l
Faqe e Pare
Organizata

veterani arkiva
veterani Veterani

link Linke

 

PROFIL

ARBEN DUKA ËSHTË NJËRI NGA LIRIKËT TANË MË TË MIRË


SHPENDI TOPOLLAJ

Arben Duka është gjërësisht i njohur, qoftë si parolier, ku me ato tekstet e thjeshta, plot mesazhe e figuracione të mençura, ka fituar shumë çmime në Festivalet e Këngës në RTV, ashtu edhe si poet i angazhuar, duke ndjekur pa u lodhur, ecurinë ditore plot teka të politikës, me një lloj stigmate të pandryshuar, dhe për rrjedhojë shpesh, edhe të keqkuptuar. Them të keqkuptuar, pasi sot, në atmosferën e lirisë së perceptimit dhe të gjykimit, mendimet dhe opinionet janë brenda të drejtës së tyre, që të mos përputhen apo të kundërshtojnë njëra - tjetrën. Dikush, për krijimet e tij të mprehta e lavdëron e dikush që kërkon t`i përçmojë ato, i quan bejte, duke harruar se ato nuk janë tjetër veçse lloje vjershash të përdorura fillimisht në poezinë e popujve të Lindjes dhe që gjetën përhapje edhe në letërsinë tonë. Por kjo nuk ka fare rëndësi dhe ndofta nuk ja vlen të zgjatemi më tej. E rëndësishme, mendoj se është që të dihet e vërteta e pamohueshme, se Arben Duka është një nga poetët tanë lirikë më të mirë. Këtë e vërtetojnë qartazi librat e botuar prej tij, por që për të mos u përhapur shumë, unë po ndalem te përmbledhja “Kristale të thyera” , botim i Neraida, viti 2004 me nëntitull Letra dashurie - 6. I drejtpërdrejtë dhe me atë drojën pushkiniane të pafshehur, ai i drejtohet asaj buzë njomës, manushaqe me aromë në lëndinë, me këmbëngulje, pa u mërzitur aspak ngaqë ajo ngurron t`i përgjigjet. Dhe ndofta ajo djallëzisht tregohet indiferente, se e di se sa më shumë naze të bëjë, aq më shumë do ta joshë atë: “Veç unë e di një të vërtetë / Dhe Zoti atje lart; / Se dashuria është në jetë / Më i vështiri art”. Poeti pa tjetër që do të jetë njohur ndonjëherë me atë thënien e Don Marquis - it se “Të bototsh një libër me vargje është sikur të hedhësh petale trëndafili në Grand Kanion dhe të presësh të dëgjosh jehonën e tyre”. Ca më shumë që ai e di pozicionin jo fort të lakmueshëm të poezisë te ne sot. E megjithatë, nuk para merakoset për këtë; letrat janë shfrime personale dhe për të, kuptim ka që ndjenjat e tij, apo edhe zhgënjimet që pasojnë, t`i dijë ajo që është aq e dëshiruar edhe kur kthehet në një vegim apo edhe në një kujtim: “E duron dot zjarrin / A mund të përgjigjesh?!… / Më mirë ëndërromë / Sa në zjarr të digjesh!...” Mirëpo shpesh lexuesit e zakonshëm dyshojnë se mos poeti duke i kënduar kështu dashurisë, pa dashje ka rënë në pesimizëm. Aspak! Se nuk duhet ngatërruar emocioni që poezia jep, me dëshpërimin apo të parët e fenomeneve të jetës me ngjyrën gri. Paul Gogeni duke vërejtur lidhjen midis saj dhe arsyetimit është shprehur “Para së gjithash, emocioni! Vetëm pas të kuptuarit!” Ka pra një ndërveprim të ndërsjelltë mes njohurisë së trurit dhe përvojës së shpirtit, sipas A. Bennett. Duke lexuar poezitë e Arbenit, mund të të dalin edhe lot, pasi kujton diçka nga jeta jote, nga dashuria jote, por kjo nuk do të thotë aspak se edhe ti ke rënë në dëshpërim. Jo! Ti tani ndihesh më mirë se kurrë. Kjo është forca përgjithsuese e artit. Arti, me magjinë e tij të çliron dhe të lehtëson. Brenga që të ka munduar, shpërthen. Tani ti ke përjetuar ato çaste që do të doje të mos i harroje asnjëherë. A nuk përftojmë të njëjtën ndjesi edhe nga epika apo drama, dy gjinitë e tjera kryesore të letërsisë? Atëherë, pse e kemi kaq të kollajtë të themi se poeti ka rënë në pesimizëm? Po si mund të shpaloset tjetërsoj humbja e diçkaje të shtrenjtë, largimi i njeriut të dashur apo vdekja e dashurisë, më të shenjtës gjë që ne njerëzit kemi? “Ikën!... Të gjitha u tretën / Me rininë e përvëluar / Tani veç kujtimet mbetën / Shpirtin për të na helmuar!...” Se vjen një kohë dhe njeriu vyshket fizikisht. Tani çfarë mund të bëjë tjetërsoj ai, veçse: “E ç`të themi e ç`të shkruajmë, / E ç`të themi tani tjetër, / Dalim si gjahtarë të gjuajmë / Kujtime nga kohë e vjetër.” Po sikur njeriu të mos ketë se ç`të kujtojë? Si do t`i ngryste ditët? A nuk e quante Maksim Gorki, Aleksandër Bllokun “Njeri me sinqeritet të pacak”, kur ai shkruante: “Plot me ëndrra vete - vjen, / Zemra mbart kujtime, fate: / Ato mbrëmje mbi liqen, / Erën e shamizës sate.”? Arben Duka poet, me shpirtin e tij të ndjeshëm, rron me shijen e një puthjeje, si te tregimi “Konakbashi”. Te poezia e tij “Kush ka puthur…” ai thotë: “Kush ka puthur buzë prej çupe / I ka buzët plot me mjaltë. / Kush ka pirë prej asaj kupe / Nuk ka vdekje as në baltë”. Por mos u çudisni; ai nuk flet për vete. Poeti ka parasysh se kjo u ka ngjarë edhe të tjerëve. Dhe pikërisht këtu është enigma e poetit; ai di të përgjithsojë. Ai shkruan, apo më mirë, përshkruan, atë që e ka provuar kushdo, me të mirat e të këqiat e veta. Dhe jo vetëm sot, por siç thotë ai te “Jeta…”: “Dhjetë shekuj të tjerë kur të shkojnë, / Nip - stërnipërit që do jenë në jetë, / Njëlloj si unë botën do mallkojnë, / Si Zeusi do derdhin rrufetë”. Ndaj ai shpejton të bëjë diçka të mirë: “Le të ecim, kohë s`kemi / Që t`ia fusim gjumit / Le të ndezim, sa të jemi, / Një dritëz mes llumit!...” Ja pse ai, gati u bën thirrje të rinjve e të rejave njësoj si dikur poeti ukrainas Taras Shevçenko që shkruante: “Se me thinja, tërë rrudha / Bëheni një herë, / Dashuroni, sapo jeni, / Lule në pranverë.” Shihni dhe lirikun tonë te poezia e tij “Vajtoj…”: “Vajtoj për ju sisët e plota, / Të plota mbi gjokse harbuar, / Burimin e shenjtë ku pi bota / Me dritë e me vesë kulluar. / Vajtoj për ju sisët e bardha, / Që ndrisni, sfidoni ylberin, / Do jini dy pellgje të thara, / Burimet nga ju kur të shterin”. Ama edhe duhet që dashuria të jetë pa huqe, se pastaj thyhen dhe coptohen zemrat si kristali nga xhelozia. Arben Duka me shpirtin e tij të madh e të kthjellët sa deti i Jugut, dashurinë e ka shtrirë deri te shokët e mësuesit e tij që janë dhe s`janë në këtë botë. Janë vargje të ndjera reminishencash për njerëzit e mirë me të cilët e lidhi fati në jetë, është mirënjohja e pakufishme për ta. Por, ato që të mbesin në mendje e nuk të ndahen, janë vargjet kushtuar vendlindjes së tij Labovës: “Në ato viset e mia / Në Labovë e në Odrie / Ku dhe guri, ku dhe druri / Flasin fjalë dashurie”. Por sa meditime përjeton ai te “Kthim në Labovë”, ku i dalin parasysh njerëz e ngjarje, ku atij i mbushte shpirti me ngazëllim teksa i del përpara Kala e Dollibashit, Ura e Subashit, me historitë e tyre, lumi Vjosa, Kroi i Kallogresë apo Kisha e Shën Mitrit, ku i bëhen nderime kripës edhe bukës, dhe e sheh me dhembshuri Varri i bardhë i Pilo Dukës. Por sa trishtim e keqardhje ka ai kur sheh se gjërat nuk janë si më parë; kanë ndodhur shumë ndryshime, pasi banorët po largohen nga fshati e po ndërtojnë vila diku tjetër dhe aty thuajse gjithçka po kthehet në gërmadhë: “Edhe ti, o mik i dashur, / Si një zog do psherëtish: / “Ku u tret ajo muzikë / Që Labovë emrin kish!...” Ajo Labovë që sikurse pohon vetë, e bëri poet Arben Dukën. Pa harruar se ai, si i tillë u kultivua në bankat e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”, nga ku falë mësuesve mjeshtra të shquar të letërsisë, kanë dalë shumë e shumë poetë të tjerë që i bëjnë nder Shqipërisë. Veç liriku Arben Duka me brilantet e tij, zë një vend të veçantë në gjerdanin e praruar të krijuesve të kësaj shkolle. Si i tillë, lexuesit i kalon shkarazi ajo lirika e titulluar “Kënga e fundit”, kushtuar sëmundjes së tij të shumë viteve më parë, të cilën ai si një nxënës i Lukianit e përballoi me burrëri. “Në deje gjaku më ka ngrirë / Qiriri në të fikur. / Tani si hëna në të gdhirë, / Jam gati në të ikur.” Dhe në qoftëse në shtatorin e vitit 2004 e kishte një merak; se nuk do ta treste dheu për këngët që s`arriti t`i shkruante dot, koha tregoi se qe shqetësuar fare kot, ndaj s`kemi pse të presim këngë nga varri, por nga pena e tij e pashtershme. Romakët e vjetër thonin “Ad augusta per angusta”.






 





Kololel Sotir Budina Kryetari i OBVL-së


 

Arkiva e gazetes