetëm të bashkuar në luftë mund t`i dilet zot vendit dhe të çlirohet Shqipëria.
Çeta me bazë fshatin Viçisht ka vepruar që në prill 1941, ku u vranë 50 italianë. Pas pushkatimit të Ejupit, Musait dhe Mexhitit si dhe të vrasjes së Fasliut, burgosjes së 20 burrave të fshatit, çeta u asgjësua dhe u riformua pas daljes nga burgu më 25 maj 1943, datë e cila njihet ligjërisht si Çeta e Gollobordës (Fjalori enciklopedik, botim i vitit 1985).
Në çetë merrnin pjesë: Ahmet Cami, Spiro Velko, Hamdi Lleshi, Uke Cami, Qamil Lika, Mahmut Cami, Mahmut Dani, Esat Cami, Ibrahim Leci, Ibrahim Kotili, Remzi Kurtulla, Çup Duka, Shaqir Pali, Hazis Cami, Ramiz Murra, Mersim Murra, Hidër Manjani, Shaziman Meha, Selman Balla, Mete Duka, Ibrahim Lumi, Isuf Lika, Bajram Toçi, Mexhit Tola, Abaz Vargu, Murat Aliu, Xhezair Adili, Nexhip Duka, Nexhip Meçe, Ibe Palikuqi, Cen Lila, Lilë Hasa, Ibrahim Kasapi, Lutfi Skuka, Zenel Uka, etj.
Më 4-5 prill të vitit 1941 është organizuar aksioni për të sulmuar çadrat e batalionit të divizionit “Firence” të dislokuar në Vanastrane të fshatit Tërbaç, me një efektiv prej 600 ushtarësh italianë. Në këtë aksion u kanë rrëmbyer italianëve shumë armë dhe janë vrarë disa italianë si dhe një oficer i tyre. Ndërsa forcat e çetës nuk kanë pësuar asgjë, sepse aksioni qe i mirëorganizuar me detaje. Me armët e rrëmbyera në atë aksion janë armatosur të gjithë luftëtarët e krahinës.

AKTIVITETI KRYESOR I ÇETËS SË GOLLOBORDËS
Aksionet luftarake të Çetës së Gollobordës janë zhvilluar në fshatrat Trebisht, Ostren, Radovesh dhe Viçisht. Ajo ka vepruar e vetme dhe me çeta të tjera në kuadër të batalionit të Dibrës dhe më vonë në kuadër të Brigadës 18-të S. Janë të njohura dy aksione në rrugën automobilistike Strugë-Dibër, Çlirimi i Trebishtit, Çlirimi i Zerqanit, Çlirimi i Ostrenit, Lufta e Sofraçanit, dy luftërat e Dibrës së Madhe, Lufta e Peshkopisë etj.
Formimi i Batalionit të Dibrës më 26 korrik 1943 dhe roli i Çetës së Gollobordës për sigurinë e formimit të batalionit Fashistët u përpoqën t’i ndalonin, duke u bërë presione popullit të Gjoricës, por toka ku do të bëhej organizimi i batalionit ishte pronë e Zenel Camit dhe e pasuesve të tij, ishte kulla e Mahmut Camit, dhe për rrjedhojë askush nuk mund ta ndalonte. Influenca e Ahmet Camit, që jo rastësisht mbante edhe emrin e babait të Zenel Camit ishte e madhe.
Këtu një ndihmë konkrete dha edhe imami i Gjoricës, Sheh Latifi i cili kishte të falura katër hektarë tokë nga Cami. Në përbërje të batalionit ishin Çeta e Sllovës, Çeta e Grykës së Vogël, Çeta e Grykës së Madhe dhe një pjesë nga Çeta e Gollobordës, skuadra për ruajtjen e vendit të grumbullimit të batalionit, luftëtarë nga fisi Cami dhe nga Gjorica. Për ruajtjen e vendit të formimit të batalionit kanë qenë të ngarkuar këto partizanë efektiv të Çetës së Gollobordës: Çup Duka, Mete Duka, (dajat e Ahmetit), Ibrahim Leci nga Gjorica, Bajram Toçi, Qamil Lika dhe Uke Dullë Cami nga Viçishti etj.
Batalioni eshte formuar ne kullen e Mahmut Camit ne Gjoricë. Kuvendi për krijimin e Batalionit të Dibrës zgjodhi Shtabin e Batalionit me komandant Haxhi Lleshin, zv/komandant Esat Elez Isufin, komisar Njazi Islamin, zv/komisar Prokop Murrën. Ditën e formimit të batalionit, Ahmeti u caktua përsëri komandant i Çetës së Gollobordës dhe anëtar i shtabit të batalionit

VRASJA ENIGMATIKE E AHMETIT NË LUFTËN E PESHKOPISË, TETOR 1943
Nga dokumentet arkivore del se, në krah të Çetës partizane të Gollobordës ka qenë vetëm Çeta e Sharrit me përbërje prej 45 partizanësh serbo-malazezë. Paria e Dibrës dhe krerët e Ballit Kombëtar në takim me përfaqësuesit e Frontit kishin kërkuar, që të largoheshin jabanxhinjtë nga Dibra, që bëhej fjalë për çetën sebo-malazeze. Në maketin e historikut të Dibrës të para vitit 1990 nuk përmendet prania e çetës serbomalazeze. Me të drejtë, del pyetja: Pse duhej të ishte ajo çetë jugosllave brenda kufirit të Shqipërisë? Vrasjen e Ahmet Camit si nacionalist, që e cilësuan jugosllavët, mund ta bënte vetëm çeta serbo-malazeze, ashtu siç e realizoi.


Ahmet Cami dha për Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare, për lirinë dhe pavarësinë e atdheut gjithçka kishte. Ai shkriu të gjithë pasurinë e tij, duke dhënë edhe jetën. Akti i heroizmit të Ahmetit dhe të shokëve të tij, e frymëzuan Çetën e Gollobordës, për ta vazhduar më me guxim e heroizëm luftën për çlirimin e Shqipërisë nga pushtuesit nazistë. Populli i kësaj krahine e ngriti lart emrin e Ahmet Camit, duke e vazhduar më me vrull luftën. Çeta e Gollobordës mori emërtimin “Çeta Ahmet Cami”. Ahmet Camit, për kontributin e dhënë në Luftën Nacionalç- lirimtare, iu akorduan Medalja e Kujtimit, Medalja e Trimërisë dhe Medalja e Çlirimit. Në vitet 1966 dhe 1967, nga strukturat përkatëse të rrethit të Dibrës i është propozuar dy vite rresht Presidiumit të Kuvendit Popullor që t’i jepej titulli “Hero i Popullit”, për qëndrim patriotik dhe heroik gjatë Luftës Nacionalç- lirimtare, por ky titull nuk iu dha, për një arsye të vetme, se nuk kishte qenë anëtar i Partisë Komuniste Shqiptare.



Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes