l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Reportazh/ Ripërtëritja e traditës, 35- vjet pas inaugurimit të Muzeut të Kastriotëve në Sinë, Kreu i Shtetit viziton Dibrën dhe nderon dibranët


Presidenti Meta në vendorigjinën e Kastriotëve…

Tridhjetepesë vjet pas inaugurimit të Muzeut të Kastriotëve në Sinë të Dibrës, një vizitë impresionuese këtu në vendorigjinën e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, e Kreut të Shtetit shqiptar Ilir Meta, do të shërbente për ripërtëritjen e traditës së kësaj zone. Një ditë historike kjo, pasi referuar pikërisht veprës madhore të prof.Kristo Frashërit “Historia e Dibrës”, që qëndron hijerëndë përkrah busteve të Gjon, Pal e Gjergj Kastriotit në hyrje të Muzeut, presidenti Meta, ashtu si edhe elita historike e kombit që vizituan këtë muze para dy vitesh, do të “legjitimonte” këtë fshat si vendorigjinë e kastriotëve. Historiani i njohur dibran Haki Përnezha, në rolin e ciceronit, ndër të tjera do t’i bënte të njohur vizitorit më të rëndësishëm të këtij muzeu atë që ka lënë si testament Gjon Muzaka që në shekullin e 16-të: “Ta dini se gjyshi i Zotit Skënderbe quhet Pal Kastrioti dhe nuk pati më shumë se dy fshatra të quajtura Sinë dhe Gardh i Poshtëm…” (Gardhi i Poshtëm ndodhet në Muhurr). Besnik Këbej, ish-drejtor i shkollës 8-vjeçare Sinë, autor i librit “Origjina dibrane e Skënderbeut”, që kishte ardhur pas tridhjet vitesh në vendin ku shërbeu dekada të tëra dhe që dha kontribut të çmuar në ngritjen e këtij muzeu, do të sillte në kujtesë kohën kur këtu erdhën për të parën herë profesorët e nderuar të historisë, Stefanaq Pollo e Kristo Frashëri. “Pasi i kisha njoftuar me telegram për gjetjen nga nxënësit e shkollës të një medalioni bronxi me diametër 9 cm, me emblemën e Skënderbeut, profesorët Pollo e Frashëri udhëtuan më këmbë 6 orë, që nga Lura për në Sinë, për të bërë ekspertizën e këtij medalioni. Më pas, nën ndikimin e tyre, do të ishte kryetari i Komitetit Ekzekutiv të Dibrës Skënder Dema që do të urdhëronte ngritjen e këtij muzeu”,-thotë ndër të tjera Besnik Këbej.

Ndërsa Presidenti Meta shprehet se njohja e trashëgimisë dhe rrënjëve kombëtare është thelbësore për të ardhmen europiane të vendit. “Sot (18 shtator 2020) në Sinë, në truallin e Kastriotëve, vendin e origjinës të Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Kënaqësi të vizitoja Muzeun Historik dhe të njihesha nga afër me të dhëna interesante për betejat heroike të zhvilluara për mbrojtjen e kombësisë, territorit dhe identitetit tonë europian. Të bëhet zemra mal kur sheh djemtë dhe vajzat e Dibrës të lartësojnë traditat dhe vlerat tona duke na bërë të ndihemi krenarë! Thelbësore që rinia jonë të njohë rrënjët kombëtare, për të mbrojtur më mirë të ardhmen europiane të Shqipërisë”,- deklaron Presidenti Meta.

Shpopullimi i Dibrës është i dhimbshëm
Bahçja e fermerit Shefki Prifti në Sinë të Dibrës, një parajsë e vërtetë! Në këtë vend të begatë, perlë e natyrës, vetëm dy kilometra sipër luginës pjellore të Drinit të Zi, që ka përballë Korabin dhe sipër Runjën hijerëndë e kreshnike, për herë të parë në këto tridhjet vjet vjen Presidenti i Republikës. Dhe Shefki Prifti, një ndër kuadrot e njohur në gjithë Dibrën e pret atë sipas traditës dibrane. Në oborrin mahnitës të shtëpisë së tij janë mbledhur dhjetra fermerë të kësaj zone. Kuvendojnë ata shtruar me kreun e shtetit për “braktisjen qeveritare” të kësaj zone me histori të lavdishme. Ndër të tjera, më i moshuari, Besnik Kaloshi, përçues i denjë i mençurisë dhe filozofisë popullore dibrane do të shprehej se “Skënderbeu e ka lënë të hapur që prej gjashtë shekujsh rrugën e tij nga Sina për në gjithë Shqipërinë, por kjo copë udhë (vetëm dy kilometra nga ura e Arrasit) ka nevojë të asfaltohet e mirëmbahet që këtu të mund të vijnë vizitorë nga e gjithë bota”. Dhe ndërsa ka provuar shijen e rakisë, rrushit, dardhës, kumbullës e të mjaltit të sapo dalë nga hojet e bletëve të Shefki Priftit, gjatë kuvendimit me vendasit, Presidenti Meta tha se “shpopullimi i Dibrës është i dhimbshëm, pasi sipas tij braktisja e këtyre krahinave tradicionale që kanë qenë burim i identitetit tonë kombëtar e kulturor, mund të jetë fatal për të gjithë kombin”. Dhe vërtetë ndjen dhimbje kur sheh të braktisura këto vise me bukuri të rrallë natyrore, të cilat me pak investime mund të kthehen në një destinacion turistik tërheqës për vizitorë të shumtë vendas e të huaj.

Zall Dardha, djep i artistëve
Shtatë dekada më parë, në Zall Dardhë, në këto troje të burrave të mençëm, trima, të besës e bujarë nisi udhën e gjatë, të bukur e plotë suksese, grupi folklorik i Zall Dardhës martire, që bëri emër e zuri vend denjësisht në fondin e kulturës sonë kombëtare. Jo rastësisht, këta burra, simbol të urtësisë, trimërisë e mençurisë dibrane do ta pagëzonin Ansamblin folklorik të tyre me emrin tejet sinjifikativ “KUVENDI”. Ka kaluar më shumë se një gjysmë shekulli dhe këngët e vallet e kësaj krahine kanë ushtuar e janë kërcyer jo vetëm në festivale kombëtare, por edhe në ato ndërkombëtare. Zall Dardha quhet djepi i artistëve. Mund të duket e çuditshme, madje e pabesueshme, por ndryshe nga e gjithë bota ku fëmijët lindin duke qarë, në Zall Dardhë, fëmijët lindin duke “kënduar”. S’ka si të shpjegohet ndryshe fakti që në këtë vend ka aq shumë artistë në raport me numrin e popullsisë. Ndodh kështu, jo vetëm për efektet e trashëgimisë historike qëndrestare ndaj armiqve, por edhe për efektet e trashëgimisë kulturore folklorike. Por Muharrem Gjoka, President i Ansamblit “Folk Alb Hazis Ndreu,” thotë se në Zall Dardhë nuk ka shtëpi që nuk ka vegël muzikore popullore, çifteli, fyell, dajre etj. Në këtë zonë lindën dhe u rritën njerëz që lanë gjurmë në muzikën etnike shqiptare si kompozitori i shquar Muharrem Xhediku -themelues i filarmonisë shqiptare, koreografi, studiuesi dhe poeti i këngës Hazis Ndreu, artistët Skënder Çala, Lirie Rasha, Qerim Sula, Caje Poleshi, Xhelal Çerpja, Sherif Dervishi, etj. Nuk është rastësi që vetëm nga krahina e Zall Dardhës, janë katër artistë të dekoruar me Titullin “Mjeshtër i Madh”, përkatësisht: Hazis Ndreu, Skënder Cala, Liri Rasha dhe Qerim Sula. Siç është shprehur Presidenti i Republikës Ilir Meta: “Emrat e artistëve Haziz Ndreu, Muharrem Xhediku, Liri Rasha, Qerim Sula, Caje Poleshi, Ramadan Selmani, Shaban Mziu, Sherif Dervishi, Xhelil Ymeri, Xhelal Çerpja dhe shumë të tjerëve janë të dashur për gjithë shqiptarët dhe janë bërë zëri i kombit në shumë aktivitete kombëtare e ndërkombëtare”. Janë me dhjetra muzikantët, instrumentistët, valltarët, këngëtarët popullorë nga Zall Dardha që me kontributin e tyre jo vetëm kanë dhënë shfaqje në Zall Dardhë e Dibër, por edhe në mbarë Shqipërinë, madje edhe në skenat më prestigjioze të Amerikës dhe Europës. Dhe historia riciklohet. Atë që bënë burrat e shquar të Dardhës, para shtatë dekadash, duke themeluar Ansamblin Kuvendi, me në krye shumëtalentuarin Hazis Ndreu, po e ripërtërin Neshat Ndreu-President i Shoqatës “Ansambli Kuvendi Zall Dardhë”. Janë të rrallë burrat si Ai, që edhe në këto kohë të vështira kontribuojnë për ringjalljen e traditës. Realizimi prej tij i vizitës së Presidentit Meta në Zall Dardhë ku u vlerësuan me dekorata të larta artistët më të mirë të kësaj treve: Xhelal Çerpja, Qerim Sula e Sherif Dervishi (pas vdekjes), si dhe Liri Rasha, Saje Poleshi, Xhelil Imeraj, Lutfi Ndreu, Shaban Mëziu, Neshat Ndreu e Agim Cani është shembull frymëzimi për të gjithë ata që duan të promovojnë e trashëgojnë traditat e shkëlqyera të Dardhës.


Presidenti Meta duke dekoruar personalitete të etnografisë, folklorit dhe muzikës popullore shqiptare në Zall Dardhë vlerësoi Dibrën si simbol të qëndresës së shqiptarëve, që ka qenë përherë djepi i luftërave patriotike për liri dhe identitet kulturor. Në ceremoninë solemne të organizuar me këtë rast kreu i shtetit vuri në dukje se ndihet i lumtur që gjendet në Zall Dardhë, në fshatin me histori të madhe të luftërave për liri, por dhe në krahinën e artistëve, rapsodëve dhe valltarëve të famshëm për mbarë kombin! Nder dhe krenari për Hazis Ndreun, të cilit Presidenti Meta i akordoi dekoratën “Nderi i Kombit”. Mirënjohje të thellë për Neshat Ndreun e Avni Ndreun që i dhanë jetë Ansamblit “Kuvendi”.





Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes