l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

I përkushtuar ndaj detyrës, Atdheut, vartësve dhe eprorëve në çdo kohë

KOLONEL SEJDI VIDRICA - Oficer e Komandant Shembullor

Nga Ali DEMUSHI*

Me 1 shtator 2020 u nda nga jeta ish kuadri i lartë i Ushtrisë Shqiptare Koloneli në pension Sejdi Adem Vidrica .
Sejdiu lindi në vitin 1942 në fsahtin Bujan të Tropojës (Malësi e Gjakovës) në një familje me tradita atdhetare e patriotike, ku gjyshi i tij Sadik Ram Vidrica kishte luftuar përkrah burrave të malësisë, kundër çetnikëve të Malit të Zi, për mbrojtjen e krahinës shqiptare të Plave – Gucise dhe në tetorë të vitit 1913 bie në fushën e luftës, gjatë luftimeve në qafen e Diellit, sot i shpallur Dhëshmor i Atdheut .
Po kështu babai i Sejdiut Ademi, rreshtua gjatë Luftës Nacional Cclirimtare të Shqipërisë, në Bridagën e 25-të Sulmuese të Tropojës e më pas shërben në Komandën e vendit për Tropojën .
Ai gëzon statusin e Veteranit të Luftës Nacional – Çlirimtare.
Sejdiu, shkollën fillore dhe 7-të vjeçare i kreu në vendlindje. Në vitin 1958-1962 studioi e përfundoi shkollën e mesme ushtarake “Skënderbeg” në Tiranë, me rezultate të mira. Nga viti 1962-1964 studioi e përfundoi Shkollën e Bashkuar të Oficerëve në Tiranë, me rezultate shumë të mira. U titullua oficer i Ushtrisë me graden nëntoger. Pasi përfundoi Shkollimin u emërua në detyrë në ish Korpusin e Shkodres, ku për disa vite shërbeu në zonën e Malësisë së Madhe, në Tamarë e Vermosh si dhe në Dukagjin të Shkodrës .Pasi përfundoi edhe Akademinë Ushtarake të Mbrojtjes (Shtabit të Përgjithshëm), Sejdiu u emrua Komandant i Brigadës Sulmuese të Dukagjinit me qënder në Shkodër. Kjo njësi ushtarake ku drejtoi e komandoi Sejdi Vidrica shtrihej në terrenin më të vështirë, e malorë tërësisht, në rrethin e Shkodrës por pavarësisht vështirësive është dalluar për rezultate të larta në përgatitjen e gatishmërinë luftarake .
Me riorganizimin që u bë në ushtri Korpusi i Shkodrës, kaloi në Strukturën e Divizionit të Këmbësorisë i emertuar Divizioni “Taraboshi” dhe në këtë kuader Sejdi Vidrica u emërua Komandant i Brigadës së Këmbësorisë në Bushat të Shkodrës .
Ajo ishte njësia taktike , ushtarake më e madhja në Divizion, që i takonte të mbronte në rast agresioni të mundeshëm, ndaj vendit tonë, një brez mborjtje tokësore e bregdetare e pjesërisht malore, përballë Malit të Zi, që nga kufiri me Shëngjinin e deri në Malin e Taraboshit në front dhe në thellësi përfshi Malin e Zef Janës në Bushat dhe Kodrat e Bërdicës në hyrje të qytetit të Shkodres .
Mund të thuhet se ajo njësi (Brigadë) pati fatin që e drejtoi e komandoi Koloneli Sejdi Vidrica me shtabin e tij, një nga kuadrot më shëmbullore të Divizionit “Taraboshi”, i cili përmbushte të gjitha parametrat e formimit intelektual e profesional .
Ai ishte njeri i mrekullueshëm, me dinjitetin e malësorit të mirë dhe personalitetin si produkt të vetin, me vlera të mbëdha, e këto të dyja qëndronin në unitet me njëra – tjetren në personin e tij, ndaj ishte modeli i urtësisë, thjeshtësisë, dhe shpirtit të sakrificës me ndikim pozitiv te vartësit e tij. Ai udhëhiqte gjithë aktivitetin kryesor të Brigadës me shembullin personal. Dallohej në komunikimin me vartësit, e bënte atë të ngrohtë e pa ngritur zërin , me fjalë të zakonshme si të ishte në kuvende burrash të hershëm malësorë
Sejdiu ishte masovik, gëzonte respektin maksimal nga i gjithë efektivi kuadër e ushtar aktive e rezervist, sepse marrëdhëniet e punës dhe ato shoqërore i kishte ndertuar e realizuar nga pozita plotësisht të barabarta pa cënuar ecurinë e detyrës. Askush nuk ia bënte fjalën dyshë sepse edhe urdherat kur i jepte i kishte të menduar mirë që më parë, duke marrë paraprakisht edhe mendimin e vartësve, për vendime sa më të drejta e racionale .
Sejdiu i kapërcente situatat sado të komplikuara , me zgjuarësi, maturi e drejtësi. Tek ai nuk zinte vend uni. I mbronte kuadrot para eprorëve të tij, por edhe i qortonte në ndonjë rast për mangësi në punë, por kurdoherë me dashamirësi .Kudo e këdo që të takoj nga kuadrot e Brigadës ku drejtoi Sejdi Vidrica veçse fjalë të mira e me superlativa të merituara flisnin për Komandantin e tyre .
Ishte kjo lidhje e pazgjidhshme dhe unike e Komandantit Sejdi Vidrica, me kuadrot dhe efektivin e njësive që vazhdimisht Brigada , repartet e nënrepartet e sajë vartëse dalloheshin për stërvitje e gatishmëri luftarake me nivel të lartë në krahasim me repartet e njësitë e tjera të Divizionit .
Vitet e fundit të karrieres ushtarake si oficer aktiv, Sejdiu i kaloi në detyrën e Kryetarit të Degës Ushtarake për rrethin e Tropojës. Edhe aty punoi me përkushtimin maksimal duke realizuar të gjitha detyrat e organizim – mobilizimit ushtarak .
Është për tu theksuar se Sejdi Vidrica, me aftësitë e tija në komunikim, i kishte ndërtuar në mënyrë përfekte marrëdhëniet me organet e pushtetit dhe të ekonomisë në të gjitha zonat ku punoi e drejtoi, duke bërë të mundur realizimin sa më të mirë të detyrave që mbulonte në fushën e mbrojtjes së Atdheut .Sejdiu për rezultate të larta në punë është dekoruar me shumë urdhëra e medalje, nga organet e pushtetit të kohës .
Reforma në Ushtri e Vitit 1992, pas ndryshimit të sistemit politik në Shqipëri e largoi Kolonelin Sejdi Vidrica nga rradhët e ushtrisë aktive edhe pse ai e disa breza para e pas tij, kanë qënë pjesa më e aftë e kuadrove drejtuese e komanduese të reparteve e njëisve të ushtrisë tonë deri në majën e piramidës së sajë .
Kolonel Sejdi Vidrica gjatë viteve të shkollimit ushtarak ka qënë edhe një sportist i gjithanshëm, por kryesisht futbollist , i aktivizuar në skudren e shkollës dhe në ekipin e skuadrës rezervë të sport klub “Partizanit”.
Me kalimin e viteve Sejdiu doli në pension, por duke qënë i sëmurë prej disa vitesh shkoi me banim në Tiranë për të qënë sa më pranë Shërbimit Shëndetësor të kualifikuar, po ja që jeta e
solli që ai të ndahet nga familja e shoqëria duke i lënë në pikëllim. Kjo kohë e tejzgjatur që e ka kapluar pandemia virusale na ka paralizuar dhe hequr mundësinë për të përcjellë e dhënë lumturinë e fundit njërëzve më të dashur të familjeve tona e të shoqërisë .
Kështu ndodhi edhe me ne, shokët, kolegët e miqtë e Kolonel Sejdiut që nuk patem mundësi ti hidhnim një grusht dhe në ndarjen fizike nga ai .Por Sejdiu do jetojë përjetë në kujtesën tonë për të gjitha ato cilësi e virtyte të larta e nga më njezoret që e karakterizonin atë .
Të shumtë janë mesazhet e ngushëllimet nga shokët, kolegët e miqtë për Sejdiun si nga brenda e jashtë Shqipërisë me konsederaten më të lartë, por me këtë rast dua të veçoj mesazhin e ngushëllimit derguar nga ish Komandanti i Divizionit “Taraboshi” , Klonel Enver Gaba, i cili nder të tjera shkruan se Sejdi Vidrica ishte :”njeri i mirë, koleg i respektueshëm, oficer e komandant shembullor e i përkushtuar ndaj detyrës, Atdheut, vartësve dhe eprorëve. Kush pati privilegjin dhe nderin ta njihte dhe të punonte me Sejdiun dhe nuk e ndjeu veten me fat ? Këtë fat e pata dhe unë mbi 5 vjetë me Sjediun. Sejdiu nuk e thoshte kurrë një fjalë të tepërt, nuk i hidhëroi kurrë vartësit apo eprorët e tij . Fliste avash dhe e thoshte mendimin e tij, ashtu siç ishte e vërteta. Nuk jepte premtime që nuk i realizonte. Ishte i ndershëm, një burrë siç thotë populli “nuk vritej për gjak”, ndaj të gjithë kolegët e vartësit e donin, e nderonin dhe respektonin pa masë. Edhe sot shokët që punuan me Sejdiun, e ndjejnë veten krenar ” .
Ne shokët , e kolegët e Kolonel Sejdi Vidricës, i shprehim ngushëllimet më të thella familjes, të afërmve, farefisit, e miqeve të Tij për këtë humbje të parakoheshme e me dhimbje të madhe, për ta kaluar sa më lehtë që të jetë e mundur .
Kolonel Sejdi Vidricës i qoftë dheu i lehtë e pushoftë në paqë. I përjetshëm kujtimi i Tij .

*N/Kolonel në pension - Kryetar i OBVL Dega Shkodër





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes