l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

Gazmend Zajmi ka rreth 30 punime shkencore, nga të cilat katër me karakter monorafik

Edhe ju jeni trima

Tregim nga Myfit GUXHOLLI

1.
Sapo kishte hyrë prilli i vitit 1944. Gjethet e gështenjave dhe të dushqeve nëpër kodrat përrreth Pogradecit porsa kishin çelur. Nga liqeni frynte një erë e lehtë. Petritit, apo Titja, siç e thërrisnin shpesh, dhe shoku i tij Thomai, vështronin sipërfaqen e ujit, së cilës mëngjesi i kishte dhënë një ngjyrë vjollcë në të purpurtë. U ulën të dy mbi një gur dhe vazhduan bisedën:
-Më duket se partizanët do të vijnë këto ditë, - i tha Titja Thomait. Hap sytë që të jesh gati! Dhe... kij kujdes! Askush të mos e marrë vesh se çfarë kemi vendosur!.
Thomai tundi kokën me flokët e paqethur, si të donte të thoshte: “Mos u bëj merak!” dhe heshti. Ndërkohë, nga e majta u dëgjua uturima e motobarkës së patrullës gjermane, që shfrynte si bishë e uritur, duke prishur qetësinë e ftohtë.
-Pastaj do të na shohin këta qena neve, -vazhdoi Titja, duke i shkrepëtirë edhe më shumë ata sytë e kaltër, e duke kërcitur dhëmbët gjithë urrejtje.

2.
Rrinte shtrirë në shtrat dhe sillte ndërmend me gaz në zemër ç’kishte dëgjuar prej më të rriturve… Partizanët e Brigadës IV Sulmuese dhe forcat e batalioneve territoriale kishin çliruar shumë fshatra të rrethit të Korçës, madje edhe Ersekën e Leskovikun. Tërë bota kishte marrë vesh se populli shqiptar, pasi u dha dërmën fashistëve italianë, po luftonte me vetmohim kundër një armiku tjetër të egër e barbar, gjermanëve nazistë….
Papritur u dëgjuan krisma armësh. Ai hodhi jorganin tej me rrëmbim, u vesh me vrull dhe kërceu nga dritarja, për të arritur sa më parë te shtëpia e Thomait. Brodhi e brodhi përmes errësirës së rrugicës. Pas pak e vuri re tek po vinte drejt tij, duke fishkëllyer lehtazi, siç fishkëllente sa herë ishte i gëzuar. Titja iu afrua dhe i pëshpëriti:
- A i dëgjove pushkët? Janë partizanët, me siguri janë partizanët. Të dalim t’i presim!
U sulën pa shkëmbyer asnjë fjalë andej nga ishin ndjerë krismat. Vraponin të dy me sa u hanin këmbët dhe merrnin frymë me zor prej lodhjes. Fytyrat u shkëlqenin nga gëzimi.

3.
Me luftëtarët u takuan në hyrje të qytetit, tek zinte fill rruga e Mokrës, Eh, se ç’lumturi të patreguar ndjenë në krahëror, kur i panë ashtu me armët supeve, me vështrim të guximshëm e me yllin e kuq në ballë! Por lumturia kishte përfshirë gjithë popullin, se partizanët po e çlironin sërishmi qytetin e djegur nga okupatorët e tradhëtarët.
Çunat u futën në mes të partizanëve. Vazhduan rrugën bashkë me ta dhe sa nuk kërcenin përpjetë, kur luftëtarët i përkëdhelnin, e kur u vinin në kokë kapat e tyre me yje të kuq të ndritshëm.
Porsa arritën tek sheshi ku partizanët qëndruan për të pushuar, dy çunave nuk iu durua. U turrën te komandanti e komisari, që kuvendonin në mes të një grupi partizanësh. Këta, kur i panë fëmijët, buzëqeshën ëmbël. Titja e Thomai i përshëndetën me grushtin lart:
- Vdekje fashizmit!
Komandantit e komisarit iu bë qejfi dhe nisën t’u shpupurisnin leshrat. Çunave u gufoi zemra. Morën guxim dhe folën pa u ndrojtur:
- Pse nuk na regjistroni në batalion? Duam ta luftojmë edhe ne armikun!.
- Vërtet!?- ua ktheu komandanti duke buzëqeshur rishtaz. Pastaj pyeti:
- Shumë mirë! Po, nuk më thoni, nga sa vjeç jini?
- Nga katërmbëdhjetë,-u përgjigj Thomai flakë për flakë.
- E shihni, pra! - ndërhyri komisari duke i vështruar me dashuri, qenkeni ende të vegjël për të ardhur me ne. Lufta është e vështirë.
Tites iu drodh shtati. Hodhi sytë i shqetësuar rreth e rrotull dhe pa një partizan që nuk iu duk më i rritur se ata vetë. Iu afrua shpejt dhe nisi të matej me të. E ai nuk ishte veçse tre gishta më i gjatë.
- Ja,-tha, - sa ne është edhe ai partizani atje.
Komandantit e komisarit u pëlqeu këmbëngulja. Ata i vështruan çunat në bebëzën e syrit.
- Mirë,-ua priti më në fund komandanti. - Po ju regjistrojmë.
Pionierët sa s’thirrën prej gëzimit.
...Pas dy orësh u radhitën nëpër rreshtat partizane. Ecnin të lumtur drejt fshatit Podgozhan. E ndjenin veten luftëtarë të vërtetë, sidomos kur i ndanë nëpër baza, e kur njohën dashurinë e madhe të popullit.

4.
Koha rridhte. Dhe ja, erdhi çasti që batalioni po pregatitej për aksion. Me porosi të komandantit e të komisarit, partizanët pionierë do të ishin nën kujdesin e luftëtarit më të vjetër, Shyqyriut. Ai qysh më parë i kishte mësuar ata të qëllonin mirë me pushkë.
- Çdo plumb, - u thoshte,-duhet të godasë në zemrën e armikut. Kuptoni?
Kur arritën në Gurin e Kamjes, batalioni u shpërnda në pozicione. Ai do të priste me zjarr kolonën armike, e cila kishte për qëllim të hynte thellë në malësi. Çunave u rrihte zemra nga padurimi. Ata do të merrnin pjesë për herë të parë në betejë. Dhe, kolona nuk vonoi të dukej. Përleshja filloi e ashpër. Nga të gjitha drejtimet kryqëzoheshin gryka zjarri. Plumbat fishkëllenin mbi krye çast më çast. Partizanëve të vegjël u ziente gjaku e mbusheshin me krenari, kur vërenin se si nuk përmbaheshin shokët, e sidomos kur shikonin se si komandanti i batalionit lëvizte sa andej-këndej në vijën e parë të zjarrit, duke i nxitur luftëtarët ta goditnin armikun me rreptësi. Pas pak u gjend pranë tyre komisari.

Me t’i parë i pyeti:
- A jini të fortë? -
Të fortë jemi,-u përgjigj Thomai.
Ata u çonin plumba partizanëve dhe ndihmonin infermerien të tërhiqte të plagosurit. Kur papritur, dëgjuan se dikush u thirri rreptë nga pas shpine:
- Ç’bëni more ashtu!?
Titja ktheu kokën. Pa Thomanë dhe një dorë të madhe, që e tërhoqi nga supi dhe e uli barkaz me të shpejtë. Ishte dora e Shyqyriut, që i ruante si djemtë e tij.
- Të mos ju shoh më të ngriheni në këmbë, morët vesh? - bërtiti ai. - S’jemi në dasmë këtu! E dini që mund t’ju kapë plumbi, apo s’e dini? Dhe mos kujtoni se dua t’ju fus frikën, jo! Por, duhet ta kurseni kokën, se lufta nuk ka mbaruar. Ta vrasim armikun dhe të fitojmë.
...Pas betejës komandandati i thirri pranë dy luftëtarët e vegjël.
- Jam shumë i kënaqur prej jush, - u tha ai. - Ju lumtë!
Ata sa nuk fluturuan nga gëzimi, sidomos kur ai u dhuroi nga një armë të re, prej atyre, që iu kapën armikut. Titja e Thomai i morën ato në duar dhe u puthën grykat. Komisari përsëri iu afrua dhe u rrahu shpatullat.
Erdhi koha për të ngrënë. Po çfarë do të hanin? Skuadra ku bënin pjesë pionierët kishte vetëm një copë çyrek, të cilin e ndanë në kafshata. Kur Titja e Thomai mbaruan së ngrëni racionin e tyre, ndjenë se dikush i preku lehtë në sup. Kthyen kokat dhe panë dy partizanë, që po u zgjatnin pjesët e veta me buzë në gaz. Çunat nuk pranuan. Luftëtarët vrërën vetullat.
- Merrini, de! - thanë. - Ne jemi të rritur e durojmë, kurse ju…
Titja e Thomai deshën të kundërshtonin prapë, por partizanët ua lanë kafshatat mbi gju dhe u ngritën. Nga ajo dashuri dhe kujdes i partizanave pionierët e ndjenë veten dhjetë herë më të përtërirë. Gjithë lodhja e asaj dite iu largua, sikur t’ua kishe hequr me dorë….Të nesërmen s’kishte mbetur për të ngrënë asgjë, përveçse pakëz miell.. Për ta shtuar e përzien atë me tallash druri.. Arriti çasti kur edhe pionierët partizanë nisën ta përtypnin bukën e çuditshme njëlloj si çyrekun e nënës.. Shokët e skuadrës po i shikonin me vëmendje dhe po i thoshnin njëri-tjetrit me zë të ulët, se edhe ajo ishte një provë e madhe për luftëtarët e vegjël.. Kurse komandanti u vajti atyre pranë dhe u tha me atë zërin e vet të dashur e të kumbueshëm:
- Edhe ju jeni trima, trima të vërtetë. Çdo vështirësi po e kapërceni me sukses.
Pastaj ai u kthye nga batalioni:
- Shikoni, shokë! - tha. As të vegjëlit tek ne nuk duan t’ia dinë për vështirësitë. Kjo tregon se luftën do ta fitojmë patjetër. Partizanët brohoritën. Në sytë e tyre lexohej besimi i patundur se fitorja ishte mjaftë afër.
(Botuar në revistën “Pionieri”, dhjetor 1975)










 





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes