l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Rrethi i Përmetit i dha luftës 189 Dëshmorë dhe 3 Heronj të Popullit

Përmeti nderon heronjtë, feston 77-vjetorin e çlirimit

Muharem Kamani

Më 13 shtator Përmeti u gdhi në festën e çlirimit. Sheshi “Abdyl Frashëri” dhe fasada e përmendores së partizanit ishin zbukuruar me flamurë dhe banderola. Qendra e zërit transmetonte këngë partizane, patriotike dhe marshe. Morën pjesë në këtë festë të shënuar mjaft qytetarë, veteranë dhe pasardhës të familjeve të dëshmorëve, administarata e bashkisë, këshilltarë, drejtues të institucioneve kryesore në rreth, nxënës shkollash, të rinj dhe të reja.
Nderuan me pjesëmarjen e tyre kryetarja e bashkisë Përmet, Znj. Alma Hoxha, nënprefekti Edvin Tuci, nënkryetari i këshillit të qarkut Gjirokastër, Hodian Selmani, kryetarja e këshillit bashkiak Anila Mihali, sekretarja e përgjithshme e bashkisë Denisa Duro, nënkryetarët e bashkisë Aulona Meshini dhe Florian Hasani, zëvendës kryetarja e komitetit të veteranëve, Flutura Taullai, kryetari i OKFD-së dega Përmet, Tomorr Kotori, përfaqësues të partive politike dhe shoqatave atdhetare kulturore që aderojnë në rreth. Mbas vendosjes së kurorave dhe tufave me lule pranë partizanit nga personalitetet e pranishme nën tingujt e Himnit Kombëtar, u mbajt në mënyrë solemne një minutë heshtje për të nderuar gjakun e të rënëve dhe sakrificat e partizanëve që sollën lirinë. Cermoninë festive e hapi me një fjalë përshëndetëse nxënësja e shkollës “Nonda Bulka”, e cila midis të tjerash tha: “Bashkia Përmet dhe QKMF dhe në bashkëpunim me shkollën 9-Vjeçare “Nonda Bulka”, organizojnë këtë veprimtari festive me vlera të gjithanshme edukative për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit. Përmeti i traditave të shkëlqyera patriotike dhe liridashëse i Rilindasve Abdyl, Naim ,Sami, dhe i heronjve të LANÇ-it Musa Fratari, Meleq Gostinishti, Skënder Çaçi dhe dhjetrave dëshmorëve që luftuan me pushkë dhe me penë.


Znj.Alma Hoxha në mes të një entuziazmi festiv përshëndeti personalitetet e pranishëm, manifestuesit dhe midis të tjerash tha: “Mirë se keni ardhur sot në festën e 77 –Vjetorit të çlirimit të Përmetit. Jemi mbledhur të gjithë bashkë në përkujtimin e ditës historike të çlirimit të qytetit tonë, ditë për të cilën kanë sakrifikuar, dhënë jetën dhjetra patriotë e luftetarë të lirisë. Sot pas 77 -vjetësh në përkujtim të kësaj dite historike me krenari të ligjshme shprehim respektin dhe mirënjohjen për të gjithë ata që u angazhuan në këtë luftë të rëndësishme për lirinë e vendit. Do t’i kujtojmë gjithmonë me respekt të gjithë ata që e deshën qytetin dhe vendin kaq shumë sa derdhën gjak dhe dhanë jetën për të. Kjo ditë çlirimi ishte zanafilla e realizimit të shumë ëndrrave që realizohen sot në Permet, i cili ka marrë pamjen e një qyteti të vogël dhe të bukur europian dhe që do të vazhdojë të eci në rrugën e mëtejshme të zhvillimit.”
I përjetshëm qoftë kujtimi i të rënëve dhe kjo ditë e shënuar e çlirimit të qytetit tonë!”

Në emër të OKFD-së, Dega Përmet, fjala ju dha z.Tomorr Kotorri që u ndal gjatë tek kjo datë e shënuar për rrethin e Përmetit, i cili midis të tjerash tha:
“Përkrahja, ndihmesa,angazhimi në rreshtat partizane të 1650 partizan dhe partizaneve të inkuadruar në Br6S, Br12S, tre batalione partizane dhe disa çeta, vërteton kontributin që dhanë përmetaret. Lëvizja antifashiste gjatë viteve 1942-1944 mori përmasa të gjera në rrethin e Përmetit. Partizanët ndiheshin të sigurt në fitore dhe ishin të motivuar të luftonin për mbrojtjen e vendit. Fashistët u goditën nga luftëtarët antifashistë në të gjitha krahinat dhe në qytetin e Përmetit. Mbas çlirimit të krahinës së Dangëllisë, Malëshovës, Ceries, Rezes, më 13 shtator u çlirua Përmeti, i cili qëndroi i pushtuar 1615 ditë. Rrethi i Përmetit i dha luftës 189 deshmorë dhe 3 heronj të popullit, ndërsa qyteti i Përmetit i ka dhënë luftës 27 dëshmorë. Këta luftëtarë dhe luftëtarë treguan guxim dhe trimëri të rrallë, ku mund të përmendim disa prej tyre: Abedin Shkëmbi, Teki Gjashta, Tako Serani, Sulejman Nurka, Fanjo Cicaku, Agllai Dhimitri, Dhoksi Dhame, Gani Nurka, Mitat Duralliu, Ahmet Tomorri, Anastas Konomi, Arqile Konomi, Gaqo Vinjau, Harallamb Papa, Hamit Hamiti, Karafil Rema, Loni Kristo, Muharem Gjashta, Nako Tanellari, Ngjali Jani, Riza Rakipi, Adem Sheme, Foti Adhami, Dhiogjen Jani, Ilia Koto, Manol Duka, Nikolla Fanko.
Të kujtosh dhe të nderosh ata që dhanë jetën për liri është një detyrim i brezave, është një shenjë respekti që meritojnë dëshmorët e lirisë.”


Në emër të komitetit të veteranëve të Përmetit përshendeti znj. Flutura Taullai, e cila midis të tjerash tha:
“Qyteti i Përmetit brez pas brezi do të krenohet me historinë e kësaj lufte dhe kontributin e dy brigadave sulmuese dhe disa çetave dhe batalioneve të cilët e vazhduan luftën deri jashtë kufijve për çlirimin e trojeve Shqiptare. Qyteti i Përmetit është dhe do të mbetet qyteti i Kongresit Historik të 24 majit 1944, ku u morën vendime të rëndësishme për çlirimin e trojeve shqiptare. Historia e LANCL është shkruajtur nga fitimtaret dhe nuk mund të ndryshohet nga humbsit sipas mendimeve të fallcifikatorëve të ndryshëm. Ajo pasurohet me fakte dhe dokumenta të reja. Ne jemi të sigurt se historia dhe gjaku i dëshmorëve nuk do humbasin dhe veniten kurrë. Me optimizem ta ndjejmë dhe përjetojme ndër breza madhështinë e luftës dhe fitoren historike të çlirimit të qytetit të Përmetit”
Festa vazhdoi me koncertin muziko-letrar përgatitur nga Qendra Kulturore Multifunksionale dhe shkolla 9-Vjeçare “Nonda Bulka” me udhëheqës artistik Ylli Muço dhe Mimoza Topoviti, këngë dhe marrshe partizane: “Shqiponjat partizane”, “Partizani në luftë po shkonte”, “Malet me blerim mbuluar”, “Nga na erdhën këta partizanë”, “Gjokset djaloshare,” “Ku e kam vajzën, ku e kam djalin”, recitime interpretuar me nivel të lartë nga instrumentistët, recituesit dhe këngëtarët e shkollës Anxhelo Gace, Kleo Roci, Daniela Shabani dhe Doloreza Sanollari etj.
Për nder të të ftuarve kryetarja e bashkisë znj. Alma Hoxha, shtroi një kokteil në lokalin “Përmeti” ku vazhdoi bashkëbisedimi, kujtimet për këtë datë të shënuar dhe ja dha fjalën kryetarit të shoqatës “AK-Përmeti”, historianit Kastriot Bezati “Mjeshtër i Madh”, i cili me një përshëndetje të shkurtër me pak fjalë foli shumë ku midis të tjerash tha:
“13 Shtatori është ditë e madhe historike për Përmetin. Kjo datë ngrihet mbi datat dhe ngjarjet e tjera historike si rezultat i luftës e cila solli çlirimin e Përmetit mbi të vërtetën që Përmeti ka lindur rilindësit e mëdhenj të kombit vëllezërit Frashëri. U mbajt kongresi i parë LANÇL-it i njohur si Kongresi Historik i Përmetit, i cili mori vendime të rëndësishme historike për fatet e luftës. Nga Përmeti është udhëhequr LANÇL prej SHP për 77 ditë nga Përmeti dhe Odriçani. Përmeti është i vemti qytet në shkallë kombëtare i djegur 4 herë nga pushtuesit, prandaj duhet të shpallet nga organet kompetente, qytet martir i Luftës së Dytë Botërore. Gëzuar festën dhe mirëupafshim në kremtimin e datave dhe ngjarjeve të tjera historike të rrethit të Përmetit!”





Kol.Ing. Myfit Guxholli Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes