l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Tregim

Për tek Porta e Ligjit..…?!


Nga Liljana Muça

Diku, atje në Veri, ku malet e larta e bënin hije njëri-tjetrit, bashkë me fishkëllimën e tërbuar të erës dëgjohej e shurdhër një këmbanë.
Lajmi i kobshëm se kishin vrarë Lekën, djalin më të mirë të Prelajve mori krahët e erës dhe rendi kullë më kullë e vatër më vatër duke drithëruar zemrat e malësorëve.
Eh, bre burrë, po na shuhen djemtë!. Nuk ka të sosur vargu, po na thahet lëngu i shpirtit,-foli njëri plak, tetëdhjetë e kusur vjeç i cili ishte krushqi me Prelajt.
-Për besë kot fare kjo punë, ia priti një plak,- duke thithur thellë duhanin me llullën e gjatë dhe duke nxjerrë prej goje e hundësh një shtëllungë të dendur tymi.
Që nga frëngjia e kullës shekullore, gjakësi, një burri shtatëlartë, rreth të pesëdhjetave dëgjoi bisedën dhe i ndoqi me sy të dy pleqtë të cilët morën rrugën e një shtegu të ngushtë për t’u bashkuar me grumbullin e burrave që e përcillnin për në banesën e fundit trupin e Lekës.
E pat edhe “kjo punë”, mendoi i lehtesuar, por edhe ofshau thellë në një therje në kraharor. Fëmijëria si me dhjetra herë të tjera i kaloi aq qartë përpara syve.
Ishte një fëmijë vetëm dhjetë vjeç atëhere kur nënëmadhja dhe e ëma e kishin vënë të ulej këmbëkryq tek koka e të atit të vdekur, të cilin e kishte prerë plumb i Prelajve.
Edhe atëherë, si tani këmbana kishte rënë vajtueshëm .
Graria ishin mekur duke qarë, kurse axha e burra të tjere të fisit u kishin rënë gjoksit dhe kishin shkulur flokët si shenjë e dhimbjes. Kullat qenë dridhur e trarët u kishin kërcitur për kobin e zi.
Vdekja përgjonte nëpër frengjitë e ngushta dhe nëpër tytat e ftohta të martinave të vjetra.
Kujtimi i hidhur i femijërisë për të atin i erdhi si një vegim. “Sa i verdhë, sa i ri dhe sa i bukur me atë cullufe te zezë te derdhur që i kishte rënë mbi ballin e lartë ! Po përse, përse”?!
Edhe Leka që tani po i vinte shpatullat dheut, kishte qënë i ri, i bukur dhe shtatazgan.
Ah, përse?-i tha sësrish vetes duke ndjekur me sy turmën e mugëtuar e kokëulur të burrave që humbën pas Qafës se Lakut. Teksa kapërcyen atë qafë kodre, me një fërgëllimë të fortë shkundëse, iu duk për një çast, se të gjithë ata burra i gllabëroi vdekja.
Fluturimthi, mendja i shkoi tek mësuesi i fillores kur e kishte ngritur njëherë në mësim dhe i kishte thënë të zgjedhonte foljen “mësoj”.
Ai kishte heshtur si guri i një varri, jo se nuk kishte ditur të zgjedhonte atë që i tha mësuesi, por mendja i kishte marrë arratinë me vrapin e një ere të çmendur. Për nga ai çast, kur u ulen pranë të atit të vdekur e për dyzet vjet rresht në vazhdim, kishte mërmëritur me veten e tij, një zgjedhim tjetër të kobshëm” “Unë vras, ti vret , ai/ajo vret.....ne vritemi, ju vriteni, ata/ato vriten.......”!
-Përse, përseee?!-bërtiti me një piskamë të thekëshme, në të qare, atje në katin e sipërm të kullës së tij, aq sa edhe kulla u drodh nga dhimbja prej hakmarrjes së çmendur.
Ndërkohë hodhi vështrimin përjashta dhe në mugëtirën që po binte, përgjatë shtegut dalloi burrat që po ktheheshin kokëulur të cilët ngjanin si kërcunj të zinj se kush me dhimbjen e tij në shpirt.
Iu afrua qoshes pranë oxhakut dhe i hodhi nja dy dru lisi të thatë zjarrit që po shuhej. As i hahej, as i pihej dhe gratë i porositi të mos i sillnin gjë prej gjëje. U mbështet mbi një jastëk të fortë dhe vështrimin e treti me mendime të zymta mbi flakët e zjarrit të cilat zgjateshin dhe merrnin forma të frikshme. Iu duken sikur të ishin flakët e zjarrit të ferrit që zgjateshin drejt tij gati për ta gllabëruar. Pati një makth të vërtetë dhe mornica të forta i shkuan nëpër trup. Degjoi të binte shi dhe të frynte një ere e fortë me fishkëllima.
Po Leka? Ishte atje në dheun e zi e të ftohtë, ndërsa ai aty në kullën e tij, vërtet i ngujuar por ama jetonte.
Ndjeu ta kapnin nje palë ethe të forta dhe dhëmbët filluan t’i kërcisnin sikur të ishte duke ecur në një rrugicë të shtruar me zhavorr. U mundua që të frenonte nofullat, por ato nuk iu bindën. Shiu filloi të bjerë me forcë mbi rrasat e kullës shoqëruar edhe me krisje të ndonjë rrufeje. Një kujisje e përvajshme e qenit të komshiut i vinte në veshë deri lart. Po tani, kujt ia ndillte vdekjen kuisja e tij? Leka ishte atje...
ndërsa ai aty, i mbërthyer nga një makth torturues.
O Zot i madh, mos po vdiste? Kaq shpejt?! Vetëm një ditë pas Lekës? Po fëmijët e tij? Ah po edhe te Lekës!!!...
Një përshtjellim marramëndës e gremisi në një realitet të pazakontë. Rrotulloi sytë nëpër rrethinat e dhomës dhe së fundmi i ndali tek dera në fund të saj. Në gjysmë errësirën e ndriçuar vetëm nga flakët e zjarrit në vatër, dalloi një grua të stërgjatë, të fishkur, me flokë të gjatë e të thinjur, shkapërdisur në kraharor e mbi supe. I kalli frikë. Kush ishte vallë?
Deshi ta pyeste, por nuk mundi. Dicka e shtrëngoi në fyt dhe djersë të ftohta i mbuluan ballin.Vetëtimthi mbuloi sytë me krahun si në një lojë symbyllazi fëmijësh. Kush ishte ajo grua e shëmtuar dhe çfarë kërkonte në dhomën e tij? Kush ia kishte hapur derën dhe kush e kishte ftuar? Dhjetëra pyetje i shkonin dhe i vinin me shpejtësinë e vetëtimës, por që nga askush nuk merrte përgjigje,.Dëgjoi një krisje të fortë rrufeje, e cila iu duk sikur bëri shkarkimin pas frëngjisë së kullës se tij. Sakaq u zgjua nga përhumbja e një bote tjetër. Zemra e çakorduar po i shkallmonte kraharorin. E largoi krahun nga sytë dhe vështrimin e hodhi tek dera, por ajo, Hija e Vdekjes, nuk ishte më aty.
Në veshë i vinin si një litar i gjatë që zgjatej e zgjatej fjalët, që edhe ato të ngujuara në thellësi të vetes, shpërthenin për të dalë nga ngujimi në përmbushje të qëllimit.
“Unë vras, ti vret!!...”. Ai varg fjalësh që formonin atë litar të llahtarshëm po e lodhnin dhe po e shtrëngonin për këmbësh, për mesi, për kraharori, ja edhe pak për fyti.... aty ku peri i jetës këputej për tjetër udhë ...
Mjaft ,mjaaaft litar i marrë varg i marrë.....! M’u bëre si gjarpër i zi. Do të të pres me sopatë, do të të bëj copë e çikë, varg i maaarrë!!!!!-ulëriti. Kulla e moçme sikur u drodh prej zërit të tij. I kapsalliti syte fort. Edhe stuhia kishte pushuar. Agu i mëngjesit po hynte nëpër frengjitë e ngushta. U ul ndenjur me këmbët e mbledhura kryq mbi postiqen e leshtë dhe filloi të thithte duhan me një llullë prej druri. Si mbaroi duhanin, që iu bë shkuar formakut, u ngrit dhe zbriti shkallët e ngurta të kullës. Me të mbërritur në korridorin e katit të parë u përball me të shoqen që merrte miell në magje për të gatuar bukët.
-Për ku kështu me kaq ngut?-e pyeti e shqetësuar.
-Për tek Porta e Ligjit. Bëj kujdes për fëmijët,-i tha nxitimthi dhe sakaq kapërceu pragun.
- Për tek Porta e Ligjit..…?!-tha ngadalë në pëshpëritje gruaja duke ndjerë mbi shpatulla barrën e peshës së një amaneti.
Liljana Muça











 





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes